Senad Guraziu
"Paradoksi i kursimit" apo i "koprracisë" është një paradoks i ekonomisë, kjo natyrisht jo sipas meje... por sipas babait të kejnianizmit, J. M. Keynes.
Thënë tani shkurt (sepse gjatë nuk di t'ia them sa i përket këtyre problematikave) ky paradoks ka të bëjë me diç si vijon: derisa kursimi individual në përgjithësi ndikon pozitivisht në ekonominë e një shteti ose të një shoqërie, në anën tjetër ai paradoksi i kursimit thotë se "koprracia" kolektive mund të jetë e dëmshme për ekonominë e një shoqërie të caktuar.
Ky paradoks është hallkë qendrore e ekonomisë kejniziane. Edhe pse nga ekspertë të ndryshëm kritikohet për mjaft gjëra, është po ashtu pjesë e ekonomisë standarde qysh nga vitet '40.
Dhe sot duke lexuar diç nga lajmet për fitoren e François Hollande në Francë, rastësisht më ra në sy një e dhënë që m'u duk si "kuriozitet" - respektivisht fjalori i mirënjohur në gjithë botën dhe që përdoret nga një numër i madh njerëzish, "Merriam-Webster
Dictionary" e paska shpallur fjalën "austerity" si "Fjalë të Vitit" për vitin 2010. E paskan bërë këtë për shkak të numrit të madh të kërkesave në Internet, atë vit.
Sipas botuesit të këtij fjalori, për këtë fjalë paska patur më shumë se 250.000 kërkime vetëm në fjalorin që operon "online", dhe që është falas për përdorim si vegël kërkuese! D.m.th sipas tyre, pa i llogaritur të tjerat statistika.
Në rregull kjo, e qartë... por pra tani kërkova dhe unë, ndonëse jo për ta përkthyer këtë fjalë. Sipas meje, pakashumë e dija domethënien e saj, tekefundit e dija... për aq sa më duhej mua vetë.
Kërkova sepse mbrëmë në CNN, po ashtu në BBC... (dhe gjithandej në kanalet e shtetit holandez që mbulonin "live" zgjedhjet në Francë e Greqi), reporterët kur komentonin dhe kur bënin pyetje (për ata që i intervistonin), në përgjithësi më qe krijuar përshtypja se kjo fjalë përmendej më së shpeshti, dhe se gjithçka vërtitej rreth shprehjes "masat e kursimit"!
Kërkova, meqë nuk marr vesh aq shumë nga shprehjet e tilla (pothuaj si "shabllone" të reporterëve-gazetarëve, të cilët ç'është e vërteta, shumica as që janë njohës të "thellë" të këtyre shkencave, ndonëse më shumë se unë dinë dhe ata). Thashë mëvete, eventualisht, të mësoj pakëz më shumë se si flasin për këtë çështje vetë ekonomistët e mirëfilltë dhe ata që i dinë gjërat pak më mirë se unë dhe se gazetarët e CNN e të BBC.
Aq shumë dhe s'mund të mësohet për një ditë të vetme, kuptohet kjo.
Pritet pra që të mbetem nxënës i mirë dhe më tutje. Mirëpo për "Fjalën e Vitit" të Merriam-Webster (fjala që më bëri kureshtar) mësova se cilat shtete deri tani e paskan "përjetuar si fjalë dhe e paskan praktikuar dhimbshëm politiko-ekonomikisht" - ja pra saktësisht:
Argjentina, 1952, 2012 | Kuba, 1991 | Republika çeke, 2010 | Gjermania, 2011 | Greqia, 2010–2011 dhe rishtas 2012 | Irlanda, 2010 | Izraeli, 1949–1959 | Italia, 2010 (prapë Napoli, Itali 2012) | Japonia, 2010 | Letonia, 2009 | Meksikoja, 1985 | Holanda, 1982–1990, 2003–2006, 2011 | Kanadaja, 1994 | Nikaragua, 1997 | Autoritetet Palestineze, 2006 | Rumania, 2010 | Portugalia, 2010 – 2011 | Porto Riko, 2009 (dhe për tutje si masa deri më 2013...) | Spanja, 1979, 2010 | Britania e Madhe, gjatë dhe pas dy Luftrave Botërore, pastaj 2011 (dhe për tutje si masa deri më 2014...).
Mësova gjithashtu se termi "Epoka e Kursimit" qenka futur në përdorim pikërisht nga lideri i konservatorëve britanik, nga ai Kameroni, në fjalimin e tij në Cheltenham më 2009, ku ai qenka "përbetuar" për t'i dhënë fund asaj "kohe"... të cilën ai atëherë na e paska quajtur: "vite shpenzimesh të tepruara qeveritare".
Mësova se programet e "kursimeve të ashpra" mund të jenë kontraverze!
Mësova se njerëzit, të cilët i njohin gjërat, e paskan "kritikuar" Fondin Monetar Ndërkombëtar (IMF) për kushtet e tyre, më saktë për "kushtëzimin" e mirënjohur të tyre, atë të "Masave të Kursimit".
Ankesat qenkan se ato "kushtëzime" shkuakan në dëm të atyre segmenteve më të varfëra të shoqërisë, se qenkan kushte që çojnë kah "vetëhumbja", që çojnë kah "jozhvillimi" ekonomik. Në shumë situata këso programesh qenkan implementuar nga qeveri që paskan ardhur në pushtet pas regjimesh diktatoriale, duke ngjallur kështu kritikat se qytetarët tani janë të shtrënguar t'i paguajnë borxhet e "shtypësve" të tyre.
Mësova se një ekspert i OKB-së në v. 2011 paska thënë se "masat e ashpra greke për kursimin mund të prekin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut"!
Mësova se Projektet e zhvillimit, pastaj Projektet lidhur me Mirëqenien dhe shpenzime të tjera sociale qenkan "programe" të përbashkëta që janë në shënjestër... për "kursime" të tilla. Ndërsa Rritja e tarifave të Tatimeve dhe ca gjëra tjera na qenkan po ashtu "burime" të zakonshme për kompensime... Shumë e qartë!
Masa të ashpra kursimi ose "koprraci e imponuar kolektive" gjatë historisë së këtij fenomeni qenkan ndërmarrë zakonisht kur qeveritë nuk ia paskan dalur t'i "menaxhojnë" detyrimet e tyre për borxhet. Ato vetëm flitkan e flitkan pa ndalë për recesione e për kriza. Bankat mund ta humbin besimin (dhe kjo ndodhka bukur shpesh) në aftësinë e një qeverie të caktuar, sa i përket gatishmërisë për t'i kthyer borxhet.
Dhe "klubi i bankave" ose bankierët e mençur thjesht refuzuakan që ajo qeveri të "rrokulliset" mbi borxhet ekzistuese. Ndonjëherë bankierët tek ashtu, duke pirë whiskey në kopsht... imponuakan norma tejet të larta të interesit. (Këtu dua të shtoj dhe diç si detaj: nuk e mohoj se më kujtohet mirë fytyra e Berluskonit, kur ajo Zonja e Hekurt e FMN-së ia pati bërë me "sy djallëzisht", pak ditë para se ai të jepte "dorëheqje"!).
Në situata të tilla, institucione ndër-qeveritare si p.sh. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkuakan-kushtëzuakan "masat të ashpra kursimi" në këmbim të një injeksioni, si penicilin i përkohëshëm kundër "sëmundjes se mosbesimit", pra duke marrë rolin e një huadhënësi të fundit, si garanci finale. Kur FMN-ja kërkuaka një politikë të tillë ekonomike nga qeveritë "problematike" (që s'ia dalin t'i kthejnë borxhet e veta ndershmërisht) termat qenkan të njohur si "kushtëzime të FMN".
***
Më kujtohet dikur në avion nga Roma për në Amsterdam, një holandez me të cilin rastësisht e "kapëm si temë bisede" problemin e Greqisë, në një moment desh u shkoklua së qeshuri. Ai qeshte dhe s'mund të ndalej sepse unë në një moment u shpreha:
- Hëëë, se s'duhet të brengosen as grekët, lum si ata... kanë panumër ishujsh, askush nuk di saktësisht sa ishuj i kanë, le ta shesin një, p.sh. le t'ia shesin ndonjërin Shqipërisë dhe ja, dalin nga kriza.
- Ka Shipëria aq para sa për të blerë ishuj - më pyeti ai pa të keq, por dhe qeshte pa ndalë me idenë time të ishujve.
- Lëre dhe këtë - ia ktheva - ç'rëndësi ka kjo, të gjithë ata peshqit e mëdhenj të bankave dhe aso "ekzekutivë" p.sh. të FMN-së kanë. Por dhe atij kryeministrit tonë (e kisha fjalën për Sali Berishën) as syri s'i trembet, edhe ai po bën çmos për të hyrë në "Evropë". Ndoshta së shpejti Shqipëria dhe hyn, na hyri dhe Greqia atëherë... por vetëm mos t'na ndodh dhe neve pastaj e kërkojmë si grekët... të dalim. Kam frikë pastaj si "del", ec e dije, ndoshta dhe i qethur del?!
E ne s'kemi aq shumë ishuj! Sidoqoftë, kam përshtypjen se po të dëgjonte ai që Greqia ka hedhur në shitje ndonjë ishull, ai do t'ia bënte disi, do t'i gjente ku janë e ku s'janë, ndoshta do ia kërkonte pikërisht mbretëreshës sonë, shkëlqesisë së saj, Beatrix. Ajo ka ende pa prekur napolona të Elisabetes, aso napolona të "piratëve"...
- Por kam dëgjuar se Berisha ka llogaritur t'i ketë afër 1 miliard borxh, të kasës së vet... - ma ktheu.
- Pih, ç'është 1 miliard për Shqipërinë, tallesh me mua apo çfarë... Ishujt nuk shiten çdo ditë ore mik, mendon ti se Berisha do ta linte tek ashtu t'i shkiste një "zog" i tillë nga dora!?
Më kujtohet që miku holandez pati qeshur për nja 2 orë të tëra të fluturimit nga Roma. Për mua s'ishte aq "qesharake" ndoshta sepse disa gjëra tona ballkanike unë vërtet i njihja dhe i njoh më mirë se ai. Unë bëja shaka por ama dhimbjen dhe frikën për krizat si dhe për "rrugëzgjatjen" e hyrjes së Shqipërisë... e "kisha me gjithë mend".
Dhe kështu... padyshim do vazhdoj me "mësimet" dhe në të ardhmen. Problemi për leksionet që ndoqa sot është se nuk di nëse ia vlejnë për mua apo jo! Sipas meje aspak nuk e humba rrugën, u nisa të kërkoj përse një fjalë mund të shpallet "Fjalë e Vitit"... dhe dola tek vërtetimi se "Meriam-Webster" mund të ketë të drejtë.
Lind pyetja: vallë kush mund të ketë kërkuar në fjalorin e tyre, ata që janë të pasur dhe që "nuk dinë" apo ata që dinë shumë... por që s'janë aq të pasur?
Nëse vazhdoj kështu me të tilla pyetje, padyshim do ta "zbuloj" dhe unë ndonjë paradoks, si ai Keynesi i ekonomikave!