2012-05-10

Në vend të përkujtimit:Ardian Klosi/1957-2012/

Lidhur me letërsinë shqiptare

Autorët shqiptarë shkruajnë për të marrë çmime "jashtë shtetit"




Adrian Klosi u lind në vitin 1957. U diplomua në fakultetin e Gjuhë - Letërsisë në 1981. Ka marrë doktoratën në vitin 1990. Nga viti 1993 - 1998 ka qëndruar në Gjermani.

Ka botuar disa libra si në shqip, ashtu edhe në gjermanisht.

Në shqip: 1991: "Refleksione" (me Edi Ramën), 1991: "Shqipëria zgjim i dhunshëm", 1993: "Quo vadis Shqipëri", 1997: "Shqipëria ç'mund të jetë" dhe në gjermanisht: 1993: "Mbijetesë shqiptare" (fotot Jutta Benzenberg), 1997: "Fjalor gjemranisht - shqip" (me W. Fiedler), si dhe mjaft tregime, ese, artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj.

- Ju njiheni si një nga studiuesit dhe kritikët e letërsisë shqipe. Ç'mendim keni për letërsinë shqiptare të shekullit të XX?

Për të bërë një saktësim, asnjëherë nuk e kam quajtur veten kritik për dy arsye. Së pari fjala kritik më ngjall shumë alergji, aversione sepse dimë se çfarë ngarkese negative mori kritiku mbas 1945 dhe pergjithësisht kritikë letrar në Shqipëri u bënë njerëzit pa talent, ata që kishin dëshirë të bënin ndonjë tregim dështuan dhe kështu u morën me kritikë dhe filluan t'u bien më qafë shkrimtarëve të mirë dhe filluan të ngrenë shkrimtarët mediokër. Kurse arsyeja e dytë është se unë nuk e ndaj dot kufirin. Unë shkruaj ese, satire, tregime por dhe kritika në kuptimin e analizave dhe nuk e di se ku është kufiri. Ajo që më jep më shumë kënaqësi natyrisht është krijimi.

Nga ana tjetër jam filolog, gjuhëtar mendoj jo i keq. Kam disa punime, kam dhënë mësim një periudhë të gjatë në Universitetin e Mynihut në katedrën e Albanalogjisë edhe aktualisht kam një punim të madh për gjuhën e arbëreshëve të Greqisë. Më konkretisht për pyetjen mendoj natyrisht që letërsia më e mirë shqiptare është në shekullin e XX dhe kjo është e padiskutueshme. Në shek e XX kemi poetë si Fishtën, Poradecin, Migjenin, Camajn, Mjedën pra majat e poezisë, jo vetëm shqiptare, por edhe europiane. Në shek e XX kemi prozatorë si Kuteli deri diku Koliqi, Kadare dhe shumë të tjerë. Në shek e XX kemi kulmet e shqipërimeve Fan Noli, Sotir Caci, Vedat Kokona, Petro Zhej, pra kemi një fluks induktus të fjalës shqipe që ishte e panjohur në shekullin e mëparshëm.


- Kë do të konsideroni si arritje më të madhe të letërsisë shqipe?


Sot nuk duhet të nxjerrësh më të madhen se duhet parë në këndvështrime të ndryshme. Do të thoja që arritjet më të mëdha në poezi i kemi me Lasgush Poradecin, Migjenin dhe nqse. flasim për poezinë moderne të kohës moderne është Martin Camaj. Pastaj Martin Camaj ka meritën e madhe që nuk e la të vdesë traditën e shquar të gegërishtes si gjuhë poetike. Nëse e shohim nga këndvështrimi i romanit me struktura të ndërlikuara me shumë mesazhe të fshehura atëhere do të veçonim disa romane të Kadaresë "Nëpunësi i pallatit të ëndrrave"."Pashallëqet e mëdha". Nëse do të kërkonin forcën e fjalës shqipe pasurinë të derdhur qoftë në ese a në satirë do të kërkonim Konicën dhe Nolin.

- A mendoni se e ka penguar censura letërsinë shqiptare dhe shkrimtarët?

Natyrisht që e ka penguar censura dhe autocensura, por nuk duhet të bëhen për këtë fajtor shkrimtarët. Në radhë të parë për këtë fajtor është një sistem, një regjim i caktuar që iu vu popullit shqiptar mbi krye. Kjo bëri që shumë shpejt të merren masa drastike dragoniane kundër shkrimtarëve të talentuar si Vincens Prennushi, Arshi Pipa, Mitrush Kuteli më vonë Kasem Trebeshina etj. Kjo bëri që vetvetiu në bazë të censurës të lindë autocensura. Kjo vazhdoi edhe mbasi ra diktatura sepse ishin krijuar në kokat e shkrimtarëve skena të tilla.
Për mua vazhdim i censurës është edhe fakti kur bën një roman tepër erotik ose pornografik, vetëm nga fakti që para '90 kjo nuk është lejuar ose kur bën një satirë mediokre kundër Enver Hoxhës vetëm nga fakti se atëhere dënoheshe, pra dhe këto i shoh si pasojë të censurës dhe autocensurës.

- Pas viteve '90 a ka shkrimtarë që e vazhdojnë traditën apo distancohen më shumë nga ajo?

Për mua kjo është një krizë e thellë që nuk është vetëm shqiptare por do ta quaja një krizë botërore e vlerave shpirtërore në kohën kur nevojat kulturore ose kur kohën e lirë të njeriut e mbulon televizioni, kultura e sipërfaqshme, e shpejtë që është me shumë vizuale dhe tek ne nuk ka patur traditë të gjatë lulëzimi. Ishte një traditë e shkurtër më shumë e lulëzuar nga mungesa e kënaqësive të tjera vizive. Pra ishte një fenomen i përkohshëm etja, dëshira e madhe për të lexuar tek ne, që lidhet me suksesin e jashtëzakonshëm të Kadaresë e të një radhe shqipërimesh.

Ndërsa në perëndim shihej ndryshe kjo çështje. Aty ka sisteme të tjera vlerash edhe nëse televizioni është mediumi më popullor i kohës prapë letërsia ka strukturat e veta, ka juritë që japin çmime të përvitshme, ka subvencione shtetërore apo private, madje letërsia ka vendin e vet, madje edhe në mediat vizive. Kurse tek ne kjo gjë nuk ndodh. Po të shikosh të gjitha stacionet kryesore televizive nuk ka asnjë dritare ku të bëhen debate mbi letërsinë. Kështu ndoshta ka vepra të mira letrare por nuk i shohim ato kjo është dhe reciproke duke parë shkrimtarët që nuk ka një jehonë, një vlerësim të madh në publik dhe ata stepen të shkruajnë, ose bëjnë gjëra të shpejta komerciale, shkruajnë shpesh gjëra që mund të pëlqehen jashtë shtetit ku mund të marrin ndonjë çmim a ndonjë vlerësim.

- A ndjehet nevoja e një brezi të ri në kritikë, pra me parime të tjera duke e parë në këndvështrime të tjera?

Kjo është e natyrshme mungojnë zërat më me autoritet e jemi që në organe të caktuara qofshin këto radiotelevizive apo gazeta të mëdha të kishin, këndin autoritetin e tyre të jepnin vlerësimin e tyre. Mirëpo ne për fat të keq vemë re disa njerëz që bëjnë recesione librash i bëjnë për inerci kështu që nuk e dallon dot grurin nga kashta nuk i kupton vlerat e forta që krijohen në këtë vend. Unë do të jap vetëm një shembull të kritikut të famshëm gjerman Marcel Paiz Rainit i cili mund të jetë afër 80 vjeç dhe ka qenë gjithmonë shtylla qëndrore për vlerësimin e botimeve të prodhimtarisë letrare në Gjermani. Edhe sot ai ka në një stacion televiziv këndin e tij ose prononcohet vetëm ose në një kuartet që quhet kuarteti letrar. Aty merr 3 - 4 botime të spikatura të muajit dhe recensiohen në një mënyrë shumë tërheqëse, shumë intriguese. Tek ne një institucion i tillë nuk ekziston dhe kjo është për të ardhur me të vërtetë keq.

- A mendoni se letërsia duhet të pasqyrojë gjuhën megjithëse ajo është standarte. A duhet të paraprijë gjuha letërsinë?

Patjetër, mendoj se këtu bëhet gabim ose ekziston keqkuptimi i madh sikur gjuha i prin letërsisë sikur gjuhtarët me vendimet e tyre përcaktojnë letërsinë gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ndodhi në një rast ku ne morën një vendim qeveritar që do të bëjmë toskërishten gjuhë letrare. U mblodhën komisionet e gjuhëtarëve dhe për normat e kësaj toskërishte te re që atëhere u quajt për demagogji "gjuhë e njësuar". Sot kanë hequr dorë gjuhtarët nga ky vendim quhet gjuhë standarte. Kjo është vendosur se cdo shtet modern ka nevojë për gjuhën e vet standarte. Mirëpo çështja është që gegërishtja kishte një traditë kaq të gjatë dhe ish një pjesë kaq e madhe e popullsisë shqiptare që flet në dialektin dhe nëndialektet e gegërishtes saqë vendimi i 72 nuk mjafton dhe nuk e ka vënë ekzekutimin final për këtë traditë të gjatë.

Veç unë mendoj sikundër për Martin Camaj në mërgim që shkroi shumë e shumë libra me poezi e në prozë me gegërishten e traditës. Po kështu duhet të veprojnë edhe shkrimtarë të tjerë qoftë nga veriu i Shqipërisë apo nga Kosova, nqse kanë dëshirë të ruhet kjo pasuri. Ky tingëllim i vecantë. Dhe ata duhet të bëjnë një gjë tjetër, duhet të harmonizohen me njëri tjetrin të gjejnë mirëkuptim dhe të vendosin disa rregulla. Një kodim të thjeshtë sesi t'i shkruajnë fjalët. E kam fjalën se nqse do të vazhdojë të kultivohet ky variant pra i shqipes, që nuk ka asgjë të keqe, madje unë ngulmoj që të mësohet dhe me tekstet e shkollave fillore, se ndryshe fëmijët nuk kuptojnë as Fishtën, as Mjedën, as Migjenin as gjithë autorët e tjerë. Nëse bëhen këto dy hapa unë nuk shoh asgjë të keqe në ekzistencën e një varianti letrar të veçantë brenda tërësisë së gjuhës shqipe.

-Cili është mendimi juaj për letërsinë mbarë shqiptare në vise të ndryshme ku ka shqiptarë?

Unë nuk mund të bëj një ndarje se me pak se të gjithë fenomenet e tjera të shoqërisë është letërsia ajo që bën ndarjen midis letësisë në shqip, letërsisë në Kosovë, letërsisë në Maqedoni, letërsisë në diasporë sidomos sot në mjetet moderne elektronike as që bëhet një dallim, këta kufij kanë rënë. Mund të them vetëm këtë gjë që shqiptarët e jugut e kanë më të lehtë ta shkruajnë gjuhën standarte sepse është më afër gjuhës së tyre natyrale, të familjes. Tek shkrimtarët e Kosovës vë re një farë ngërci, sepse detyrohen të shkruajnë në një dialet që është i largët nga e folura e tyre familjare, amtare. Eshtë një minues, një antikop që nuk mund të kalohet kaq shpejt. Kjo do njëfarë kohe dhe kjo vlen sidomos për poezinë që mbështetet më shumë se proza mbi tingëllimin, mbi muzikalitetin. Por kjo gjë vlen edhe për arbëreshët megjithëse ata shkruajnë shumë më pak por ata kanë një traditë të madhe e cila dalngadalë është tretur për mos të thënë është shuar fare, edhe pse tani kanë futur gjuhën e njësuar që sic dihet e bashkëvendosim në 72.

- A ka një mision kombëtar letërsia?

Nëse do të quajmë mision nevojën për të shkruar është gjë tjetër. Për mua është e thjeshtë njeriu ose ka nevojë të shkruajë ose nuk ka nevojë të shkruajë, nqse ndjen nevojën dëshirën e madhe për të shkruar ashtu sic ndjen muzikanti nevojën e madhe për ti rënë një instrumenti apo për të kompozuar, atëhere ai i ka të gjitha gjasat për të bërë letërsi të mirë.

Nqse ka bërë ndërmend të edukoje popullsinë të japë mesazhe të mëdha ka për të dështuar. Për mua të shkruarit është një proces, një nevojë e brendshme, është nevojë për të nxjerrë për të krijuar me fjalën e bukur sikundër skulptori me anë të baltës a të drurit. Natyrisht është shumë bukur kur komunikon, kur ke publikun e vet, kjo e nxit të shkruajë gjëra edhe më të mira. Kjo është e gjitha nevoja e brendshme dhe mundësia që ke për të komunikuar me lexuesin.


- Si e shikoni perspektivën e kësaj letërsie?

Për mendimin tim në këtë krizë që ndodhet letërsia shqipe sot, dy rrugëdalje mund të ketë. Ose njerëzit do të kthehen tek tradita e të lexuarit do të krijohen dalëngadalë ato institucione vlerësuese ose orientuese publikimi që dhe këta njerëz, ashtu si në vendet e tjera të Evropës të lexojnë të mos merren kaq shumë me llafe, me gazeta, me lajme të sipërfaqshme. Kjo është njëra rrugë. Kurse rruga tjetër, është që shkrimtarët t'i përshtaten kohës së re që ka ardhur d.m.th. që krijimin e tyre ta ndërthurin dhe me mendime të tjera, pra të hyjnë më shumë në televizion, të krijojnë qoftë edhe gjëra të vogla në bashkëpunim me njerëz të filmit, dokumentarë të shkurtër, tregime të shkurtra që quhen telenovela ose filma të vërtetë, pra mund të hyjnë me mjetet vizive për të komunikuar më shumë me publikun, sepse kështu siç është koha sot ku gjithësekush nxjerr libra nga 200 nga 500 kopje dhe e quan se ka nxjerr libër, më mirë mos t'i nxjerrësh ato. E them këtë, sepse nuk shoh kurrfarë komunikimi apo ndikimi të letërsisë në jetën shoqërore shqiptare.

Intervistoi: Flori Slatina

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...