2012-05-11

MUNDËSIA E NJË KOALICIONI PDK-AAK?!



Nga Adnan Abrashi-Prizren


“Në politikë, një bashkësi e njerëzve që fillimisht urrehen, është pothuaj gjithnjë baza e mirë e miqësisë së mëvonshme”

Pas dy viteve të paraburgimit në Hagës, lejimi liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, të mbrohet në liri, pa dyshim se është një lajm i mirë dhe njëkohësisht na jep shpresë që edhe aktgjykimi përfundimtar i kësaj gjykate gjithsesi të jetë lirues për të.
Pafajësia e tij e shpallur edhe zyrtarisht nga akuzat e pabaza për krime lufte në Kosovë, pa dyshim se do të ketë një rëndësi të madhe jo vetëm për të si individ, familjen e tij, subjektin politik të AAK-së ku është kryetar, por edhe për gjithë Kosovën, sepse, me këtë akt, edhe një herë do të dëshmohet lufta e drejtë e UÇK-së në përgjithësi.
Pas lirimit përfundimtar, ai sërish do të rikthehet në krye të AAK-së dhe veprimtarisë aktive politikë. Rikthimi në politik i z. Ramush Haradinajt, në rend të parë, gjithsesi do të ndikoj në përmirësimin kualitativ dhe kuantitativ të aktivitetit dhe pozitës së gjertanishme të kësaj partie. Ndërsa, si reflektim pozitiv në planin e jashtëm, nga ajo do të pritej një reagim edhe më i ashpër në opozitë ndaj kësaj keqqeverisje aktuale.
Kuptohet, të gjitha këto që i cekëm si më lartë, për askënd nuk janë ndonjë risi e paditur, por atë që desha ta potencoj si specifike në vazhdim, është mundësia që me rikthimin e Ramush Haradinajt në krye të AAK-së dhe në politikën aktive kosovare, tek Hashim Thaçi mund ta inicioj idenë e prishjes së koalicionit ekzistues me disa parti të mbledhura rreth AKR-së së Behxhet Pacollit dhe si ofertë për bashkëqeverisje me AAK-në, deri në zgjedhjet parlamentarë të rregullta që do të mbahen në vitin 2014, ta formojnë bashkërisht një koalicion të ri.
Duke i njohur mospajtimet dhe armiqësitë e mëhershme të këtyre dy partive, për shumë kë, mundësia e formimit të një koalicioni të ri qeverisës: PDK-AAK, mund të jetë një hipotezë e pabesueshme politike, por aspak edhe e pamundshme. Sa i përket mospajtimeve të dikurshme mes këtyre dy partive dhe liderëve të tyre, atë kontradiktë si pengesë tanimë jo aq serioze, do ta vlerësoja me një urtësi e cila thotë: “Në politikë, një bashkësi e njerëzve që fillimisht urrehen, është pothuaj gjithnjë baza e mirë e miqësisë së mëvonshme”. Po ashtu, për shkak të bisedimeve politike me Serbinë për veriun që priten të mbahen në vjeshtë të këtij viti, që të kihet një qeveri edhe më autoritative se sa është ky koalicion aktual (që të dy lider të dal nga lufta e UÇK-së), përmes presioneve “këshillëdhënëse” si gjithnjë, assesi nuk përjashtohet edhe involvimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim.

Arsyetim

Sikur e dimë të gjithë, pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit nacionale në Kosovë (2010) dhe fitores së PDK-së,vendimi i Hashim Thaçit që të hyj në koalicion me minoritetet dhe aleancën e partive të mbledhura rreth AKR-së së Behxhet Pacollit, ishte vetëm një nevojë ekstreme e imponuar nga situata e aktualitet politike e kohës. Këtë e ka ditur mirë edhe Pacolli, i cili, përmes kushtëzimeve të ndryshme absurde të hyrjes në koalicion, që nga kandidimi i vet për president e deri tek numri i madh i posteve ministrore dhe zëvendës/ministrore, shfrytëzoi mirë këtë situatë.
Në anën tjetër, Hashim Thaçi, i njohur si një njeri që nuk harron aq lehtë, këtë siklet politik të imponuar nga Pacolli rreth koalicionit, patjetër se do t’ia kthej dikur! Mbase, kjo hakmarrje e tij ndaj Pacollit, veç ka filluar të ngjaj në heshtje. Edhe pse, në dukje, koalicioni ekzistues në pushtet reflekton stabilitet, injorimi gjithnjë e më i shprehur i Thaçit ndaj Pacollit, kohën e fundit ka filluar të qartësohet edhe më dukshëm.

Me Ramushin kryeministër?!

Që nga zgjedhjet e mëparshme por edhe sot e kësaj dite i pandryshuar, na është i njohur parimi bazë i AAK-së se mund të bëj koalicion me çdo parti, me kusht që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër?! Teorikisht, në këto rrethana të një oferte eventuale të PDK-së për koalicion, edhe ky kusht politik i AAK-së është i mundshëm të plotësohet si kombinim.

Sipas marrëveshjes më parë të nënshkruar në mes Thaçit- Mustafës – Pacollit (me ndërmjetësimin edhe të ambasadorit amerikan Dell), ku parashihet që pas ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës dhe aprovimit të Ligjit zgjedhor, zgjedhjet për president duhet të mbahen këtë vit (2012), ndërsa ato nacionale dhe komunale, në fund të vitit 2013.

 Edhe përpos disa luhatjeve deklaratave në opinion nga kuadrot e PDK-së, në zgjedhjet presidenciale që priten të mbahen kah fundi i këtij viti, Hashim Thaçi, duke ja ofruar këtë post përmes dorëheqjes si kryeministër Ramush Haradinajt në bashkë/koalicion, ka mundësi që vetë të kandidoj për president të Republikës.

Për ta forcuar edhe më shumë këtë hipotezë si mundësi të kandidimit të Thaçit për president, me vëmendje duhet ta vrojtojmë punën e komisionit për ndryshimet kushtetuese i cili sigurisht do të tentoj që të parasheh dispozita me sa më shumë kompetenca kushtetuese presidentit të ri që do të zgjidhet drejtpërdrejt nga vota e lirë e popullit.

Po ashtu, në këtë kontest, mendoj se zërat gjithnjë e më të shpeshta të funksionarëve të lartë të PDK-së në opinion, që zgjedhjet nacionale të mos mbahen ashtu sikurse janë marrë vesh me atë marrëveshjen xhentllëmene: Thaçi-Mustafa-Pacolli, më 2013, por në kohë të rregullt – fund të vitit 2014, bazuar e qojnë ujin në këtë mulli.

Mendoj se edhe performaca e gjertanishme në stilin “ashpër-butë” e AAK-së si opozitë, karshi koalicionit qeverisës, po ashtu shkon në favor të kësaj kombinatorike hipotetike.

Në fund, edhe përballë fakteve sado të favorshme të kombinatorikës teorike rreth kësaj hipoteze, mundësinë reale të përmbushjes së saj, do ta tregoj koha.

 Por, mbi të gjitha, e vërteta e pamohueshme është se nëse Hashim Thaçi edhe më tutje do të tentoj ta ruaj këtë koalicion qeverisës ashtu sikur është, vështirë se pushteti tij do të qëndroj deri në mbarim të këtij viti...

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...