2012-05-10

Në vend të përkujtimit:Ndoc Gjetja-“Poezinë nuk mund ta kem ndryshe nga ç'jam unë”



Intervistoi- Lindita Dedgjonaj

1- Mund të na thoni dicka për fillimet tuaja poetike? Nuk e mbaj mend në cilin muaj apo vit e kam shkruar poezinë e parë. Zanafilla ime krijuese ka ndodhur brenda hapesirës së dy viteve të gjimnazit. Atëherë kam patur një zakon të keq, nuk i ruaja gjatë poezitë që shkruaja. Më dilnin nga qejfi, i grisja dhe shkruaja të tjera. Kisha frikë se më humbisnin dhe m'i lexonin të tjerët. Më vinte turp të merrte vesh njeri se unë shkruaja poezi. Akoma më turp do të ndjeja po të mi lexonin ato poezi që ia kushtoja dashurisë. Nga ajo kohë i ka shpëtuar autocensurës vetëm poezia “Desha” të cilën e kam botuar tek libri i parë “Rrezatim” (1971), 34 vjet më parë.

2- A mund të veçoni librin më të bukur që keni botuar deri tani? Për nga vlerat artistike e kam të vështirë të veçoj librin tim më të bukur. Edhe pse kam botur shtatë vëllime me poezi, unë e konsideroj veten autor i një libri të vetëm , që do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kam arritur të krijoj. Jam i mendimit se edhe poeti më i shquar gjatë gjithë jetës së tij nuk arrin të krijojë më tepër se një libër me vlera antologjike. Krijimtaria poetike nuk matet me numrin e librave , as me numrin e fletëve të tyre. Vetëm një libër me poezi ka botuar Migjeni, një libër ka botuar Noli, dy libra ka botuar Lasgushi gjatë gjithë jetës së tij 90- vjeçare e megjithatë kanë zënë vend në panteonin e poezisë shqiptare.

3- Kritika e ka vlerësuar lart krijimtarinë tuaj, tashmë konsideroheni një poet i afirmuar. Sa keni sakrifikuar për të arritur deri këtu? Para dy vitesh kam thënë se të krijosh do të thotë të krishtërosh. E bukura krijohet me dhimbje të thellë e kjo dhimbje fisnike nuk shpërblehet kurrë nga shoqëria materialisht. Zoti që kur krijjoi botën e pastaj njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, ndoshta me dashje nuk i dha krijuesit dy të mira njëherësh: talentin dhe paranë. Vetëm një gjeni mund t'i posedojë të dyja.Kurse ne që jemi në rastin më të lumtur vetëm talente të thjeshta na la në mëshirën e lojës marramendëse të Ekonomisë së Tregut të Lirë. Për mua gjatë jetës poezia nuk ka qenë thjesht një çast krijimi. Mbi të gjitha ajo ka qenë qenësia ime, mënyrë e të sjellurit, e të jetuarit dhe për shkak të saj kam bërë një jetë virtuale. Nganjëherë më duket vetja sikur kam dalë nga një ëndërr e gjatë, shumë e gjatë, ndoshta moshatare me mua.

4- Në poezinë tuaj vihet re një revoltë e brendshme. Si e shpjegoni këtë? Revolta ime buron nga përjetimi dhe vrojtimi që i bëj jetës dhe njerëzve në këtë tranzicion të tejzgjatur, tek shoh se si na janë ngjallur të gjithë dreqërit që na flinin brenda vetes sonë. Kulti i përtypësit , pasionet e shfrenuara, kulti i seksit vulgar,dhe tregu i mishit të gjallë paralajmerojnë vdekjen e ndjenjave të bukura e të shenjta njerëzore dhe ardhjen e një kohe kur “vetëm nëpër muze si relike do të ruhen ca psherëtima e pika loti dashnorësh” . Revolta në vargjet e mia vlon nga fakti tronditës që“janë bërë një tregu e miqësia e në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra që e lot bishtin te buzeqeshja dhe kështu Shqipëria rrezikon të kthehet në një Dreqistan me plehra, smog e duf partish që hanë e pinë me pare të pista ndërsa Dedë Gjo Lulat lëpijnë gishtat”.

5- Keni jetuar familjarisht 13 vjet në Tiranë. Pse keni zgjedhur të riktheheni në Lezhë? Në Tiranë drejtoja revistën e njohur në atë kohë“Skena dhe ekrani”, që nga numri i parë deri tek i fundit. U largova sepse revista u mbyll për mungesë fondesh nga Ministria e Kultures dhe unë mbeta pa punë, pa përkrahje, nuk kisha as burimin më elementar të jetesës. Kujt t'i kerkoja ndihmë për të ekzistuar në atë moment të vështirë të fillimit të proçeseve demokratike? Vetëm vetvetes. Dhe vetvetja më tha: E di ç'bën ti Ndoc? Kthehu atje nga ke ardhur! Dhe u ktheva në Lezhë. Këtu gjeta ngrohtësi, përkrahje dhe u punësova. Njerëzve që shprehin habi nga largimi im nga metropoli do tu kujtoj vetëm dy vargje të një poeti të shquar amerikan “Edhe një fshat me kasolle mund të bëhet qyteti më i madh i botës, po të banohet nga njerëz të vërtetë”. Me ardhjen time në Lezhë nuk kam humbur asgjë sepse ”poetët banojnë në qytetin e Ideve, në lagjen e Ndjenjave, ndanë bulavardit të Ëndrrave, në shtëpinë e Fantazisë, në dhoma pa sende rreth e rrotull”.

6- Si arrini të shkruani aq thjeshtë dhe të prekni zemrat e atyre që ju lexojnë? Nuk bëj asnjë përpjekje për të shkruar thjesht. Poezia e mirë qoftë, apo e dobët më ngjan mua, nuk mund të jetë ndryshe nga ç'jam unë në jetë.

7- Keni lëvruar shumë temën e dashurisë në vargje, e ndoshta poezitë më të ndjera janë ato, që janë frymëzuar prej saj. Kjo është pasojë e përjetimeve konkrete personale apo janë fryte të fantazisë poetike? Dashuria është qendra e gravitacionit të universit njerëzor dhe unë nuk kam mundur të mos ndjej thellë në veten time tërheqjen e saj. Ajo nuk ka qenë thjesht nje temë e preferuar, ajo ka qenë“padronia” ime e gjithëpushtetshme, kam jetuar e krijuar nën “protektoratin”e saj.Por jo të gjitha poezitë që kam krijuar për dashurinë pasqyrojnë raporte me femra reale.

8- A mund të qendrojë shkrimtari jashtë angazhimeve sociale në krijimtarinë e tij? Shkrimtari i madh gjerman Gëte në një varg të poezisë së tij thotë: “Unë këndoj siç këndon zogu” me kuptimin këndoj vetëm me vete, pa kërkuar të më dëgjojë njeri. Këtë varg të vjetër, i cili është thjesht një deklaratë poetike, shumë teoriciene të artit e kanë komentuar si dëshmi të faktit se gjoja artisti, në momentin e krijimit ska fare lidhje me angazhimin social dhe se nuk nxitet nga thellësia e shpirtit për të dhënë ndonjë mesazh për lexuesin e tij. Në qoftë se një poet do t'ia thoshte këngës si zogu, vetëm për vete, atëherë lind pyetja: Përse ai merr mundimin e shpenzon duke i botuar në një libër të veçantë cicërimat- vargje të shpirtit të tij? Përgjigja është e vetëkutueshme , për ta dëgjuar (lexuar) të tjerët.Kushti më minimal që të realizohesh si poet është që të kesh qoftë edhe një lexues në botë. Unë nuk njoh ndonjë muzë tjetër frymëzuese përveç lexuesit. Pa të krijimtaria ime nuk do të kishte egzistencë.

9- Cili është mesazhi juaj për poetët e rinj? Nuk kam qenë kurrë dakort me ndarjen “poetë të vjetër” dhe “poetë të rinj”. Me e saktë me duket po të thoshim “poet”. Mendoj se mesazhin më të bukur e më kuptimthellë na e ka dërguar shumë vite më pare poeti i madh nga Kosova, Azem Shkreli me distikun e njohur “Mos u bëj poet nëse nuk mundesh të vdesësh në secilin varg, nëse nuk mund të lindësh në secilën fjalë…”

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...