2012-05-11
Kosova dhe propaganda mediatike evropiane kundër shqiptarëve
Safet Krivaça
Akuzat ndërkombëtare për korrupsionin në Kosovë dhe ndjekja e zyrtarëve të lartë nën këtë akuzë, pa e zgjidhur problemin e Kosovës veriore, janë sikur ta fusni një vizitor pikturash të mrekullueshme në një galeri në mesnatë pa ia ndezur dritat. Kështu disi po veprojnë ndërkombëtarët në Kosovë. Akuzojnë për korrupsion, ndërkohë që e kanë ndarë Kosovën dhe kur njeriu lexon të gjitha raportet e sjelljes nga UNMIK-u dhe EULEX-i në veri, ku misionarët mbrojnë kriminelët dhe kontrabandistët, të dyshuarit dhe biznesmenët e paligjshëm, liderët e listave për president të Serbisë që pinë kafe me këtë potencial kriminal në Beograd, nuk ka si të mos pyet: A thua është normale të ndiqet korrupsioni në një tokë të ndarë shteti ku Kosova nuk di ku i ka kufijtë. A thua mund të ndiqet krimi i luftës së vitit 1998-99 mbi njerëzimin, përderisa në një pjesë të Kosovës ,kriminelët serbë vetëm sa i kanë sofistikuar edhe më shumë veprimet kriminale. Pse ndërkombëtarët ndjekin shqiptarët për krime e nuk ndërmarrin asgjë kundër krimit serb në veri, ku pjesa veriore nuk korrespondon me asnjë legjislacion juridik as shtetëror me shtetin që i takon. Ku segmenti policor dhe i sigurisë i jep llogari kriminalitetit dhe Beogradit, ku valojnë për inate flamujt e Serbisë nacionaliste dhe ku asnjë instancë sigurie prej KFOR-it te EULEX-i dhe UNMIK-u nga 1244, nuk ka guxim të arrestojë asnjë bos të krimit në veri dhe asnjë mafioz, ndërkaq i kanë të gjithë në lista, ashtu sikur i ka evidencuar inteligjenca e NATO-s në Kosovë.
Indiferenca e pranisë ndërkombëtare rreth rastit të Veselinoviqëve
Nuk mund t'i bëhet shërbim më i mirë Serbisë sesa ia bëjnë misionarët në veri dhe nuk mund t'i bëhet shërbim më i keq Kosovës, sesa që e bëjnë misionarët për Prishtinën nga veriu. Falë këtyre skandaleve, sot Kosova llogaritet rajon jo stabil në sigurinë territoriale dhe shtetërore dhe të gjitha raportet që i referohen kësaj pasigurie Kosovën e shpallin gjysmë shtet në dështim e sipër i cili duhet të pret për të ecë lirshëm në Evropë e përtej Evropës. Duhet të ketë restrikcione financiare dhe kreditore për shkak të pasigurisë shtetërore, por askush në këto raporte të inteligjencës as të OKB-së,e as të KS të OKB-së nuk e thotë se veriu i Kosovës është direkt dështim i KFOR-it,UNMIK-ut dhe EULEX-it. Për çudi, ka pasur shumë raporte instancash të shumta ndërkombëtare që e kanë porositur kreun e Qeverisë së Kosovës se duhet të fillojë negociata me serbët e veriut, ndërkohë që nuk kanë thënë se ata që bëjnë sigurinë do ta kryejnë punën e vet për çka paguhen për mision.
Hapja e dialogut të Qeverisë së Republikës së Kosovës me serbët e veriut nuk mund të ndodhë pa u pastruar terreni nga kriminelët e influencuar nga Beogradi. Indiferenca e pranisë ndërkombëtarë në Kosovë rreth rastit të Veselinoviqëve tregon se veriun e Kosovës misionet ndërkombëtare e trajtojnë vetëm si pjesë të Serbisë. Të paktën këtë e dëshmon përvoja e hidhur për 13 vjet pas luftës dhe gjendja konkrete në veri. Në asnjë gjendje të ngrirë politike, ligjore dhe sigurie,në asnjë shtet deri më tani nuk është negociuar me kriminelët për të krijuar rendin. Kjo po kërkohet të ndodhë në Kosovë, apo dikujt po i konvenon kjo situatë për strategji alternative që sot në Ballkan njihen pas perdes diplomatike, opsione për Maqedoninë, Kosovën,Bosnjë Hercegovinën, Serbinë me problemet e brendshme në Vojvodinë, Sanxhak, Luginë të Preshevës dhe për probleme me rumunët, kompleks rajonal ballkanik në të cilin çfarëdo që ndodh Shqipëria do të ishte përfituesja më e pritshme, meqë historia, shqiptarët i ka shkelur me pamëshirshmërinë më të rëndë fashiste në Ballkan në 100 vjetët e kaluara.
Shqiptarët hoqën dorë nga paditë kundër Martit
Sot kundër shqiptarëve në përgjithësi po ndodh krim mediatik në Evropë. Veçmas mediet e shtetit zviceran në çdo incident të ndodhur kualifikojnë shqiptarët si të implikuarit kryesorë. Njëjtë edhe mediet spanjolle propagandojnë disponim antishqiptar. Pse kjo frymë evropiane antishqiptare? Serbia ka depërtuar tek individë të rëndësishëm si Dik Marti dhe ka krijuar mit kriminal nga shqiptarët e veshkave të trafikuar. Sot kanë filluar të zbulohen edhe ndikimet e Karla Del Pontes nga ish- Gjykata e Hagës, qoftë me libra ku akuzon shqiptarët,qoftë me pengesa për ta marrë "Kasapi i Ballkanit",dënimin e merituar. Akuza e Dik Martit kaloi në Parlamentin Evropian dhe për të mos qenë të përgjegjshëm të akuzuarit shqiptarë hoqën dorë nga paditë kundër tij. Paditë eventuale të atyre që u akuzuan nga Dik Marti e nuk bënë padi kundër tij, nuk janë vetëm personale, por janë shumë më shumë kolektive, sepse i kanë sjellë dëm Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi. Shqiptarët të cilët sot e pesëdhjetë vjet bëjnë punën fizike në Zvicër, ashtu qysh nuk e bëjnë të tjerët, akuzohen tepër ashpër në ballinat e gazetave jo vetëm të Zvicrës,por edhe në tërësi në Evropë. Shqiptarët e Kosovës janë ndërtues të Zvicrës dhe shpesh janë eksploatuar fizikisht joligjshmërisht, sepse nuk i kanë njohur ligjet për mbrojtjen e punëtorëve, megjithatë sot jo vetëm që nuk është falënderues shteti,por është akuzues i tyre. Duket se sot mediet evropiane ,me përjashtime, kanë qëllim të parë, që shqiptarët t'i ndërlidhin me radikalizëm islamik dhe fundamentalizëm, ashtu sikur mundohej Milosheviqi ta plasonte në botë propagandën se UÇK-ja ishte terroristë. Qëllimi i fundit atëherë dhe sot është që përmes kësaj propagande,SHBA-ja ta rishikojë pozitën e vet të marrëdhënieve me shqiptarët,sepse pa superfuqinë numër një në botë, Evropa do ta nënshtronte Shqipërinë dhe Kosovën, shqiptarët në Maqedoni dhe ta dobësonte deri në minimum rolin e elementit shqiptar në Mal të Zi dhe rikthimin e historisë së Çamërisë dhe Mollës së Kuqe afër Nishit. Nuk do mend se të gjitha këto ndarje dikur i ka përkrahur pikërisht Evropa me qendrat e vendosjes. Tendenca e rikthimit evropian të akuzimit të shqiptarëve në përgjithësi,vërehet edhe sot në praktikën e qasjes së BE-së kundrejt Kosovës, si në liberalizim të vizave si në qarkullim të lirë si dy elemente bazike të strategjisë kushtetuese të BE-së për lëvizje të lirë të të gjithëve.
Serbia, agresori i parë që është shpërblyer
Nëse rikthehemi korrektësisht në historinë 20-vjeçare të rënies së Federatës Jugosllave, shohim se Serbia ka qenë dhe është agresori i parë që është shpërblyer, ndërsa viktimat janë dënuar. A thua shqiptarët e Kosovës kanë jetuar në Mars, për të qenë kaq në distancë kulture me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën e rajonin për të qenë të vetmit sot në Ballkan pa viza? Me siguri se jo, është përgjigja logjike. BE-ja ka shpërblyer shtetin që ka shkaktuar qindra mijëra viktima duke traumatizuar miliona njerëz, duke çnjerëzuar gra, pleq dhe fëmijë dhe ka dënuar ata që bartin pasojat e agresionit më barbar serb në Evropën e pasluftës. Është shpërblyer populli,barbaria e uniformuar dhe paramilitare e të cilit ka shkaktuar masakrën më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, Srebrenicën. Është shpërblyer me liri të plotë lëvizjeje dhe me kandidaturë të BE-së, shteti që ka prerë koka pleqsh në Reçak, në të dy fshatrat e Krushës, në Rogovë, në Drenicë, në Gallap e çdo kund në Kosovë. Nga u bënë këta kaq demokratë e të mirë për 13 vjet dhe nga mbetën për dënim viktimat, është pyetje që nuk e bën sot askush kur flet për integrimet në BE. Si do të reagonte sot bota evropiane sikur 77 viktimat e Norvegjisë t'i kishte bërë një pjesëtar i konfeksionit islam, e jo Anders Bering Breivik, të cilin shteti ka nerva ta dëgjojë tek arsyetohet për 77 vrasje në mes të paqes? Për pesë viktimat e vrara në Maqedoni, shteti doli më në fund me akuzën e pritshme:Vrasje terroriste, ndikuar nga radikalizmi islamik. Një grusht i ri për shqiptarët dhe një parapërgatitje e opinionit për historinë e re antishqiptare në Maqedoni. Madje, shteti ka shkuar aq larg sa ka akuzuar edhe femra që i shërbejnë Zotit me namaz dhe lutje, si një grusht të ri femrës shqiptare që po fillon të futet në institucionin e shtetit të Maqedonisë. Modeli i Milosheviqit për të akuzuar shqiptarët për fundamentalizëm islamik akoma pa dal në shesh e vërteta,është bërë strategji e Maqedonisë për t'i thënë Evropës se shqiptarët po prodhojnë grupe radikale islame për akte të larta terroristë edhe për vetë Evropën,sepse me këtë akuzë të aksionit policor "Monstrum",do ta nënshtrojnë më lehtë popullatën shqiptare në Maqedoni dhe do t'i amortizojnë kërkesat e tyre për ekzistencë kombëtare. Disponimi evropian antishqiptar më së shumti po i kushton Kosovës e cila 13 vjet pas luftës nuk arrin të jetë shtet sovran dhe si e tillë me një konflikt të ngrirë në veri,nuk i qon peshë BE-së për të iniciuar zgjidhje parimore në të cilën do të ruhet Ballkani me kufijtë aktualë që njihen sot. Por,nëse nesër shqiptarët do të ndërmarrin diçka për ta rikthyer territorin e vet shtetëror, me siguri se BE-ja do ta akuzojë qeverinë e Kosovës për papërgjegjësi dhe provokim të sigurisë sikur për aksionin e korrikut një vit më parë. Të mos jesh zot në shtëpinë tënde dhe të t'i akuzojnë liderët për krime lufte përderisa ta ndajnë shtetin në një pjesë të të cilit bëjnë çka të duan e në tjetrën i shkojnë përshtati okupimit dhe krimit të organizuar të Serbisë,kjo është non sens që nuk do koment. Nuk themi se s'ka krim ekonomik në Kosovë,nuk themi të mos luftohet korrupsioni,por lufta e kësaj natyre akoma pa e unifikuar shtetin,do të thotë se misioni i BE-së në Kosovë, për të treguar se gjoja nuk ka dështuar dhe gjoja po bën diçka, po e lufton korrupsionin. Ne po e besojmë këtë luftë në Prishtinë,por po besojmë thellë se ata po e heshtin krimin vë veri të Kosovës. Dështimet në veriun e Kosovës,megjithatë nuk mund të mbulohen me luftimin e korrupsionit dhe me propagandën mediatike në Evropë. Koha do të tregojë se me shqiptarët e Kosovës po eksperimentohet dhe një ditë kur Serbia të jetë në BE para Kosovës, Kosova nuk do të mund ta ketë aty vendin,ngase pengesa e parë për këtë integrim do të jetë pikërisht agresori i dikurshëm,Serbia. Si do ta arsyetojë atëherë BE-ja veprimin ndaj Kosovës? Me siguri në stilin e Havier Solanës se si dështoi Spanja ta njihte pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që nuk e thoshte me kohë se Kosova në tokën e vet sot ka përmendore heronjsh që kanë rënë për lirinë e Spanjës, si: Asim Vokshi, Xhemail Kada dhe të tjerë shqiptarë, të cilët kanë rënë si vullnetarë të lirisë, por nuk u janë ngritur përmendore.
Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut
Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...