Martin Camaj
Historikisht Shkodra ka qenë një ndër qytetet kryesore shqiptare. Zhvillimin më të madh e mori në shekullin XIX. Më 1870 ajo kishte rreth 50 000 banorë. U bë nyjë e rëndësishme tregtare për gjithë Ballkanin, me 3500 dyqane, në zonën ku sot njihet si 'pazari i vjetër'.Që më 1718, Shkodra ka patur agjensi konsullore në shumë vende të huaja. Si port konsiderohej Oboti, por sidomos Ulqini dhe më vonë Shëngjini. Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit (1878), Shkodra u bë vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Në këtë kohë, dega e Lidhjes në Shkodër kishte gardën e saj, e cila ishta nga më veprueset dhe ndihmoi në mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës, si dhe në luftën e Ulqinit.
Shkodra ka qenë gjithashtu një vatër kulturore mjaft e rëndësishme. Përmendim këtu bibliotekën e Bushatllinjve dhe Fototekën Marubi, e cila njihet si ndër më të vjetrat e Ballkanit dhe me vlera të pazëvendësueshme. Gjatë luftës ballkanike dhe luftës së parë botërore, Shkodra u bë pré e synimeve grabitqare të Malit të Zi dhe Serbisë. Popullsia shkodrane e mbrojti qytetin për shtatë muaj me radhë kundër ushtrive rrethuese, por më 23.04.1913, ushtritë serbo-malazeze hynë në qytet përmes tradhëtisë së Esat Pashë Toptanit.
Serbo-malazezët u detyruan të dilnin pas disa muajsh dhe Shkodra kaloi më vonë nën protektorat ndërkombëtar. Qyteti i kaloi qeverisë së Tiranës më 1920.
Shkodra mund të përmendet edhe si qendër e katolicizmit shqiptar. Ishte qyteti i fundit shqiptar që ra nën sundimin osman më 1479, dhe qyteti që kundërshtoi më së shumti ardhjen e komunizmit më 1944. Qytetarët shkodranë ishin të parët që rrënuan simbolet e diktaturës më 1989. Aty filloi edhe shkëndija e parë e protestave gjithëpopullore kundër komunizmit në fundin e vitit 1990.
Shkodra
Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.
Azem Shkreli
Shkodra
Desha t'ia prek
Rozafës flokun
S'më deshe
Zbrita t'ia puth
Algjet Liqenit
Më nxore
Tani përherë me ke
Maje Taraboshit me cuba
Shkoder, Shkodra.
Gjekë Marinaj
SHKODRËS
Mos i mbyll dritaret e kësaj mbrëmje,
Ndjenjat e mia në qiellin tënd vetëtojnë;
Si zogj të hutuar që shtegtojnë plot dhembje
“Shkodër!”, “Shkodër!”, cicërojnë.
Sonte mos i ndiz qirinjtë e darkës,
Durimin e Rozafës në sofër mos e sjell,
Mallit që kam për ty m`i mjaftojnë flakët
Që hënën e qytetëruar ta veshin me diell.
Këtë muzg, shqyej e bëri krahë perdet e teatrit
Le të dukesh midis tyre si një shpend.
Migjeni që s’po e kapërdin dot kafshatën...
Në poezinë time fshin djersët e portretit tënd.
Mungesa mbetet një mesnatë me yje të vrarë,
Kur këtu është natë, ditë është tek ti,
Ti shtrydh ndjenjat e unë ndjehem i tharë
Por madhështia jote më njomëson përsëri.