Kur flasim për letërsinë si art,
para nesh shtrohen disa pyetje që kërkojnë përgjigje, si, ç’është letërsia,
cilit lloj të artit i përket ajo, ç’vend zë ajo në mesin e arteve të tjera dhe
ç’raport ka ajo me shkencën etj. Të gjitha artet në përgjithësi, kanë për
objekt njeriun, jetën e tij. Për t’i shprehur pikëpamjet e ndryshme mbi jetën
dhe botën artet përdorin mjete dhe forma të ndryshme, të veçanta. Edhe
letërsia, si krijimtari shpirtërore, është një nga veprimtaritë e lashta
njerëzore përmes së cilës njeriu ka shprehur përvojën e tij gjatë kohës duke
ndikuar me këtë rast mbi ndjenjat e njerëzve të tjerë. Nga kjo, letërsia si art
i fjalës, dmth. si art që shërbehet me fjalën (gjuhën), dallon nga artet e
tjera.
Termi
“letërsi” në gjuhën shqipe përdoret në kuptime të ndryshme. Në teorinë e
letërsisë me këtë term kuptojmë një lloj të veçantë të artit – letërsinë
artistike dhe veprat e shkruara në këtë lloj të artit dmth. letërsinë si art i
fjalës.
Termi
letërsi vjen nga fjala latine “litteratura”, “littera”, term me të cilin shërbehemi
edhe ne, e përdorin thuajse të gjitha gjuhët evropiane për emërtimin “letërsi”,
që do të thotë shkronjë, shkrim, pra, me të është kuptuar çdo gjë që është
shkruar në libra. Por, çdo gjë që është shkruar në libra dhe shkruhet, nuk mund
të quhet letërsi. Krahas letërsisë së shkruar ekziston edhe letërsia popullore,
e cila është krijuar nga populli dhe është përhapur gojë pas goje në kohën kur
nuk ekzistonte shkrimi. Kjo e fundit ndryshon nga ajo e shkruara dhe është më e
vjetër se ajo e shkruara. Letërsinë gojore e kanë krijuar këngëtarët e
talentuar popullorë, ndërsa atë të shkruarën e krijuan njerëzit e shkolluar.
Pra, ajo është krijuar nga krijues anonimë, kurse letërsia e shkruar nga
shkrimtarë të njohur. Letësia popullore përfshin në vete krijimet dhe prodhimet
materiale dhe shpirtërore të popullit. Në krijimet popullore gjejmë fuqinë
krijuese të gjeniut popullor, i cili ka kënduar për atë që ka ditur, për atë që
ka parë, për atë që ka ndier dhe për atë që është e njohur nga masat e gjëra
popullore. Mësuesi i këngëtarit popullor ka qenë vetë jeta dhe problemet
jetësore me të cilat është ballafaquar vetë populli. Në krijimet popullore,
poezi, tregime etj., sepse kjo nuk ka romane dhe drama siç i ka letërsia e
shkruar, e cila përkundrazi nuk ka ninulla, këngë rituale, mitologjike etj.,
është shfaqur dashuria e popullit për një jetë më të mirë e më të lumtur dhe
dëshira për të ngadhnjyer mbi forcat e natyrës dhe të shoqërisë. Meqë letërsia
gojore është kultura shpirtërore më e vjetër e popullit, ajo bëhet bazë dhe
pikënisje e letërsisë artistike. Shumë shkrimtarë, duke filluar që nga
antikiteti e këndej, krijimet e tyre i kanë mbështetur në folklor, do të thotë
se letërsia gojore ka ushtruar një ndikim të madh në letërsinë artistike.
Ndikim të tillë kanë pësuar edhe shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, si:
Dikensi, Shekspiri, Gogoli, Pushkini, Balzaku , Bokaço, Servantesi, Rable,
Gëte, Tolstoj etj. Edhe shkrimtarët shqiptarë, sidomos romantikët, krijimtarinë
e tyre e kanë mbështetur në folklor. Kështu ka vepruar De Rada, Gavril Dara i
Riu, Çajupi, Mjeda dhe krijuesit e mëvonshëm, si, Ismail Kadare, Rexhep Qosja,
Mark Krasniqi, Anton Çeta, Rexhep Hoxha, Rifat Kukaj e tj. Kjo dëshmon për
pasurinë e madhe të motiveve dhe të temave që ka krijuar populli.
Jo
të gjitha veprat i përkasin letërsisë , por ato u takojnë edhe fushave të tjera
të dijes siç janë filozofia, historia, sociologjia etj. Kështu me fjalën
literaturë sot shënojmë më shpesh atë që është shkruar mbi ndonjë objekt dmth.
grumbull veprash që kanë të bëjnë me ndonjë fushë të dijes. Emërtimi letërsi
artistike shënon dallimin midis veprave shkencore dhe veprave letrare në
kuptimin e ngushtë të fjalës. Ndërkaq emërtimi letërsi e bukur është më pak i
përshtatshëm për ta mbuluar tërë letërsinë, por vetëm një anë të saj. Kështu
termi belertristikë (fr. belles lettres),
shënon vetëm një pjesë të letërsisë (novelat dhe romanet) dhe jo letërsinë
artistike në tërësi.