2013-01-02

Patër Gjergj fishta Kundra Errësirës



Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.


           


Në dekadën e dytë të vitit 1950, jam student në fakultetin e Historisë Filiologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, me mësues të letrësisë Prof. Mark Gurakuqin. i cili na jepte për mëse 30 orë leksione për figurën e Ndre Mjedës. 

Në auditorë brenda dhe jashtë flitej dhe pritej se kush do të futej në lëndën e Universitetit  “ drita apo errësira”, të gjithë prisnim dritën dhe megjithatë ishim në ankëth të madh. Por më shumë nga të gjithë ishte  prof. Marku. 

Dy figura si dita me natën ndryshonin. Flitej të aprovohej figura e Pater Gjergj Fishtës, ndërsa figura tjetër e errësirës ishte krimineli rebel anti shqiptari Haxhi Qamili. 

Nuk kaloj shumë kohë, kur zonja e kulturës në Komitetin Qëndror Nexhmije Hoxha urdhëron te studiohet për figura e errësirës e quajtur Haxhi Qamili.


At Gjergj Fishta
 
Një re e zezë, një pëshpëritje nën zë me urrejtje të madhe u përhap gjithandej.          
  
Prof. Marku na dha të kuptonim se ai kishte bërë një hulumtim të madh duke grumbulluar dhe renditur veprën e Fishtës dhe të Ndre Mjedës. 

Por si figurë në letërsi qëndroi Mjeda dhe Fishta u hoq. Prof. Mark Gurakuqi, shkrihej të figura e Ndre Mjedës duke dhene leksione, me atë pasion dhe oratorin e tij, sikur përpara kishim vetë Mjedën. 

Filluan batuta dhe sarkazma kundër rebelit Haxhi Qamilit, në rrethe të ngushta ndërmjet shokësh. Më kujtohet nje pjestar i opera  baletit të cilin e kishim shok klase, Sredil Kostreci nga Elbasani,  Thoshte:  Haxhi Qamil e pushtoi Elbasanin në të ngrysur të ditës. 

Që tu shtinte tmerrin elbasanasve dhe të ndihej dora e pushtetit të tij, thirri te shtëpia që zuri vend disa besnikë dhe i porositi:  -Nesër në sabah e dua një burrë të varur te pazari në Bezistan. Thoni se e ka varur Haxhi Qamili.

                -Kë të kapim? Si e quajne? Ku e ka konakun? – e pyetën.    
        
                -Kushdo qoftë, veç të jetë i bëshëm, trupmadh, që ta mbushë syrin. Zgjidheni vete dhe ma sillni këtu!

                U lëshua patrulla nëpër hanet e mejhanet. Futu te një kafene e dil te tjetra, deri sa më në fund gjetën një burrë të shëndoshë, me shtat të lartë e me qafë të dhjamosur. 

I shkelën synë njëri tjetrit se e gjetën kurbanin që u duhej. 

Pa një pa dy e urdhëruan që të çohej. Ai po luante kumar, me faqoren e rakisë prane dhe një pjateë me meze.                
                                                                                                                 

    -Çohu se të kërkon Baba! – e urdhëruan.    
                                                                                                                  
       -Ç’ka me do mue Baba? – pyeti.         
                                                                                                                                
      -Ta thotë vetë ai...        
                                                                                                                                                                  -Thoni Babës se Abdullahu nuk e përsërit më. Vallahi, hera e fundit.          
                                                           
-Ata s’ia vunë veshin. E vunë përpara dhe ia shpunë Haxhi Qamilit te konaku.      
                             
 -E gjetëm, o Babë, - i tha një nga besnikët . – Ja tek e ke!        
                                                                                       
 -Abdullahu, tregtar Kavajas shkonte shpesh në Elbasan për tregëti e për kumar. 

Njihej prej të gjithëve. E njihte dhe Haxhi Qamili se kishte dëgjuar që  ai pinte raki në kohën e ramazanit. 

E kishte porositur “pi sa të duash, veç jo gjatë muajit të ramazanit”.


-



A e di pse të kanë sjellë këtu? – e pyeti Haxhi Qamili.

-Të kërkon Baba, më thanë asqerët.

-Do të varim Abdullah! – gjëmoi Haxhiu.

-Po përse, mor jahu? Çfarë të keqe kam ba? Kurrgja, Babë. Po luaja kumar e po pija një gotë raki, a varet njeriu për kaq pak gja?

-Varet që ç’ke me të, po thuaj shyqyr që s’je prej ketej.

 –Dhe duke u kthyer nga bashibozukët që prisnin urdhër, u tha: 

-Këtë e keni marrë gabim, se ky asht prej Kavaje e s’ka pse varet në Elbasan. Lirojeni e me gjeni një tjetër po kaq të shëndoshë dhe ma bini këtu!.

                Kështu shpëtoi Abdullahu dhe taksirati i ra dikujt tjetër të varej në Bezistan...


Haxhi Qamili
 
                Cila qe arsyeja që Enver Hoxha e ngriti figurën e diskretituar të Haxhi Qamilit në panteonin e figurave kombëtare? 

Me Enverin një tufe historianësh, që shkelën parimin e tyre, e trajtuan figurën e Haxhi Qamilit si historike. 

Qe e pakuptueshme dhe kundërthënëse që të vinte në pedestal njeriun që i futi thikën pavarësisë, që luftoi me flamurin e Turqisë duke thërritur: “Duam Babën”!

...Babë Sulltanin.  U bë me qëllim të justifikonte krijimin e Partisë Komuniste në një vend ku s’kishte jo proletare, por as klasë puntore.

 Enver Hoxha kishte ndjerë me kohë përçmimin për P.K. që kryesonte. P.K.SH. që e vetmja që nuk u pranua në Internacionalen Komuniste nga partia “Mëmë”. 

Në vitin 1948 me sugjerim të Stalinit ndryshoi emrin nga P.K. në Parti të Punës.

                “Haxhi Qamili nuk mund të vihet krahas Pugaçov-it, as Stjepan Razin-it, udheheqës te kryengritjeve fshatare që tronditën fronin e Carit dhe Rusinë. 

Luftën kundër Esat Pashës e bëri pasi e urdhëroi Myftiu i Tiranës, i cili qe tutori dhe udhëheqës shpirtëror i Haxhi Qamilit”. (Historiani Genc Hoti, Grupi: Admin, 8-10-2011).   
                                                                                                                                                                         Kryengritjen reaksionare  të Haxhi Qamilit e kthyen në kryengritje revolucionare që do të shpëtonte Shqipërinë. 

Në Muzeumin e Luftës Nacionalçlirimtare portreti i Haxhi Qamilit u vendos krahas Ismail Qemalit në krye të sallës. 

Historiani  Skënder Luarasi djali i Petro Nini Luarasit  në vitet 60 këmbënguli deri në fund kundër kthimit në hero të Haxhi Qamilit.

                Dyshja Princ Vidi me Haxhi Qamilin ishte një antipod. Princi erdhi në Shqipëri me flamur dhe shqiponjë të zezë,  me gjithë familje, erdhi me vullnet për të  mbajtur Shqipërinë të pavarur. Ne si shqiptarë i vumë përballë Haxhi Qamilin. 

Thirrjet e këtij ishin për t’u kthyer përsëri  me sulltanin. Çdo libër që gjente përpara e digjte, vetëm kurani duhet të egzistonte. 

Krimet shkonin deri aty sa mjaft të thoshe se jam kaur. Kjo figure groteske,  bashkë me gjithë grigjën e tij, i vuri flakën Shqipërisë në momentin më tragjik të saj. 

Një njeriu të tillë mund ti vinte hakut vetëm një njeri po si ky. 

Dhe ky ishte Esad Toptani, një figurë po aq e zezë, plotë me njolla, i pabesë, i nëntëdhjetë e nëntave etj. 

Ky shtypi kryengritjen dhe vari Haxhi Qamilin me një tufëkopukësh  në Durrës. 

Për fat, historia na nihmoi, na e hoqi qafe dhe Esad Pashën.

                Në fillim të viteve 1960, jam mësues i historisë në shkollën “Naim Frashëri” në Tiranë bashkë me kolegun Refat Spahiu i persekutuar, punonte per pak pension, i moshuar. 

Një ditë,me thotë se kam një suprizë për të treguar. Shkojmë në Bibliotekën Kombëtare dhe te sporteli kërkoi dhe morri revistën e rezervuar.  Në sallë të lezimit zumë vend të mënjanuar. 

Hapi revistën “Hylli i dritës” e vitit 1930. Lexoje, ta dëgjojmë vetëm unë e ti: Norbet Jokli i dërgonte Patër Gjergj Fishtës një telegram urimi me rastin e 60 vjetorit të lindjes së tij.

Unë duke lexuar Prof. Spahiut i dilnin lotë nga sytë. Ndër të tjera shkruan: Unë si antar i Akademis së Shkencave gjermane, propozova dhe u aprovua, vendosja juaj në Enciklopedin e Madhe Gjermane, fotografine tuaj dhe dy-tre faqe të shkruar për jetën dhe veprën tuaj madhështore. 

Duke marrë pjesërisht nga ky tetegram  dhe nga Historiani Robert Elsie, (gazeta “ILLYRIA”, “Gjergj Fishta...”, 3-12-2009, f. 109),  shkruaj:  

Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, vazhdon seminarët dhe institutet fraçeskane në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevo.  

Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua prift e u pranua në urdhërin françeskan. Kthehet në Shqipëri në shkurt po të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan. 

Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku përmëndet sidomos se zëvëndësoi italishten me shqipen për herë të parë si gjuhë në shkollë. 

Më 14 – 22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. 

Në tetor 1913 filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folkloririt dhe historisë, dolli rregullisht deri në korrik 1944. 



Në gusht 1919 merr pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. 

Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në Parlamentin shqiptar dhe si zëvëndëskryetar i saj. Talenti dhe  gojtaria e tij e ngriti lartë personalitetin e tij. 

Mori pjesë në Konferencat Ballkanike në Athinë (1930), në Sofie (1931) dhe në Bukuresht (1932). Gjergj Fishta është nderuar me diplloma çmime e tituj të ndryshme, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez me 1911.

 Është dekoruar nga Papa Piu i XI me çmimin AI Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lektor Jubilatus honoris causae nga urdhëri françeskan, dhe është bërë antar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve me 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. 

Ndonse Gjergj Fishta është autor i gjithsej  37 botimeve letrare, emri i tij është lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më mahnitëse në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, që Nobert Jokli në Enciklopedin e Madhe Gjermane e ka quajtur: “Kënga e këngës së Ballkanit”  LAHUTEN E MALCISE, Shkodër 1937. 

Ajo është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri në vitin 1913. 

At Gjergj Fishta është një nga burat e shquar të Rilindjes sonë kombëtare dhe shprehës i ideve demokratike në gjysmën e parë të shekullit XX. 

Sado qe gjatë sundimit komunist u bënë përpjekje që veprën e Fishtes ta mbulonte erresira, jehona e saj u ndie më e fuqishme.          
              
Shkundu pluhnit, pra, Shqypni,                                                                                                                                                 Ngrehe ballin si mbretneshë,                                                                                                                                                    Pse me djelm, qi ngrof ti n’gji                                                                                                                                                       Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë.         
                                                                                                                 
Vargje të tilla optimiste në ndërgjegjen e shumë të rinjve shqiptarë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën  dhe besimin për shpëtim.

             
   Me 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi do të shkruante: “Fishta i la ndër gjithkund emnit shqiptar.
 Jo vetëm bota shqiptare e naltoi edhe për së gjalli tue i dhane titullin “Poeti Kombetar”.

              
  I nderuar lexues, solla këtu dy shembuj që përfaqësojnë dy botë të ndryshme.

               
 Vallë a nuk është kjo një errësirë për të errësuar tjetrin.  Por ka edhe më,  kurr historiani “famshëm” “Arben Puto ka shkruar rishtas duke ricikluar akuzat e vjetra se Gjergj Fishta paska qënë më fashist se ç’mendonim. 

Pasi është edhe 140 vjetori i lindjes së tij dhe 103 vjetori i Kongresit Manastirit, në të cilin ai mori pjesë dhe ishte kryetari i  komisionit.  A mund te na thoni z. Puto se ku ja hodhët eshtrat atij “fashisti”?   (F. Shkreli, “Përpjekje patetike ...”,  “ILLYRIA”,  5-12-2012,  f. 109).

              
  Nga  Prof. Mark Gurakuqi. Fishta i kundër vihet shpifësit sërb Vlladan Gjorgjeviçit:  “Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët e kishin kryer ciklin dy mijë vjeçar të qytetërimit të lashtë”. 

Dhe më tej, “Kombi i Dioklecianit , i filozofit Julian, i Justinianit, një komb i cili  kish një qytetari të tij kur gjysh stërgjyshët e francezëve e anglezëve visheshin me lëkurë bualli e rrinin të futur në shpella”.

               
 “Një nënë. U llahtaris natën në endër. Djalin e saj të arestuar e kishin dënuar me vdekje në Tiranë. Kjo vrapon te At Fishta duke qarë dhe lebetitur dhe i tregon ëndrrën,  Nga zoti dhe ti kërkoj derman. 

Nesër do të shkoj në Tiranë, i tha Fishta. Hyn në zyrën e Ministrit të Punëve të Mbrëdëshme. O. Pater, tha Abdurahman Krosi. 

Ju shumë vetave u keni futur bishta dhe ua keni nxjerrë, pa më futni dhe mua një bisht. Po i tha At Fishta,  “Lalë Kros, o Lalë Kros, / Vetë shkruan vetë vulos, / dhe as kush nuk të thotë mos. Dhe tani firmos - vulos, duke i venë letrën përpara. Fishta kthehet me djalin në Skodër”.`
                
Ne vetë thotë Ramis Alia , do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste,  e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. 

Kështu krijoi partitë dhe vendosi komunistë më besnikë në krye të tyre, që vazhdojnë ta mbajnë fort edhe në këtë tranzicion makabër duke e lënë në errësirë.

 Me të drejtë  Agim Dishnica, te Gazeta “dielli”, “Falcifikatoret...”, nëntor 2011, f.32 shpreh: “Të fshirë nga faqet e kësaj historie antikombëtare, bashkëkombasit e pa harruar: Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan S. Noli, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Viçenc Prenushi, Benardin Palaj, Donat Kurti etj”.                                                                                                                                           

Fishta ështe mbrojtësi më i fortë i të drejtave të kombit shqiptar, kjo pasqyrohet te Kënga e këngës së Ballkanit,  Lahuta e Malcis.



SHQYPNIJA E LIRË


Po, por nesër, me ndimë të Zotit,
Do t’a bajm prap Shqypni t’lir
Prej Prevezet e m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit e m’Monastir;
Edhe Flamuri i Shqypnis,
Si flakë mnijet t’Perendis,
Do t’valvitet në Kaçanik.
M’Kaçanik, po, do t‟valvitet
Kuq e Zi, Flamri i Shqyptarëve,
Përse toka, shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht që prej të Parvet
Trashigimin na e kemi pasë:
Mbrendë i huej ma s’do të shklasë,
Jo, po: na sod ktu sundojm;
Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall lirinë na nuk e lshojm,
S‟njohim mbret as krajl të huej,
Zoti n’qiell e na mbi tokë
Me gjithkendë vëllazën e shokë,
Por secili në cak të vet.
Prandej i hueji në andërr m’e pa
Se vjen kurr e shklet nder ne,
Drue se keq kishte me i ra.



Gjergj Fishta, “Mrizi i zanave e vallja e Parrizi


Rasim  Bebo   Addison  Çikago  dhjetor  2012.







------------------------------------------------------------------------------------------------




Jeta dhe vepra :Gjergj Fishta(1871-1940)






Gjergj Fishta i përmblodhi lirikat në dy libra: Mrizi i Zanave dhe Vallja e Parrizit. Në librin e parë përfshihen vjershat atdhetare, kurse në të dytin vjershta më tepër me temë fetare. Te Mrizi i Zanave autori i këndon atdheut në disa variante: si dashuri deri në adhurim, si ankth e klithmë dhe si trashëgimi morale. Të gjitha këto shkrihen në një lirikë personale. Fishta i ngazëllyer, i këndon Shqipërisë me një ton burrëror, i këndon gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar. Që në fillim të librit Mrizi i Zanavetakohemi me disa poezi kushtuar Shqipërisë, dhe ndryshe nga rilindasit tjerë, të cilët i drejtoheshin atdheut ky e përdor emrin konkret «Shqipëri». Fishta në fillin ndalet te përshkrimi gjeografik i Shqipërisë, duke i përshkruar fushat, luginat, lumenjtë, malet me pyje, bjeshkët me shkëmbij e kullota, njësoj siç vepronte Naimi te Bagëti e bujqësi. Fishta i këndon një shteti etnik, ose më mirë thënë një gjysmë shteti politik dhe Fishtës nuk i mbetet gjë tjetër, por i drejtohet zanës «më thuaj të vajtoj apo të këndoj». Ky është vargu më tragjik në përmbledhjen Mrizi i zanave. Thuajse në të gjitha poezitë kushtuar Shqipërisë, Fishta e paraqet Shqipërinë si një «mbretëresh» e cila e mban kokën lartë, karshi shteteve tjera të Ballkanit dhe këtë përparësi ia ka caktuar e kaluara, luftërat e pandërprera për liri.
Nga përshkrimi i bukurisë mahnitëse e Shqipërisë, Fishta kalon tek ana shpirtërore, te vyrtitet e popullit shqiptar. Sipas Fishtës, shqiptari nuk duron mbret dhe kral të huaj. Kur mbaron kjo valë e himnizimit të Shqipërisë , Fishta kalon te vlerat tjera kombëtare, te gjuha amtare që është një dhuratë tjetër e shtrenjtë. Atë e krahason me këngën e zogut të verës, me freskimin e blerimit të prillit, me valën ledhatuese të bregut të detit, mirëpo kjo gjuhë kaq e ëmbël, kaq e mirë dhe e dlirë, siç thoshte Naimi, ajo di të jetë e sertë edhe si gjëmimi i rrufeve, si shtërngata e detit, apo si ajo e tërmetit. Fishta u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve që t`i dalin zot kudo qofshin ato, në malësi apo në qytete, në gjirin e natyrës apo në peisazhin urban, gjuha shqipe nuk meriton të nëpërkëmbet, sepse atë na e kanë lënë trashëgimi, me këtë gjuhë ka komanduar Skëndërbeu, andaj edhe Fishta e do njësoj gjuhën dhe atdheun e bashkë me këto edhe flamurin kombëtar, me zemër e mendje e dashuron Shqipërinë, madje për Shqipërinë mendon edhe natën. Ai ndjehet i dëshpëruar për një hile që i bëhet popullit shqiptar nga forcat evropiane, andaj zëri i tij shndërrohet në kushtrim, me klithma dhe parandjenjë se, e humbëm Janinën, shkoi Manastiri, Dibra dhe e thërret popullin që të ngrihet në këmbë, t`i dalin zot flamurit kombëtar. Në mbrojtje të atdheut Fishta i fton edhe të vdekurit, sepse edhe ata nuk duan të jenë indiferent ndaj copëtimit të Shqipërisë. Pëmbledhja Mrizi i Zanave përmbyllet me poezinë Lulja e vyshkur, një krijim poetik me vlera shumë, por kritikën letrare e ka vënë në dilemë se: kjo poezi a është ndonjë poezi filozofike, meditative, apo është poezi dashurie. Nëpërmjet kësaj poezie pasqyrohen raportet mes qiellit dhe tokës, jetës dhe vdekjes. Këtu kemi tri shkallë të kohës: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Motivi është harrimi, si të dënohet harrimi dhe medikamenti më shërues është puna. Njeriu lind jeton dhe vdes, mirëpo puna ose vepra vazhdon edhe pas vdekjes. Kjo është porosia e poezisë.


Kryevepër e lirikës së Fishtës konsiderohet pothuaj njëzëri nga njohësit e tij "Mrizi i zanave". Ai e ndante lirikën e tij në dy lloje: atdhetaret dhe të përshpirtshmet ose ato të jehonës së shpirtit.
Nëse e gjithë krijimtaria e Gjergj Fishtës është quajtur përmendore e gjallë e gjuhës shqipe, poezia e tij "Gjuha shqype" mund të quhet lirika më e bukur që i është kushtuar asaj në krejt poezinë tonë. Krahasimet e njëpasnjëshme, me thelb metaforik sublim, që shkallëzohen drejt ngjitjes e bëjnë atë krijim himn të përkryer.
Nëse sublimiteti i poezisë së mësipërme realizohet nëpërmjet shprehjeve delikate të brishta e flladitëse, ky tipar në poezinë "28 Nanduer 1913", "Nji gjamë desprimit", "Syrgite mortui", "Emancipacioni i kombit shqiptar" etj., realizohet përmes vrullit të papërmbajtur, përmes ashpërsisë ngjethëse, përmes thirrjeve dhe kushtrimeve luftarake. Poezia "Nji gjamë desprimit" është një gjëmë e një klithmë që akuzon agresionin e Malit të Zi të 16 prillit 1914 ndaj Shkodrës dhe viseve tona veriore. Poezia "Surgite mortui" që fajëson Evropën për të gjithë tragjeditë që po i ndodhnin Shqipërisë, e cila s'ka marrë ende frymë nga varfëria pesëshekullore turke, ishte shembull i ashpërsisë së skajshme të stilit të Fishtës ku nuk kursehen përbuzjet, sharjet neveritëse, sarkazma, grotesku, ku u bëhet apel luftarak të gjallëve dhe të vdekurve, varreve dhe djepave.
Në lirika filozofike ai trajton çështje të përgjithshme të jetës e të botës. Ndër më të realizuarat janë "Burrnia", "Kataklizmi i rruzullimit", "Një lule vjeshtet", "Gurrave të Jordanit" etj. Në poezinë "Burrnia" me një plastikë të përsosur, me një ndërtim të saktë klasik, ndeshen jeta dhe vdekja. Epërsia apsolute është në anën e vdekjes, e cila zotëron çdo mjet për ta asgjësuar bukurinë fizike të natyrës dhe të njeriut. Në të kundërtën lirika "Katalikizmi i rruzullimit", ndonëse ka thelb filozofik, fillesën dhe misionin e ka të natyrës etike, morale. Në emër të së mirës së përdhosur, të së bukurës së shkelur, ai nxit gjithë forcat kaotike, me qëllim që të rivendosë harmoninë mes përbërësve të rruzullit dhe, njëkohësisht në harmoni gjithë rruzullin në Gjithësi. Në poezinë "Nji lule vjeshtet", me njëmbëdhjetërrokësha të bardhë, poeti ankohet për vdekjen, ngrihet në mbrojtje të idealit të së bukurës, së mirës, së dobishmes. Në odën "Gurrave të Jordanit" në strofa safike ai e përjeton me dhembje të kaluarën që vete e nuk kthehet më, por mbresën, ia ka lënë të pashlyeshme njerëzimit, si vetë rrjedha e ujit që, ndonëse është e përjetshme, sipas dukjes, në të vërtetë rinohet, ndërron paprerë.
Ndër lirikat e buta shquhen "Mbi vorr t'Anton Xanonit" që i afrohet lirikës së llojit intim të shoqërisë e miqësisë për nga fryma e qortimit, e lavdërimit, e mirëkuptimit mes heroit lirik dhe bashkëbiseduesit. Lirikë e mallit universal, për atdheun, nënën, mjediset intime, vatrën familjare, fëmijërinë e rininë është "I dëbuemi".
Më 1907 Fishta botoi pa emër përmbledhjen e parë satirike "Anzat e Parnasit" e cila u ribotua më 1928 dhe 1942, e pasuruar. Studiuesit hamendeshin nëse Fishta është më i madh si epik, lirik, ose si satirist. Sidoqoftë ai mbetet satiriku më i madh i letërsisë sonë.

Satira e tij u tregua e pamëshirshme ndaj veseve të kohës. Pa kompromis, ai goditi dukuritë e shëmtuara negative dhe mbartësit e tyre, cilëtdo që qenë ata. Këto vese e dukuri ai nuk i luftonte vetëm brenda individit, por në rrafshin e gjithë shoqërisë kombëtare. Ai nuk fal askënd që të abuzojë me postin që mban dhe të zhvatë financën kombëtare, të marrë ryshfete, të bëjë veprime prej kopuku e dallkauku, të trajtojë Atdheun si çiflikun e tij, si tapet për karrigen e tij. Në radhë të parë ajo është satirë kundër tradhtarëve, atdhemohuesëve, parazitëve të kombit. Në radhë të dytë është satirë kundër elitës zyrtare dhe veseve klasore të saj. Këtu Fishta na shfaqet si realist i fuqishëm. Vepra artistike më e përkryer artistikisht e Fishtës mbahet "Palokë Cuca", (1912), bashkë me "Gomarin e Babatasit" (1913) që e botoi me pseudonimin Gegë Toska, janë dy kryeveprat e satirës sonë. "Palok Cuca" është poema e heroit komik. Në thelb, Fishta mbron me këtë vepër shkollën kombëtare. Ai stigmatizon e neverit atë kategori të caktuar njerëzish, që nëpërmjet klerit italian u italianizuan në atë masë, saqë ndihen inferiorë ndaj kulturës dhe gjuhës italiane, aq sa ta quajnë poshtëruese gjuhën amtare. Nga njësia e familjes Fishta zgjeron rrethin e objektit të satirës së tij në njësinë e shoqërisë, duke e shndërruar veprën në tablo të të gjithë shoqërisë. Për të tallur, përqeshur e goditur Fishta gjen mjetet shprehëse më të përshtatshme. Këtë e realizon përmes fabulës së shtruar në trajtën e tregimit poetik. Një ngarje të caktuar ai e shtjellon me hollësi, e shqyrton nga të gjitha këndet, duke zbërthyer të gjitha mangësitë, shëmtitë, të këqijat që burojnë prej saj dhe infektojnë, sëmurin atmosferën shoqërore e kombëtare. Konkretësia e mjediseve përmes detajizimeve, gjer në hollësitë më intime e më të turpshme, shndërrohet në qëllim artistik në vetvehte. Përgjithsimet artistike të fuqishme realizohen me një gjuhë të gjallë, plot kolorit. Përmes një qesëndie që gërryen ngadalë e qetë, në mënyrë të shkallëzuar ai vë pranë në të njëjtin tekst mjedisin konservator, primitiv, arkaik, me atë pseudomodern, pseudoqytetërues të kohës, duke zbuluar anët e shëmtuara të tyre. Ngjyrimet më popullore satirike, formulat më të spikatura vihen pranë krahasimeve e metaforave nofka, pranë situatave krahasuese e metaforike fyese. Fjalët e shprehjet e huaja, krahas fjalëve shqipe, si kudo në satirën e tij, krijojnë një atmosferë gjuhësore satirike të veçantë. Sidomos kontrastet mes barbarizmave orientale e atyre oksidentale. Ai vëren se si shartohen në një pemë pa rrënjë të kategorisë mediokre të pseudoelitës, aziatizmi me oksidentalizmin e rrejshëm: te folurit e personazheve është edhe mjeti më demaskues i kategorive njerëzore që ata përfaqësojnë. Kritika është shprehur me të drejtë se këtu, më shumë se kudo gjetkë, realisti e ka tejkaluar romantikun e klasicistin, satirikun, epikun e lirikun.
"Gomari i Babatasit", u botua në situatë që përkonte me beteja të ashpra politike rreth formës që do të merrte organizimi i ardhshëm shtetëror. Kritika fishtjane me ashpërsinë e saj, që nuk fal askënd, lëshoi mbi kokat e deputetëve, ministrave, gjithfarë zyrtarëve të kohës, talljen, fyerjen, sharjen, nëmën e mallkimin, ironinë, sarkazmën, satirën. Nën moton "Populli i falë ata që e mundojnë por nuk ka për të falë ata që e rrejnë", ai shpartallon klikën zyrtare, të cilën i vetmi ideal që e bashkonte, ishte marrëveshja e tyre me gjithë mjetet që u kishte dhënë pushteti në dorë, të zhvatnin trupin dhe shpirtin e shtetit të mjerë të sapofromuar dhe ta linin me turpe e shëmtitë jashtë, ndaj syve të botës. Poeti Babatasi arkeolog, njeriu i kthyer në gomar e anasjelltas, muzeu formal, injoranca që ka veshur petkun e dijes, së qytetërueses, mjedisi i trashëguar anadollak që belbëzon me gjuhën "oksidentale", janë mjetet më efikase përmes të cilave Fishta arrin të nxjerrë në pah kontrastet që kthenin në regresin më poshtërues shoqërinë. Klika që kërkonte të majmej dhe populli që më kot shpresonte, njeriu që s'dilte dot prej thelbit të vet prej gomari, që ngul këmbë në të vjetrën dhe nuk bën asnjë hap drejt të resë, drejt qytetërimit. Fishta gris pa mëshirë fasadën, që dëshiron të krijojë burokracia shtetërore e sapolindur. Një shtet që po formohet nuk mund të durojë në themelet e veta zhvatës makabër, shtinjakë, hipokritë e servilë. Ai prek ato plagë, që më vonë shoqërisë shqiptare iu bënë pjesë e natyrshme biologjike e qënies, iu bënë sëmundje, pa të cilat nuk e kuptonte dot ekzistencën e vet. Duke e kuptuar që atëherë rrezikun, poeti nuk e ruan aspak gojën, përmes fjalorit dhe vizioneve më lakuriqe, të zhveshura nga çdo paragjykim, bën autopsinë e saktë të shoqërisë që po lindte me vese fizikee shpirtërore, nga më fyeset për një komb që krejt ndryshe e meritonte t'i shpërblehej gjaku dhe mundi mbinjerëzor, që i kishte kushtuar së ardhmes së vet.

Një vend të vëllimshëm në krijimtarinë e Fishtës zë dramaturgjia. Ai shkroi drama, drama lirike (melodrama) dhe tragjedi. Në dramat dhe tragjeditë konflikti është i ndjeshëm. Tonet që i përshkrojnë janë ato heroike. Personazhet dhe karakteret arrihen të skaliten. Në dramat lirike dialogu është më tepër mjet organizues i jashtëm sesa element ndërtues i brendshëm që t'i japë mundësi zhvillimit të veprimeve dhe ashpërsimit të konflikteve. Përsa i përket mjeshtërisë artistike, zotërojnë po ato cilësi që i mishëron edhe krijimtaria poetike. E gjithë dramarturgjia e Fishtës është e shkruar në vargje. Tema e atdhedashurisë është në qendër të pjesës më të madhe të veprave: në dramat "Odisea" dhe "Kthimi i Uliksit në Itakë", në dramat lirike: "Shqyptari i qytetnuem", "Shqyptarja e qytetnueme", "Jerina ose Mbretëresha e Lulevet", e sidomos tragjedinë "Juda e Makab", e cila çmohet si vepra më e mirë dramaturgjike e Fishtës. Tema biblike, e pastrimit shpirtëror të njeriut në luftë me veset për hir të virtyteve dhe të amshuesmërisë së qenies njerëzore është në qendër të dramave lirike. "Baritë e Betlemit", "Luigj Gonzaga". Tema e padrejtësive shoqërore është në qendër të tragjedisë "Hajria" ku mbizotëron realizmi, fryma demaskuese ndaj klasave të pasura.
Një lëndë prej qindra faqesh përmban proza e Fishtës. Është një prozë e frymëzuar, ku lirizmi krejt natyrshëm ndërthuret me humorin, satira me groteskun. Shtresat e fjalorit janë më të larmishmet. Bashkëjetojnë fjalët, shprehjet, ndërtimet sintaksore krahinore me arkaizmat, barbarizmat, zhargonet, me fjalët e shprehjet e latinishtes, të gjuhëve moderne, perifrazimet, citimet etj., etj. E pasur në llojet e lëvrimit është publiçistika. Për patetikën e fuqishme, argumentin, kritikën shëndoshëse si dhe stigmatizuese dallohen shkrimet me temë shoqërore.
Në shënjestër ai vë dembelizmin, përtacinë, indiferencën e shtetasve të shtetit të ri shqiptar, por edhe lakminë ndaj kolltuqeve, grykësinë ndaj privilegjeve, prirjen regresive ndaj aziatizmit si dhe imitimin banal ndaj perëndimores. Ai bënte thirrje që në krye të shtetit të vinë njerëz të kulturuar, atdhetarë, vizionarë largpamës të shtetit e të kombit. Fishta është edhe polemist i fuqishëm, ai polemizon me pena të shtypit vendës si dhe me ato të letrave të huaja. Merr në mbrojtje kulturën, dinjitetin, pastërtinë shpirtërore të kombit. Në polemikat nuk mungon kurrë argumenti bindës autentik, si dhe shoqërimi i tyre me argumente nga filozofitë e ndryshme, shkencat shoqërore e natyrore, por edhe vërshimet patetike ku shpotit, tall e dermon pa mëshirë kundërshtarin. Të njohura janë dhe ligjëratat e Fishtës, ku mbizotëron fryma solemne dhe argumentuese.

Publiçistika
Për vlera të rralla artistike, për frymën objektive e shkencore, shquhet prova eseistike e Fishtës. Një model i përkryer në llojin e vet është reportazhi. "Një udhëtim në Turkinë e re". Njohës i thellë i botës shqiptare, adhurues i saj gjer në kult paraqitet ai në parathënien kushtuar "Kanunit të Lekë Dukagjinit" të Shtjefën Gjeçovit. Njeri me kulturë të gjerë e pasione të mëdha na shfaqet në esetë për Gëten, për arkitekturën, muzikën etj.
Në trashigimninë e tij kanë mbetur edhe qindra faqe të epistolarit, dorëshkrime të ndryshme.
Fishta duke qenë njohës i latinishtes, greqishtes së vjetër, italishtes, frengjishtes, gjuhëve sllave, në disa prej të cilave edhe krijoi, duke qenë njohës i përkryer i shqipes që flitej në viset e Veriut, si dhe i traditës letrare shqiptare që nga Budi e Bogdani, dha shembullin e tij se si mund të sillen në kulturën vendëse thesaret shpirtërore të njerëzimit. Të freskëta e trasparente janë përkthimet nga poezia e Silvio Pelikos, Aleksandër Manxonit, Metastazios etj. Shembull për përkthyesit e Homerit, përgjithsisht të poezisë antike e asaj klasike mbetet Kënga V (fragment) e "Iliadës", përkthyer prej tij. Frymën e lashtësisë heroike, madhështinë e heronjve dhe të betejave ai i mishëron në kompozitat burimore të shqipes, në fjalët e ralla të të folmeve të saj, në brumin e gjallë të shqipes. Tepër kërkues e i saktë është edhe në përkthimet e Kanconiereve të Petrarkës. Fishta përshtati në shqip edhe komedinë "i sëmuri për mend" dhe "Dredhitë e Patukut" të Molierit, përshtatje që shquhen për kolorit e pasuri gjuhësore.
Me veprën e tij të gjerë dhe komplekse Fishta pasuroi ndjeshëm në radhë të parë poezinë, por, gjithashtu, letërsinë tonë dhe kulturën në përgjithësi. Vepra e Fishtës ndikon gjithnjë në zvillimin e letërsisë me vëllimshmërinë e saj, me llojshmërinë e gjinive, me pasurinë e mjeteve të shprehjes, me autencitetin e saj. Ajo ka meritën e veçantë të ketë prekur terrene që deri atëherë, dhe më vonë mbetën të paprekura në letërsinë tonë. Ai ka, gjithashtu, meritën tjetër se kultivoi për herë të parë edhe me mjeshtëri të lartë shtresa gjuhësore të gjalla deri atëherë të pashfrytëzuara. Prandaj ndikimi i tij në letërsinë tonë është i madh ei shumllojshëm.

"Lahuta e Malësisë", me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është quajtur nga shumë studiues "Iliada" shqiptare, është vlerësuar si i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje edhe si epos i Ballkanit. Si vepër epike që është, megjithatë "Lahuta e Malësisë" nuk ka një subjekt të mirëfilltë qendror, rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet përfytyrimet. Nëse do të kërkonim një hero qëndror të veprës, ai do të ishte heroi anonim, populli. Unitetin e veprës në të vërtetë, e krijon një përsonazh që, herë vihet në plan të parë, herë është i nënkuptuar. Është Fati i Shqipërisë, jo më me këtë emër si në poemat e tjera epike si "Skënderbeu i pafat" i Jeronim De Radës, "Historia e Skënderbeut" të Naim Frashërit etj. Këtu Fati i Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik "Ora e Shqipërisë". Dhe, sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi, orët e çdo luftëtari, të çdo shqiptari. Këto krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve në grupin e personazheve mitologjike dhe përgjithësisht në vepër meqë përcjellin edhe mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit dhe të kombit të tij, pavarësisht nga befasitë më tragjike të çfarëdo kohe që mund të vijë. Në unitetin e veprës ndikojnë drejtpërdrejt edhe zanat, ndër të cilat njëra përcakton unitetin formësor të veprës. Kjo është Zana shqiptare që ka kuptimin e Muzës së "Iliadës" të Homerit. Në pikëpamje të rolit që luan në poemë, përbën binom me Orën e Shqipërisë. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe kuçedrat, dragonjtë, lugetërit, hijet etj., etj.
Ngjarjet e poemës kanë një shtrirje kohore prej dy brezash njerëzore. Ato fillojnë më 1858, kur Mali i Zi i nxitur nga Cari i Rusisë, kërkon të zaptojë tokat tona. Filli i poemës mbaron kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë dhe Konferenca e Londrës ka vendosur copëtimin përgjysmë të këtyre trojeve. Kobi, kështu ekziston në poemë, në të njëjtin binom me Fatin.
Fishta bën njëfarë grupimi të këngëve, sipas kronologjisë historike të ngjarjeve. Kështu, kemi disa cikle këngësh, kemi ndërmjet tyre edhe këngë që qëndrojnë disi më vete, por që luajnë rolin e rrugëkalimit nga njëri cikël në tjetrin. Në pikëpamje të leximit të veprës ato përkohësisht e shkëputin lexuesin nga terreni historik real dhe e çojnë në sfera fantastike. Cikli që hap poemën është ai për Oso Kukën - pesë këngët e para. Ngjarjet vazhdojnë pothuaj njëzet vjet më vonë, të ndërmjetësuara nga këngët "Dervish Pasha" dhe "Kuvendi i Berlinit". Këto dy këngë japin atmosferën që ishte në dëm të fatit tonë kombëtar. Cikli vijues, që zë hapsirën më të madhe në poemë, është ai i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. I vetmi personazh qendror i ngjarjeve të ciklit është nga pala armike, Mark Milani i Malit të Zi. Krahas tij, shfaqet nxitimthi figura e Krajl Nikollës. Cikli strukturohet në disa nëncikle. Nëncikli i parë (tre këngë) ka në qendër Çun Mulën. Pas ekspozesë që bën kënga "Kulshedra" vjen nëncikli prej pesë këngësh që sjell skena masive të përmasave vigane. Nnëcikli vijues ka në qendër Tringën para dhe pas vdekjes. Ngjarjet, pas një pushimi tjetër prej tridhjetë vjetësh, vijojnë me kryengritjet e Pavarësisë. Këngët përmbyllëse pothuaj janë të pavarura nga njëra-tjetra. Kënga e fundit "Konferenca e Londonit", është në vend të epilogut të poemës.
Studiuesit e ndryshëm janë përpjekur të gjejnë pikëtakime mes "Lahutës së Malësisë" dhe "Iliadës" së Homerit, sidomos në atmosferën që i zotëron dy poemat. Ata kanë krahasuar personazhet që kanë tipare të përbashkëta, skenat e ngjarjeve etj. Por përfundimi i tyre ka qenë se poema homerike, përveçse model i largët, ku është bazuar poeti, me poemën fishtjane kanë të përbashkët përkatësinë ballkanike. Në të vërtetë këto lidhje i bën më të qëndrueshme një burim i mirëfilltë i eposit të Fishtës me eposin tonë legjendar, kryesisht me thelbin e këtij eposi, ciklin e kreshnikëve.
Konflikti në poemë, në mes shqiptarëve dhe sllavëve, mes dy kombeve arsyetohet si një konflikt natyror, me prejardhje nga gjeneza, në vargun e famshëm, proverbial "n'mni t'shoshoqit kemi le". Megjithatë, poeti bën thirrje që të shmanget ky fatalitet i pashmangshëm. Zoti n'qiell e na mbi tokë/ por gjithnji vllazën e shokë. Sidoqoftë, tensionon skajshëm ngjarjet, duke i dhënë "Lahutës së Malësisë" trajtën e një eposi dramatik krejt origjinal nga eposet e kombeve të tjera, me trajta kryesisht tregimtare. Është në mes të dy palëve urrejtja patologjike jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes qenieve mitologjike përkatëse, mes natyrës, dukurive natyrore etj. çfarë e bën të pamundur që të pushojë a të prehet së luftuari shpirti i asnjërës racë, qoftë për një çast të vetëm.
Te "Lahuta e Malësisë" urrejtja ndërmjet ky kampeve armike është plazma ngjitëse e poemës. Ajo vë në marrdhënie grupimet e personazheve. Në radhë të parë dy grupimet më të mëdha, që përcaktojnë frymën realisto-fantastike të poemës: grupimin e personazheve historike nga njëra anë dhe grupimin e personazheve fantastike, të përfytyruara ose mitologjike. Duke pasur të dy grupimet të drejtën për të hyrë natyrshëm në çdo ngjarje, në çdo mjedis a rethanë, të bisedojnë bashkë, të grinden, të rrihen, të luftojnë, të besatohen, të urrehen e të dashurohen, edhe në realitet ato u përkasin, shkrihen në një të vetëm. Realiteti mitologjik, qiellor s'është aspak më hyjnor se sa realiteti i jetës së përditshme. Realiteti njerëzor, gjithashtu s'është aspak më tokësor se sa i përfytyruar e i fantazuar, se sa realiteti i largët i paprekshëm, mitologjik, qiellor. Një familjaritet krejt malësor , krejt i natyrshëm zotëron mës grupimit të personazheve mitologjike dhe grupimit të personazheve historike. Ora e Shqipnisë krijon marrëdhënie krejt njerëzore, gati prindërore me Ali Pashën e Gucisë kur është çasti që po luhet me fatin e kombit. Zana e madhe është simotër e përhershme e poetit, i jep trimëri, i jep shpirt për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, si poeti, uron, mallkon, prandien. Po kështu, orët e tjera, sipas emrave të fiseve ose zanat e tjera sipas emrave të maleve. Familjariteti tipik i kësaj natyre krijohet në këngën Zana e Vizitorit që shquhet edhe për vlerat e rralla artistike.
Poeti kujdeset që personazhet historike të veprës ti vendosë në binom me personazhet mitologjike. Zakonisht, këta janë shëmbëllesa të njëri-tjetrit. Tiparet e njërës palë pasqyrohen te tjtra palë. Bukuria, fisnikëria, dlirësia e Tringës pasqyrohen tek Zana e Vizitorit dhe ndërsjelltas. Zana e Vizitorit, zanë shqiptare, ndërkohë është në konflikt me Zanën e Durmitorit, zanë malazeze, nxitëse e Mark Milanit ndaj shqiptarëve. Në fund të luftimeve zana e huaj ngelet robinë te varri i Tringës duke realizuar edhe hakmarrjen për simotrën shqiptare. Vetë natyra, përbërësit e saj do të ishin një grupim tjetër personazhesh po aq njerëzorë sa edhe dy grupimet e tjera. Autori, ndonëse e hedh vështrimin herë pas here nëpër gjithë trojet shqiptare, skenën e ngjarjeve e kufizon në malësitë e Veriut. Qendër simbolike të zhvillimit të ngjarjeve, siç e pohon mendimi i studjuesve, është Shkodra. Megjithatëai nuk bie në religjionalizëm. Ai, siç thotë profesor Eqerem Çabej, përdor njësinë e fisit për të dhënë njësinë e kombit. Tek fisi janë pikëzuar tiparet e kombit, tiparet e racës. Kjo i jep veprës përmasat kombëtare dhe universale.
Vargu me të cilin është ndërtuar poema është tetërrokshi i poezisë popullore të epikës historike të Veriut. Ai arrin që në këtë varg të sjellë me dhjetra personazhe, secili prej tyre krejtësisht i individualizuar, me tipare krejtësisht të vetat, që nuk mund të largohet nga kujtesa e lexuesit. Ai, po ashtu, individualizon me dhjetëra beteja, me dhjetëraskena betejash madhështore, ku secila prej tyre pikturohet me ngjyrat e dritat e veçanta, për t'u dalluar qartësisht nga moria që e rrethon.
Fjalori i Fishtës, pjesa më e madhe e të cilit nuk është përdorur më parë në veprat letrare aq më pak në poezi, me fjalë të panjohura, me arkaizma, solecizma, me fjalë kompozita, shpesh të ndërtuara prej tij sipas gjedheve burimore, arrin të krijojë jo vetëm figura pamore, por edhe dëgjimore.
Rima është një ndër dukuritë më thelbësore të poemës. Aty shprehet edhe qëndrimi ideoemocional i poetit. Rimat herë janë të përputhura, herë të alternuara ose të kryqëzuara etj.
Ritmet, gjithashtu, janë shumtrajtëshe, varësisht nga vendet ku bëhen pushimet e vogla ose të mëdhatë gjatë leximit, ku në pikëpamjet sintaksore mbarojnë pjesët e fjalive ose fjalitë. Fishta përdor në mënyrën e tij përsëritjet në fillim, në mes ose në fund të vargut, refrenet, përsëritjet e teksteve të plota, citimet nga kryeveprat e folklorit, rendin e përmbysur të fjalëve etj. Dialogët e shpejtë, sentencat filozofike, përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, pyetjet në përgjithësi krijojnë larmi ritmesh, larmi gjendjesh shpirtërore te lexuesit.
Ritmin e shprehjes së shprehësisë artistike, të leximit e përcakton fuqimisht figuracioni. Hiperbola është mjeti kryesor i eposit fishtjan, por një hiperbolë sa fantastike aq edhe realiste. Fantastike për përmasat zmadhuese të tiparit ose efektit të tiparit, realiste për konkretësinë e tyre.
Karakteristik është krahasimi, sidomos krahasimi i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime e të tjera në përbërje të tij, që zotëron tekste të tëra këngësh. Gjithashtu, metafora përdoret me origjinalitet me nëntekste të shumfishta të folklorit.
I papërsëritshëm në krejt letërsinë tonë është përdorimi i eufemizmave me efekte artistike, herë përkëdhelëse, adhurues, e himnizues, herë paditës, i ashpër, e makabër. Eufemizmi funksionon në vend të emrave të perëndive, qenieve mitologjike, por edhe të personazheve kryesore të grupimit historik. Epiteti ka gjithnjë ngarkesa metaforike, është pjesmarrës në krahasime ose hiperbola. Animizmi dhe personifikimi sikurse dendur prozopopea janë mjetet më efikase të drejtpeshimit fishtian në mes të realitetit tokësor, të zbritur në rrafshin më intim e më konkret tokësor. Disa ndër këngët më të përkryera të poemës si "Kulshedra", "Te ura e Sutjeskës", "Zana e Vizitorit" etj. janë një manifestim pothuaj marramendës i të gjitha llojeve të figurave stilistike. Dhe i gjithë ky univers artistik i realizuar me tetërrokëshin e famshëm fishtjan!

Gjuha Shqipe

Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' mâ para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!

Shqypnia

Edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Fusha t' gjâna e kodra t' blera,
Zijes s' mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera,
Si t' Parrizit t' larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t' kullueme,
N' rreze e n' dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n' ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t' kjarta e t' cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande' ata djelm si Zâna,
Armët e t' cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t' tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n' flakë t' nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N' dorë t' ktij shndritë për vend t' të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N' turr t' Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka' i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s' mund t' i a shkelin,
Turrin ferri s' mund t' i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí,
Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S' i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s' i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t' fali i Amshueshëm,
Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:
N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.

28 Nanduer 1913

Oj Zanë, t'këndojm... t'vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s'asht për mue e tye.
Po ç'gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q'iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n'shpi t'vet me lanë
E kujt pose Hyut, n'këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam' prap me vedvedi gjindet
E shk'asht ma zi, prej vedit edhe s'bindet...
............................................................................
Flamuri kombtar nuk ka ç'ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s'çan krye shqiptari për komb t'vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n'vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë...
A thue mos fola keq?... Po lypi t'falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n'zemër t'fryt m'e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s'don vendin,
A prej së tjerëve s'don me ia lshue rendin
A thue ai s'asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota...
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M'visar t'Atdheut me t'huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun' prej t'huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t'i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?...
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë.
Mori
M'kamë kryekungujt prej si u vunë,
Duel padija n'krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t'urtit jashtë kuvendit.
Duel me faqe t'bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.
Shqynis zani atbotë i humi,
T'huejt mi qafë i a vunë themrën,
E e mloj skami, terri e gjumi,
Djelmt e vet i a lnurën zemrën.
E Shqyptarët jo veç s'e nisen
Për kto punë përjashta Momin.
Por ma fort, medje, e konisen.
Msue gjithmonë me ndërue llomin...
E njikshtu, qitash, njaj i cilli
S'e la mrendë e detit vala,
S'e la ferri, toka e qilli,
N' Shqypni majet porsi njala.

Shqypnisë

T'falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n'gji tand tue rrnue,
Tue gzue t'pamt tand, tue t'hjekë atë ajr t'kullue
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri
Kje i Lumi vetë, qi mue m'dërgo ksi hiri
Për nën qiellë tande t'kthielltë un me u përftue.
Malet e hjedhta e t'blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s'dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n'za, qi shndrisin duert e t'lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n'Balkan ti je; ti prej t'Amshumit

Kënga e Parë (Cubat)

Gjendja historike e vjetit 1858 dhe plani i poemit. Turqija nisë të ligështohet. Popujt e Ballkanit i dalin doret. Shqiptarët zgjohen: mendojnë edhe ata të fitojnë lirinë. Ndeshen me nji anmik tjetër. Knjaz Nikolla i Malit të Zi synon të shtijë në dorë pjesën veriore të Shqipnisë, i nxitun dhe i mësuem nga Cari i Rusisë. Ky i shkruen nji letër tanë dredhì e përkëdhelje Krajl Nikollës: i premton bukë e fishekë, mjaft që mos ta làjë Turkun të qetë. Letrën ia ep lajmëtarit (kasnecit) të vet, i cili mbas nji udhëtimi të gjatë, kapet në Cetinë, ku edhe dorëzon shkresën. Knjazi e këndon me vëmendje. Menjiherë çon e thërret serdarin e Vasoviç-it, Vulo Radoviç-in. Mbasi e merr me të mirë e ngarkon të formojë nji çetë cubash dhe me ta të biejë në Vraninë, për me plaçkitë e për me vrà.

C U B A T
Ndihmò, Zot, si m'kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk'rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu' e là t'mjerën në gjak, (5)

frymën tue ia xanun njak,
e as tu' e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n' murë, (10)

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si 'i dèm, vu n'lavër spari,
qi, ka' e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m'e thekë strumb'llari,
s'ndigjon me tërhjekun m'pluer: (15)

e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu' i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s' ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue (20)

s'din' me ndejë rob nën zgjedhë t'huej,
pagë e t'dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n' këto troje t' veta (25)

mos me i bà kurr tungjatjeta,
n'braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s' ia kanë dà;
por t'janë grì me tè e t'janë vrà,
si me kenë tu' u vrà me Shkjà (30)

E prandej si pat fillue
Turkut Ora m' iu ligështue,
e nisë pat m' iu thy' atij hovi,
m' qafë përditë tu' i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit, (35)

zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t' Turkut : qi si motit
n' ato kohët e Gjergj Kastriotit, (40)

krejtë e lirë kjo t'ishte, e askujë
n'daç t'jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t'dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë, (45)

si fletë Engj'lli t'Perëndisë,
si ajo flaka e rr'fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n'tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t'Zi,
Knjaz Nikolla, 'i gërxhelì: (50)

gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n'Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s'të gjatit (55)

der' n' Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do' "trobojnicën",
do' m' ia vu Shkodrës "kapicën":
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi 'i herë ta kisht' là n'gjak! (60)

Ka ndejë Turku e këqyrë haru,
pika-pika lotët tu'i shkue,
kah s'ka Shkjaut si me i qindrue;
se Moskovi e ka rrethue:
ka Stambollën muhasere! (65)

Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì
-si ata e zeza m'i pastë mb'lue!-
për të buk'rën këtë Shqipnì,
si m'ia lëshue n'dorë Malit t'Zì. (70)

M'kambë Shqiptarët atëherë t'janë çue.
Sa mirë n'armë na janë shtërngue!
T'fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
si të Parët ua lidhshin motit
n'ato kohë t'Gjergj Kastriotit: (75)

me 'i kambë mbathë e tjetrën zbathë,
gjanë e gjallë pa grazhd mbyllë n'vathë,
diku ngranë, diku pa ngranë,
harrue grue, motër e nanë,
sy'n agzot, zemrën barot, (80)

e si ai plajmi me furì,
t'kanë rrà ndesh Malit të Zì,
për t'gjatë t'Cemit n'atë kufì,
ku edhe trimat t'janë përlà:
t'janë përlà Shqiptarë e Shkjà, (85)

ballë për ballë ata tu'u vrà,
fyt-a-fyt, ofshè! tu' u prè:
tue mbetë shakull përmbi dhè,
mish për shpez e kaçubeta,
gjithku kje ajo pika e djalit, (90)

gjithku kjenë sokola malit,
pa kjà m'ta as nanat e shkreta.
Veç se, po, me parzme t'veta
Aty Shkjaut sulmin kanë thye.
Mbasi Shkjaut sulmin kanë thye, (95)

bàjnë kuvend Shqiptarët n'mjet vetit
e 'i fjalë t'madhe çuekan Mbretit:
se jo veç qi Knjaz Nikollës
nuk i lajnë kurr pagë e t'dheta,
porsè as Mbretit të Stambollës (100)

s'duen me i bà mà tungjatjeta,
e se dore duen me i dalë:
se Shqipninë nuk po e kisht' falë
Perëndia për çerkez,
Turq, manovë, likurazez; (105)

por për do sokola mali,
qi "Shqiptarë" bota po i quete,
për ta gëzue këta djalë mbas djali,
der' qi jeta mos t'u shuete.
Turku fjalën e ka ndì': (110)

se ç'asht mbushë ai me mënì!
Se edhe lëshue ç'ka mbi Shqipnì,
gjallë Shqiptarët ai me i përpì!
Por Shqiptari gjallë s'përpihej,
e as me u shkelë, besà, s'po lihej, (115)

kur po i mbushej mendja e vet,
për Shqipnì me bà gajret,
n' dashtë ta mësyjnë Krajl edhe Mbret.
Edhe kështu t'janë kapërthye
grykë për grykë Turq e Shqiptarë, (120)

pa dhimbë krenash tue u thye
si me thye kunguj npër arë.
T'iu dha zjarm atëherë Ballkanit,
Shkjau: kah drote se Shqipnia
Nji herë shkëputë dore s' Sulltanit, (125)

mà s'do t'bite n'kthetra t'tija,
si atij hangër ia kisht' palla:
merr e mësynë m'Turk fulikare,
e si derrat me çakalla
t'janë mbërthye, t'janë kapërthye: (130)

haju, ngaju, çaju, vraju,
m' pushkë e m'top gjueju batare,
gjaku rrëmbè npër rrahe e qare,
e npër fusha e npër gajusha,
der'qi s'mbramit, n'p'r' atë zhumhùr, (135)

zgjedhë s' Turkut pështoi Shqipnia
e duel m'veti si dikùr:
si premtue kisht'Perëndija;
por si dashtë, besà, lum vëllau,
s'do t'kisht' pasë as Turku, as Shkjau. (140)

Se s'ka dashtë Turku lirì,
ma merr mendja; veç un s'dij
Knjaz Nikollës kah gjith kjo zemër
ardhë i paska, qi nën themër
rob Shqiptarët po don me i shtrue, (145)

edhe atë tokë ai me pushtue,
për të cilën vetoi motit
shpata rr'fè e 'i Gjergj Kastriotit?
E qi s'paska dert aspak,
se Shqipnì dhe Karadak (150)

krejt me atë punë po i làte n'gjak?
Zemra i ardhka prej Moskovit!
N'Petrograd Cari i Moskovit
Nji bè t'madhe po e kisht' bà:
m' e ndie plak e kalamà: (155)

se ai natë t'madhe s'do t'kremtote,
se ai kumbarë as krushk s'do t'shkote:
gostë as darsëm nuk do t'ngrifte,
s'do t'u late as s'do t'u krifte,
as s'do t'dilte n'log t'kuvendit, (160)

për pa i hi Stambollës përmbrendit,
për pa këcye mbi post të Mbretit,
me u bà zot i tokës e i detit;
edhe Europës tregun m'ia prè,
mos m'e lanë me shitë, me blè, (165)

mos m'e lanë me çilë kund punë;
por me bà qi ajo përdhunë,
për me çue 'i grimë bukë te shpija,
rob të ngelte n'kthetrat t'tija,
n'ato kthetra me gjak zhye, (170)

mësue gjithmonë n'gjà t'huej me gërrye!
Por, pse ishte 'i skile e vjetër,
si për fjalë ashtu për letër,
mos m'iu gjetë kund nji shoq tjetër,
ai po e dite mirë e hollë, (175)

se isht' do punë me hi n'Stambollë:
se isht'do punë Turkun me e thye,
pa sharrue vetë mbrendë me krye.
Prandej xèn ai me trillue,
m'shpinë Shkjeninë Turkut m'ia lëshue: (180)

m'ia lëshue m' shpinë Shkjetë e Ballkanit,
qi me i qitë këta punë Sulltanit;
me i qitë punë këta 'i herë mà para
me trazime e punë t'pambara,
e mandej vetë prej Rusiet, (185)

si harusha prej pusiet,
me i rà Turkut fulikare,
m'zhbì n'vend, m' e qitun fare;
për pa bà me mend pleqnì,
se me atë punë botën unjì (190)

mujte ndoshta, m' e pështjellë n'zì
Kur ketë punë e ka pleqnue,
ka marrë trimi e n'odë ka shkue,
ka ndejë n'tryezë e asht vu me shkrue,
me u shkrue miqve kah Serbia, (195)

kah Zagrebi e kah Sofia
me lidhë besën shkaf asht Shkjà,
mbi Budin, m'çanak-kalà,
edhe tok këta ndërmjet vetit
mos m'ia dà të keqen Mbretit; (200)


por m'e nxitë, por m'e mërzitë,
m'iu vardisë si 'i ditë për ditë,
herë për shtek, herë për kufì,
tash me peng tash me pleqnì,
por gjithmonë, po, pa kanu, (205)

veç si t'mujnë n'teposhtë m'e vu.
Mbasandej, ky zogu i Shkinës,
merr e i shkruen Knjazit t'Cetinës,
merr e 'i letër, ia angllatisë,
me dredhì tue ia qindisë: (210)

Ti, qi jè qaj Knjaz Nikolla,
falmëshëndet Cari i Rusisë,
se zà t'madh për ty kam ndie
qi jè trim e gërxhelì,
qi jè burrë e kuvendtàr, (215)

me ta drashtë hijen anmiku,
por, me gjasë, kjo fjalë s'isht' gjà;
pse qe ti m'atë rrasë Cetine
më kè ndejë me 'i gjysmë opinge,
e jè bà, po, gazi i dheut, (220)

tue mërzitë miq e kumbarë,
veç e për bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, përbri tejet,
dredhun çallmën m'vetull t'synit,
derdhë shallvarët ai pala-pala, (225)

rrin e ban kokrrën e pallës,
e as m'e pà ti s'mund ta shofish
përmbas kodrës së pilafit
Po a thue, t'la ty kamba e dora,
ase ngjitë jè ndoshta n'rrogë, (230)

jo se hi kè bulk n' e huejën,
qi s'po ndihesh kund për s'gjalli?
Mo', bre burrë, se nuk ka hije
Urtë me ndejë Cubi i Cetinës,
edhe n'shpì me e shkuem ai motin, (235)

tue u ndeshë npër furka t'gravet!..
Po a s'ta mbushë synin Shqipnia,
me ato male të madhnueshme,
me ato fusha të blerueshme,
qi kurrkund s'jè kah orvate, (240)

me ia shkye 'i skundillë për veti?..
M' tè, krah-thatë, e mos rri fjetun!
Pse pa luejtë ti kambë e dorë,
s't' ndihmon Zot as i Shën Nikollë:
Por ti luej, nafaka luej, (245)

ka pasë thanë ai burri i huej;
sa për bukë e për fyshekë,
piqu n'mue, se t'i qes vetë;
edhe kësulën vène n'sy,
se të nget Mbreti i Stambollës: (250)

nuk ta là me t'prekë me pupël -
Letrën kështu Cari e ka shkrue,
edhe mirë e ka palue,
e e ka mbyllë me dyllë të zi;
ia ka dhanë kasnecit t'rì, (255)

me ia çue Knjazit n'Mal t'Zì.
Letrën n'gjì ka qitë kasneci,
ka thekë kambët ai sa mund heci:
ka lanë mbrapa fushë e zalle
kapërcye ka bjeshkë e male, (260)

edhe dalë ka lum e shè:
ka shtegtue për ujë e dhè,
der'qi'i ditë, tue marrun dielli,
në Cetinë ka behë ai filli:
shtjerrë opangat, grisun setrën; (265)

Knjazit n'dorë ku ka dhanë letrën,
me dyllë Cari si e kisht' mbshilë.
Ka marrë Knjazi edh' e ka çilë,
e ka çilë edh' e ka këndue,
tri herë rresht ai e ka këndue, (220)

tri dit rresht edh' e àsht mendue;
mbasandej ai fjalë ka çue
njatij Vulo Radoviçit,
kërkserdarit t'Vasoviçit,
qi me dalë me rà n'Cetinë, (225)

pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë:
me flut'rue si gjeraqinë,
për me u pjekë me "Gospodarin".
Njeky Vuloja Serdari
Kisht' pasë kenë nji trim i çartun: (280)

m'e pasë randë toka m'e bartun.
Pa tè prè kund s'ishte marrë,
pa fjalë t'tij ngarkue s'ishte marrë,
pague s'ishte varrë as gjak,
s'kishte vu nuse duvak, (285)

as s'isht' dà gjyqë a pleqnì.
Pse edhe Turku i Malit t'Zì
po e kisht' pasë shqipe mbi kry',
mos m'e lanë me pà me sy.
-Se edhe 'i punë, ky zogu i Shkinës, (290)

po e kisht' bà m'atë udhë t'Cetinës.
Paska marrë e shi në rrugë
Për tërthuer shtrika nji stugë,
edhe i çueka fjalë tërthores,
qi shka àsht Turk i Cernagores, (295)

mos me mujtë m'e shkapërcye,
për pa là 'i dukat për krye -
Bre! kish' kenë edhe 'i farë burri,
larg e larg me i dajtun turri.
Fëtyra e tij porsi duhia, (300)

syni i tij, tanë zjarm e shkëndia;
vet'llat trashë ngèrthye kulàr,
porsi lesh derrit bugàr;
vesh e m'vesh dega e mustakut,
si dy korba lidhë për lakut; (305)

edhe i mbrrijte kryet në trà:
burrë i atillë me sy me u pà.
Veshë e mbathë e m'armë shtërngue,
kishe thanë se àsht lè drangue.
Se këtè Knjazi fort e dote, (310)

fort e dote edhe e ndigjote;
pse edhe i urtë ai kishte ndodhë,
me ia prè mendja fort hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë për ngut me dalë. (315)

Edhe Vulja bjen n'Cetinë,
pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë,
tue flut'rue si gjeraçinë.
N'atë Cetinë kur Vulja zbriti,
atè Knjazi mirë e priti, (320)

mirë e priti e n'odë e qiti,
i qiti duhan e kafe,
edhe nisi kështu t'bajë llafe: -
Ku jè, Vulo, eh kopilane!
Se ti ujk, po, né na u banè, (325)

ke s'po duke kah Cetina,
ku kè miq e probatina,
qi s'të ndërrojnë me sy të ballit?
Po, a kè mujtë? a kè farë hallit?
Si po t'shkon n'Vasoviq moti? (330)

Për jetë tande ! si do' Zoti,
merr e i thotë Vulo Serdari;
pse sivjet, lum "Gospodari",
nuk ka pasë toka valigë,
e ka ardhë nji kohë e ligë, (335)

sa nuk dij si ka m'iu bà,
për me pështue do rob e gjà,
pse edhe buka asht tue na lànë.
Hajt, eh qè'! Knjazi i ka thanë.
Se s'po gjenë cubi me ngranë. (340)

Se s'po gjenë skyfteri mish.
Se ti e nxjerrë korën dy fish!.
Mjaft t'i biesh ndo'i vendit prè,
se po e ban me lopë e qè,
sa me mbajtë njerztë e kujrisë, (345)

jo se mà gjindën e shpisë.
A din shka, Vulo Serdari,
ndiej shka t'thotë ty "Gospodari":
pështilli bashkë nja disa cuba:
t' idhtë si gjarpni ndër kaçuba, (350)

t'lehtë e t'shpejtë si gjeraçina:
edhe lëshoj ti kah Vranina,
për me vrà ata e për me prè,
për me djegun gur e dhè,
mbrendë tue vjedhë e tue plaçkitë, (355)

tue grabitë e tue robitë,
n'daç me natë e n'daç me ditë;
se un prandej të kam çue fjalë,
der' n'Cetinë nji herë me dalë,
pse dishka mue tash m'ka këcye, (360)

prap me Turk me u kapërthye:
prap me Turk, po, na me u vrà.
Pse edhe as hije, thom, nuk kà,
urtë ma ndejun Turk e Shkjà.
E kështu, tue ligjërue, (365)

krye më krye tue bisedue,
hollë e gjatë e ka qortue,
si me u sjellë e si me u mprue,
për m'e là Vraninën n'gjak.
E si vesht janë marrë me fjalë, (370)

Knjazi n'bukë atè e ka ndalë,
edhe falë i ka do pare;
e i ka falë nji "xheverdare",
krejt n'argjand kondakun ngrì,
mos m'e gjetë shoqja n'Mal t'Zi: (375)

m'e drashtë vjerrun në sërgjì,
jo mà n'krah të nji luftarit,
jo mà n'krah t'Vulo Serdarit,
qi isht' me brè hekur me dhambë!
Atëherë Vulja àsht çue në kambë: (380)

ka bà Knjazit "tungjatjeta",
edh' àsht nisë malit përpjeta,
udhës me mend ai tue përblue,
si Vraninën me shkretnue,
Knjazi ashtu si e kisht' qortue. (385)





E Vjetër



E Bejtexhinjve



E Rilindjes



E Pavarësisë



Moderne



Antike Greke









Autorët e kësaj periudhe



Gjergj Fishta


Fan Noli


Faik Konica


Migjeni


Lasgush Poradeci


Mitrush Kuteli


Nonda Bulka


Haki Stërmilli





Dëshmorëve

O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,
o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,
qi për Mbret e vend të Parëve,
qi për erz e nderë t'Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
porsi t'Parët u pa'n punue!
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,
ak'lli, bora e serotina:
e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,
e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,
der' sa t'shndërisin diellë e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n'kangë e n'valle por u këndojshin.
E njaj gjak, qi kanë dikue,
ban, o Zot, qi t'jesë tue velue
për m'ia xe zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t'Parit!

Çohi të Dekun

E n'kjoftë se lypet prej s'hyjnueshmes Mni,
Qi flije t'bahet ndo'i shqyptar m'therore,
Qe, mue tek m'kini, merrni e m'bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. -
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n'Dri
E porsi krandja e that n'nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!


Fragment i Zgjedhur

N'mos i paça mendt mbi hatull,
Mali i Zi e ka i vorr n'shpatull.
Venu shej ti fjalve t'mija,
Pse do t'vijë po lum zotnija,
Koha n't'cilën Shqyptarija,
Zojë n'vetvehte ka me dalë,
Por m'fal faj'n ti për këtë fjalë:
Mal i Zi ma s'ka me pasë,
Serbi vëlla do ta humbasë,
Pa kqyre t'drejtë paa kryre arsye,
Serbin shqype ke mbi krye.
Ka me t'lanë ky i ditë pa sy,
Thellë n'rrashte, po t'ue t'i gërrye,
Se kshtu ecte në shekull lodra,
Ulu maje e çohu kodra...

Kënga e Dymbëdhjetë (Marash Uçi)

Amanet un'jam t'u lanë
Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta'n,
Armët e mbushme mos me i dhanë,
Me shokë tuej kurr mos m'u xanë,
Mos m'u xanë, as mos m'u nga
Pse n'ditë t'gushtë këta u gjinden vlla
Si me pushkë ashtu me uha.
T'huejn me fjalë mos ta poshtroni;
Bukën para, por t'ia shtroni
N'Shqiptari si a kenë zakoni:
Me i besue, mos i besoni!
Edhe n'mend kinje nji fjalë:
Zemrës s'frytë me i lanun dalë;
Fjalët për pajë kurr mos me i dalë,
Ujit turbull mos me i ra,
Mos me dalun n'va t'pa va;
Me iu ruejtun shakës turbueme,
Me iu ruejtë, po, grues së lshueme;
Vendin tuaj m'e dashtë përore,
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore.

Shqipnia e Lirë

Do t'valvitet m'Kaçanik
M'Kaçanik, po, do t'valvitet
Kuq e zi Flamuri i shqyptarëvet,
Përse toka, shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht, qi prej t'Parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo, ma s'do t'shklasë,
Posë atëherë, kur vjen për mik.
Jo, po: na sod ktu sundojm;
Ktu s'hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin' na nuk e lshojm,
S'njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n'qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazën e shokë,
Por se i cilli m'cak të vet.
Prande i huej, n'andërr m'e pa
Se vjen kurr e shklet ndër ne,
Drue se keq kishte me i ra;
Pse shqyptarët kanë ba nji bè
Bè të madhe ata kanë ba:
Për Shqypni në luftë me rra,
Me rra n'luftë me krajl e mbret,
E kur bjen në luftë shqyptari
Lidhë me besë ai ndërmjet veti,
E din hasmi se aty pari
Shungullon toka e gjimon deti:
Se bijn krenat fushës s'mejdanit.

Burrnija

Qitë dhambët përjashta, por si lata t'prehta
Zgavërr kërrçikët e plasarit shtanguem,
Kosën pështetun përmbi kocka t'ngrehta
T'cepit t'shpulpuem,
Atje n'moje t'mjerueme t'rruzullit,
Zymtë e me i hije t'trishtueme, t'përmnershme
Lshue krahëve' i havër t'zezë, si re thellimit,
Rrin Deka e tmerrshme.
Prej avisit t'humnerëve t'zgavrueme
Kthellët në rrashtë të thatë, plot mizori,
Të hapët tërthoren e natyrës s'krijueme
Kundron në mni,
E idhtë asa' i kërcënohet. Nji t'përqethët
Acar, at botë, natyrës i shkon, n'për tejza,
Amull të cilët mbrendë ia ngurron të njethët
E jetës ndër fejza.
Me u zbe nisë rrezja shi n'krue t'vet shkëlqyeshëm
Bres dryshku njeshet, n'atë shauret mbi rrota
Së moknes s'rrokullis e boshtit rryeshëm
I vjen rreth bota.
Felgruemun njerzit nën tjara struken;
Për nën kunora pshtimin ato lypin!
Depërtojnë retë e nalt kah qiella zhduken;
N'andrra t'dheut zdrypin.
Por kot. Mizore ajo kosë t'vet ka sjellë,
Shungllon thellimi për nën kupë t'Empirit;
Gjarpër rrufeja lvitet nëpër qiell
E nën kambë të nierit.
Kthellë shpërthe gjini i tokës. Tue bulurue
Gugson vullkani zhari, flakë e shkndija;
Tallaz m'tallaz nis deti me gjimue,
Ulëron stuhia.
E para dekës, atë herë, bijnë rob e mbreta;
Shkrehen mbretni, qytet kulm rroposen;
Shuhen krenija, po, dhe shkimet jeta
Ka' ajo sjell kosën.
T'poshtrat me t'eprat vise pshtiellen n'vaj,
E mnert kah kosa cepit t'dekës të shkulet;
Kah m'kërdhokla londit kërçiku i saj
Shekulli përlulet.
Vetëm s'përkulet para Dekës njai trimi,
N'zemër t'cilit nuk randojnë punë t'liga,
E që s'e ndalë ku atë ta lypë perlimi (detyra)
As paja as friga.
Për nën mburojë t'ndërgjegjes s'vet t'kullueme;
Atje n'kufi t'Atdheut ase n'truell
T'elterit shenjtë, pa u tutë, ai dekës s'shëmtueme
I rrin kundruell.
Përpara tijë shkon moti t'uj u endun:
Vjen fati i nierit tu u terrnue pa da;
Tash mreten n'burg, tash shkartha n'fron t'përmendun
Kanë për t'u pa.
Por, ngulë ai synin n'ideal t'naltueshëm,
Si' i kep, qi vala smundet n'det m'e e lkundun,
Sido qit t'dajë ndeshtrasha e dheut t'mjerueshëm,
Ngelë n'vend pa u tundun.
Jo po: as n'flakë t'armëve nuk veton ai sye,
As buzës humnerës nuk i dridhet themra:
Sheklli, po, mbarë me pasë për t'u shpërthye
S'i ban lak zemra.
Rekton mbarë jeta për nën fyell t'kërçik'e
Të dekës s'shëmtueme, s'përmnerëshme mizore:
Vetëm BURRNIJA - një BURRNI çelike
Asaj i rrshet dore.

Gomari i Babatasit (metamorfoza)

Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t'ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t'na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m'do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me 'i gjysmë setre t'pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me 'i komçë t'njtitme nën grykë:
pantallonat me "gjyslykë"
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t'tanë gordec e berbalec
pa ndo 'i msim, pa ndonji dije,
me 'i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t'gjith njerzisë...
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi "Skandërbeg",
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'"smoking", tash në "bon-jour"
ju, qi dje s'kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m'sahan t'huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m'pash,
edhe besa me "gulash"
me "afishe" e me "sultjash",
me "kjumshtuer" e me "ashurè",
"kosha gjelash" si kubure,

"tarator", "pilaf me kos",
"mish me qepe" e "majdanos"
"shish qebap", "brizholla viçi",
"kunguj t'mbushum", "kuzuici",
"kabuni"- e "mualebi".
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t'Atdheut
kane ra n'luftë si shqipe t'leta,
kanë shkri gja e shpija t'veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n'vend qi ju me u vu n'konop,
a se brinjt m'jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m'ndo 'i prrue
për me shtrue ndo 'i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo 'i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m'ju si t'ishi ogiça,
për me u pri udhës s'qytetnisë
e me i sjellë t'marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi "shqiptarë" vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo 'i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s'po e gjeni dot,
nën kambë t'cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m'palc,
pleh i ndytë me u bartun n'shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.
(Flori Bruqi)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...