2013-05-15

15 vjet nga Epopeja e Grykës së Llapushnikut


                   Prof.dr.Ibrahim Gashi

Të shkruash për një ngjarje heroike nga një distancë relativisht e shkurtër historike, në kohën kur shumë nga protagonistët e saj janë të gjallë, është një përgjegjësi dhe punë sfiduese. Përgjegjësia konsiston në prezantimin sa më autentik dhe sa më origjinal të ngjarjes, duke i ikur çdo lloj ndikimi apo subjektivizmi dhe duke e paraqitur në përmasën e saj reale rezistencën e formacioneve të para të UÇK-së (Pëllumbi, Çeliku, Guri dhe Lumi), më vonë Brigadës 113 dhe 121 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të fshatrave të Grykës së Llapushnikut, të tërë rajonit të Llapushës dhe të krijimit të zonës së parë të lirë të UÇK-së.

Përgjegjësi e konsiderueshme për secilin historian në këtë rast do të ishte edhe përshkrimi i plotë, i paanshëm dhe i saktë i kontributit që kishin ata që njihen heronj të Grykës, të cilët me gjakun e tyre ishin bërë mburojë për ta penguar kalimin e ushtrisë, të policisë dhe të formacioneve paramilitare serbe përgjatë aksit magjistral Prishtinë-Pejë, që kalonte nëpër Grykën e Llapushnikut.
Në vijim të këtij shkrimi analitik mbi rëndësinë, përmasat dhe vendin që kanë betejat e Grykës së Llapushnikut në historinë e Luftës Çlirimtare do të përqendrohem që të nxjerrë disa konstatime të qëndrueshme dhe objektive, që mbase do të mund të shërbejnë si model edhe për të gjithë ata autorë që shkruajnë shkrime autoriale apo studime monografike për ngjarje a personalitete të Luftës së lavdishme Çlirimtare.

Pse e quajmë Epopeja e Grykës së Llapushnikut?
Pas betejës heroike të Jasharajve, në fillim të marsit 1998 dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jasharit dhe të familjes Jashari, Lufta Çlirimtare po hynte në fazën e masovizimit të saj. Qindra vullnetarë i mësynë malet. Likofci dhe mbarë Drenica ishin shndërruar në qendra stërvitore për regrutët që vinin nga të gjitha anët e Kosovës. Shqiptarët e shtypur, të përvuajtur dhe të persekutuar pothuaj për një shekull tashmë përfundimisht kishin hyrë fuqishëm në rrugën e lirisë. Momenti kishte ardhur. Pushtimi serb mund të hiqej vetëm me luftë të armatosur. Akti i rënies heroike të familjes emblematike Jashari i kontribuoi krijimit të këtij momenti. Përgjegjësia dhe ndjenja atdhetare kishte prekur thellë ndërgjegjen e secilit shqiptar që kishte provuar dhunën e pushtuesit qoftë vetëm një herë gjatë shekullit të robërisë. Pas marsit të vitit 1998, celulat e vogla të UÇK-së po shndërroheshin në njësite dhe formacione të rregullta.

Në fillim të muajit maj 1998, në të dyja anët e rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, në fshatrat e Grykës së Llapushnikut (Llapushnik, Arllat, Gjergjicë) dhe në fshatrat në prapashpinë të tyre (Negrofc, Vuqak, Terpezë, Berishë) ishin krijuar njësitet e para të UÇK-së (Çeliku, Pëllumbi, Guri dhe Lumi). Autoritet policore dhe ushtarake serbe pa dyshim se kishin të dhëna për ekzistimin e këtyre grupeve, ndaj edhe i kishin dhënë shumë rëndësi mbajtjes nën kontroll të aksit magjistral për të lëvizur edhe në drejtim të zonave të luftës, edhe në Dukagjin. Njësitet e përmendura të UÇK-së kishin vendosur tashmë koordinimin e veprimeve midis tyre dhe po përgatiteshin për mbyllje të Grykës. Më 8 maj, forcat e UÇK-së, që vepronin në këtë pjesë, e kryen sulmin e parë ndaj një kolone të forcave serbe në fshatin Gjergjicë. Ky konsiderohet fillimi i operacioneve luftarake në fshatrat e Grykës dhe këto operacione e veprime ushtarake patën një vazhdimësi të pandërprerë deri në qershor të vitit 1999. Të nesërmen, më 9 maj 1998, në një aksion të madh të forcave serbe për t’u hakmarrë ndaj fshatrave të Grykës, UÇK-ja bëri rezistencën më të madhe deri atëherë ndaj forcave serbe. Forcat serbe për disa orë morën pikën strategjike te Guri i Llapushnikut, në pjesën më strategjike të Grykës, në të majtë, përbri shkollës fillore të fshatit Llapushnik.

Nga kjo pikë ata mund ta kontrollonin magjistralen në tërë gjatësinë e saj përgjatë Grykës. Mirëpo, pasditen e kësaj dite, njësitet e UÇK-së, Pëllumbi, Çeliku, Guri, Lumi, luftëtarët e shquar nga Shtabi i Përgjithshëm në Likofc, me një sulm të sinkronizuar nga të dyja anët e Grykës sulmuan pikën te Guri dhe rreth orës tre pasdite i detyruan forcat serbe të tërhiqeshin me humbje të konsiderueshme (të vrarë dhe të plagosur, por që trupat e tyre arritën t’i tërhiqnin), një pizgauer të djegur dhe shumë municione të lëna në tërheqje e sipër.
Në vijim të këtij shkrimi do të përqendrohem për të bërë një analizë të rëndësisë që kishte rezistenca e UÇK-së në Grykën e Llapushnikut dhe në fshatrat përreth.
Lufta e parë frontale

Pas betejës së 9 majit, njësitet ushtarake Çeliku, Guri dhe Pëllumbi u pozicionuan në të dyja anët e rrugës magjistrale në mbrojtje të fshatrave të Grykës, duke e marrë plotësisht nën kontroll këtë Grykë dhe duke vendosur një barrikadë të madhe me zhavorr mbi magjistralen te pjesa më e ngushtë e Grykës (pranë shkollës fillore, te Lapidari i Dëshmorëve të Grykës).
Në ditët në vijim, njësitet e përmendura të UÇK-së e filluan pozicionimin dhe fortifikimin në një gjatësi të frontit, duke hapur një vijë të istikameve dhe të bunkerëve me një shtrirje rreth 10 km, në pjesët më frontale të vargmaleve të Kosmaqit dhe të Gradines dhe me pikëqëndrim në fshatin Llapushnik. Të gjitha këto vija fortifikimi dhe pozicionimi kishin një shtrirje të tillë me shikim drejt pozicioneve serbe në udhëkryqin e Komoranit (Bushatit) dhe në Çukë të Zabelit të Lartë.

Për disa muaj me radhë, deri në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit, pozicionet e UÇK-së në Grykën e Llapushnikut ishin shumë stabile dhe nisur nga strategjia që përdorej, operacionet e palëve ndërluftuese mund të konsideroheshin luftë e parë frontale e UÇK-së me forcat armike. Mësymjet e armikut për ta thyer rezistencën e UÇK-së në fshatrat e Grykës dhe për të rihapur aksin magjistral kishin karakter të plotë të formës frontale, duke përdorur në betejën kryesore të 24 dhe 25 korrikut një arsenal artiljerësh prej më se 120 tankeve dhe mjeteve të blinduara, duke i sulmuar pozicionet e forcave tona në gjerësinë rreth 8 km të frontit. Me këtë rezistenca dhe lufta e UÇK-së ndoshta për herë të parë filloi të mos cilësohej vetëm si luftë guerile, por luftë e kombinuar me elemente të luftës guerile dhe të luftës frontale. Ky është një element që ndikoi në rritjen e rëndësisë dhe trajtimit të luftës së UÇK-së nga faktori ndërkombëtar. Për herë të parë diheshin qartë pozicionet e UÇK-së, pra dihej adresa e tyre, në të cilën u drejtuan shumë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.

Krijimi i zonës së lirë
Një element tjetër që e bën shumë të rëndësishme rezistencën e Grykës së Llapushnikut pa dyshim se ishte mbyllja e magjistrales Prishtinë-Pejë. Kjo mbyllje shumë shpejt u pasua nga sulme të UÇK-së edhe në pika të tjera, si në fshatrat e rrethit të Klinës, duke e mbyllur atë në Grykën e Dollcit, me çka praktikisht u krijua një hapësirë e gjatë e aksit magjistral që tani kontrollohej ekskluzivisht nga forcat tona. Pas këtyre veprimeve, Shtabi i Përgjithshëm koncentroi forca në dalje të Rahovecit (te Rrasa e Rahovecit) dhe në fshatin Bllacë, duke mbyllur edhe rrugën tjetër rajonale me qëllim të krijimit të një zone të lirë, ku forcat armike nuk kishin asnjë qasje fizike dhe ku ishte koncentruar popullata e shpërngulur nga zonat e luftës. Ky moment përbën një element tjetër tejet të rëndësishëm, sepse një qendër municipiale, pra Malisheva, filloi të luajë rolin e një qendre administrative të zonës së lirë, ku për herë të parë qytetarët filluan ta ndjejnë efektin e Luftës Çlirimtare. Për disa muaj në këtë qendër filloi të zhvillohej një jetë paralele, e pavarur plotësisht dhe me elemente të një rregullimi të ri administrativ, që mund të konsiderohet si një celulë e parë e shtetësisë sonë.
Vazhdimësia e rezistencës

Pas betejës heroike të 24 dhe 25 korrikut, kur formacionet tona u sulmuan me një arsenal tepër të madh, forcat serbe arritën të thyejnë rezistencën e pozicioneve të para të forcave tona, por sapo tentuan të ngjiten në lartësitë e këtyre fshatrave, ato hasën në rezistencën e njësiteve të UÇK-së dhe deri në fund të luftës pjesët më të larta të fshatit Llapushnik, fshatrat: Terpëzë, Lladrofc, Berishë, Fshati i Ri (Novosellë), Divjakë dhe Kleqkë, mbetën të pamposhtura. Këtu vazhdoi një rezistencë, me mësymje të vazhdueshme të armikut, granatime të përditshme dhe luftime dhëmb për dhëmb, shpeshherë nga afërsia. Janë të njohura luftimet te Gradina e Llapushnikut, në Terpezë dhe në Lladrofc, ku luftëtarët tanë shpërfaqën në njëmendësi heroizmin që e kemi mësuar nga legjendat, ku në një përballje tepër të pabarabartë numerike dhe teknike në krahasim me forcat armike arritën të qëndrojnë të pamposhtur në pozicionet e tyre. Kjo përbën elementin më të rëndësishëm të luftës së UÇK-së, që demantoi thëniet e diktatorit serb se shpejt do të mbarojë punë me “grupet terroriste” shqiptare dhe do të bisedojë me “shqiptarët e ndershëm” për çështjen e Kosovës. As thënia e kryenacionalistit dhe kryekriminelit serb V. Sheshelj, se shpejt do të pijë kafe në Berishë, nuk u bë asnjëherë realitet.

Zona ku veproi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së deri në fund të luftës
Fshatrat e Grykës së Llapushnikut dhe ato që fizikisht lidheshin me to, si Berisha, Fshati i Ri, Divjaka dhe Kleçka, kanë hyrë në historinë e Luftës Çlirimtare si zona që asnjëherë nuk janë pushtuar nga forcat armike. Në periudhën më të vështirë të luftës, në këtë zonë ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Spitali Ushtarak dhe mbi 100.000 të zhvendosur. Këtu u bë një rezistencë për jetë a vdekje në kuptimin e plotë të fjalës. Nga kjo rezistencë varej fati i luftës. Nga këtu u nis delegacioni i UÇK-së për në Rambuje, nga këtu vepronte Agjencia e Lajmeve dhe Radio Kosova e Lirë. Këtu ishte zëri i vërtetë i luftës, që asnjëherë nuk u ndërpre. Këtu u morën vendimet e rëndësishme për rrjedhën e luftës. Shikuar nga rëndësia që kanë të gjitha këto momente që i përmenda, mund të konstatohet se pa qëndrueshmërinë e UÇK-së në këtë zonë, rrjedha e ngjarjeve për Kosovën do të ishte shumë më e disfavorshme.

Koordinimi i operacioneve të UÇK-së me forcat e NATO-s
Një moment tepër i rëndësishëm për të përcaktuar në masë të konsiderueshme epilogun e luftës ishte padyshim ndërhyrja e forcave të NATO-s me sulme nga ajri mbi caqet ushtarake serbe. Në kohën kur filluan sulmet e NATO-s, u intensifikuan edhe veprimet ushtarake të forcave tona për të thyer kufirin shqiptaro-shqiptar dhe për të filluar një aksion të përgjithshëm për çlirimin e vendit. Operacioni “Shigjeta” dhe Beteja e Koshares mbetën të një rëndësie të veçantë, por ekzistimi i një rezistence të organizuar të UÇK-së në brendi të Kosovës, në Kleqkë dhe në Divjakë, ka edhe një dimension tepër të rëndësishëm, atë të koordinimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike, duke ofruar informacione për vendndodhjen, përmasën numerike, teknologjinë dhe shumë të dhëna të tjera tepër të vlefshme. Nga Shtabi i Përgjithshëm NATO-ja furnizohej me të gjitha të dhënat e nevojshme dhe në fakt kishte veprime shumë të koordinuara mes tyre. Njësitet tona sulmonin nga toka për të nxjerrë nga pozicionet e maskuara artilerinë serbe dhe gjatë rrjedhës së luftimeve ndodhnin bombardimet e NATO-s, duke asgjësuar arsenale të tëra të armikut. Për rreth tre muaj të sulmeve të NATO-s, nga kjo zonë ishte vendosur një komunikim i rregullt ditor mes Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Komandës së NATO-s. Nga këtu ishte hartuar edhe plani i përmbylljes së sulmeve dhe hyrja e forcave aleate nga toka.

Në fund të këtij shkrimi dua që me theks të veçantë të përsëris atë që thash në fillim, se meritat për rezistencën e pashuar të forcave tona në fshatrat e Grykës së Llapushnikut janë të të gjithë atyre luftëtarëve dhe heronjve të lirisë që kishin vënë në shërbim të çlirimit të atdheut më të shtrenjtën, jetën e tyre, dhe e të gjithë udhëheqësve dhe komandantëve të kësaj zone dhe e Shtabit të Përgjithshëm që me sukses e drejtuan këtë luftë, duke e mbajtur lart flamurin e fitores dhe idealin e lirisë. Merita u takon edhe të gjithë atyre banorëve të këtyre zonave që ofruan gjithë çfarë kishin, përfshirë edhe familjet e tyre, për të ndihmuar lutën dhe në fund një meritë të veçantë e ka ndihma e aleatëve perëndimorë, që me sulmet e NATO-s e shndërruan këtë qëndresë në fitore.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...