2013-05-05

Arti bashkëkohor në Shqipëri është emergjenca konstruktive e një të ardhmeje të përshpejtuar dhe eksperimentale.


A duhet të reflektojë arti avangard atë çfarë ndodh në jetën e një vendi? Tetë muaj nga Festivali i Porto-Palermos, një event i cili mori format e një arti avangard, Andi Tepelena dhe Klodian Deda, dy organizatorë të këtij eventi kërkojnë ta mbajnë gjallë debatin mbi artin bashkëkohor sot.

Duke u nisur nga tema e festivalit “Kriza, sistemi dhe ndryshimi”, ata kanë nisur një cikël bashkëbisedimi me studentë të Fakultetit të Arteve. “Kriza është ulur këmbëkryq prej kohësh dhe nuk po i duket fundi, ndaj ne menduam që masat antikrizë (në sensin shpirtëror) duhet të shtrihen përtej harkut të zhvillimit të festivalit”, thotë Tepelena, raporton “Shhqi”.

Ai zgjodhi t’i japë festivalit një frymë avangarde, pasi “Avant garda si komponent i bashkëkohores, është një kritikë ndaj status quo të realitetit politiko–kulturor, është provokative, urgjent, aktivizëm, inovacion, aksion, një lloj alarmi intelektual”.

“Në një periudhë si kjo e sotmja të dominuar nga industria e spektaklit, apo media, është ulur ndjeshëm shpirti kritik. Ndaj nevojitet një ideologji e progresit jo hermetizëm elitar”, thotë ai. Platforma artistike që ata kërkojnë, paraqet një alternativë ndaj pikturës formaliste moderniste që mësohet në Akademinë e Arteve, duke vënë në krizë rendin e vjetër simbolik, regjistron dështime dhe suksese të reja që një krizë e tillë mund të hapë.

Në festivalin e ideuar prej tyre pati një hapje ndaj gjuhëve eksperimentale të artit, si video, instalacioni, performancë, muzikë etj., duke e bërë publikun të jetojë një rrjedhë të pandërprerë situatash, perceptimesh e përvojash estetike. Klodian Deda ka qenë kurator i festivalit të Porto Palermos 2012. “Arti bashkëkohor në Shqipëri është emergjenca konstruktive e një të ardhmeje të përshpejtuar dhe eksperimentale.

Plateja që më ofroi ky event u shkon për shtat tendencave të mia pa kompromise drejt avangardave të shprehjes së lirë…..si pjesë laboratorike për të investuar mbi promovimin dhe hapësirave të reja në këtë vend të vogël në zemër të Ballkanit”, thotë Deda. Si artist ai është i ndjeshëm ndaj gjithçkaje që ndodh sot në artin pamor në vend.

“Shqipëria ndodhet përballë një presioni të madh politik, për të përshpejtuar prezencën e saj në vendet anëtare të BE-së, kjo shkakton një ankth jonatyral mbi kulturën e re, që po lind dhe do të lindë. Ky ankth bën të mundur një “josistem” të artit bashkëkohor në vend”, thotë ai. Deda e sheh shtetin larg asaj që ndodh sot në artin bashkëkohor.

“Shteti është larg artistëve emergjentë, pasi nuk arrin të kuptojë se brezat emergjentë janë pikërisht ata, që sjellin fryma të reja dhe tendenca interkulturore. Arti avangardë (pjesë pararendëse e artit bashkëkohor) paraprin të ardhmen dhe ideologjitë futuriste, ai nuk njeh kompromise, pasi në thelb është: i paparashikueshëm, i guximshëm, social, antiutopik, informal dhe projektues.

Pse jo Tirana të mund të kthehet në një vend që do mund të ftojë hapur tendencat eksperimentale të artit avangardë rajonal, pra një pikë e re në hartën ndërkombëtare…”, thotë Deda. Dhe jo pa qëllim ata kanë zgjedhur studentët e Tiranës, për të hapur diskutimin mbi artin sot. “Tirana rritet në mënyrë të vazhdueshme, të pasigurt, por energjike.

Tirana e së ardhmes së përshpejtuar fsheh lëvizje poshtë një realiteti akoma të brishtë dhe i nevojiten destinacione të reja që mund të funksionojnë….destinacionet e reja aktivizohen nga artistët e rinj dhe Akademia e Arteve të Bukura është simboli i frymëve të reja.

Hyrja në skenë e artistëve të rinj rigjeneron një dialog të ri të artit me realitetin social, duke marrë pjesë në të jo si individë, por si parashtrues të rregullave të reja, krijimin e një “ajri” frutdhënës dhe të guximshëm …Energjitë e reja të mos bazohen mbi struktura ekzistuese, por të krijojnë dritare të reja komunikuese në hartën kombëtare apo ndërkombëtare…”, thotë Deda. Për të, është koha për një manifest për evolucionin kulturor, për një rinovim, apo investim mbi artin eksperimental.

“Ne jemi tani në një kohë për të ribërë të gjithën. E bukura qëndron këtu… për të ribërë të gjithë. Nuk është ky sensi i vërtetë i artit emergjent?”, thotë Deda.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...