Senad Guraziu
(Ars Poetica Blog - 14 Maj 2013)
Info, ose pak fjalë me "shkas" - Më duheshin 2 kopertina, per 2 librat e mi (që janë në përgatitje për botim, njëri si vëllim me poezi "Medium dhe Flutura" dhe tjetri "Opinione dhe vështrime").
Për vëllimin poetik megjithatë zgjodha të bëj një "crop" të Venerës nga piktura e William B. Richmond (1842-1921) - Venera dhe Ankhise - (Walker Art Gallery, Liverpool, United Kingdom)
Mendoj se askund tjetër, në asnjë pikturë tjetër gjatë gjithë historisë së artit, Venera nuk është pikturuar më bukur se nga Richmond. Ndoshta sa i përket "rangimit" për të bukurën e paraqitjes, mund të bëhet ndonjë përjashtim, bie fjala me Veneren e Bouguereau, ose më mirë të thuhet - dua të them - këso "versione" s'është nevoja as të krahasohen mes vete...
Psh. që të jem më i qartë, kur është fjala për "Venerat nudo" edhe "Lindja..." (Nascita di Venere) e Botticelli-t (madje përkundër mangësive kompozicionale-teknike të pikturës, siç është krahu i majtë i deformuar ose i "stërzgjatur" i Venerës), edhe "Lindja..." (Naissance de Venus) e Buguereau, edhe "Lindja..." (Naissance de Venus) e Cabanel, edhe "Lindja..." (Naissance de Venus) e Duval, e madje dhe ndonje "Birth..." tjetër e klasikeve dhe joklasikëve, janë thjesht perlash të pakrahasueshme artistike.
Për mua personalisht, në kuptimin artistik si pikturë Venera e Cabanel ndoshta është më "favoritja" sa i përket "Lindjes...", por them NDOSHTA. Sepse po aq "favorite" ndonjëherë mendoj është ajo e Duval, dhe ajo e Bouguereau. Shi për këtë mendoj se as nuk duhet "ngatërruar" me krahasime kur është fjala për perlat e artit, është i pakuptimtë krahasimi i perlave ashtu-kështu! Këtë pra desha të them, me gjithë këto fjalë - tjeter eshte kur na duhet te zgjedhim dic per nje kopertine!
Piktori britanik William Richmond në tabllon e tij “Venus and Anchises” na e paraqet takimin e Afërditës (ose Venerës, sipas versionit mitologjik romak) me dashnorin e saj tokësor, bariun trojan, Ankhise. Ata takohen gjatë natës në malin Ida. Venera (Afërdita), e veshur me ngjyra të ndezura, si e praruar, ecën në drejtim të dashnorit. Ai, i veshur me një këmishë të kuqe, duke mbajtur një harpë, duket aty nën një pemë ku deri para pak çastesh sikur po priste perëndeshën të vinte apo të shfaqej. Zakonisht, dënimi për vdekatarët, për shpirtrat e "rëndomtë" nëse ta shihnin një perëndi apo perëndeshë ishte të ktheheshin në gur. Mirëpo kjo nuk vlente për një dashnor të vetë Venerës, perëndeshës së dashurisë.
Piktura në mënyrë të shkëlqyer figurative sikur e demonstron fuqinë transformuese të dashurisë dhe të bukurisë. Sfondi i pikturës është i errët, në këndin e djathtë shihen përtokë gjethet e zverdhura të vjeshtës, por kudo që Venera shkelë errësira, zymtësia kthehet në dritë, ajo rrethohet nga lule të pranverës dhe ngjyrat e jetës përndizen. Perëndesha paraqitet e shoqëruar nga luanët dhe, në fluturim, nga një grup pëllumbash e harabelash të shpërndarë. Sipas mitologjisë, nga takimet mes Venerës dhe Ankhise, nga dashuria e tyre, pati ardhur në jetë Enea, paraardhësi legjendar i Romakëve.
Thuhet që kjo tabllo pikturale të ketë qenë inspiruar nga një strofë e poetit Shelley (Percy Shelley), nga një poezi e tij me titull 'Epipsychidion'.
ja dhe kopertina (si detaj)
më poshtë piktura e plotë e Richmond
Për ta parë tabllon në rezolucion më të lartë vizito këtë faqe të ARC - Art Renewal Center:
http://www.artrenewal.org/pages/artwork.php?artworkid=42612
ose nëse keni dëshirë akoma më të madhe, version Super HRES, kërko duke shtuar në titullin kerkues "google art project", padyshim do te shfaqet faqja e google art project dhe tutje...versioni prej disa MB
***
Sa i përket kopertines për librin me shkrimet diskursive, edhe pse pata menduar "pih... s'është problem, e lehtë" nuk më doli ashtu, u desh të merresha më gjatë me të, sepse për të qenë sadopak më afër idesë pata dëshirë t'i kombinoja 2-3 imazhe në 1 (ashtu dhe bëra, zgjodha 3 sosh, aso "stockphotos" nga Shutterstock dhe i kombinova në 1), ja dhe kopertina përfundimtare e "kombinuar", dmth e kam fjalën për ballinën e librit