Prof.Dr. Myrvete Dreshaj – Baliu Universiteti i Prishtinës
Në historinë kombëtare të popullit shqiptar janë disa momente të rëndësishme të cilat na bëjnë të kujtohemi për të kaluarën tonë dhe për disa rrjedhoja e bashkrëndime të këtyre proceseve. Takimi i sotëm në kujtim të Brigadës 136 “Rugova”, na bën të besojmë se asgjë në lëvizjen tonë çlirimtare nuk ka qenë e rastit dhe se as bardët e kësaj Brigade nuk e kanë marrë rastësisht një mision të tillë. Në historinë e popullit shqiptar, së paku gjatë 500 vjetëve të fundit, mbahen mend disa momente të pajtimit të gjaqeve ndër shqiptarët. Aksione të tilla i kanë organizuar individët me ndikim në viset ku kanë jetuar, grupe të caktuara e të dalluara në lëvizjen e përgjithshme kombëtare, institucione të organizuara kombëtare etj. Është e kuptueshme prandaj, pse që nga koha e Skënderbeut e deri më tash edhe misioni, suksesi dhe reflektimi i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve ka qenë i ndryshëm dhe ka pasur veçoritë e tij historike, politike, ushtarake, humane, kulturore dhe kombëtare. Deri në vitin 1990 aksionet individuale dhe Lëvizjet e grupeve të caktuara, shpesh kanë pasur karakter të kufizuar edhe për nga misioni edhe për nga numri i tyre. Bie fjala, mund të thuhet se misioni i pajtimit në kohën e Skënderbeut kishte karakter politik dhe ushtarak; pajtimi në prag të Lidhjes së Prizrenit kishte karakter politik, ushtarak dhe kulturor; pajtimi i gjaqeve në prag të Lidhjes së Pejës kishte karakter politik; misioni i pajtimit të gjaqeve në Malësinë e Mbishkodrës (që është i njohur si pajtim në Malësinë e Podgoricës), në fillim të viteve ’70 kishte karakter kulturor e human; dhe misioni kryesisht individual i të përndjeku*rve politikë, kishte para se gjithash karakter politik. Vetëm aksioni i fundit, Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve 1990-1992, do të arrijë t’i përmbledhë, disa nga elementet më të rëndësishme të Lëvizjes kombëtare, të nxitura më parë në kohë dhe në histori. Po të shohim vetëm organizatorët, luftëtarët, martirët dhe dëshmorët e Brigadës 136 “Rugova” nuk është vështirë të shohim se ata vinë pas një përvoje te madhe në Lëvizjen Ilegale të Kosovës dhe nga veprimtaria e palodhshme në disa misione të mëdha kombëtare, duke përfshirë këtu edhe Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve. Pse mund të thuhet kështu? Pse mund të thueht se më parë se sa Ushtria Çlirimtare e Kosovës homogjenizimin dhe bashkimin e popullit shqiptar kundër Serbisë e ka bërë Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, e në Brigadën 136 Rugova mund të gjesh shembuj emblematikë. Le të kujtojmë këtu dëshmorin Selman Lajçi, komandantin e saj Sali Lajçi, Brahim Dreshaj, Hysen Dreshaj, Isë Nikçi, Zyrafet Muriqi e shumë të tjerë, biografia e të cilëve përfshinë një hapësirë të gjerë kohore në Lëvizjen kombëtare, në organizimin e celulave ilegale, në përpjekjen e gjithasnhme për pajtimin dhe homogjenizimin e shqiptarëve për një Lëvizje të re, për një luftë të re, për një luftë çlirimtare. Bardët e kësaj Brigade, djem dhe vajza, kryesisht ish të burgosur politikë apo pjesëtarë të Lëvizjes ilegale, bijë të familjeve me një traditë epike në historinë e këtyre trojeve, që në fillim patën vlerësuar lart misionin për faljen e gjagjeve, prandaj që në fillim morën iniciativën për ta shtrirë Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve edhe në krahinën e Rugovës me rrethinë. Dhe kishin arsye. Krahina e Rugovës, si dhe pjesa tjetër e Kosovës nuk mund të ishin pa trashëgiminë e gjakmarjes së brendshme, ashtu sikur nuk mund të ishin indiferentë ndaj misionit të luftës së përhershme kundër okupimit sllav, për të mos harruar faktin, se më shumë, se asnjë krahinë tjetër etnografike e Kosovës, pikërisht në Rugovë me shekuj janë murosur në eposin e saj kujtimet e largëta dhe të afërta të luftës së përhershme antisllave në Ballkan. Bijtë e bijat e këtij trolli, këto vlera ditën t’i shtrijnë edhe në prag të fillimit të luftës së armatosur në Kosovë duke themeluar Brigadën 136 Rugova, sepse sikur është thënë edhe më parë, më shumë se sa mision humanitar, kulturor dhe politik, Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve me veprimet e saj pretendonte misonin historik të Lëvizjes për çlirimin kombëtar, dhe ky ishte misioni ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besoj se nuk është e tepërt të theksohet këtu se pjesëtarët e kësaj Lëvizjeje kurrë nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre të armatosur, ndërsa me daljen e hapur në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata u bënë ushtarët e urtë të saj. Pjesëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve nga Rugova dhe Peja përgjithsisht kanë zhvilluar shumë aktivitete, jo vetëm brenda qytetit të Pejës apo Krahnës së Rugovës, por edhe në shumë vise shqiptare në Mal të Zi e në Maqedoni. Dua t’ju përkujtoj se pjesëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve për herë të parë në lëvizjen tonë kulturore, shpirtërore dhe kombëtare do t’i hapin dyert dhe do të bëjnë të mundur që shqiptarët ‘e muslimanizuar’ në Sanxhakun e Novi Pazarit haptazi të shfaqin përkatë*sinë kombëtare shqiptare, duke hapur arkat e vjetra qindvjeçare për të nxjerrë flamurin e mbyllur që më 1912. Për herë të parë, veprimtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, duke zhvilluar aktivitetet e tyre në pajtimin e shqiptarëve në zonat më të thella të Malësisë së Tetovës e të trevave të tjera shqiptare në Maqedoni, do të rihapin shumë shtëpi shqiptare, të cilat nën trysnitë politike e policore të Shkupit, po zhbëheshin viteve të fundit. Më shumë se kaq, lëvizja do të rilidhë shumë familje, të cilat historikisht kishin zhvilluar aktivitete kombëtare kundër pushtuesve sllavë; do të shenjëzojë shumë shtëpi, në të cilat më vonë, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të gjejnë shumë vullnetarë për radhët e tyre ushtarake; do të gjejnë strehë, pa frikën se kanë trokitur në derë të pasigurt, për qindra ushtarë të plagosur, ndihmës të tyre e qytetarë të dëbuar; do të kalojnë në çdo rrugë e qafë mali, pa frikën se hasmi ua ka zënë pritën; do të dalin hapur edhe në krye të kolonave ushtarake, pa frikën se hasmi do ta adresojë policinë dhe ushtrinë serbe në familjet e tyre etj. Nëse sot mund të thuhet se Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve një prej misioneve të saj e kishte edhe atë ushtarak, Brigadën 136 Rugova dhe luftëtarët e saj i ka dëshmitarët më të mirë.
Prishtinë, 24 prill 2012