2013-05-05

Prostitucioni, plagë për Kosovën



Arlind A.Bajra

Qasja sociale që i bëhet fenomenit mjaft shqetësues dhe problematik të prostitucionit në Kosovë, i cili vuri bazat e organizimit dhe zhvillimit në kuadër të prirjeve devijante dhe destruktive në njërën anë dhe krimit në anën tjetër kuptohet si përpjekje për të theksuar fillimisht humbjen tradicionale të vlerave shoqërore kosovare e që ndërlidhen me periudhën e pasluftës gjerë tek aspekti i trajtimit nga këndi i një lloj profesioni komercial ilegal. Prostitucioni në fakt determinon një marrëdhënie seksuale në këmbim të shpërblimit. I ashtuquajturi “profesioni më i vjetër në botë”, ky fenomen historikisht daton qysh nga antikiteti i mëshiruar me të ashtuquajturat konkubina-dashnore, të cilat njiheshin me klientët ndërmjet tyre, ndërsa sot në shoqëritë bashkëkohore prostitucionin si një lloj industrie të seksit e përbëjnë të trafikuarat e prostituara, por që në fakt me klientët e tyre ofrojnë shërbime seksuale të rastit në të shumtën e rasteve pa u njohur. Derisa prostitucioni mund të jetë selektiv në lidhje me llojet e aktiviteteve seksuale, paraja mbetet lubrifikanti kryesor i përcaktimit dhe këmbimit të objektit me subjekt. Ky lloj trendi dhe zanati i cili po zhvillohet me hapa gjigand edhe në Kosovë, në një vend si ky I yni me probleme të shumta rrezikon të shndërrohet në një gangrenë shoqërore duke rrezikuar jo vetëm viktimat të cilat janë pjesë e rrjeteve të tilla, por njëherazi duke krijuar predispozitat që një ditë Kosova të shndërrohet në një “Moldavi” të vogël sa i përket eksploatimit të detyruar seksual . Praktika e prostitucionit është e ndërlidhur edhe me përhapjen e sëmundjeve të transmetuara seksuale prandaj të dhënat empirike në Kosovë flasin për një shqetësim serioz në këtë aspekt Statusi ligjor i prostitucionit është i ndryshëm në vende të ndryshme, ku në disa vende praktikohet edhe ekzekutimi me vdekje ndonëse ka edhe të atillë të cilët mendojnë se është i dobishëm shoqërisht dhe ekonomikisht, megjithatë mendimet e tilla shkojnë kryesisht në favore të atyre të cilët e ushtrojnë një veprimtari të tillë të paligjshme dhe ilegale. Në shoqërinë kosovare si me ligjet e brendshme po ashtu edhe me ato ndërkombëtare është duke u punuar pak në këtë drejtim, prandaj mbi këtë bazë shumë të drejta të njeriut janë të cenuara, pra në shënjestër të prostitucionit të dhunshëm nuk kursehen as të miturat. Në vitet e fundit në Kosovë numri i bordeleve dhe shtëpive publike qoftë në hapësirat urbane apo edhe në ato rurale është evidente dhe paraqet një formë të krimit të organizuar përmes rrjeteve vendore dhe ndërkombëtare të cilat nëpërmjet kërcënimit, mashtrimit, detyrimit dhe transportimit të këtyre viktimave krijojnë benificione mbi trupin e tyre. Prostitucioni i detyruar në Kosovë është bërë problem serioz kur ja shtojmë kësaj edhe viktimat që vijnë nga Rumania,Ukraina, Moldavia e Bullgaria si rajonet më të varfra të Evropës Lindore. Në këtë problem kishte kontribuar edhe prania ndërkombëtare përgjatë këtyre viteve ku sipas një hulumtimi të fundit mbi këtë çështje frekuentuesit më të mëdhenj të klubeve të tilla të natës janë akterë nga misioni ndërkombëtarë në Kosovë. Klubet e natës dhe “kafenetë” e mbira në Kosovë të çojnë në një përfundim të hidhur se frika për kriminalizimin e shoqërisë në këtë drejtim po vazhdon. Lufta e përcjellur me brishtësinë e aspektit kulturor ekonomik e social ka ndikuar po ashtu dukshëm në thellimin dhe shtrirjen e kësaj “plage” në Kosovë, dhe si e tillë pashmangshëm ka reflektuar ndoshta edhe si burimi kryesor jo vetëm I këtij fenomeni por edhe I gjendjes në përgjithësi jo të dëshiruar. Nga kjo del konstatimi se shkaqet e prostitucionit në Kosovë ndërlidhen ngushtë me faktorët socio-ekonomik por edhe arsimor si çështje bazë për të ndikuar në stabilitetin dhe shmangien e viktimave të mundshme. Përpjekjet për ta luftuar prostitucionin janë thuajse minimale në raport me standardet që kërkohen dhe fushatat operacionale duhet të jenë në fokus të prioriteteve shtetërore kosovare. Kosova gradualisht po bëhet “çerdhe” për të gjitha llojet e veprimtarive kriminale dhe kështu ajo po bëhet po ashtu destinacion jo vetëm për kontrabandimin e mallrave por edhe të femrave. Gjatë këtyre viteve të fundit në Kosovë përveç adresimit të prostitucionit të femrave janë injoruar thuajse në tërësi marrëdhëniet e këtij fenomeni me praktikat e tjera të dhunës dhe shfrytëzimit seksual. Problemi i prostitucionit në shoqërinë kosovare po bëhet edhe më i vështirë ngase ka edhe femra të cilat për ti rezistuar presioneve ekonomike dhe familjare “detyrohen” për të hyrë në labirintet e prostitucionit, labirinte prej të cilave pastaj viktimat e kanë të vështirë të dalin. Jo vetëm organet e brendshme duhet të marrin masa ndaj këtyre fenomeneve duke marr parasysh kontributin që mund ta bëjë shoqëria civile,gazetaria hulumtuese dhe i gjithë spektri i gjerë profesional dhe intelektual në drejtim të ndërgjegjësimit dhe zbatimit efikas të masave të nevojshme për të siguruar një shoqëri të shëndoshë pa prostitucion dhe sjellje tjera patologjike me prirje destruktive.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...