ROMEO HANXHARI
Unë nuk e di nëse Bashkia e Tiranës do ta tolerojë ende praktikën poshtëruese dhe të dëmshme të kthimit përmbys të koshave të qytetit për të nxjerrë shishe plastike apo kanaçe alumini nga pjesëtarët e nderuar të komuniteti rom apo nga kushdo tjetër; unë nuk e di nëse Policia Bashkiake i ka ofenduar apo jo dhe në ç’rrethana pjesëtarët e këtij komuniteti; unë nuk e di nëse ky komunitet ka apo jo mundësi të tjera jetese përveç gërmimit nëpër kosha; unë nuk e di nëse shteti apo Bashkia kanë detyrimin që t’u gjejnë punë romëve apo nëse ata i pranojnë punët në sektorin publik me paga modeste; unë nuk e di nëse Bashkia apo Avokati i Popullit duhet apo mund të hapin mensa për të varfrit ku të ushqehen edhe romët që nuk kanë punë. Më vjen keq, unë nuk mund t’i di të gjitha këto, edhe pse e di që të gjitha këto çështje kërkojnë adresim dhe zgjidhje. Por, ama, si përfaqësues i një shoqate aktive mjedisore, një gjë e di mirë, dhe për këtë po shkruaj dhe këmbëngul fort: praktika e gërmimit nëpër koshat në rrugët e qyteteve tona apo nëpër Sharrë për të mbledhur kanaçe alumini apo shishe plastike, duhet të marrë fund urgjentisht, sepse është sa e turpshme, aq edhe e dëmshme dhe e rrezikshme. Ne si shoqatë e kemi ngritur disa herë zërin për këtë situatë me pasoja shumëplanëshe.
Nëse e konsiderojmë veten si një shoqëri që e respekton vetveten, nëse pretendojmë se e respektojmë komunitetin rom të Shqipërisë, nëse pretendojmë se kemi njohuritë më minimale të higjienës publike, nëse pretendojmë se njohim praktikat më elementare të trajtimit të mbetjeve urbane dhe nëse pretendojmë të fillojmë t’i zbatojmë ato, atëherë duhet të mos lejojmë që koshat në qytet të kthehen e të stërkthehen apo të derdhen në shesh. Lejimi i deritanishëm, me dashje apo pa dashje, është kundërvajtje, madje krim i disafishtë, i kryer nga instancat publike që administrojnë qytetet dhe komunitetet tona.
Nuk ka asnjë justifikim një praktikë e tillë, as justifikim njerëzor, as humanitar, as punësimi, as mjedisor, asnjë. Madje, përpara se të trajtoj justifikimin “mjedisor” që i vishet kësaj praktike, dëshiroj t’i trajtoj shkurt edhe justifikimet e tjera. Duhet thënë me forcë se praktika e mësipërme është e tëra në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Për këtë duhet t’i bjerë kambanës së alarmit edhe i nderuari Avokati i Popullit: shkelen të drejtat e njeriut dyfish, edhe të romëve që futen nëpër kosha dhe dëmtojnë shëndetin e tyre, por edhe të banorëve të tjerë që kanë paguar taksa me qëllim që mbetjet të mblidhen nëpër kosha, dhe jo në rrugë me qëllim që mos të rrezikohet shëndeti publik. Shkelen të drejtat e njeriut, të romëve nëse ata gërmojnë nëpër kosha për shkakun sepse cenohet, nga ata vetë, pa vetëdije, e drejta e jetës së shëndetshme. E drejta e jetës së shëndetshme prevalon mbi të drejtën për punë, veçanërisht kur “puna” është e jashtëligjshme dhe e rrezikshme për ta dhe për tërë komunitetin e Tiranës. …Madje, edhe nëse vetë pjesëtarët e komunitetit rom thonë që ata e bëjnë këtë punë të gërmimit nëpër kosha duke e ditur mirë që kjo u dëmton shëndetin, pra me vetëdije, shoqëria nuk duhet t’i lejojë. Sepse ashtu siç shoqëria ka krijuar instrumente për të ndaluar dikë që dëshiron të hidhet nga kati i dhjetë dhe ndërhyn me zjarrfikëse apo me polici për ta shpëtuar, ashtu edhe në këtë rast shoqëria duhet të ndërhyjë që t’i ndalojë këta pjesëtarë të dashur të shoqërisë sonë që të dëmtojnë jetët e tyre dhe të të gjithëve ne në emër të një “mbijetese” që në fakt vetëm e tillë nuk është në llogari të fundit.
Disa thonë që “është gjynah t’i ndalosh të trazojnë kazanët, se romët në këtë mënyrë nxjerrin bukën e gojës”, duke e trajtuar këtë në këndvështrimin humanitar. Kjo lloj teze është tragjike, por njëkohësisht edhe tallëse. Unë personalisht kam respekt të paanë për ata që përpiqen me punë të ndershme të sigurojnë jetesën, sepse i përkas atij brezi që e ka përjetuar në kurriz varfërinë dhe madje kequshqyerjen e viteve ’80 në Shqipëri, dhe atij brezi që ka bërë edhe punë të vështira fizike për të jetuar apo për të përmirësuar jetën, pa asnjë kompleks, por pikërisht për këtë arsye ndërgjegjja nuk ma lejon kurrsesi të aprovoj një praktikë të dëmshme për shëndetin si një zgjidhje për ushqyerje. Kështu, ne nuk duhet të lejojmë askënd të punojë për shembull me kimikate të rrezikshme për të siguruar “bukën e gojës”. Madje, nuk e pranoj zgjidhjen për ushqim as kur bëhet fjalë për praktika që nuk dëmtojnë shëndetin, por dëmtojnë interesin publik. Do të bëj një paralele, një nga të shumtat që më vijnë në mendje, duke mos pretenduar se kam gjetur atë më të përshtatshmen. Kur u shpall se do të prisheshin kioskat e dyqanet anës Lanës, shumëkush tha që ato familje në ato kioska kanë bazuar jetesën e tyre dhe kanë investuar kursimet e tyre, e megjithatë ato kioska u prishën dhe mirë u bë: ato familje vërtet humbën investimin e jetës, por u adoptuan me kushtet e reja, ndërkohë që të gjithë ne të tjerët fituam një mjedis të denjë. Pra, çdo ndryshim apo tentativë për rregullim të një situate të degraduar apo problematike, dikë mund edhe ta dëmtojë, por përfitimi është shumë më i madh. Në fund të fundit, interesi publik afatgjatë prevalon mbi interesat afatshkurtra private. Të njëjtën gjë mund të themi kur një fshatar pret pemë në një pyll, pra që ai e bën “për bukën e gojës” sepse s’ka zgjidhje tjetër, por kjo s’mund të na bëjë të tolerojmë një veprim që dëmton interesin publik. Pra, kuptohet se sa tallës dhe banal është ky lloj justifikimi i “bukës së gojës” për veprime që janë antimjedisore dhe antishëndet, e pse jo antihumane, veçanërisht kur e dimë se ato janë dhe kundërvajtëse dhe pengojnë rregullimet që kërkon stadi i ri i zhvillimit tonë shoqëror.
Tani dy fjalë për argumentimin mjedisor, sipas të cilit “familjet rome ndihmojnë në riciklimin e plastikës dhe të aluminit”. Duke e pranuar këtë si pjesërisht të vërtetë, kjo s’duhet të na qetësojë apo të na japë alibi për mosveprim. Përkundrazi, kjo duhet të na bëjë të shohim edhe më qartë pikërisht se në çfarë stadi të prapambetur ndodhet problemi i trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë dhe përgjithësisht në Shqipëri, si dhe të qëndrojmë edhe më fort në bindjen se ne kemi nevojë të kalojmë në një stad të ri të trajtimit të mbetjeve, në një stad që ka nevojë për organizim dhe institucionalizim. Prandaj ne si shoqatë refuzojmë të “legalizojmë” këtë praktikë të deritanishme si “miqësore me mjedisin”. Mbledhja e kanaçeve nga ana e komunitetit rom nëpër kazanët e qytetit është një praktikë që kurrsesi nuk mund të quhet si “miqësore me mjedisin”. Kurrsesi! Dhe ky është mendimi i aktorëve më seriozë të interesit që veprojnë në fushën e mjedisit, edhe i shoqatave mjedisore. Dikush madje ka guxuar dhe i ka quajtur “green jobs”, pra “punë të gjelbra”. Kjo është madje edhe më qesharake. Vetëm “green” nuk mund të jetë ajo praktikë. Do të jetë “green” puna e komunitetit rom atëherë kur Bashkia apo operatorë privatë të organizojnë institucionalisht veçimin dhe seleksionimin e mbetjeve në fund të procesit, pra në Sharrë apo diku gjetkë, në mjedise të rregulluara në mënyrë sanitare dhe të sigurta, ku mundet të punësohen në mënyrë të rregullt këta pjesëtarë të komunitetit rom. Kjo do të ishte situata “miqësore me mjedisin”, këto do të ishin “green jobs”. Por kjo që unë po përshkruaj këtu kaq shkurt, nuk ka asgjë të përbashkët me situatën e deritanishme kur romët apo të tjerë janë lejuar të bredhin nëpër Sharrë për të nxjerrë prej andej gjithçka që mund të shitet apo kur lejohen të kthejnë përmbys kazanët e qytetit. Prandaj çdo tentativë apo hap drejt rregullimit të kësaj situate shkon në drejtimin e duhur dhe ka mbështetjen e shoqatës sonë, dhe besojmë të të gjithë komunitetit të Tiranës.
Komuniteti rom e respekton veten e vet dhe e gjithë shoqëria jonë e respekton këtë komunitet. Pikërisht për këtë arsye duhet të sigurohemi të gjithë bashkë që asnjë veprimtari, në asnjë lloj rasti dhe për asnjë motiv, mos të cenojë dinjitetin e atij komuniteti, shëndetin apo të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të të gjithëve ne.
*Kryetar i ANEP – Shoqata për Politika të Reja të Mjedisit