2013-05-14

Tribunët e lirisë ,ruajtën më gjelozi krenarinë kombëtare !...

Mr.sci.Kadri REXHA


NJË BORXH I KAMOTSHËM


 Emri i martirit Tahir Meha opinionit shqiptar dhe më gjerë iu bë i njohur me 13 maj 1981, datë që shënonte ditën e forcave të milicisë famëkeqe jugosllave. Asokohe Kosova vlonte nga demonstratat mbarë popullore që e kishin goditur për vdekje Jugosllavinë. Masat që kishte ndërmarrë pushtuesi kundër demonstruesve dhe diferencimet ishin të paefektshme. Zemërimi i Kosovës sa vinte e rritej. Ndaj, shteti, për ta frikësuar një popull të tërë, me qëllim nënshtrimi, e ngriti në ligj dhe aplikoi metodën e shfarosjes së familjeve të shquara shqiptare. Si fillim i fushatës u zgjodh Drenica kryengritëse dhe pikërisht Prekazi heroik. Pra, në datën e cekur më sipër, forca të shumta të milicisë dhe të ushtrisë e rrethojnë shumëfish kullën e Nebih Mehës mbi të cilën Serbia e derdhi tërë mllefin dhe urrejtjen shovene përmes zjarrit, hekurit dhe barotit. Tahir Meha me të atin plak, Nebihun, si dhe me mbarë familjen qëndruan dhe luftuan deri në flijim, duke e kthyer kullën e tyre në një kala të pamposhtur, në një mit modern. Menjëherë pas kësaj tragjedie të rëndë, shtypi dhe mjetet elektronike të Beogradit, si dhe ato të pushtetit vasal në Kosovë, Tahir Mehën e shpallën terrorist, ndërsa TV Shqiptar, Radio Tirana, gazetat:“Zëri i Popullit“,“Zëri i Kosovës“ dhe shtypi revolucionar i kohës,Tahir Mehën, fshatarin e përvuajtur të Prekazit, e ngritën në nivelin e heroit. Nga dita e rënies heroike e deri me sot, pothuajse një çerek shekulli, emri dhe vepra e Tahir Mehës, jo vetëm u mbajtën gjallë në zemrën e kombit shqiptar, por ata u bënë edhe gurrë e pashtershme frymëzimi dhe shembull i lartë vetëmohimi për rininë tonë liridashëse. Në ruajtjen e emrit, veprës dhe të kujtimit të Tahir Mehës rol të madh ka luajtur edhe muza popullore, vlerësuesja e pagabueshme e moralit të shpirtit kombëtar. Në këto dhjetë vitet e fundit, në shtypin shqiptar, emri i Tahir Mehës dhe i familjes së tij, është zënë në gojë sipërfaqësisht, sa për të thënë diçka, por a është e mjaftueshme vetëm kaq? Nxënësit, studentët dhe mbarë populli kërkojnë të dinë më tepër për rrënjët, jetën, edukimin dhe veprën e Tahir Mehës. Një punë të këtillë ia kemi borxh martirit që ra për të mos rënë Kosova në ditët e veta më të rënda. Prandaj libri monografik: ”Këtu i thonë Drenicë” për Tahir Mehën, që po i afrohet lexuesit, besoj se e lanë këtë borxh të kamotshëm, si ndaj heroit ashtu edhe ndaj lexuesit. Libri vjen nga autori Mehmet Bislimi, veprimtar i orëve të para, poet e publicist, militant si dhe bashkëfshatar i heroit. Pra, Mehmet Bislimi jo vetëm e ka njohur Tahir Mehën si një person të fshatit të lindjes së tij, por ai heroin e ka prekur nga afër, si në kohëra të mira ashtu edhe në kohëra të liga dhe, ndonëse jo moshatarë, të lidhur rreth një ideali, vazhdimisht së bashku i kanë qarë hallet e Kosovës së robëruar. Vlerë tjetër e këtij libri është puna dhe serioziteti i autorit për ta dhënë sa më besnikërisht figurën e Tahir Mehës. Libri për jetën dhe veprën e Tahir Mehës i autorit Mehmet Bislimi i plotëson të gjitha elementet që i duhenshkrimit të një monografie të mirëfilltë. Prandaj përgëzoj autorin për punën e tij.



 Mehmet Bislimi


NË VEND TË HYRJES


Në luftë për liri kombëtare nder shekuj, luftëtarët tanë u shquan duke bërë sakrificat më sublime, duke dhënë shembullin e sprovës së madhe në shërbim të atdheut. Ata me guximin, treguan shpirtin e tyre human dhe para vetës vunë çështjen e përgjithshme të kombit, duke u flijuar në altarin e lirisë. Populli ynë nëpër shekuj u përgjak, por krenarinë kombëtare e ruajti me fanatizëm. Ai edhe sot i ruan të gjalla kujtimet për bijtë e vet më të mirë, futur thellë në gjirin e historisë sonë të re e të vjetër. Heronjtë tanë, me aktin e tyre të guximshëm u bënë udhërrëfyes për brezin e ri. Ata mahnitën bashkëkombësit e vet në kohë dhe hapësirë, por edhe të tjerët me përkushtimin e tyre ndaj çështjes sonë të pazgjidhur. I tillë ishte edhe Tahir Meha, i cili me qëndresën e vet edhe sot i vë në dilemë shumë strateg të artit ushtarak, për shkak të rezistencës, që e bëri kundër një makinerie policoro-ushtarake të ish- Jugosllavisë. Tahir Meha e përgjaku 13 majin, ditën e organeve të shërbimit të sigurimit të Jugosllavisë, pjesëtarët e së cilës në Prekaz lanë kokën e vet, për më keq „famën“ e njësitit special rënë përtokë! Me 13 maj 1981 ndërmjet aparatit shtypës të atij pushteti dhe popullit shqiptar, krisi pushka e parë pas një pushimi më shumë se tridhjetëvjeçarë, pra që nga rënia e Ymer Berishës me 1949. Kjo pushkë foli shumë për ata që e kuptuan, duke i dhënë edhe rezultatet e saj të para për ata që punuan në këtë drejtim, frytet e së cilës po i prekim e përjetojmë ne sot. Megjithëse rrugët e lirisë në Kosovën e sotme, ende janë të padefinuara, të gjithë ata që ranë për këtë qëllim, popullin tonë e futën në rrugët e lavdishme, në rrugët e pakthimta drejt lirisë e cila do shtytje të fortë edhe më, për të mos e mohuar gjakun e dëshmorëve tanë e së bashku me ta edhe gjakun e Tahir e Nebih Mehës,
martirë të lirisë. Tahir Meha ne mesin e atyre qe ranë për atdhe, nuk kishte ndonjë emër të veçantë. Ai as që kishte punuar për të pasur emër-ngase ishte trashëgimtar i drejtpërdrejtë i familjes së Emin Latit-bashkëluftëtarit të denjë të Azem Bejtë-Galicës. Përkundrazi, ai e kishte për detyrë që ta ruante emrin e madh të Emin Latit-Mehës, duke e bërë atë edhe më të ndritur me aktin e rezistencës së tij. Tahir kishte dëgjuar shumë për luftërat e Azem Galicës nga gjyshi i tij dhe nga babai i tij, pastaj nga Bajram Zena, Xhemë Ternavci etj. Tahiri për luftën e kaçakëve kishte dëgjuar si të thuash nga dora e parë e bashkëluftëtarëve të Azem Galicës. Tahiri ishte brezi i tretë pas Eminit e Nebihut, që pushkën nuk ia ndanë pushtuesit serbosllav gjatë tërë shekullit të njëzetë. Kjo familje këtë e dëshmoi edhe në luftën e fundit që u zhvillua në Kosovë, me ç’rast ra dëshmor edhe i vëllai i Tahirit, Beqir Meha. Pa dyshim se në vitin 1981 ishin demonstratat e fuqishme të asaj pranvere që i dhanë grushtin vendimtar ish-Jugosllavisë e cila më nuk u ribë. Edhe atë ish-Jugosllavi Millosheviqiane që më pas qarqet shoviniste serbe tentuan ta mbajnë artificialisht të gjallë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e vrau me pushkën e lirisë. Tahiri, në mënyrë shembullore e njihte jetën e Kaçakut, ngase e kishte mësuar shumë mirë nga gjyshi i tij Emini. Atë e kërkonte pushtuesi për ta burgosur, ngase i kishte kthyer pushkën dhe nuk po i bindej, që të jetonte si rob. Rezistenca e Tahir Mehës është e lidhur pazgjidhshmërisht me përpjekjet e pareshtura të popullit tonë për liri. Akti i rënies së tij s’është asgjë më shumë se sa finalizim i këtij misioni i cili po bënte dritë në atë shtegrrugë të nisur kaherë. Tahiri me aktin e rezistencës së tij përshpejtoi lëvizjen e proceseve kombëtare duke qenë vet në rend të parë si shembulli më unikat. Pushka e Tahirit, është pushka e parë lajmëtare e cila u drejtua nga një atdhetar i thjeshtë i Prekazit kundër ish-Jugosllavisë titiste. Kjo pushkë përgjaku 13 majin e vitit 1981, duke e goditur pushtuesin jugosllav në shtat, në mënyrë që nga ky moment shqiptarët të mendojnë dhe tëveprojnë për t’i bashkuar mendjet dhe pushkët e tyre për të ecur përpara. Me këtë monografi për jetën dhe veprën e Tahir Mehës, nuk pretendoj se i kam thënë të gjitha, as që i kam mbyllur portat për një studim tjetër më shkencor e më të arrirë për Tahirin. Përkundrazi, mendoj se kam hapur porta për të trokitur në derën e kullës-legjendë të veprës së madhe të Tahir Mehës. E ndiej se e kam pasur borxh për ta shkruar këtë monografi, ngase veç të tjerash Tahir Mehën e kam njohur personalisht, që nga rinia ime e hershme. E kam shërbyer me dhjetëra herë me kafe e çaj në kullën tonë të dikurshme, kur ai me babë Nebihun dhe me të vëllain Beqirin na vizitonin shpesh. Kam dëgjuar sa e sa herë prej tij për domosdoshmërinë e rezistencës kundër këtij pushtuesi barbar. Kam dëgjuar prej tij sa e sa herë edhe romuze të këndshme, por edhe betimin që e kishte bërë që të mos dorëzohej i gjallë. Pamja e tij burrërore, veshja e tij pedante, natyra e butë e plot humor, pa dyshim edhe përsosmëria e tij në përdorimin e fjalës dhe armës ishin veçori dhe shkathtësi të veçanta që ai i posedonte. Ai e kishte edhe një të ndenjur të veçantë këmbëkryqi, tërë krenari me duart mbi gjunjë, me kafenë që e vinte në maje të gjurit, me revolen përpara dhe bombat për rreth saj. Ai kishte një dashuri të veçantë për armët, dhe të veçanta i gjente ato. "Si armët e Tahirit ma!" – thoshin bashkëmoshatarët e tij. Tahiri kishte një fytyrë të pastër me flokë të krehur me kujdes dhe të kthyer mbrapa. Kishte një zë të trashë burri dhe herë-herë kollitej, më tepër, për ta shprehur krenarinë e tij. Tahiri atë që e thoshte edhe e bënte. Ndaj e kisha si një barrë mbi supe që me duhej ta zbrazja në letër, e kisha si një borxh që me duhej ta përmbushja para personalitetit të tij. Ai sa herë na thoshte: “Djema, kur të luftoj unë do të shkruajnë gazetat!“ E ndiej për obligim që t'i falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan duke kontribuar, me kujtimet, me të dhënat e tyre, që ishin të panjohura deri tani dhe me mendimet e tyre të vlefshme për të bërë një punë kaq të vogël e modeste, siç është ky libër imi, krahasuar me veprën e madhe të Tahir Mehës që e bëri për ne dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...