2013-06-07

Exploruesit social dhe detyrimet e tranzicionit

Shkruan: Prof. Dr. FADIL MALOKU, sociolog

“Do të vijë për njerëzit një kohë në të cilën qeverinë do ta marrin në dorë të padijshmit, dhe do të vijë një kohë në të cilën njerëzit e dijshëm dhe të urtë do të përbuzen”

1.      Kritikët social si kujdestarë të ndryshimeve n tranzicion

Në vazhdën e ndërtimit të kapaciteteve institucionale shoqëritë shqiptare duket që kanë nevojë për një model rimobilizues, në momentet kur eksploruesit e identifikuar social vlerësojnë se proceset dhe synimet e targetuara me parë s’janë në koherencë me kohën dhe projektin strategjik të pretenduar më parë në formë dhe përmbajtje. Zakonisht në shoqëritë e tranzicionit bëhen projekte dhe iniciohen synime afatgjata që kanë për qëllim ringritjen apo rilindjen e sferave të ndryshme sociale, ekonomike, shtetërore, ushtarake e padyshim edhe të atyre kombëtare.
Ky lloj kriticizmi shoqëror (social criticism), ndryshe në literaturën e gjerë sociologjike njihet edhe si një lloj përpjekje permanente për të ndryshuar gabimet që në të shumtën e rasteve i bëjnë elitat politike dhe ato burokratike qofshin ato në procesin e shtendërtimit (siç jemi në kosovarët) apo procesin e instalimit të demokracisë (shoqëria shqiptare ne Shqipëri). Pra, thënë më thjeshtë kritikët social në një mënyrë do të duhej të ishin njerëz që përkundër devijimeve të dukshme të ndodhura në shoqëritë e ndryshme (sidomos ato të tranzicionit), ata nuk rrinë indiferent ndaj këtyre devijimeve sociale, politike, e kulturore, por ngritin zërin e tyre kritikë dhe kritikojnë hapur gabimet e shoqërisë dhe të elitave të tyre qoftë përmes gjykimeve të ashpra qoftë përmes rekomandimeve të sofistikuara dhe eufemiste, apo edhe prononcimeve në publik. Ato, mund të jenë të buta, të qarta madje jo detyrimisht edhe të balancuara, gjë që varet shumë nga shkalla e pavarësisë se tyre intelektuale, sociale, politike, ideologjike, kulturore, si edhe nga aftësia për t’i identifikuar dhe gjykuar drejt si proceset ashtu edhe zhvillimet e targetuara më parë.
Në fakt, ky tip njerëzish me kredenciale të padiskutueshme morale e shkencore patjetër që duhet të posedojë padyshim një nivel të duhur të dijes akademike, më pastaj një distancë të qartë emocionale si edhe një sens të duhur kritik, në mënyrë që të krijohet alibi dhe motivi i duhur për të kritikuar, pra edhe kontestuar një dukuri apo një fenomen të caktuar devijant qoftë ai social, politikë apo kulturorë që nuk përkon jo vetëm me bindjet dhe formimin e tij social, por edhe të shoqërisë.

2.      Exploruesit social me detyrime t reja

Por, kush mund dhe duhet të merret me këto explorime sociale? Në fakt, me këtë zanat kryesisht mund të merren bie fjala: sociologët më së shumti, psikologët (vetëm ata të sferës sociale), pastaj ekspertët e psikanalizës, menaxherët e ekonomisë, studiuesit e sferës kulturore (pra pothuajse kulturologët e të gjitha lëmive), por duke mos u përjashtuar nga ky monopol as etnologët social së bashku me antropologët. Kjo gamë ekspertësh, në rrugëtimin e tyre explorues, pra trajtimin e fenomeneve dhe dukurive sidomos nëpër shoqëritë e tranzicionit, mund të jene të injoruar, të margjinalizuar, por ngandonjëherë edhe të stigmatizuar qoftë nga pushtetmbajtësit apo burokracia e vendit,
ngase i thyejnë pa pardon idolet dhe gjithë ikonografinë e ndërtuar qofte nga shteti apo grupet e ndryshme klienteliste, por që kane qëllime dhe interesa nga më të ndryshmet.
Ka raste që të njëjtit, nëpër shtetet totalitare edhe të braktisen apo si thotë populli “të lëçiten” , pra edhe të izolohen për kohëra të gjata (burg, migrim, internim, etj) me qëllim vetëm e vetëm të mos ushtrojnë gjatë ndikim në masa të gjera, pra në publikun e gjerë.      
Por, si arrijnë të rekrutohen ky soj exploruesish në shoqëritë e tranzicionit sidomos. Përvoja, ka treguar që eksploruesit e tillë, të shumtën e rasteve si tipa idolthyerës nuk janë edhe gjithaq të huaj ashtu siç p.sh. mundohet t’i portretizoje propaganda e një pushteti apo grupi klientelelist që për qëllime të caktuara interesi, ata janë të prirur me shumë që të komprometojnë si idetë ashtu edhe vetë personalitetin e këtyre exploruesëve social. I gjithë ky lloj aversioni, si të themi mund të lind si pasojë i shumë shkaqeve dhe preteksteve të qena dhe të paqena në jetën sociale dhe atë shoqërore. P.sh. në sferën kulturore mund të merren bie fjala si pretekst gjëja mbivlerësimi i kulturave të huaja dhe nënvlerësimi i kulturës kombëtare, e njohur si sindromë e ksenocentrizmit, apo preteksti tjetër i anasjelltë që në vendet e tranzicionit njihet dhe identifikohet si  ksenofobi apo si frikë dhe si injorim deri në ekstrem i gjithçkaje që vjen nga të ndërkombëtarët! Që të dy këto ekstreme sociale, anipse të identifikuara nga ekspertët përkatës social, poqese nuk marrin pëlqimet e publikut të gjerë shumë lehtë mund të sjellin probleme dhe keqkuptime nga më të ndryshmet. Exploruesit me përvojë të gjatë sociale në identifikimin e sjelljeve devijante, nuk kanë probleme të natyrës së kontestimit, e aq më pak të natyrës së përjashtimit edhe për faktin se ata idetë dhe qëndrimet dhe zbulimet e përvojave të reja  shkencore i bazojnë në metodologjitë e verifikuara dhe në analizat e vërtetuara kryesisht empirike.

3.      Rrënimi i autoritetit totalitar nevojë imediate e tranzicionit

Një tjetër çështje e rëndësishme në procesin e tranzicionit padyshim është edhe ai i rrënimit të autoritetit totalitar, një mentaliteti që akoma sidomos për nga mënyra e sjelljes dhe veprimeve në jetën publike është duke i përcjell që të dy shoqëritë shqiptare. Pastaj ai i rolit që duhet ta loz shteti në këtë periudhë të rëndësishme socio ekonomike dhe kulturore të emancipimit.                Tani për tani, ka dy mendime apo të themi kushtimisht dy përvoja sociologjike lidhur me rolin që duhet ta loz shteti në këtë periudhë tejet të ndjeshme dhe të rëndësishme për shoqëritë dhe vendet që janë në proces të vetëkërkimit të identitetit të ri si pasojë i ndodhjes së revolucionit paqësor (apo evolucionit të egërsuar) demokratik, siç ishte rasti me Çekinë dhe Sllovakinë apo ndonjë katrahurë lufte, siç ishte rasti me: Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë, Bosnjën, Kosovën, etj. Njëri mendim i shquar si intervencionist, (ku insistohet që roli i tij edhe në kushtet dhe rrethanat e reja sociale (sidomos) të mbetet kogja me peshë dhe me një detyrë e obligim jo vetëm social , por edhe juridik, moral, politik në vendimmarrjet e rëndësishme për vendin. Dhe tjetri, i shquar si liberal që  rolin e shtetit mundohet me të gjitha mjetet ta minimizojë dhe ta margjinalizoj aq shumë, sa që si thuhet ngandonjëherë si në shaka: “ta shndërrojë atë në një numër telefoni”! 
Për dallim nga vendet dhe shtetet tjera, në Kosovë akoma ndihet gjallë jo vetëm nevoja për manifestimin dhe demonstrimin e tij, jo edhe aq si forcë sa si një pronësi sociale, politike dhe sosh juridike që dosido do t’i bënte kosovarët identik me të tjerë në rajon dhe gjetiu. Rreziku nga kjo ndjenjë e manifestimit dhe demonstrimit ndër kosovarët, shumë lehtë shoqërinë mund ta qojë në një ekzaltim tjetërfare që njihet apo identifikohet me sindromën totalitare, ku roli i individit apo udhëheqësit karizmatik stërmadhohet aq shumë sa që edhe: zhvillimi, edhe emancipimi, edhe demokracia, edhe ndërtimi i institucioneve të reja...edhe lihen në dorë të një individi apo grupi të vetëm! Një tendencë e tillë ka ndodhur në Mongolia, Kirgizi, Kazakistan, Kore...etj.

4.      Rreziku nga rikonfirmimi i identitetit kombëtar në tranzicion

Gjithashtu, një rrezik tjetër potencial që shoqërisë kosovare i rri mbi kokë si shpata e Demokleut në këtë proces tranzicioni, është edhe ai stërmadhimit të rolit të identitetit kombëtar (që për mendimin tim me të shpallur Kosova shtet i pavarur dhe demokratik, ka përfunduar si i tillë) në procesin e tranzicionit, në vend që e gjithë energjia dhe potencialet kombëtare të orientohet në: reformat e domosdoshme ekonomike dhe ato sociale. Një rast i tillë i ndodhi p.sh. Ukrainës, me që rast vendi u zhyt në krizë të thellë... dhe pati probleme të shumta në konsolidimin e vendit dhe reperkusionet e shkaktuara edhe në rajon. Tani nëse flasim për një tranzicion të suksesshëm, atëherë padyshim që mund të themi se nevojiten disa kritere apo disa përvoja kriteresh elementare: kthimi kah ekonomia tregut, zhvillimi i sektorit privat: krijimi i modelit të shtetit juridik: ndërtimi i institucioneve demokratike: ridefinimi i kuptimit të bashkësisë nacionale (këtu çalojmë në shumë...se po kontestohet nga serbët..): rritja e lehtë e pabarazive midis qytetarëve....etj.; konsolidimi hap pas hapi i institucioneve dhe vlerave të reja; margjinalizimi sa më i mundshëm i sjelljeve deviante dhe kujdesi ndajë shëndeti mental social e kulturor; etj.




Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...