Begzad Baliu
Hyrje
Në Arkivin e profesor Jup Kastratit, krahas materialeve të tjera nga fusha e bibliografisë, kam pasur nderin të mund të fotokopjoj edhe materiale të tjera që lidheshin me probleme të natyrës së komunikimit me individin dhe institucione shkencore gjatë kohës, që profesor Jup Kastrati merrej me projekte të ndërliqshme shkencore, siç ishte “Bibliografia e Skënderbeut”. Për kohën që u përgatit, përtej karakterit shkencor, kjo vepër kishte dhe karakter politik dhe kombëtar. Mes dokumenteve të karakterit kërkimor dhe shkencor, me lejen e profesor Jup Kastratit, kam mundur të fotokopjoj dy materiale të së njëjtës kohë (të cilat fillimisht mendoja se janë versione të njëra-tjetrës, pavarësisht nga numri i madh i faqeve), ndërsa më vonë kam kuptuar se, në të vërtetë, ato tekste plotësojnë njëra-tjetrën. Dorëshkrimi i parë mban titullin “Informacion mbi punën që kam bërë për hartimin e “Bibliografisë së Skënderbeut” dhe ka 12 faqe, pa datë dhe vit, ndërsa dorëshkrimi tjetër mban titullin “Relacion mbi punën që kam bërë për hartimin e veprës “Bibliografi e Skënderbeut” dhe ka 32 faqe. Në fund të dorëshkrimit të dytë është shënimi Shkodër, 10 gusht 1974. Në të dy dorëshkrimet, faqet kanë nga 36-37 rreshta makine dhe duket qartë se teksti i parë është dërguar për individë dhe institucione të caktuara, ndërsa teksti i dytë, ndonëse shumë më i gjerë, nuk ka ndonjë ndryshim esencial të përmbajtjes. Ky tekst plotëson dhe përplotëson të parin, përveçse me të dhëna të reja brenda tekstit, dhe me anekse të shumta që shoqërojnë dorëshkrimin prej 32 faqesh, të cilat gjenden në fondin e personal të Arkivit të profesor Jup Kastratit dhe në Fondin e Albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Rëndësia e këtyre dorëshkrimeve qëndron në faktin se ato hedhin dritë në disa fakte shumë të diskutueshme, siç është autorësia e veprës, autorësia e parathënies, gjendja e kërkimeve dhe e rezultateve të vëllimit të dytë dhe të tretë, historia e “botimit” të saj të parë etj. Pa dashur që të merrem me komentimin e një mendimi, shpesh më shumë të përfolur sesa të shkruar, me rastin e botimit të vëllimit të parë më 1997 dhe duke dashur që sado pak lexuesi të ketë një ide për historikun e plotë të fillimit dhe përgatitjes së veprës, këtu po sjellim (me lejen e profesorit të nderuar) dorëshkrimin e parë dhe të dytë, që më shumë se një dëshmi, është një shembull për jetën shkencore të një studiuesi dhe të institucioneve tona, se si duhet të sillemi dhe ta përcjellim zhvillimin shkencor ndër ne.
VERSIONI I PARË
Profesor JUP KASTRATI: Informacion mbi punën që kam bërë për hartimin e “Bibliografisë së Skënderbeut”
Më 28 janar 1966, Ministri i Kulturës Fadil Paçrami ka komunikuar vendimin e dikasterit për hartimin e veprës “Bibliografia e Skënderbeut”, si një aksion me rëndësi kombëtare, politike dhe shkencore. Po atë ditë, ka komunikuar Grupin e punës që do të përpilonte librin, të përbërë nga Zef Prela, Jup Kastrati, Kasem Biçoku, si dhe Komisionin drejtues, udhëzues, redaktues dhe kontrollues, të përbërë nga prof. Aleks Buda (kryetar), prof. Dhimitër S. Shuteriqi, prof. Mahir Domi dhe Marika Vogli. Vepra do të ishte botim i Bibliotekës Kombëtare. Më 19 prill 1966, zv. Ministri i Kulturës, Ali Abdihoxha, në prani të shoqes Marika Vogli, më ka komunikuar në zyrën e vet vendimin e dikasterit për të punuar në Bibliotekën Kombëtare për hartimin e Bibliografisë së Skënderbeut, fillimisht për pesë muaj rresht, nga 18 prill 1966 deri më 1 shtator 1966, i shkëputur nga procesi mësimor. Mbasi kam kryer këtë punë, më 26 nëntor 1966, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, me shkresën nr. 34/13, dërguar drejtorisë së Institutit Pedagogjik të Shkodrës, shkruante: “Shoku Jup Kastrati do të punojë për tre muaj e gjysëm pranë Bibliotekës Kombëtare për përgatitjen e Bibliografisë së Skënderbeut, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit. Prandaj të zëvendësohet nga një kuadër i jashtëm me tetë orë në javë. (Nënshkruar:) Ministri d.v.
Megjithëse ka qenë hartuar një bibliografi speciale nga G. T. Petrovich (1881) për Skënderbeun, për të metat që kishte kjo, nuk mund të shërbente më si pikëmbështetje e veprës sonë dhe, prandaj, binte një punë e gjerë dhe e madhe për t’u bërë për hartimin e një bibliografie të Skënderbeut, e plotë, me kritere shkencore, që t’u përgjigjej kërkesave të shkencës sonë të re. Që në mbledhjet e para të Komisionit, u përcaktuan qartë detyrat që duheshin kryer, kriteret e punës që duheshin ndjekur e zbatuar si edhe çështjet tjera të përgjithshme dhe të veçanta, organizative, administrative, teknike, shkencore, tipografike etj. Kriteret e hartuara nga prof. Aleks Buda u bënë objekt diskutimesh të gjalla, debatesh dhe mendimesh, në mënyrë që vepra të dilte sa më mirë, sa më e plotë dhe sa më shkencore që të ishte e mundur. Këto kritere, pasi u analizuan dhe u miratuan njëzëri në gji të komisionit, u vunë në bazën e punës sonë ditore për përpilimin e tekstit. Por kriteret, gjatë procesit të punës, pësuan edhe ndryshime, gjithmonë me vendim të komisionit. Për shkak të gjerësisë së librit, u vendos që, kontribute për hartimin e veprës në fjalë, do të ipnin, jo vetëm anëtarët e Grupit të punës, por edhe anëtarët e Komisionit drejtues si edhe persona të tjerë specialistë, historianë dhe bibliografë të Bibliotekës Kombëtare. Megjithqë Grupi i punës përbëhej prej tre vetësh, ky, në fakt, u reduktue vetëm në Jup Kastratin. Zef Prela u tërhoq që në ditën e parë, sepse kërkoi të kryej vetë Bibliografinë, pa bashkëpunim me të tjerët. Ai u largua pa dorëzuar absolutisht asgjë. Të gjitha indikacionet bibliografike, që kishte për Skënderbeun, ai o i mori me vete, o i zhduki. Grupi i punës nuk trashëgoi asgjë nga gjurmimet e tij disavjeçare si bibliograf dhe si përgjegjës i sektorit të albano-ballkanologjisë të Bibliotekës Kombëtare. Kasem Biçoku, për shkak të ngarkesave të ndryshme në Institutin e Historisë, me dy vëllime dokumentare të viteve 1407 – 1443 dhe 1479 – 1506, me kumtesa në Bari të Italisë dhe në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, si edhe me angazhime e detyrime të tjera, nuk arriti të punojë, me gjithë kërkesat e mia të herëpashershme të Komisionit, veçse në periudhën 16-26 prill 1967, nja dhjetë ditë, në kohën kur unë isha në Shkodër për provime të studentëve në Institut.
Hartimi i Bibliografisë së Skënderbeut kërkonte punë të shumfishta dhe procese të ndryshme pune. Duheshin gjetur e përcaktuar veprat që flisnin për Skënderbeun, që kishin ndonjë gjë për të ose që duheshin parë se mund të kishin. Dhe kjo ishte një punë shumë e madhe. Për këtë, duhej kaluar nëpër duer gjithë fondi i Bibliotekës kombëtare, duheshin nxjerrë të dhënat nga botimet bibliografike, në radhë të parë nga Petrovich, Legrand, Pekmezi dhe nga një varg bibliografish të tjera shqiptare, në gjuhën shqipe ose në gjuhë të huaja; gjithashtu, nga studimet me karakter historik duheshin qitë në pah tregues bibliografikë për heroin tonë. Nga fondi i Bibliotekës Kombëtare duheshin bërë lexime të librave që flisnin, pjesërisht, për Skënderbeun ose që kishte gjasë se mund të kishin ndonjë gjë për të. Duheshin nxjerrë nga bibliografitë shqiptare dhe nga burimet e tjera referimet bibliografike ose vetëm titujt e librave ose të punimeve që kishin lidhje me Skënderbeun dhe me epokën e tij. Duheshin mbledhur të dhënat nga bibliotekat kryesore evopiane për literaturën që mund të kishin, lidhur me heroin tonë kombëtar dhe epokën e tij. Veprat përkatëse duhej të siguroheshin, pastaj, me anë të huazimeve, mikrofilmimit ose të fotokopjimit bëhej përshkrimi i tyre nga aspekti bibliografik. Pas këtyre, vinte puna e përshkrimit të hollësishëm bibliografik të veprave që do të hynin në Bibliografi. Ishte për t’u bërë, pra, një proces pune i gjatë, i ndryshëm, i ndërlikuar, që, domosdo, kërkonte shprehitë e nevojshme praktike të një bibliografi me përvojë dhe me stash, njohuritë teorike përkatëse si edhe horizontin kulturor. Përshkrimet e librave do të shoqëroheshin me shënime sqaruese për përmbajtjen, të cilat, në fillim, u menduan sa më të hollësishme; më vonë u reduktuan në minimum. Nga ana tjetër, titujt e librave të huaj, nga rreth njëzetë gjuhë të ndryshme, do të ipeshin edhe me përkthimin shqip. Bibliografia ishte menduar që, përveç veprave, të cilat do të mund të shtiheshin në dorë, për të qenë sa më e plotë, të kishte edhe njësi të tjera, të nxjerra nga bibliografi të ndryshme. Qe vendosur që Bibliografia do të përfshinte jo vetëm veprat e veçanta kushtuar Skënderbeut ose epokës së tij, por edhe studimet e artikujt e botuar nëpër revistat dhe gazetat.
E gjithë kjo punë u krye në këtë mënyrë: Unë dorëzova, që në fillim, listen e gjithë bibliografive shqiptare, shqip dhe në gjuhë të huaja, të hartuar deri më atë ditë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në periudhën 1881 – 1966. Ajo përbënte 66 vepra bibliografike. Gjithashtu dorëzova listen e bibliografisë së shtypit shqiptar (1848 – 1966), që përmban 629 tituj organesh (revista, gazeta, buletine). Vjelja nga ana ime, e veprave bibliografike, ka dhënë burimet e para për hartimin e skedarit fillestar të Bibliografisë së Skënderbeut. Megjithëse të mangëta dhe me kritere e destinacione të ndryshme heterogjene, këto bibliografi më kanë vënë në udhë për të gjurmuar burime të mëtjeshme, në lidhje me figurën e heroit tonë kombëtar. Nga bibliografitë kryesore nxora 1.100 skeda (nga Legrand 105 skeda; H. Güys 20; Albanica 150; Manek-Pekmez-Stotz 30; Petrovich 215; Göllner 90; Lamouche 150; Noli 205; M. Petta, G. Petrotta, A. Gegaj, Stadtmüller 80; në Bibliotekën e Shtetit – Shkodër 50; mikrofilma 25. Puna filloi, së pari, me materialet paraprake. Burime bibliografike dorëzuan edhe prof. Aleks Buda, prof. Mahir Domi, prof. Dhimitër S. Shuteriqi. Lidhur me shtypin periodik, duke u mbështetur në listen time bibliografike, punuan Idajete Bejtja dhe Ervehe Dishnica, duke nxjerrë indikacione të ndrushme, por këto kishin të bënin me periudhën e mëvonshme të Bibliografisë së Skënderbeut, me vëllimin e dytë dhe të tretë. Të dhëna nga shtypi i huaj dorëzoi prof. Mahir Domi. Ndërkaq, u përgatit një letër “qarkore”, e cila iu dërgua bibliotekave kryesore të Europës, me lutje që të njoftonin se çfarë veprash posedonin për Skënderbeun. Mbi tridhjetë biblioteka të huaja çuan lista librash me lëndë për heroin tonë kombëtar. Në bazë të literaturës së ofruar nga këto institucione dhe të materialeve të qëmtuara në vend, u bënë kërkesa, nga ana e Bibliotekës Kombëtare dhe Bibliotekës së Universitetit Shtetëror të Tiranës, për të siguruar, me rrugë të ndryshme, lëndën përkatëse për hartimin e Bibliografisë së Skëndërbeut. Në këtë mënyrë, erdhën 450 njoftime librash. Të gjitha sinjalizimet, indikacionet dhe informatat që na kishin ardhur nga 28 biblioteka kryesore të Europës, i kam pasë sistemuar në një kuti të pasaçme. Në bashkëpunim me shoqen Marika Vogli, kam hartuar listen e porosive që do të bëheshin në botën e huaj, për vëllimin e parë dhe të dytë të Bibliografisë së Skëndërbeut. Për këtë çështje, kam bashkëpunuar edhe me shokun Thanas Konini, i sektorit të jashtëm pranë Bibliotekës Kombëtare, si edhe me shoqen Mediha Frashëri për porositë e librave që do të bëheshin jashtë shtetit, qoftë nga Biblioteka Kombëtare, qoftë nga Biblioteka shkencore e Universitetit të Tiranës. Nga indikacionet që na kishin ardhë prej bibliotekave të shteteve të huaja, kam nxjerrë 80 vepra që nuk i kishim në bibliotekat tona. Këto i kemi porositë për të na ardhë me huajtje, me mikrofolmim ose me fotokopje.
Në fillim, m’u caktua që të spoljoja revistat shqipe dhe të shfrytëzoja fondet e antikuarit, albano-ballkanologjisë dhe të librit shqip të bibliotekave të Shkodrës; të përpunoja bibliografitë shqiptare ekzistuese, të vendit tonë dhe të viseve të huaja, si edhe botimet historike, kushtuar shekullit XV, për të nxjerrë skeda sinjalizuese dhe informuese; të merresha me spoljimin e skedarit sistematik të Bibliotekës Kombtare, duke e plotësuar këtë vjelje me atë alfabetik të albanologjisë, ballkanologjisë, antikuarit si edhe me skedarin topografik të fondeve të vjetra. Kam spoljuar mbi 40.000 skeda në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në ish-ndërtesën e vjetër, në vitin 1966. Si rrjedhim, kam nxjerrë 1550 skeda, nga të cilat 750 skeda direkt për figurën e Skënderbeut; kurse 800 të tjera, nga të cilat mund të dilnin gjëra me interes për te. Nga ana tjetër, në Shkodër kam shfrytëzuar fondet e Bibliotekës së shtetit dhe të Bibliotekës së Institutit Pedagogjik të këtij qyteti. Me riprodhimin e skedave të mia, është krijuar një skedar i vaçantë, i posaçëm, për figurën e Skënderbeut, pranë atij të albanologjisë të Bibliotekës Kombëtare, në sallën e punonjësve shkencorë. Për kryerjen e veprës, “Bibliografisë së Skëndërbeut”, unë kam punuar edhe në Tiranë, edhe në Shkodër. Në Tiranë kam punuar gjithsej 348 (treqindedyzetetetë) ditë; konkretisht ndër këto data: 27-28 janar 1966 (2 ditë); 11-13 shkurt 1966 (3 ditë); 18 prill – 6 maj 1966 (19 ditë); 20 qershor – 30 gusht 1966 (70 ditë); 16-18 tetor 1966 (3 ditë); 11-13 nëntor 1966 (3 ditë); 3-25 janar 1967 (23 ditë); 5 shkurt – 15 prill 1967 (69 ditë); 20 maj – 14 shtator 1967 (116 ditë); 10-15 nëntor 1967 (6 ditë); 10-13 dhjetor 1967 (20 ditë); 9-11 janar 1968 (3 ditë); 28-30 janar 1968 (3 ditë); 31 korrik – 4 gusht 1968 (5 ditë); 13-15 qershor 1969 (3 ditë). Jam shkëputur plotësisht ose pjesërisht nga puna mësimore në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, sidomos gjatë viteve 1966 dhe 1967, për tre semestra. Kam sakrifikuar pushimet e mia vjetore verore për dy vjet me radhë, më 1966 dhe 1967, si edhe pushimet e aspiranturës, me të vetmin qëllim që “Bibliografia e Skëndërbeut” të bëhej gati për botim për jubileun e heroit. Megjithëse kam pasë normë të reduktuar në Institut, si zv. kryeredaktor i “Buletinit shkencor”, si zv.përgjegjës i katedrës së gjuhës dhe letërsisë, si aspirantë dhe si kryeredaktor i vjetores “Shkodra”, prapëseprapë, në Tiranë, kam punuar paradreke dhe pasdreke, duke mos shikuar edhe një anë tjetër të rëndësishme që unë vuaja nga sëmundja e zemres dhe kisha porosi nga kardiologu për një punë të rregullt, normale, pa sforcime. Unë kam qenë më i ngarkuari në hartimin e kësaj vepre, por e kisha për zemër, punoja plotë entuziazëm dhe me shumë qejf, sepse e gjithë puna bibliografike, megjithëse disiplinë e ftohtë, më dukej një poezi e vërtetë. E kam vlerësuar, me të drejtë, si një vepër me shumë rëndësi, si nga ana shkencore, ashtu edhe nga ajo kombëtare e politike. Më 25 janar 1967, më vdiq vajza pesë vjeç, në Shkodër. Me gjithë dhembjen e thellë shpirtërore, unë shkova, përsëri, në Tiranë, pas dhjetë ditësh, për të vazhduar punën, duke lënë gruan të sëmurë nga trauma e fortë psikologjike dhe dy fëmijë të vegjël në shtëpi.
Si rrjedhim i kësaj pune të madhe intensive, më 1 korrik 1967 kam bërë gati veprën maket, variantin e parë të “Bibliografisë së Skëndërbeut”, e cila u është shpërndarë anëtarëve të Komisionit për ta studiuar dhe analizuar. Më 10 korrik 1967, në mbledhjen XI të komisionit, prof. Aleks Buda ka dhënë këtë vlerësim pozitiv për veprën time: “Puna është bërë e mirë dhe me kriter. Të vazhdohet kështu”. Më 14 shtator 1967, kam dorëzuar variantin e dytë të veprës në fjalë, me 470 tituj librash të përshkruar. Më 12 janar 1968, kam dorëzuar variantin e tretë me 735 faqe të daktilografuara, më 659 tituj veprash të përshkruara, nga të cilat 320 nga fondet e Bibliotekës Kombëtare (libra, mikrofilma, fotokoje), me këtë përmbajtje:
shekulli XV (1473-1500) 15 vepra të përshkruara (f. 14-29);
shekulli XVI (1501-1600) 333 vepra të përshkruara (f. 30-390);
shekulli XVII (1601-1700) 160 vepra të përshkruara (f. 391-577);
shekulli XVIII (1701-1800) 151 vepra të përshkruara (f. 578-735).
Vërejtjet e holla e të imta të profesorëve të mi të nderuar Buda, Shuteriqi, Domi, unë jam munduar t’i vë në jetë me skrupulozitet shkencor. Megjithëse isha bibliograf prej një të katërt shekulli dhe, në mjaft vise, mund të mos isha dakord me disa çështje bibliografike që më sygjeronin kolegët e mi për t’i bërë, unë u jam nënshtruar vendimeve të komisionit dhe, si rrjedhim, kam zbatuar, pikë për pikë, çdo gjë që më është kërkuar nga redaksia dhe që është miratuar, më përpara, nga kolektivi i punës. Komisioni e ka quajtë veprën time si një punë të mirë. Ajo ishte realizuar në nivel të duhur shkencor, kishte burime të shumta dhe të ndryshme, vepra të njohura më parë, të paregjistruara e të pashënuara në bibliografi të tjera.
Më 3 dhjetor 1967, shoqja Marika Vogli më shkruante një letër nga Tirana, në të cilën, ndër të tjera, më thotë edhe këto: “Bibliografia është gati për t’u shqyrtuar në Komision. Të gjithë i kanë marrë kopjet e tyre. Nuk di kur mund të vini për të caktuar datën e mbledhjes. Çëshja ka karakter tepër urgjent, pasi në komisionin qeveritar është raportuar që vëllimi i parë ka shkuar në shtyp dhe po punohet për vëllimin e dytë. Zgjatja e punës për dorëzim do të ketë pasoja serioze. Shokët e Ministrisë së Arsimit e të Kulturës më porositën ta dërgojmë urgjent në shtyp”. Në këto rrethana u vendos që të çohej në shtyp vëllimi i parë, që përfshin periudhën 1473 – 1700, d.m.th. shekujt XV, XVI, XVII, që ishin shqyrtuar nga Komisioni, duke hequr nga ky vëllim shekullin XVIII, për të fituar kohë për shtypshkrim. Unë kisha dorëzuar edhe veprat e viteve 1701 – 1800, të përshkruara, por Komisioni, për arsye objektive, nuk kishte pasë mundësi t’i analizonte dhe t’i studionte. Më 12 janar 1968, ditën e hapjes së Konferencës së dytë të studimeve albanologjike, Agjensia Telegrafike Shqiptare botoi këtë njoftim: “u dha për botim volumi i parë i “Bibliografisë së botimeve rreth figurës së Skëndërbeut”: “Në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Biblioteka Kombëtare po përgatitet për një bibliografi, ku do të pasqyrohen botimet e bëra në vende, kohë, gjini e gjuhë të ndryshme rreth figurës së Skënderbeut. Për këtë u shfrytëzuan, në radhë të parë, fondet e sektorit të albanologjisë të Biblioteka Kombëtare dhe të bibliotekave të tjera të vendit si dhe u siguruan njoftime të rendësishme dhe mikrofilma që ndodhen në bibliovtekat e vendeve të tjera. Bibliografia do të botohet në disa vëllime. Deri tani është përfunduar dhe dhënë në shtyp vëllimi i parë që përfshin botimet e bëra gjatë periudhës 1473 – 1700. Në këtë vëllim janë përshkruar mbi 320 vepra në 12 gjuhë të ndryshme. Nga këto, rreth 180 ndodhen në fondet e Bibliotekës Kombëtare. Për përgatitjen e këtij vëllimi kanë punuar Jup Kastrati e Kasem Biçoku. Bibliografia ilustrohet me frontescipet e veprave”1.
Në mbledhjen e datës 17 dhjetor 1967, që ishte mbledhja e XIV, u shtrua në Komision çështja e autorësisë së Bibliografisë së Skëndërbeut. Aty u diskutua në se ka vend marrja pjesë e Kasem Biçokut si bashkautor teksti, përderisa ai, për arsye objektive dhe subjektive, nuk kishte pasë mundësi të jepte atë që i ishte caktuar nga Ministria e Kulturës. Më 25 qershor 1968, kam marr në Shkodër një letër nga shoqja Marika Vogli, në të cilën, ndër të tjera, më shkruante edhe këto: “Më 14 qershor 1968 u mblodh komisioni i “Bibliografisë së Skëndërbeut”. U diskutua rreth parathënies dhe u vendos që ajo të përpunohet sipas vërejtjeve të bëra, nga shoku Aleks Buda në bashkëpunim me ju. Lidhur me autorët, u mendua që të dali me dy autorë, duke marrë parasysh si kontributin e deritanishëm të Kasemit, ashtu edhe punën më të madhe që do ta kryej në të ardhmen, si për vëllimin e parë, ashtu edhe për vëllimet e tjera. U bënë edhe mjaft sugjerime e vërejtje lidhur me vetë tekstin, me përkthimet dhe u sinjalizuan disa burime të tjera për ta plotësuar. Të gjitha këto kërkojnë akoma punë mbi vetë tekstin. Unë e kam tërhequr tekstin nga shtypshkronja dhe po pres të vini në Tiranë për të organizuar diskutimin pjesë-pjesë në Komision dhe për përpunimin përfundimtar… Ju lutem, më njoftoni me një herë kur do të vini dhe afatin e qëndrimit tuaj në Tiranë”.
Në mbledhjen XVII të datës 27 korrik 1968, Komisioni ka marrë këto vendime: “Ripunimi i parathënies dhe i hyrjes së veprës “Bibliografia e Skëndërbeut” do të bëhet nga prof. Aleks Buda në bashkëpunim me Jup Kastratin. Shënimet përkatëse për veprat e përshkruara, plotësimet eventuale si edhe aparatin shkencor do t’i bëjë Kasem Biçoku. Me këtë mënyrë Kasemi do të kompensojë punën që u donte të bënte, por që, për arsye objektive dhe subjektive, nuk kishte pasë mundësi ta bënte gjatë viteve 1966 dhe 1967. Me atë rasë do të shfrytëzonte edhe shënimet shkoqitëse të librit “Albanica” për disa vepra që flasin për Skënderbeun dhe epokën e tij”. Këtë punë Komisioni vendosi që ta bëjë Kasem Biçoku, duke kompensuar, kështu, pjesëmarrja e pakët e tij në farët e punës dhe në hartimin e Bibliografisë. Nuk ishte nevoja, pra, për rimarrje të punës ose për hartim të një vepre të re, rishtazi. Edhe vet Kasem Biçoku është shprehur në një mbledhje të Komisionit, se do të bëjë vetëm plotësime të rastit. Në mbledhjen XXI të Komisionit, të mbajtur më datën 14 qershor 1969, shoqja Marika Vogli, ndër të tjera, tha: “Kasemi ka bërë gjurmime në bazë të shënimeve të Jupit”. Në lidhje me vërejtjet e fundit të Komisionit, unë nuk isha në gjendje t’u përgjigjem këtyre kërkesave, sepse kisha vite që po punoja, kisha halle familjare; nga ana tjetër, edhe Instituti Pedagogjik i Shkodrës nuk ishte më i dispozuar për të më lejuar më gjatë në vajtje-ardhjet e mia në Tiranë; prandaj kërkova që të merrej Kasem Biçoku me vazhdimin e kësaj pune. Nuk ishte përmbysje teksti, por vetëm plotësim i ndonjë mungese evntuale, shënime përposhtë librave të përshkruar si edhe hartim i aparatit shkencor.
Vepra u bë gati për shtyp, që në dhjetorin e vitit 1969. Mbeti për t’u përfunduar hyrja nga prof. Aleks Buda mbi bazën e variantit tim të parë dhe të sugjerimeve të shokëve. Në të vërtetë, hyrja qe vendosur nga Komisioni që të bëhej nga prof. Aleks Buda, por, duke qenë i zënë ai me punë të ndryshme, m’u la që të bëja unë, të cilën e hartove në Shkodër më 10 mars 1968 (12 faqe të daktilografuara). Kjo hyrje e imja u diskutua në një mbledhje të posaçme të Komisionit më 14 qershor 1968 dhe më 27 korrik 1968. Në mbledhjen e XVII të Komisionit, mbajtur më 27 korrik 1968, prof. Mahir Domi, ndër të tjera, tha edhe këto: “Parathënia e paraqitur për diskutim nga Jup Kastrati është punuar mirë; problemet janë trajtuar me kompetencë, por autori duhet të kapet më tej se me problemet bibliografike, të ketë konsiderata për letërsinë e Skënderbeut”.
Që në mbledhjen e parë të Komisionit, është përcaktuar dhe vendosur që vepra do të kishte të bënte, jo vetëm me Skënderbeun, por edhe me epokën e tij. Në bazë të këtij kriteri, në Bibliografi u futen edhe vepra, për të cilat nuk ishim të sigurt nëse flitej për heroin tonë. Këta libra u nxorën, kryesisht, nga “Turcica” e Göllnerit, me porosi dhe sipas udhëzimeve direkte të prof. Aleks Budës, i cili më ka shënuar me lapës në këtë tekst librat që do të nxirja për t’i futur në Bibliografinë tonë.
Përveç se në Tiranë, unë kam punuar edhe në Shkodër për “Bibliografinë e Skënderbeut” mbi 360 ditë, dhe konkretisht: më 29-31 janar 1966; 15 shkurt – 15 prill 1966; 7 maj – 19 qershor 1966; 19 tetor – 2 janar 1967; 26 janar – 4 shkurt 1967; 16 prill – 19 maj 1967; 15 shtator – 10 nëntor 1967; 1shkurt – 10 mars 1968; 22 mars – 10 shtator 1969; Rezultatet e kësaj pune kanë qenë këto:
hartimi i listës së 65 bibliografive shqiptare (1881-1966)
lista e plotë bibliografike e shtypit shqiptar (1848-1966) me 629 tituj organesh së ndryshme;
gjurmime në bibliotekat e qytetit të Shkodrës;
vjelja e bibliografive shqiptare në gjuhë të huaja dhe përpilimi i 1110 skedave sinjalizuese;
punimi i parathënies së “Bibliografinë e Skënderbeut”;
përfundimi i variantit të tretë (1473-1800);
rishikimi i tekstit definitive.
Punës për hartimin e veprës “Bibliografia e Skënderbeut” unë iu kushtova gjatë viteve 1966, 1967, 1968 (inkluziv); kurse në vitin 1969 jam marrë vetëm me shqyrtimin e tekstit, të përpunuar nga Kasem Biçoku. Nuk kam pasë mundësi që të marr pjesë, përveç pengesave të punës ditore në Institutin Pedagogjik të Shkodrës dhe shkaqesh të tjera, në disa mbledhje të mëtjeshme të bëra nga Komisioni, në vitin 1969-1970.
Përveç vëllimit të parë, që përmenda më sipër, kam dorëzuar edhe materiale të tjera. Veprimtaria ime kërkimore shkencore në fushën e Bibliografisë së Skënderbeut nuk është kufizuar vetëm me këtë punë, por ka vazhduar deri në ditët tona; por nga kjo lëndë u vendos në Komision që të përfshihen vetëm ato që i përkisnin (i takonin) vëllimit të parë, kurse të tjerat të mbeteshin në skedaret sinjalizuese në kasafortën e Drejtorisë së Bibliotekës Kombëtare. Një pjesë e mirë e këtyre skedave i përkisnin vëllimit të dytë dhe të tretë të “Bibliografisë së Skënderbeut”. Përveç këtyre kam dorëzuar edhe një vëllim tjetër me 248 faqe të daktilografuara, që përfshin vepra të përshkruara, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, sinjalizime ose indikacione të ndryshme, të ndara në këtë mënyrë:
për vitet 1800 – 1836: 50 vepra (f.1-50); b) për vitet 1836 – 1867: 190 vepra (f. 51-241).
Puna ime për hartimin e Bibliografisë së Skënderbeut dëshmohet nga një tok dokumentesh zyrtare:
nga procesverbalet e mbajtura në gji të Komisionit, ndër 21 mbledhje të ndryshme, gjatë viteve 1966, 1967, 1968, 1969;
nga korrespondenca ime me shoqen Marika Vogli, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare (letra, telegrame, shkresa të ndryshme);
nga vendimet e Komisionit dhe Grupit të punës;
nga kriteret e ndryshme të hartimit të veprës, punuar e miratuar disa herë nga Komisioni;
nga shënimet e mia personale;
nga kopjet e veprës “Bibliografia e Skënderbeut”, në tri variantet e ndryshme dhe, sidomos, nga ai definitive (1473 – 1800);
nga përshkrimet e librave me shkrimin tim;
nga materialet e daktilografuara të dorëzuara shoqes Marika Vogli në pesë vëllime të ndryshme:
157 faqe të daktilografuara; përmban relacionin tim të hollësishëm, kronologjik dhe analitik;
735 faqe të daktilografuara; përmban tekstin e plotë të “Bibliografisë” sime për periudhën 1473 – 1800;
241 faqe të daktilografuara; përmban vepra të viteve 1800 – 1967;
IV–V) 391 faqe të daktilografuara; përmban procesin e punës sime për përshkrimin e veprave të shekullit XVIII. Gjithsej 1524 faqe të daktilografuara, të dorëzuara në drejtori të Bibliotekës Kombëtare. Të 348 (treqindedyzetëetetë) ditët e mia të punës që kam qëndruar në Bibliotekën Kombëtare, duke punuar paradreke e pasdreke për hartimin e “Bibliografisë së Skënderbeut”, dokumentohen me anë të zyrës së llogarisë të Pallatit të Kulturës, në fletët e udhëtimeve të dietave.
Së fundi, desha të shënoj edhe këtë fakt me rëndësi: Në periudhën dyvjeçare (1966 – 1967), kur kam qenë i angazhuar plotësisht për këtë vepër, unë në të vërtetë, kisha edhe plane të tjera pune, si, b.fj., kontratën me NSHB “Naim Frashëri” për dorëzimin e poemës së De Radës “Skënderbeku i pafanë” (në kuadrin e 500-vjetorit të Skënderbeut, pesë libra, 12.000 vargje, me transliterim, transkribim, përshtatje në gjuhën e sotme dhe koment gjuhësor) si edhe mbrojtjen e disertacionit “E folmja e Thethit” për marrjen e gradës shkencore “Kandidat i shkencave filologjike” pranë Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë”. Por i sakrifikova këto dy vepra me qëllim që “Bibliografia e Skënderbeut” të bëhej gati për shtyp.
Komisioni, gjatë tri viteve të para (1966 – 1969), ka punuar mirë dhe ka bërë mbledhje të herëpashershme, bashkë me Grupin e punës, ku janë diskutuar e miratuar kriteret, janë shqyrtuar çështjet e ndryshme që lindin gjatë punës korrente, janë biseduar masat e ndryshme që duheshin marrë, lidhur me organizmin dhe procesin e mëtejshëm të punës. Mbledhjet janë karakterizuar nga kritika e rrept shkencore, nga fryma e mirëkuptimit dhe e respektit reciprok. Në komision janë diskutuar pjesë të Bibliografisë. Në fund, gjatë vitit 1968, është analizuar krejt vepra ime. Në përgjithësi, mund të thuhet, se hartimi i kësaj Bibliografie, ka pasur një karakter kolektiv. Vepra iu pat besuar, nga ana e Ministrisë së Kulturës, Bibliotekës Kombëtare, duke i dhënë një rol të veçantë edhe Komisionit drejtues, lidhur me hartimin e saj në një nivel të duhur shkencor. Në periudhën 1966 – 1969, Komisioni ka bërë 21 (njëzetenjë) mbledhje të rregullta së bashku me Grupin e punës, ndër këto data: I) Më 28 janar 1966; II) 12 shkurt 1966; III) 22 prill 1966; IV) 14 korrik 1966; V) 9 gusht 1966; VI) 17 tetor 1966; VII) 12 nëntor 1966; VIII) 24 janar 1967; IX) 11 shkurt 1967; X) 24 shkurt 1967; XI) 24 maj 1967; XII) 10 korrik 1967; XIII) 16 dhjetor 1967; XIV) 17 dhjetor 1967; XV) 29 janar 1968; XVI) 14 qershor 1968; XVII) 27 korrik 1968; XVIII) 1 gusht 1968; XIX) 2 gusht 1968; XX) 3 gusht 1968; XXI) 14 qershor 1969.
Përveç Komisionit, në vepër kanë kontribuar edhe bibliograf të Bibliotekës Kombëtare: Qanije Haxhihasani është marrë me leximin dhe riprodhimin e mikrofilmave, duke bashkëpunuar me mua në interpretimin e saktë të frontescipeve, të parathënieve dhe të shënimeve në kolofon. Lidhur me shtypin periodik, duke u mbështetur në listën time bibliografike kanë punuar Idajete Bejtja dhe Ervehe Dishnica, të cilat kanë nxjerrë indikacione të ndryshme, kryesisht për vëllimin e dytë dhe të tretë. Kanë kontribuar edhe bibliotekaret Fato Haxhiu dhe Katerina Goshi, me shërbimin e përpikët, punonjësit e Bibliotekës kombëtare Gani Dogani, Thanas Konini, Filip Prifti dhe xha Zyberi; daktilografistet Leo dhe Ismeti, duke e daktilografuar tekstin deri në pesë herë. Në mënyrë të vaçantë, gjithë këtë punë e ka ndjekur, drejtuar, udhëzuar, stimuluar dhe ndihmuar, pa u kursyer, shoqja Marika Vogli, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare. Ka ndihmuar mjaft edhe Biblioteka shkencore e Universitetit Shtetëror të Tiranës, sidomos në lidhje me porositë e librave përkatës, me mikrofilmet si edhe me korrespondencën që ka mbajtë me disa nga bibliotekat e shteteve evropiane. Në këtë drejtim, ka ndihmuar Mihal Hanxhari dhe Mediha Frashëri. Kapakët e librave i kanë përkthyer: Veniamin Dashi e Daniel Rodiqi nga gjermanishtja; Skënder Luarasi e Refik Kadija nga anglishtja; Henrik Lacaj nga latinishtja; Aleks Thani nga greqishtja e re; Leo Prela nga spanjishtja; Qevqep Kambo nga polonishtja; Xha Zyberi nga turqishtja, etj. Verifikimin e shqipërimeve e ka bërë Komisioni me Grupin e punës. Për klishetë e frontespiceve të veprave të ndryshme u pat caktuar fotografi Halit Gjiriti. Përveç Grupit të punës dhe Komisionit, indikacione bibliografike kanë dhënë edhe Injac Zamputi e Selami Pulaha.
Jup Kastrati
PASTHËNIE
PSE ANKOHEJ PROFESOR JUP KASTRATI
Duke bërë kërkime në arkivin personal të Profesor Jup Kastratit, na ka rënë në dorë një dorëshkrim i shkruar shumë vjet më parë, madje i shkruar në tri versione. Një i shkurtër (tetë faqe makine) dhe një tjetër më i gjerë (tridhjetë e tri faqe), sado që të dy pa ndonjë ndryshim të madh në aspektin përmbajtësor, gjendeshin në një dosje. Versioni i tretë gjendet në një dosje tjetër dhe ka 157 faqe.
Diku në fund të viteve ’60 Profesor Jup Kastrati, me kërkesën e drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, kishte shkruar një tekst me titull: Informacion mbi punën që kam bërë për hartimin e “Bibliografisë së Skënderbeut”.
Ndonëse në pamje të parë Profesori i nderuar ankohej për punën e jashtëzakonshme dhe të lodhshme gjatë përgatitjes së Bibliografisë së Skënderbeut, në të vërtetë teksti bëhet në kontekst të dëshmisë deri në imtësi për autorësinë personale të kësaj vepre.
Megjithëse, duket sikur ai ankohet për situatat familjare, kolegiale dhe institucionale, nëpër të cilat ka kaluar gjatë kohës që po merrej me përgatitjen e veprës, në realitet ai ankohet njëkohësisht për vetminë e tij, për ndërkëmbjen dhe për nëpërkëmbjen e autorësisë së kësaj vepre.
Shkruante Profesori për të gjitha në dorëshkrimin e njërës prej dosjeve të tij: saktë – për kohën dhe për hapësirën, dendur – për numrin e madh të dëshmive, besueshëm – për racionalitetin e arsyetimit, rrjedhshëm – për elekuencën e sintaksës së mendimit.
Profesori nuk tha deri në fund vetëm një gjë, sado dëgjohet larg ankimi i tij: Bibliografia e Skënderbeut, duke u mbështetur në kërkimet afatgjata, sintezat, referimet, përgatitjet dhe madje Hyrjen, janë punë e tij prej titaniku, që ajo është vepër personale e tij, e cila iu mor në emër të disa kombinacioneve meskine nga drejtues politikë të institucioneve shkencore dhe kulturore të Tiranës.
Ja disa shembuj nga dorëshkrimi i tij:
Më 28 janar 1966, Ministri i Kulturës Fadil Paçrami ka komunikuar vendimin e dikasterit për hartimin e veprës “Bibliografia e Skënderbeut”, si një aksion me rëndësi kombëtare, politike dhe shkencore. Po atë ditë, ka komunikuar Grupin e punës që do të përpilonte librin, të përbërë nga Zef Prela, Jup Kastrati, Kasem Biçoku, si dhe Komisionin drejtues, udhëzues, redaktues dhe kontrollues, të përbërë nga prof. Aleks Buda (kryetar), prof. Dhimitër S. Shuteriqi, prof. Mahir Domi dhe Marika Vogli. Vepra do të ishte botim i Bibliotekës Kombëtare.
(…)
Megjithë që Grupi i punës përbëhej prej tre vetësh, ky, në fakt, u reduktue vetëm në Jup Kastratin. Zef Prela u tërhoq që në ditën e parë, sepse kërkoi të kryej vetë Bibliografinë, pa bashkëpunim me të tjerët.
(…)
Më 1 korrik 1967 kam bërë gati veprën maket, variantin e parë të “Bibliografisë së Skëndërbeut”, (…). Më 14 shtator 1967, kam dorëzuar variantin e dytë të veprës në fjalë, me 470 tituj librash të përshkruar. Më 12 janar 1968, kam dorëzuar variantin e tretë me 735 faqe të daktilografuara, më 659 tituj veprash të përshkruara, nga të cilat 320 nga fondet e Bibliotekës Kombëtare (libra, mikrofilma, fotokopje).
(…)
Më 3 dhjetor 1967, shoqja Marika Vogli më shkruante një letër nga Tirana, në të cilën, ndër të tjera, më thotë edhe këto: “Bibliografia është gati për t’u shqyrtuar në Komision. Të gjithë i kanë marrë kopjet e tyre. Nuk di kur mund të vini për të caktuar datën e mbledhjes. Çëshja ka karakter tepër urgjent, pasi në komisionin qeveritar është raportuar që vëllimi i parë ka shkuar në shtyp dhe po punohet për vëllimin e dytë. Zgjatja e punës për dorëzim do të ketë pasoja serioze. Shokët e Ministrisë së Arsimit e të Kulturës më porositën ta dërgojmë urgjent në shtyp”. Në këto rrethana u vendos që të çohej në shtyp vëllimi i parë, që përfshin periudhën 1473 – 1700, d.m.th. shekujt XV, XVI, XVII, që ishin shqyrtuar nga Komisioni, duke hequr nga ky vëllim shekullin XVIII, për të fituar kohë për shtypshkrim.
(…)
Në mbledhjen XVII, të datës 27 korrik 1968, Komisioni ka marrë këto vendime: “Ripunimi i parathënies dhe i hyrjes së veprës “Bibliografia e Skëndërbeut” do të bëhet nga prof. Aleks Buda në bashkëpunim me Jup Kastratin. Shënimet përkatëse për veprat e përshkruara, plotësimet eventuale si edhe aparatin shkencor do t’i bëjë Kasem Biçoku. Me këtë mënyrë Kasemi do të kompensojë punën që duhej ta bënte, por që, për arsye objektive dhe subjektive, nuk kishte pasë mundësi ta bënte gjatë viteve 1966 dhe 1967.
(…)
Vepra u bë gati për shtyp, që në dhjetorin e vitit 1969. Mbeti për t’u përfunduar Hyrja nga prof. Aleks Buda mbi bazën e variantit tim të parë dhe të sugjerimeve të shokëve. Në të vërtetë, hyrja qe vendosur nga Komisioni që të bëhej nga prof. Aleks Buda, por, duke qenë i zënë ai me punë të ndryshme, m’u la që të bëja unë, të cilën e hartove në Shkodër, më 10 mars 1968 (12 faqe të daktilografuara).
(…)
Puna ime për hartimin e Bibliografisë së Skënderbeut dëshmohet nga një tok dokumentesh zyrtare:
nga procesverbalet e mbajtura në gji të Komisionit, ndër 21 mbledhje të ndryshme, gjatë viteve 1966, 1967, 1968, 1969;
nga kopjet e veprës “Bibliografia e Skënderbeut”, në tri variantet e ndryshme dhe, sidomos, nga ai definitiv (1473 – 1800);
735 faqe të daktilografuara; përmban tekstin e plotë të “Bibliografisë” sime për periudhën 1473 – 1800;
241 faqe të daktilografuara; përmban vepra të viteve 1800 – 1967;
391 faqe të daktilografuara; përmban procesin e punës sime për përshkrimin e veprave të shekullit XVIII. Gjithsej 1524 faqe të daktilografuara, të dorëzuara në drejtori të Bibliotekës Kombëtare.
(…)
A është Profesor Jup Kastrati studiuesi i vetëm, ankimet e të cilit kemi mundur t’i lexojmë dhe t’i dëgjojmë edhe më parë, dhe a është kjo vepra e vetme e cila në një mënyrë apo një tjetër iu përvetësua?
Jo!
‘Në prag të themelimit të Akademisë së shkencave, – kujtonte shpesh Profesori ynë – një pasdite vere, në derë të shtëpisë me troket X. Y. Në mbledhjet bazë të partisë, ishte tërhequr vërejtja se disa drejtues shkencorë po tregonin dobësi në kërkimet shkencore, prandaj nëse donin të vazhdonin drejtimin e institucioneve shkencore ata, së pari duhej të tregonin rezultatet e tyre. Për këtë arsye, shoku (X. Y.) kishte ardhur nga Tirana në Shkodër për të më marrë dorëshkrimin Vepra filologjike e Jeronim de Radës, që ta botonte në Akademi si vepër të tij. Nxora nga sirtarët dorëshkrimin e përgatitur me mund e djersë, si ta nxirrja një krah nga trupi im dhe ia dhash. X-i mori dorëshkrimin dhe shkoi. Si njeri që më shumë e kam dashur librin se mundin tim, një kohë e kam pritur me ëndje botimin e saj. Pas tri vjetësh kam kuptuar se dorëshkrimi Vepra filologjike e De Radës ende po priste në sirtarët e një sekretarie. Kam gjetur një rast të volitshëm dhe e kam tërhequr pa zhurmë, pa guxuar ta përmend askund, deri në vitin 1990.
Sot ka shënime dhe kujtime të pafundme, të cilat e dëshmojnë përvetësimin e pjesërishëm apo të plotë të materialeve të terrenit, të dosjeve, të arkivave, të përkthimeve të veprave (dorëshkrime) dhe më në fund të pjesëve të veçanta të rezultateve shkencore nga studiues të caktuar.
Kur një ditë të shkruhet një histori kritike e albanologjisë, do të shohim se ankimet e shumë studiuesve, të lëna në dorëshkrim, si ato të Profesor Jup Kastratit, do të jenë të përligjura. Në institucionet shkencore edhe sot mund të gjenden dorëshkrime të autorëve të ndaluar a të pabotuar, pjesët e studimeve të të cilëve janë përvetësuar edhe nga ata studiues pa të cilët ’nuk mund’ të shkruhet historia e albanologjisë; në veprat e shumë studiuesve sot mund të gjesh referenca shkencore (nga vepra apo materiale arkivore), të cilat autorët kurrë s’i kanë parë, e megjithatë i kanë komentuar në formë të ndërmjetme, pa marrë mundin më të vogël që të shënojnë autorin apo veprën e ndërmjetësuar; në studime, për të cilat besohet se janë shumë serioze, mund të gjesh citate të tëra të përkthyera nga autorë të ndaluar, kryesisht në Shqipëri, për të cilët studiuesit tanë nuk e ndiejnë aspak të moralshme që të shënojnë përkthyesin, veprën e përkthyer në dorëshkrim, arkivin e institucionit shkencor prej nga i kanë vjelë etj.
(Kohë më parë, në një nga institucionet tona shkencore në Prishtinë, na ka rënë të shohim një artikull të Joklit të përkthyer në vitet ’60 në gegnishten letrare, të cilin një studiues i mëvonshëm kishte provuar ta kthente në standard, në mos edhe ta botonte. Nuk e dimë arsyen e mosbotimit, por e dimë se fjalitë e nënvizuara autori i ka përfshirë në studimin e tij pa referencë).
Nuk e kemi e kemi fjalën për numrin e madh të veprave, në të cilat shkruhen pasuse të tëra pa thonjëza me një fusnotë formale në fund të tekstit, po i lëmë mënjanë edhe ato koncepte të kompiluara a të përmbysura, të nxjerra brenda studimeve shqiptare, teori e koncepte të përvetësuara nga shkollat e huaja, e të cilat më pas nga fillimi deri në fund mbushen me shembuj të albanologjisë. Nuk e kemi fjalën për ndikimet shkollore dhe metodologjike. Fjalën e kemi për përshkrime të tëra, të idesë dhe të projektit personal deri në plagjiaturë.
Sa shumë ankime të heshtura do të ketë pasur, kur X autorit i merrej përkthimi i Joklit nga gjermanishtja e nuk i përmendej emri; kur Y autorit i merrej skedari i leksikut, i mbledhur me aq mund ndër krahinat e ftohta e të largta, dhe bëhej kumtesë për sesion shkencor, pa iu shqiptuar emri qoftë edhe në fusnotë; kur N autorit i merreshin rezultatet e përfunduara të një studimi krahasues me gjuhët e vjetra greke e romake dhe duhej të heshtte.
Po Profesor Jup Kastrati, pse nuk i publikoi Relacionet… pas viteve ’80, apo pas daljes së vëllimit të parë të Bibliografisë së Skënderbeut? Sigurisht, se duhej të përmendte shumë emra të tjerë!
Ndërsa, nomina sunt odiosa!
Deri kur do të kenë të drejtë latinët e mençur?!