2013-07-06

"Fejesa" e bërë që në djep


Në vitin 1991, Dr. Prof. Isuf Kalo, u punësua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në krye të programit të saj evropian për sëmundjen e diabetit dhe më vonë deri në vitin 2005, si drejtues i Sistemeve Shëndetësore në Evropë



Nga Agron SEJAMINI

Isuf Kalo, sot mund të ishte një shkrimtar, poet apo matematikan me po kaq emër dhe famë sa ka merituar në mjekësi. Ka shkëlqyer për matematikë, në shtatëvjeçare dhe në gjimnaz. Hartimet e tij lexoheshin në të gjitha klasat paralele si krijimet artistike më të mira të shkollës. Madje, u përzgjoll edhe një cikël me poezi për t'u botuar te revista "Nëntori". Por...ishte "fejuar" që në djep!

Në moshën dhjetëvjeçare sëmuret nga bajamet. Për të mos u trembur ai fëmijë nga bluza e bardhë, mjeku i lagjes vjen për ta vizituar, duke u bërë më i qeshur dhe më i ëmbël. Dhe vërtetë, ai vogëlush e priti shumë qetë. Aq sa edhe gojën nuk e hapi me lugën që i vendosi mjeku, por me dëshirë...

Për t'i humbur edhe më tej mendjen, ai e pyet nëse dëshironte të bëhej doktor kur të rritej. Por ndrojtja dhe frika se mos vizita mjekësore vazhdonte me ndonjë gjilpërë, bënë që ai fëmijë të mos përgjigjej. Për të shmangur heshtjen, ndërhyn e ëma dhe me gjysëm shaka, i lutet të birit që të flasë:

-Pse nuk thua po, të bëhesh edhe ti doktor që të më shërosh kur të plakem.

Me gjysëm zëri, më shumë për të kënaqur të ëmën se sa veten, pëshpërit: "PO!", pëshpërimë që në vitet në vazhdim, do t'i bëhej kushtrim dhe jehonë për të mbajtur një fjalë të dhënë. Për më tepër, sepse në se do të kishte nevojë, do të shëronte nënën e vet. Herë pas here, përkëdhelive të saj, ai u përgjigjej se, "kur të rritem do të të shëroj unë po të sëmuresh, mos ki merak!". Por duheshin vite që ai të bëhej, aq sa edhe nëna ia kthente:

-Ah, mor bir, kur të bëhesh ti doktor, mua më ka shkuar bari një pëllëmbë...

E nëse nuk mund të rritej para kohe, asnjëherë nuk harroi të mësonte gjithnjë e më shumë.

Pa u ulur ende në bankat e klasës së parë njihte shkronjat. Ndaj edhe pse u fut si dëgjues, në fund të vitit shkollor mësuesja i dha dëftesë. Hallet dhe vështirësitë ekonomike bënin që shqetësimi i ditës të mos ishte shkolla, por sigurimi i bukës së gojës. Një varfëri e tejskajshme për të gjithë. E akoma më tepër për këtë familje që përbëhej nga dhjetë vetë. Duke mos patur asnjë mundësi jetese, e gjithë familja një ditë maji të vitit 1948, hipën në një kamion për të ndalur në Tiranë. Fillojnë një jetë tjetër, me shpresë se mjerimin e kishin lënë në Tepelenë. U vendosën të gjithë në një dhomë, diku pranë stadiumit "Dinamo". Pozicionin e këtij vendbanimi e ndjeu vetëm Isufi që u rregjistrua në shkollën "11 Janari". Ishte një ndër shkollat më të mira në kryeqytet, me një staf pedagogjik të nivelit të lartë, që përgatiste nxënësit e ardhur nga familjet e bllokut. Më i padëgjuari dhe i panjohuri ishte mbiemri i Isufit. Por shumë shpejt, ai u bë i pazëvendësueshëm në tabelën e nderit. Fëmijë simpatik, i urtë, i qetë që dallonte për varfërinë por dhe për zgjuarsinë. Nuk i kujtohet nëse ishte i pari i klasës apo jo, veçse mban mend se ka qenë mes nxënësve më të dalluar kur ikën në takimin tradicional që bëhej me udhëheqësin e partisë. Më shumë se sa këtij takimi, iu gëzua një dhurate që i dhanë. Nuk i durohej sa të vinte në shtëpi, për të parë se ç'kishte brenda saj. Sa u gëzua kur e hapi! Mes dhjetë karameleve ishte dhe një top llastiku... Dikur kishte luajtur me top prej lecke, tani kishte këtë dhuratë që e dëshironin shumë bashkëmoshatarë. Nga kjo ditë, edhe dera e shtëpisë fillojë të trokasë më shpesh. Shokë të klasës dhe të lagjes i luteshin që t'u jepte pak topin e llastikut. Sa të bënin një lojë...

Por edhe kjo dhuratë e çmuar nuk ia "hoqi" emrin nga tabela e nderit. I vjen keq që këtë sjellje dhe përparim të mirë në mësime, nuk e ndienin edhe pjesëtarët e familjes. Prindërit e tij nuk dinin se ku ishte shkolla, ngaqë ai nuk krijonte shqetësime. Vetëm kur u ndanë dëftesat e klasës së katërt, iku në shkollë një nga vëllezërit e tij. Ishte rast fatlum për të, por edhe për mësuesen Nedrete Kastrati.

- Vëllai juaj bën hartime shumë të bukura. Mos vallë ia përgatisni ju? Kam parë që niveli i tyre është më i avancuar se mosha e tij, - e kishte befasuar mësuesja.

Kishte filluar të lexonte shumë. Letërsia i qe bërë lënda më e dashur. Klasën e shtatë e vazhdon te shkolla "Hoxha Tahsin" ngaqë familja u strehua në një lagje tjetër. Me atë dëftesë të mbushur me nota shumë të mira, të gjithë mësuesit dëshironin ta kishin në klasë Isufin. Por ajo që e ndjeu më tepër talentin dhe pasionin për letërsinë, ishte mësuese Zene Hatibi. Hartimet ia lexonte para klasës. Por e lodhte shumë shkrimi i keq, i palexueshëm i Isufit. Ndaj i la detyrë që për një muaj rresht të shkruante bukurshkrim një faqe. Pesë ditët e para, Isufi e kreu me dëshirë dhe korrektesë këtë detyrë shtëpie. Më pas, i tregonte po ato fletë që ai kishte bërë në ditët e para. Ndaj dhe sot akoma shkrimin e dorës e ka të palexueshëm. Më të keq, se çdo doktor!

Vite më vonë, mësuese Zenia ikën të vizitohet te ish-nxënësi i saj. Në muhabet e sipër, ajo i thotë: - Më raftë pika, ta dija që do të bëheshe doktor, nuk do të kisha lodhur aq shumë për të bërë bukurshkrim...

-Mos e ki merak mësuese Zenia, se nuk u lodha shumë, - ia kthen duke qeshur doktori.

Ende kujton atë çast të bukur kur babai, një ditë i premtoi se po të mbaronte shkollën me fletë lavdërimi do t'i blinte një kostum. Nga ajo ditë mësimet iu bënë edhe më të lehta. Emri i tij në regjistër gjendej shumë kollaj po të ecje në udhën që ishin notat maksimale. Në përfundim të vitit shkollor ishte nga të paktët që dëftesën e shoqëroi me fletë lavdërimi. Por më shumë se sa në klasë ajo copë letër vlente në shtëpi...

Gjithë gëzim, duke i valëvitur në ajër të dyja dokumentet i drejtohet shtëpisë për t'ia treguar të atit. Por, lumturia iu sos sapo hapi derën e korridorit. Dëgjoi shamata dhe grindje mes dy prindërve. Atë ditë, për fat të keq, babai e kishte tepruar në të pirë... U fut në dhomën tjetër duke vendosur mbi një dollap ato letra që mund t'i blinin kostumin e parë në jetë...

Kjo indiferencë kishte rënë në sy edhe të mësuesve, të cilët nuk kishin parë asnjëherë në shkollë prindërit e tij. Por ishte mësuesi i matematikës, Tajar Isani, që shkoi te ata. Kishte dy javë që kishte mbaruar shkolla kur ai trokiti në shtëpinë e tyre. Atë burrë të panjohur prindërve ua prezantoi vetë Isufi.

Çfarë do ta bëni këtë xebulin tim? - kishte hyrë direkt e në temë Tajari.

Të dy prindërit u panë sy më sy duke mos kuptuar se ku donte të dilte mysafiri. Më me interes për ta do të ishte ndonjë ndërhyrje për t'ua hequr edhe atë nga shtëpia. Deri në atë kohë, asaj familjeje të madhe vetëm rrobja jeshile ua kishte lehtësuar disi peshën e halleve. Dy nga djemtë ishin bërë oficerë, njëri ishte ushtar ndërsa tjetri, Zeneli, kishte filluar shkollën ushtarake "Skënderbej"... Menjëherë i ati i Isufit, iu lut Tajarit që po të mundej t'ia regjistronte në shkollën e Zenelit. Por, mësuesi i matematikës i kishte bërë mirë llogaritë për nxënësin e tij që në këto momente më shumë se sa i varfër i dukej jetim.

-Ma lini mua Isufin se do ta regjistroj në gjimnaz, - ndërhyri Tajari që komandonte bisedën.

E ndërsa ai rritej dhe kalonte nga shkolla në shkollë, varfëria në shtëpi u ishte ulur këmbëkryq. Deri më tani, ky mjerim nuk i kishte lënë qejfmbetje ngaqë ishte bërë më i ndjeshëm ndaj vështirësive dhe më i motivuar për të mësuar. Por në gjimnaz filloi të ndiente edhe një farë kompleksi. Ishte nga më të varfërit nxënës që binte në sy nga veshja, fiziku dhe mungesa e një qindarke në xhep. Por asnjëherë nuk i mungoi simpatia dhe shoqëria. Kjo ia shtonte qetësinë dhe dëshirën për të qenë përherë nga nxënësit më të dalluar të klasës dhe të shkollës. Nuk ishte pak të njiheshe në atë gjimnaz si nxënësi më i mirë. Nxënës në vitin e dytë ishte, por prej tij kishte frikë edhe mësuesi i matematikës. Kishte zgjidhur të gjitha problemet dhe ushtrimet e trigonometrisë, steriometrisë, algjebrës. Nisur nga ky fakt dhe nga përgatitja e tij e lartë, mësuesi i matematikës Paulini, e cakton që të japë këto lëndë me nxënësit e shkollës së natës. Ky kontigjent kryesisht vinte nga qendrat e punës. Kishte nga ata që kërkonin edhe konsultime shtesë. Kishte nga ata që këtij djaloshi kaq të sjellshëm dhe të komunikueshëm i linin edhe ndonjë lek...

Por përsëri kënaqësinë më të madhe, ia falte letërsia. Nuk ka për ta harruar atë ditë kur mësuesi i letërsisë, Nexhat Hakiu, i tha se do të të jap një lajm të gëzuar në pushim të gjatë. Ky mësues pasionant dhe dashamirës, kishte përzgjedhur një cikël me poezi nga krijimtaria e Isufit dhe kishte biseduar me redaksinë e revistës "Nëntori", për t'i botuar numrin e ardhshëm. Më shumë u dëshpërua se sa u gëzua nga ky lajm surprizë. Ishte ëndërr e madhe për çdo letrar, një shans i tillë, por i trembej faktit se mos binte në dashuri të përhershme, kur dihej që letërsia për të ishte gjithçka. Kishte bërë një premtim para nënës së vet dhe duhej ta mbante. Ndaj nuk pranoi që ai cikël të botohej.

Por, më keq se asnjëherë tjetër, do ta ndjente veten pas përfundimit të gjimnazit. Atë vit, udhëheqësi i partisë, kishte thënë: "Sikur të isha 20 vjeç do të studioja përsëri për matematikë...". Drejtuesit e gjimnazit "Qemal Stafa", u treguan edhe më largpamësa se sa udhëheqësi. Vendosën që 20 më të mirët e shkollës të vazhdonin për matematikë... Në këtë listë, ndër të parët ishte edhe emri i Isufit. Por labi nuk di të hajë fjalë, veçanërisht atë që i ka premtuar asaj që i ka bërë kokën. Nuk lanë mik dhe shok pa takuar derisa trokitën te shtëpia e profesorit të nderuar, Sotir Papakristo, ish-drejtor i Liceut të Korçës... Një telefonatë dhe emri Isuf Kalo, regjistrohet për mjekësi...

Prof. Dr. Isuf KALO

- Ka lindur në Luzat, Tepelenë më 1942

- Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë më 1964, i specializuar në disa vende të Evropës për Diabetologji. Është një nga pionierët dhe novatorët e shquar të këtij specialiteti në Shqipëri.

- Për disa vjet, ka drejtuar Katedrën dhe Shërbimin e Sëmundjeve Endokrine dhe Metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe Spitalin Qendror të Tiranës.

- Është "Doktor i Shkencave Mjekësore", "Profesor" dhe "Punonjës i shquar" i shkencës shqiptare.

- Në vitin 1991 u punësua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në krye të programit të saj evropian për sëmundjen e diabetit dhe më vonë deri në vitin 2005, si drejtues i Sistemeve Shëndetësore në Evropë.

- Prej vitit 2005 është themelues i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, të cilën vazhdon ta drejtojë ende sot.

- Prof. Dr. Kalo është Konsulent Shëndetësor i Bankës Botërore dhe njëkohësisht Këshilltar i jashtëm i ministrit të Shëndetësisë të Kosovës.

- Është autor i një sërë veprash e publikimesh në shtypin mjekësor dhe atë të huaj.

- Prof. Dr. Kalo është njëkohësisht anëtar nderi në disa shoqata mjekësore ndërkombëtare dhe në disa vende të veçanta të Evropës.

Fshati feston lindjen e Isufit me breshëri të shtënash... gabimisht

Atë ditë në Luzat veç gruas së Remziut do të lindte edhe gruaja e mësuesit të fshatit. Në familjen Kalo, fëmija do të ishte i teti. Pesë djemve dhe dy vajzave do t'u shtohej edhe një tjetër. Ndaj nuk përbënte ndonjë kuriozitet të madh nëse ishte vajzë apo djalë. Mjafton të ishte lindje e mbarë... Ndryshe i kishte hallet familja e mësuesit. Duke qenë se ishte djalë i vetëm, kishte vite që një fis i tërë i lutej Perëndisë për t'u shtuar me djalë. Nëntë muaj duke iu gëzuar asaj shtatëzanie dhe duke shumëpritur këtë ditë të lindjes. Për këtë arsye, edhe gruaja që asistonte në lindjet e fshatit Luzat, me t'u njoftuar se i filluan dhimbjet gruas së mësuesit, e la atë të Remziut në lindje e sipër... Madje, një lindje shumë e vështirë edhe pse e kishte të tetën. Fëmija në barkun e nënës ishte në pozicion të kundërt, thënë ndryshe, nxorri këmbët në fillim dhe jo kokën... Megjithatë, lindi një fëmijë i shëndetshëm. Kuptohet, të gjitha lindjet janë gëzim. Ndaj, një grua e mëhallës menjëherë shpërndau sihariqin: - Djalë, djalë...

Me të dëgjuar këtë thirrje gëzimi, shumica e fshatit mendoi se kishte lindur gruaja e mësuesit. Nuk përmbaheshin burrat e fshatit, por rrëmbyen pushkët e varura në mur dhe filluan të shtinin nëpër oborret e shtëpisë. Breshëritë e maliherëve filluan të dëgjoheshin gati në të gjithë fshatin. Mirëpo të gjitha këto përshëndetje, shkonin gabimisht për llogari të djalit të Remziut... Kur në të vërtetë askush nuk do të merrte mundimin të shkrepte qoftë edhe një pushkë, pasi ishte fëmija i tetë. Madje, edhe gruaja e mësuesit nuk lindi atë ditë, por... të nesërmen.

Vitet e luftës, bashkë me shtëpitë që dogji gjermani zhdukën edhe regjistrat e gjendjes civile. Kështu prindërit, me hamendje ose sipas interesit dhanë muaj dhe vite të ndryshëm për fëmijët e tyre. Vetëm Isufi e gjeti të saktë ditën e lindjes. Jo se e mbanin mend prindërit, por pyeti mësuesin që e kishte atë datë, ditën më të lumtur të jetës...

Fotoja lart, familje shqiptare.

Kjo poshtë... internacionale

E kush prind nuk do ta dëshironte një foto, si ajo lart. Rrethuar nga të gjitha anët me fëmijë të rritur dhe të pashëm. Me gjashtë djem dhe dy vajza, Naneja dhe Remziu nga Luzati i Tepelenës, ndjeheshin më të pasurit e gjithë krahinës. Jo më kot edhe në këtë fotografi nuk u ka munguar buzëqeshja apo dëshira për të dalë sa më bukur edhe estetikisht. Të gjithë kanë lindur në Luzat... E mbyll këtë grup të përsosur skulptural më i vogli i fëmijëve, Isufi. Dhe është po Isufi që e vijon këtë foto poshtë. Veçse, jo më me një foto familjeje shqiptare, por... internacionale. Të dy fëmijët e tij, kanë krijuar familje me bashkëshortë të kombësisë jo shqiptare.

Iliri, mbaroi në Tiranë, gjimnazin "Sami Frashëri" me medalje të artë. Në vazhdim kreu studimet e larta për mjekësi në Goteborg. Tani është i punësuar në spitalin mbretëror në Kopenhagen. Zotëron në mënyrë të përsosur anglishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, kroatishten, suedishten dhe danishten. E ndërsa deri këtu eci me këmbët e veta në çastin e zgjedhjes së shoqes së jetës, bashkëbisedoi edhe me prindërit.

-Nëse do t'u thosha se një ditë, do të kem bashkëshorte një daneze, çmendim do kishit?- i pyet Iliri. Dhe kur priste me padurim përgjigje, i ati ia kthen po me pyetje:

- A ke ndër mend që të kthehesh në Shqipëri?

Por edhe në këtë rast, përgjigjja vonoi por edhe nënkuptohej që Danimarka kishte filluar t'i dukej edhe më e ëmbël.

-Atëhere, - vazhdoi Isufi, - më mirë do të ishte që edhe fëmijët ta kishin njërin prind të kombësisë së këtij vendi, ku ju keni vendosur të punoni dhe jetoni.

Kanë dy fëmijë, Frederikon 7 vjeç që gjyshi e do aq shumë dhe Emën trevjeçare.

Po kaq mbarë i ka ecur edhe vajzës së tyre Entelës që jeton në Zvicër. Pas mbarimit të shkollës së mesme për frëngjishte, në Tiranë ajo vazhdoi në Zvicër tre vjet për gjuhë dhe letërsi frënge. Më pas kreu katër vjet studimet, në fakultetin Juridik të Gjenevës. Duke vazhduar edhe me dy vjet studime të tjera diplomohet për avokati. Fati dhe ndjesia e bashkoi me një zviceran për të gëzuar në familjen e tyre që e kanë shtuar edhe me dy vajza. Deborah është katër vjeçe ndërsa Atena një vjeç. Entela së bashku me bashkëshortin, Stefanin, punojnë avokatë në qytetin e Lozanës.

Të gjithë ndjehen mirë paçka se kanë kombësi të ndryshme. Mjafton t'i shikosh si gëzojnë kur bashkohen. Veçanërisht në festimet për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Edhe kjo foto që po botojmë, këtë dëshmon....

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...