Sëveme Fetiqi: Pse vdiqe para vdekjes
Tahir Deskut
Ah ajo natë
kur ishte pa hënë
Ditë pa dritë
Agim pa këngë këndezi
Qiell pa kaltërsi
E ai bar që i vinte
Erë tym e flakë
E kjo Tokë
Kur thithte lumenjë të gjakut
Ti ishe aty
Ata që është dashur
Të mbesin në heshtje
Ç´ka ju duk atyre jeta jote
Ç´ka ditën ata për bukurinë
E lindjes së shpirtit përsëri
Pas shekujve të vrarë
Le të mbesin përjetësisht
Në baltën e gënjeshtrave
Ata që zgjohen vonë
Ofshamat për t´i shëruar
Dhe ata që me këmbë urrejtjeje
Shkelin gjakun e atyre
Që ishin këtu e më s´ janë
Nëse nuk ka Shqipëri
As ne s ´do të jemi
Të vdesësh para vdekjes
Domethënë të zgjohesh
Heret me këngën e këndezit
Deri në pavdekësi
Rita SALIHU: PAS KOHËS SATE TË TRISHTUESHME
Tahir Deskut
Edhe pas kohës sate të trishtueshme
Hijet nuk hoqën dorë nga ndjekja
E dritës shekujve duke përtypur mashtrimin
Se mund t'i marin majat
E synimeve që na i le amanet
Deri ti nuk je në krye të rrugës
As në majën e majës së shpresës
Që të mbante vertikalisht para stuhisë
Ne shtegtomjë pa kalorës
Horizontet mbyllin kurorat
E ti si në balladë
Freskon trupin trurin
Duke ia vjedhë bukuritë Mirushes
Nuk di a buçet firishëm ujëvara
E mendimeve tua nëpër këngë
Apo Mirusha ngrihet peshë
kokën per t'ia shpëtuar lirisë
Lisat rreth e rreth tunden
Dhe qëndrojnë duke sviduar stuhitë
Në pelgje gjaku për të mos rënë
Çuditshëm rrënjët e shpresës
I ujit fresku i shikimeve tua
Që ia dhurove një vashe çastin e fundit
Së voni midis nesh
Pos dhëmbjes dhe mallit
Kanë mbetur dhe kujtimet për Ty
Që sfidohen rënd nga pesha e harresës
Boston, 2010
Izet Abdyli: PARA ME SHFAQET KANJUSHË E VERDHË
(Tahir Deskut)
Sa here shoh imazhin tënd
Para me shfaqet libri Kanjushë e verdhë
Ato ditë marsi 1981
Rastësisht e gjeta te një shitës rruge
Pranë menzës së studentëve
Sa u gëzova unë
Më shumë u gëzove ti
Se Jusufin e kishim larg
Por Kanjushën e kishim pranë
Sa u çmallëm ahere me vargjet e tij
Aq po çmallem sot me kujtimin për ty
Ishte ditë marsi 1981 P.s. Ishte pra libri Kanjuishe e verdhe i Jusuf Gervallessi shkas qe une te njihem me 1981 me Tahir Deskun, une e kisha gjetur rastesisht dhe ai ma mori ne huazim per nja tri jave
Xhemajl Rudi: NË MES ËNDRRËS
-Poetit te Lirise...Tahir Deskut...
Në mes endrres
është
nderprerja jote
e zerit tënd
e kenges se pathënë
e ndjenjes se lenduar
prej ushtari te fjales
te maleve te lirise
ku rridhte fitorja e pergjakur
ku pikonin ditet ne lotin e femijes
ne syte e nenave ku ngrihej qendresa
ne honin e qiellit si re te bardha
vijezonin mbi trishtim te muzgut te mbremjes
udheve te golgotes
dhimbje pikonin mengjeseve te rinjë
Ti poeti i zemres se dheut
i kenges te mbetur ne mes
i shpirtit qe pikon mallë
ne kujtimin per ty
si obelisk ne udhen e jetes
endrrat e tua qe marrin hapin tutje
pas vdekjes
pa ty
pikon si qiriri dhe ndrite ne muzgjet
në udhën e Lirise e të fjalës së pathënë
ku rri e heshtur si një pikëllim
te vese e ngrirë e syrit në këngën e zërit tënd
Venka CAPA:FANAR HISTORIE
Tahir Deskut
Vringëllove armët e rrokullise gurin e historisë,
Në vrullin poetik si gurgullima e ujit të rrëpishëm
Fluturove dhe mblodhe nektar kudo në hapësirë,
Lirinë kërkoje, në fluturim...pa bërë kompromis...
Ty të rrëmbeu, të nxiti, të frymëzoi,
Dashuria për atdheun dhe liria!
Mirësinë e gatuaje e i jepje formë kuptimit...
Ti je poçari i letrave, poçari i vargjeve për liri,
Vargu ishte ajër, oksigjen, frymëmarrje dhe atdhe!
Burimi i i tij ishte trokëllimë kali.
Heshtje e murosur, psherëtimë e hijeve
Që endej i vendosur nëpër këtë lëmsh jete...
Bota shpirtërore të rrëqeth me trimëri e penë.
Shkrove për njeriun, këndove për lirinë,
Ne sot e shohim, e ndjejme thellë,
Me sytë e receptorit të zemrës...
Testamenti i heroit T.Desku, do jetë fanar,
Rreze drite për të gjetur shërim çdo bashkëatdhetar.
Emri juaj është pjesa e ndritur e historisë,
O reporter i shpirtit, të lirisë e pavdeksisë
Sejdi BERISHA:UJËVARË STINËSH
Ti, ujëvarë
Histori shekujsh
Gurgullimë e freski jete
Bukuri e kujtim i hidhur
Sa uji nga ti ka rënë
Në përroin dhe lumin e jetës
Dhe, asnjëherë nuk ke treguar
As për dashurinë
As për urrejtjen
As për mashtrimin
As për tradhtinë
Por as për ëndrrat rinore
As për vuajtjet e shkëmbit
As për barrën e tokës
As për shuarjen e etjes
As për shkrumbin e shpirtit
Çdo gjë roman kënge e ke bërë
Kurrë dhe asnjëherë nuk u moshove
Të pyes
A më njeh tash në këtë kohë
Nëse s’më ke harruar
Jam ai çunaku
Që ujin ta pija për ëndrra të mira
Jam ai i riu
Që me bukurinë tënde
Këngën përrallore e thurja
Jam ai që të rrëfeja për shkrumbin
E ti më lazdroheshe me freskinë
Por sikur kurrë nuk më kuptove
Megjithatë
Tani erdha prapë tek Ti
Sepse kam mall për Ty
Po, më thuaj diçka
Së paku më qorto
Për atë flakën që ta ofroja
Për t’ma shuar
Apo bjeshkë për t’ma bërë
Për atë këngën e nënës
Të kujtohet
Për qumështin e gjirit
Me të cilin asnjëherë nuk u ngopa
E mban mend
Atëherë kur ta pata thënë
Fjalën e fjalës ime
Ti vetëm buzëqeshe
Nuk ma bëre mall as zërin e lutjes
Edhe pse në burim të burimit
Tash diçka paske gdhendur
Diçka paske shkruar në ujin
Që sertshëm bie nëpër Ty
Ti, ujëvarë e stinëve të pasosura
Ndale për një çast rrjedhën tënde
Në heshtje më thuaj
Se, a e mban mend
Fëmijërinë tonë të çuditshme
Rininë hujnike e kurrë të pajtuar
Të gjitha për kujtim t’i kam sjellë
E, Ti hesht
Se, ndoshta ke shumë për të thënë
Por, edhe diçka dua të pyes
A mund ta kthesh prapa
Gjithë atë ujë që e ke hedhur gjithandej
Çfarë tkurrje historike
Mendimi im
Mos u çudit
Sot erdha tek Ti
Me një tjetër mall
Me një tjetër pezëm
Ti, ujëvare shekujsh
Sot të kam trokitur në derë
Për lutjen e cila
Për asgjë nuk ka kuptim
Tani, kurrë nuk do të lus më
As për pleqërinë time të katandisur
As për rrugët dredharake
Por, thuami dëshirat tuaja të shkuara
Ujëvare stinësh
Të lutem
Vetëm harresën mos e përqafo
Mos i harro emrat
E gjithë atyre kalimtarëve
Që tek ti kanë pirë ujë
Që janë freskuar
Që kanë pushuar e kënduar
Që kanë vrarë e dashuruar
Që tek Ti kanë gënjyer
Por edhe kanë heshtur
Për historinë e stinëve
Për bukurinë e tokës
Për biografinë tënde
E cila vetëm rrjedh
Si loti i pakthyer