Qeveria e Kosovës do ta ketë sërish sfidë miratimin e Projektligjit për amnisti në Kuvendin e Kosovës. Pas dështimit të parë, ekzekutivi ka hequr nenin 3 të këtij projektligji për ta proceduar në Kuvend javën e ardhshme. Mirëpo, duket se heqja e këtij neni nuk është e mjaftueshme për ata deputetë që kanë rezerva për të votuar pro projektligjit.
Heqja e nenit 3 nga Projektligji për amnistinë, nuk do ta bindë deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani që të votojë për, në seancën kur do të shqyrtohet sërish ky projektligj. Hasani dhe disa deputetë të tjerë të koalicionit qeverisës votuan kundër në seancën e së enjtes, duke bërë që Projektligji për amnisti mos të kalojë. Për të kaluar ai projektligj duhet t’i marrë dy të tretat e votave të deputetëve, përkatësisht 80 vota.
Deputeti Hasani tha për Radio Kosovën se përveç nenit 3 Qeveria do duhej ta hiqte nga neni 5, të gjith ato vepra kriminale që nuk janë politike. Sipas tij, nga ky nen do duhej të hiqeshin veprat penale, siç janë ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, zjarrvënia, mbajtja në pronësi e armëve, kanosja e kandidatit, parandalimi i ushtrimit të detyrës, keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, tregti e ndaluar, shmangie nga tatimi, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, rrezikimi i trafikut publik, falsifikimi i dokumenteve e vepra të tjera të cilat nuk janë politike por kriminale dhe të dënueshme në gjithë botën.
“Këtu është vetëm sulmi ndaj rendi kushtetues që duhet të mbetet, kryengritja e armatosur mund të amnistohet, rrezikimi i tërësisë territoriale mund të amnistohet, janë edhe dy tri vepra, këto janë që mund të hyjnë pjesë e amnistisë, përndryshe veprat kriminale janë të paarsyeshme, duhet të pastrohet kjo. Nëse nuk pastrohet unë nuk mund ta votojë këtë ligj”, tha Hasani.
Në seancën e së enjtes, përveç Hasanit, nga PDK-ja kundër ka votuar edhe deputetja Lumnije Morina, ndërsa Hydajet Hyseni ka abstenuar. Po ashtu, si pjesë e koalicionit qeverisës, kundër projektligjit ka votuar edhe deputetja e AKR-së, Suzan Novobërdali. LDK-ja i ka dhënë mbështetje projektligjit, por ndryshe nga grupi parlamentar kanë votuar Vjosa Osmani, Armend Zemaj dhe Kimete Bytyçi, të cilët e kanë kundërshtuar këtë projektligj, ndërsa Lutfi Haziri ka abstenuar.
Ky i fundit thotë se neni 5 është i panegociueshëm sa i përket mundësisë së ndërrimit, por pjesa tjetër e projekligjit duhet të garantojë që drejtësia në Kosovë nuk do të dëmtohet nga amnistia.
“Kjo amnisti duhet të fitojë besimin e njerëzve, besimi i njerëzve mandej reflektohet edhe përmes votimit të deputetëve që besoj se në seancën e ardhshme mund ta arrijë mbështetjen e madhe, por unë jam nga ata që dua ta shoh projektligjin, dua të diskutojë dhe t’i gjejë arsyet e mia në mënyrë që vërtetë të besoj edhe në votim”, tha Haziri për Radio Kosovën.
Vetëm një ditë pasi në Kuvend dështoi miratimi në parim i Projektligjit për amnistinë, Qeveria riprocedoi këtë projektligj. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se është hequr tërësisht neni 3 dhe të gjitha veprat penale që kanë rezultuar me lëndime trupore dhe me vrasje.
Ndryshe, Projektligji për amnisti buron nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur në Bruksel nga kryeministrave të të dy vendeve më 19 prill.