2013-07-06

RADHA E EDIT


 Nga The Economist

Kryeministri tjetër i Shqipërisë do të jetë Edi Rama, lider i Partisë Socialiste. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, koalicioni i tij duket se do marrë 84 nga 140 vende në parlament- një fitore dërrmuese. Rezultati i jep fund tetë viteve qeverisje nga Sali Berisha i Partisë Demokratike të qendrës së djathtë, por Berisha ka qenë vërdallë më shumë se kaq. Asnjë shqiptar nën 30 vjeç nuk mban mend ndonjë kohë tjetër kur ai nuk ka qenë një prezencë dominuese politike.
Rama është ish- kryebashkiak i kryeqytetit, Tiranë. Në zgjedhjet e vitit 2009 ai akuzoi demokratët se i kishin vjedhur fitoren. Në vitin 2011 ai pretendonte se kishte fituar një mandat të ri si kryebashkiak, por demokratët ia rrëmbyen fitoren nga duart duke shtuar votat e hedhura në kutitë e gabuara. Një protestë në janar të po atij viti, bëri që katër mbështetës të socialistëve të vriten nga forcat e sigurisë, që qëllonin nga zyra e kryeministrit. Berisha e akuzoi Ramën se kërkonte ta rrëzonte nga pushteti me forcë.
Gjatë viteve të fundit, nën zotin Berisha, nisën të ndërtohen rrugë dhe infrastrukturë e re në të gjithë Shqipërinë. Çiklistët kanë korsitë e tyre në Tiranë dhe përgjatë rrugëve të reja në qytete që më parë ishin të rrënuar si Shkodra në veri. Pas fundit të komunizmit, rrugët në Shqipëri u shpërbënë. Kur ishte kryebashkiak, Rama transformoi Tiranën, duke shkatërruar shumë ndërtesa të shëmtuara dhe pa leje dhe duke ngjyrosur blloqet e vjetra me ngjyra të shndritshme.
Megjithatë infrastruktura e përmirësuar nuk e shpëtoi dot zotin Berisha. Përveç lodhjes pas tetë vitesh, një seri skandalesh e zhbënë atë. Pak nga peshat e rënda dolën ndonjëherë para gjyqit. Një prej tyre që doli, ishte Ilir Meta, lideri i një grupi të vogël të shkëputur nga socialistët, që u bë aleat me Berishën në vitin 2009, duke i mundësuar atij formimin e qeverisë. Një video u transmetua, në të cilën Meta shfaqej duke diskutuar për një ryshfet dhe duke u krenuar për ndikimin që kishte mbi një zyrtar të lartë të drejtësisë. Ai u gjykua dhe u shpall i pafajshëm. Në prill ai e braktisi Berishën dhe formoi një aleancë të re me Ramën, duke tronditur shumë socialistë, që druheshin se kjo do ulte sulmet mbi qeverinë për korrupsion.
Detyra që ka përpara zoti Rama është shumë e madhe, për shkak se siç thotë vetë, ai ka trashëguar një sistem që është kaq i kalbur. Ai është i mbushur me të përzgjedhurit politikë të Berishës, të cilët, sipas Piro Mishës, një analist vendas, kanë kontroll total mbi gjyqësorin dhe administratën publike. Ndjekja e interesave partiake duke përdorur pushtetin e shtetit, këtë herë kishte shkuar në ekstrem, thotë Misha.
Zgjedhjet i hapin rrugën Shqipërisë për t’u bërë kandidat zyrtar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Aplikimet e mëparshme janë refuzuar. Megjithatë rritja ekonomike dhe punësimi janë akoma sfidat e mëdha, edhe pse më pak se në disa vende fqinje. Lista zgjedhore ka 3.3 milion emra, por censusi i vitit 2011 tregoi se në Shqipëri ka 2.8 milion njerëz. Diferenca është se më shumë se një milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit, duke dërguar para në shtëpi dhe duke ndihmuar që të ulet papunësia- e cila, pavarësisht kësaj, akoma është në nivelin 12.8 përqind. Gjatë viteve të fundit remitancat kanë rënë, por Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që nuk ka rënë në recesion. Por as kjo nuk e shpëtoi zotin Berisha.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...