Charles Baudelaire është një nga poetët më të mëdhenj të shek. të 19të . Ai
njihet si ‘krijuesi i kritikës moderne’, i cili tronditi bashkëkohësit me
idetë e tij. Bashkë me Stèphane Mallarmè dhe Paul Verlaine, Baudelaire
bën pjesë në grupin e Dekadentëve. Tek “Piktori i jetës moderne” (Le Peintre De La
Vie Moderne – 1863), ai diskuton duke mbrojtur ‘artificializmin’, dhe shpjegon se
vetja është origjinale, sepse është egocentrike, ndërsa virtuti është artificial sepse
për të qënë të mire, ne duhet të shkojmë kundër impulseve tona natyrale.
Charles Pierre Baudelaire lindi në 9 Prill 1821, në Paris, ku dhe jetoi shumicën
e jetës së tij. Babai, François Baudelaire, ishte një ish-prift i ve dhe në moshën 60
vjeçare ai u martua me Caroline Dufaÿs, një 26 vjeçare, e cila ishte rritur jetime dhe
e varfër. Pas vdekjes së të jatit në 1827, e ëma u martua me Majorin, Jacques Aupick.
Baudelaire dhe Aupick kishin fillimisht mardhënie të mira , por në vitin 1830 ata
filluan të hasnin disa vështirsi në komunikimin midis tyre. Aupick, rrjedhimisht u bë
senator. Ai vdiq në vitin 1857. E ëma e Baudelaire ishte figura kryesore në jetën e tij
dhe martesa e saj e dytë si dhe ngjarje të tjera që shtynë në një ndarje midis tyre,
shkaktoi dhimbje të madhe për të. Tek ‘Një zemër e zbuluar’ (On Coeur Mis À à Nu
– 1897), ai ka shkruar : “Ndjenja e vetmisë prej fëmijrisë. Pavarësisht nga familja –
dhe mbi të gjitha kur isha i rrethuar nga fëmijë të moshës sime – kisha parandjenjën
se isha i destinuar të jetoja në vetmi të përjetshme.” Jean-Paul Sartre ka hedhur
mendimin tek libri ‘Baudelaire’ (1947), se ndarja e tij nga e ëma e shtyu të mendonte
se ai ishte një njeri i vetëm dhe se jeta e tij nuk kishte ndonjë vlerë.
Baudelaire studioi në shkolla konviktore. Fillimisht në kolegjin ‘Royal’ në Lyon
nga viti 1832 deri në vitin 1836 dhe më pas në liceun Louis-le-Grand, në Paris,
nga viti 1936 deri në 1939, nga ku dhe u përjashtua. Në 1840 ai filloi studimet në
degën e avokatisë në Ecole de Droit, edhe pse pasioni i tij ishte të shkruarit. Mendohet
se kjo ka qënë dhe koha kur ai u dha pas përdorimit të opiumit si dhe periudha
kur Baudelaire u sëmur me sifilis. Gjëndja shëndetsore e detyroi të futej në borxhe
dhe të mos mbaronte shkollën. Për dy vjet Baudelaire përdori lekët që i kish lënë i
ati, por me urdhër të këshillit gjykatës atij ju ndalua kjo lloj e ardhure. Pas këtij
urdhëri ai u mbështet tek e ëma, si për ndihmë financiare ashtu dhe për kujdes
shëndetsor. Shkas tjetër për borxhet e tij ishte dhe jetesa ekstravagante, nga e cila ai
nuk hoqi dorë pas sëmundjeve apo problemeve të tjera.
Në vitin 1841 kujdestarët e tij e dërguan në Indi si ndëshkim ndaj sjelljes së
shthurur, por rrugës ai ndaloi në Maurius ku dhe qëndroi për pak kohë, dhe kështu
nuk e vazhdoi më tej udhëtimin e nisur për në Indi. Gjatë kthimit në Paris, në vitin
1841, Baudelaire takoi Jeanne Duval, grua mulate, e cila u bë e dashura e tij si dhe
e frymëzoi të shkruante “Venusi I Zi”. Gra të tjera të cilat frymëzuan jetën e tij
ishin Mme Apollonie Sabatier (1857). dhe aktorja Marie Daubrun (1854-1855),
gjithsesi gjatë pjesës më të madhe të jetës, Baudelaire i ruajti mardhëniet me Jeanne.
Nga fund i viteve 1840, Baudelaire u morr me politikë. Ai luftoi në barrikada
gjatë revolucionit të vitit 1848 dhe po në këtë vit, bashkë-themeloi revistën “Siguria
publike” (Le Salut Public). Baudelaire ishte përkrahës i Proudhon ndaj dhe ishte
kunda kryengritjes së Louis-Napoleon Bonaparte në Dhjetor 1851. Pas kësaj periudhe
ai ju largua politikës dhe përqafoi ide dhe sjellje reaksionare.
Baudelaire publikoi novelën e tij të pare “La Fanfario”, në vitin 1847. Novela
flet për aspiratat artistike dhe lidhjet romantike të një shkrimtari të ri nga Parisi dhe
është vlerësuar për përmbajtjen e saj autobiografike si dhe për paraqitjen e teorive
aestetike të Baudelaire. Nga viti 1852 deri në 1865ën ai u morr me përkthimin e
shkrimeve të Edgar Allan Poe. Kur libri “Lulet e së keqes” (Les Fleurs Du Mal) doli
nga shtypi në vitin 1857, Baudelaire dhe gjithë personat e lidhur me shtypjen e
librit u ndoqën penalisht nga shteti dhe u quajtën fajtore për fjalor të shthurrur dhe
vulgaritet. Si rrjedhojë gjashtë nga poemat e këtij libri nuk u publikuan. Këto
poema u botuan në Bruksel, 1866 në përmbledhjen ‘Shkatërrimet’ ( Les Épavesto).
Për Baudelaire ‘dashuria’ ishte humbja e pafajsisë. Ai shkruan : "faire l'amour,
c'est faire le mal," të bësh dashuri është njësoj si të bësh keq. Por dashuria është në
të njëjtën kohë kënaqsia më e madhe dhe të bësh keq me qëllim është një burim epshi.
Në lidhje me këtë argument ai është shprehur : “pasi i studiova me kujdes thellësitë
e imagjinatave të mia, e kuptova se unë kam qënë gjithmonë i fiksuar pas pamundësisë
për të kuptuar disa nga sjelljet apo mendimet e njerzve, të grumbulluara
nga hipoteza e ndërhyrjes së një force të keqe nga jashtë.”
Edicioni i dytë i “Lulet e së keqes” me poema të reja, u publikua në vitin 1861.
Në atë kohë Baudelaire njihej dhe si kritik. Midis shokëve të tjerë, gjatë kësaj periudhe
ai shoqërohej dhe me Édouard Manet (1832-83), punimet e së cilit ishin refuzuar
vazhdimisht nga juria e “Sallonit të Parisit” (Salon de Paris – ekspozita zyrtare e arteve
të bukura në Paris). Pas ekspozitës të vitit 1845, Baudelaire parashikoi në një farë
mënyre në lidhje me Manet, duke u shprehur : "Ai do të jetë piktori i vërtetë i cili do të
mund të nxjerrë në pah anën epike të jetës së përditshme dhe do na bëjë të kuptojmë se
sa të mëdhenj dhe poetikë jemi, të veshur me gravatat dhe këpucët e llustruara.”
Edicioni më i vonshëm i librit “Lulet e së keqes” u publikua në 1868. Ky
edicion përmbante mbi 25 poema të papublikuara më pare. Essetë e Baudelaire mbi
artin janë publikuar nën emrin ‘Curiositès esthètiques” ndërsa ato mbi letërsinë dhe
muzikën janë publikuar në përmbledhjen “L’art romantique”. Baudelaire e urrente
poezinë filozofike (1846) sepse sipas tij ajo i përkiste një zhanri të fallcifikuar.
Në 1862 Baudelaire pësoi një infakt në zemër dhe problemet me shëndetin u
shtuan, kjo si pasojë dhe e përdorimit të opiumit, hashashit dhe alkoolit. Po në
1862, Manet pikturoi portretin e Jeann (e dashura e Baudelaire) titulluar 'La
Maïtresse de Baudelaire'. Në 1866 Baudelaire u kthye në Paris, pas një qëndrimi të
gjatë në Bruksel, ku kish jetuar në hotelin Le Grand Miroir. Gjatë kësaj periudhe ai
vizitoi Mechelen, Antwerp, Ghent, dhe Liège. Por më pas ai u sëmur rëndë dhe ju
desh të qëndronte në sanatorium. Inatin e tij në lidhje me Belgjikën dhe belgët e
shprehu në pamfletin “Pauvre Belgique!”. Baudelaire mallkonte dhe urrente gjithë
Belgjikën dhe belgët në veçanti qytetin e Brukselit, gratë e tij, burrat, fëmijët,
ushqimin, politikën etj Ai nuk mundi ta mbarronte librin me përmbledhje mallkimesh
për Belgjikën, por materiali i tij është shtypur në disa edicione.
Vitet e fundit të jetës së Baudelaire ishin të mbushura me probleme financiare dhe
shëndetsore. Ai vdiq në krahët e së ëmës, në 31 Gusht, 1867, në një klinikë në Paris.
Në një letër drejtuar së ëmës Baudelaire shprehet : “Siç duket na ishte shkruar ta
donim njëri tjetrin me sinqeritet dhe butësi të madhe, deri në fund të jetëve tona. Por duke pare veten dhe pozitën tonë, jam i bindur se njëri nga ne do të vrasë tjetrin.”
Rri urtë, o brenga ime...
Rri urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë;
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani;
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin,
Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi.
Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë,
Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
Të poshtër zhgryhen krejt ndërsa pendime u vinë,
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri
Larg tyre. Shih si kërrusen gjith'vjetët e harruar
Lart nga ballkoni i qiellit me petka të vjetruar,
Si ngrihet Mall' i hidhur nga ujrat buzëgaz;
Nën urë Diell i mekur si bje kur vjen ndajnata
Dhe, si qefin ne Lindje, nga hijet ndjekur pas,
Dëgjo, dëgjo, e dashur, si ecë e ëmbël Nata.
Stolite
E embla ime qe shtrirë krejt nudo, ashtu siç m’a donte mua shpirti
e në trup s’kish lenë asgjë tjetër veç stolitve të saj tingëlluese
e fort të çmuara që i jepnin një pamje e ajër tepër triumfues
të tillë si ai i skllevërve të Morëve në ditët e tyre më të lumtura ...
E, kur keto stoli tunden e shkunden me një tingellimë tallëse
në një botë vezulluese plot dritë metali e zafiresh,
une ndjej të hypi në ekstazë e të humbas në te zjarrtin tërrbim
mes gjërash ku tingujt përzihen në dritë e harrim...
E, ajo e shtirë mbi divan, e dorëzuar në ledhka dashurie
qeshte krejt e lëshuar e hareshëm nga lumturia,
qeshte me dashurinë time, të thelle e të embël si deti,
që ngjitej drejt saj si dallga mbi shkembënj...
Me sytë e saj çpues të ngulur mbi mua si një tiger i zbutur
me pamje të përhumbur e endërrimtarë merrte poza lozonjare
e më hidhte hidhte shigjeta shikimesh plot ledhka dashurie
e pamja e saj naive e sensuale shkriheshin plot nur e magji...