2013-07-22
Shënime për "Unë, Franc Kafka dhe Karta e Bolonjës" e Ridvan Dibrës
Për krijimtarinë letrare të Ridvan Dibrës (1959) kanë shkruar shumë pena të kulturës shqiptare. Disa nga krijimet e tij janë përkthyer dhe publikuar (ose pritet të publikohen) në disa gjuhë. Numri i librave të tij tani për tani sillet në rreth njëzet tituj, të botuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Libri i tij i fundit "Unë, Franc Kafka dhe Karta e Bolonjës" është një përmbledhje e disa shkrimeve të botuara më parë me disa të reja. Që në titull shfaqet simbolika e treshit (Unë, Kafka, Karta e Bolonjës), që pasohet nga një tresh tjetër, i organizimit të veprës në tri pjesë: Monumentet, Mitet dhe Misteret.
Ndërkaq, edhe një tresh me interes për të komunikuar me këtë libër dhe këtë autor gjendet në tregimin "Mbi dashurinë, misteret e rrëfimit dhe të tjera" ku narratori thotë se rrugët kryesore për ta kërkuar fabulën ("Heroi ynë") janë tri: Tek të tjerët, tek librat, tek vetja.
Ky treshi i fundit del i saktë edhe për të shpjeguar se nga furnizohen me energji frymëzimet dhe lënda e tregimeve dhe parabolave të librit më të ri të prozatorit shkodran. Vepra letrare nuk përbëhet veç nga tema, por edhe nga stili, mënyra e të shkruarit. Disa studiues e kanë njohur Dibrën si shkrimtar "postmodern".
A janë veprat e tij postmoderne?
Megjithëse autori është pedagog në universitet, në ndonjërin prej shkrimeve brenda këtij libri, shfaqen aluzione mospajtimi dhe shigjetohen disa nga kriteret e bëra normë vlerësimi në gjykimet tona të përditshme intelektuale, si dhe ka refleksione "cinike" por të mprehta, mbi sistemin e (pseudo)vlerave të instaluara përmes mediave, që kanë kapluar kulturën, shoqërinë dhe civilizimin bashkëkohor, sidomos të shqiptarëve.
Me këtë qëndrim, tejet kontestues dhe herë-herë parodizues në raport me traditën dhe historinë, ky libër ka shije postmoderne.
Asnjë prozator bashkëkohor shqiptar nuk eksperimenton aq shumë me tingullin (shkronjën), me fjalën, me fjalinë, me sintaksën, me semiotikën... Ridvan Dibra është një aventurier i madh i gjuhës, shpesh i befason lexuesit me rrëfimet e veta, edhe më shumë me mënyrat e rrëfimit.
Si dikur marinarët që me t'u kthyer në portin amë, për t'i magjepsur bashkëbiseduesit, realitetet e vërteta që kishin përjetuar i përzienin me copa të imagjinatës, edhe narratori (ose narratorët) e Dibrës lexuesve të vet u përshkruan ngjarje të imagjinuara për heronjtë e njohur (më pak të njohur, ose të panjohur) të mitologjisë, biblikës apo të antikitetit grek, me çka t'i kujton apokrifet, që paraqesin një nga format (mostrat) karakteristike procedimore të postmodernës.
Intertekstualiteti, aq shpesh i takuar viteve të fundit edhe në kulturën tonë letrare, si njëri nga tiparet e postmodernës, është shumë i pranishëm në këtë libër, kështu që një lexues i cili nuk ka fare njohuri mbi mitologjinë antike greke, Biblën e Kur`anin, i cili nuk i ka lexuar Kafkën, Kamynë, Borhesin..., nuk mund ta deshifrojë "koktejin" që i ofron Dibra.
Një risi të cilën ky autor sjell në letërsinë shqipe është ajo që Ardian Marashi e quan "rrëfim i dyfishtë asimetrik". Në disa krijime të veta, duke krijuar ai vazhdimisht eksperimenton, ashtu që dy fjalive të cilat gjenden njëra (para ose) pas tjetrës, ua ndryshon vetëm nga një apo disa fjalë dhe rezultati del krejtësisht tjetër, paraqiten variacione të shumta, shpeshherë befasuese.
Pa dashur të shes receta shkrimi, si dhe duke mos synuar të cenoj autonominë e shenjtë të krijuesit për të shkruar ashtu si ai zgjedh, kjo formë e të shkruarit, që duket aq freskuese dhe e pëlqyeshme në krijime të veçanta, po të shndërrohet në konstantë stilore, në vete bart rrezikun e kalimit në njëfarë përsëritjeje mekanike pjesësh rrëfimore me ca ndryshime të vogla dhe rënies në ekzibicionizëm që do të ishte qëllim i vetvetes.
Tani për tani, Dibra është jashtë këtij rreziku, kurse veprat e tij duke qenë rishtare te ne në aspektin formal, nuk janë monotone, por janë "ndryshe". "Ndryshe" në kuptimin krijues pozitiv.
Ky narrator është "i parehatshëm", atij i pëlqen të luajë me format dhe llojet letrare dhe kjo shkon aq larg saqë edhe për një studiues të përgatitur teorikisht, mund të mos jetë e lehtë të gjejë se cilit tip i takojnë "copat e prozës" siç janë "Erdhën robotët" ose "Dhjetë monumentet" (?)... Sa është e domosdoshme që lexuesi të dijë se për çfarë lloji letrar bëhet fjalë, kjo është një çështje tjetër.
Me këto proza autori del postmodernist edhe për arsye se në to ai shlyen kufirin midis tregimit, parabolës dhe komentit. Gjithashtu ai shlyen kufijtë në mes faktuales, fiksionales dhe mitikes.
Kështu ai dëshmon se mund të shkruhet bukur e në mënyrë të pëlqyeshme edhe kur mungon fabula, kur vëmendja e lexuesit nuk magjepset nga ajo që thuhet, por nga mënyra e rrëfimit. Personazhet e tij janë prej fjalësh dhe frymës, atyre u mungojnë tiparet fizike.
Ridvan Dibra tërheq vëmendjen edhe pse në shkrimet e tij dekonstrukton mitet kombëtare apo universale, parodizon hierarkitë bashkëkohore dhe historike, ua luhat tokën nën këmbë projektuesve të sistematizimeve të mëdha.
Në kulturën tonë letrare glorifikimi i veprave dhe shkrimtarëve është shndërruar në normë, prandaj edhe ndodh shpesh që kritikat të mos merren me seriozitetin e duhur nga vetë ata të cilëve u adresohen.
Prej frikës se duke shprehur vlerësime negative do të kontribuohej në zvogëlimin e mëtejshëm të numrit të lexuesve, shkruhen recensione dhe kritika kryesisht apologjetike.
Gjykuar sipas tyre, fitohet bindja se te ne shkruhen dhe botohen veç kryevepra... Vepra të realizuara mirë gjithsesi ka, por nuk janë të gjitha. Kjo më pastaj krijon një konfuzion te lexuesi, sepse kritika nuk e bën punën e vet ashtu si duhet: kritikon fare pak, e glorifikon shumë.
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...