2013-07-06

Të kesh një sekret dhe të mos e zbulosh nuk do të thotë të gënjesh

Sekreti është një informacion që nuk zbulohet apo më saktë që nuk duhet të zbulohet, sepse – po të ndodhte – do të sillte dëm për atë që e zbulon dhe nganjëherë edhe për atë që e merr. Në këtë kuptim flitet për sekrete shtetërorë, sekrete zyre, sekret bankar, sekret ushtarak, sekret industrial, mes të cilëve për shembull është ai që ruhet në Atlanta e që ka të bëjë me formulën e Coca Cola-s. Sekrete të tillë shpesh herë shkelen për shkak të urdhërit të forcave hetuese, për hapje të arkivave shtetërorë, prej pakujdesisë, prej tradhëtisë, dhe në mënyrë të veçantë prej spiunazhit…
Mbajtja e një sekreti i detyrohet privatësisë, dhe bën pjesë në privatësi edhe sekreti personal që ndonjëherë ikën bashkë me vdekjen e mbajtësit. Privatësia nuk ka të bëjë vetëm me akte të parrëfyeshëm, sepse dikush në mënyrë të drejtë mund të dëshirojë që të mos bëjë të njohura sëmundjet e tij, tendencat seksuale, obsesionet. Kjo e drejtë për fshehtësi vjen e humbet gjithnjë e më shumë vlerë në shoqërinë tonë masmediatike dhe informatike, ku heqja dorë nga privatësia merr formën e eksibicionizmit.
Zhduket ajo valvul shkarkimi, në pjesën më të madhe dobiprurëse, që ishte thashethemi. Thashethemi klasik, ai që bëhej në fshat, në bar a në tavernë, ishte një element kohezioni social sepse ata që merreshin me thashethemin në vend që të shijonin fatkeqësitë e viktimave të thashethemit, provonin apo shfaqnin dhimbsuri. Kjo megjithatë funksiononte nëse viktimat nuk ishin të pranishme dhe nuk e dinin që ishin të tilla (ose bënin gjoja sikur nuk e dinin).


Tani televizioni ka ideuar emisione ku çdokush mund të bëhet viktimë e famshme duke u paraqitur e bërë thashetheme për vetveten. Dhe janë shfaqur në filmime persona që diskutonin me bashkëshortin a bashkëshorten tradhëtitë e tyre reciproke, apo diskutonin raste divorci në të cilët analizoheshin pa mëshirë paaftësitë e tyre seksuale…
Pas përfundimit të epokës së fshehtësisë, mbijeton nga ana tjetër prej mijëvjeçarësh ideja e sekretit të mistershëm – ose më saktë hermetik dhe okulistik. Në një periudhë të krizës së racionalizmit klasik gjatë shekullit të dytë pas Krishtit, bota pagane kishte gjithnjë e më shumë prirjen që të identifikonte të vërtetat me sekretin, ose më saktë atë që thuhej në mënyrë të fshehtë. Një urtësi, për të qenë vërtetë sekrete, duhej që të ishte ekzotike. Në mënyrë të veçantë Lindja ishte antike dhe fliste gjuhë të panjohura, kështu që duhej të përmbante një pjesë të atij sekreti që vetëm hyjnitë mund ta njihnin. Fillon këtu të krijohet një lloj bindjeje që do të ketë një përhapje të madhe pranë qarqeve okultistikë, deri më sot, që e vërteta është një sekret, i cili zotërohej nga mbrojtësit e lashtë të një tradite që tashmë është humbur.
Mbi trashëgiminë e çdo doktrinë që paraqitet si e fshehtë vlen historia e rosikrusanëve. Në vitin 1614 shfaqet një manifest, Fama Fama Fraternitatis i pasuar në 1615 nga një tekst i dytë Confessio fraternitatis Rosae crucis. Ad eruditos Europae. Mes metaforave alkimiste dhe thirrjeve pak a shumë mesianike, manifestet insistojnë në karakterin e fshehtë të vëllazërisë dhe mbi faktin që pjesëtarët e saj nuk mund ta zbulojnë natyrën e saj. Megjithatë, i bëjnë thirrje të gjithë të diturve të Evropës që të marrin kontakt me përfaqësuesit e shoqërisë.
Pothuajse në mënyrë të menjëhershme, nga çdo anë e Evropës nisin të shkruhen apele për rosikrusanët. Askush nuk pohon që t’i njohë, askush nuk thotë se u përket, por të gjithë në një farë mënyre përpiqen të lënë të kuptohet se janë në sintoni absolute me atë program. Kështu ata që pohojnë se janë rosikrusanë, në të vërtetë nuk janë. Si pasojë, jo vetëm nuk ekzistojnë prova historike të ekzistencës së rosikrusanëve fillestarë dhe Amorc, (Anticus et mysticus Ordo rosae crucis), të cilit mund t’ia vizitoni ende tempullin paraegjiptian në San Jose, California, pohon që tekstet fillestarë që legjitimojnë urdhërin sigurisht janë, por për arsye të kuptueshme do të mbeten të fshehtë e të mbyllur në arkiva të pashkelshëm…
Simmel kujtonte se karakteristika tipike e shoqërive të fshehta është padukshmëria – dhe po ta mendosh mirë janë dashur gjithmonë shoqata të fshehta si ato të Carbonarëve. Pastaj, që shumë prej Carbonarëve përfunduan në gijotinë apo përpara një toge ekzekutimi kjo nuk varet shumë nga fakti që sekreti i tyre u zbulua, por më shumë nga fakti që, nëse qëllimi i një shoqate të fshehtë është që të shkaktojë një trazirë, sekreti përfundon së qenuri i tillë kur trazira shpërthen. Ose më saktë, ka sekrete, që përfundojnë së qenuri të tillë kur ngjitja ka sukses apo dështon. Arsyet e popullaritetit të madh të rosikrusanëve është që ata lajmëronin për një sekret, e më pas flisnin për gjithçka, përveçse për natyrën e sekretit.
Kështu ndodhte edhe me masonerinë skoceze që, në konflikt me Lozhën e Madhe londineze, kishte zgjedhur simbole dhe rite që mund të bënin evident lidhjen e tyre me traditën templare dhe rosikrusane. Kështu gradët e inicimit shumëfishoheshin deri në numrin 33. Tani autori i një prej përcaktimeve më të bukur të sekretit Masonik është Giacomo Casanova: “Ata që hyjnë në masoneri vetëm për t’i kuptuar sekretin mund të mbeten të zhgënjyer: në fakt atyre mund t’u ndodhë që të jetojnë për pesëdhjetë vite si Mjeshtra Masonë pa ia dalë. Misteri i masonerisë është për vetë natyrën që ka i pazbulueshëm. Masoni, kur e ka njohur, kujdeset shumë që të mos e ndajë me askënd. Misteri do të mbetet përgjithmonë i tillë. Ajo që ndodh në Lozhë duhet të mbetet e fshehtë, por ata që janë jo aq indiskretë dhe pak skrupulozë sa ta zbulojnë nuk zbulojnë thelbin: si munden, nëse nuk e njohin? Po ta njihte sekretin, nuk do ta zbulonte”. Kështu, sekreti i fillimit është një sekret-mister që nuk mund të transmetohet, që nuk mund të mësohet. Duhet vetëm të kuptohet, pak nga pak përgjatë procesit të maturimit. Është një sekret, pra, që nuk mund të zbulohet dhe nuk mund të tradhëtohet.
Nga viti 700 e më vonë si pasojë e fshehjes së sekretit dhe padukshmërisë së shoqërisë sekrete, shfaqet legjenda e Eprorëve të Panjohur, që drejtonin fatet e botës. Në vitin 1789 Markezi de Luchet paralajmëronte: “Është formuar në brendësi të errësirës më të madhe një shoqëri qeniesh të reja që njohen pa u parë asnjëherë… Kjo shoqëri përshtat prej regjimit jezuitik bindjen e verbër, nga masoneria provat dhe ceremonitë e jashtme, nga templarët shtytjet e nëndheshme dhe guximin e pabesueshëm”.
Për idenë e grupeve të fshehtë që në mënyrë okulte dominojnë zhvillimin e ngjarjeve botërore vazhdohet të mendohet edhe sot dhe mjafton të lundrosh në internet për të parë diskutime të ndryshëm për Trilateralen apo Grupin Bilderberg, sikur të ishte një mister që politikanë, industrialistë dhe bankierë takohen pa pasur nevojë për mbledhje publike, për të vendosur mbi strategjitë e tyre ekonomike. Sindroma e komplotit është zhvilluar me fantazi më të madhe në rastin e shkatërirmit të Kullave Binjake, komplot që i është atribuar herë planeve të fshehtë të Bushit, herë hebrenjve e kështu me radhë, në kërkim të formulave të fshehta që do të shpjegonin gjithçka.
Në internet do të gjeni që fjala New York City ka 11 gërma, Afghanistan ka 11 gërma, Ramsin Yuseb, terroristi që kishte kërcënuar të shkatërronte Kullat, ka njëmbëdhjetë gërma, George Ë. Bush ka 11 gërma, dy kullat binjake formonin një shifër 11, New Yorku është shteti i njëmbëdhjetë i Shteteve të Bashkuara, avioni i parë që u përplas me kullat ishte fluturimi numër 11, në këtë avion kishte 92 pasagjerë dhe 9 plus dy bëjnë 11, fluturimi me numër 77 që u përplas edhe ai me kullat kishte 65 pasagjerë dhe 6 plus 5 bëjnë 11, data 9/11 është e njëjtë me numrin e emergjencës në Amerikë, 911, shuma e brendshme e të cilit është sërish 11. Totali i viktimave të të gjithëve avionëve të rrëmbyer ishte 254, shuma e këtyre tre numrave është sërish 11. 11 shtatori është dita e 254 e kalendarit vjetor dhe shuma e brendshme është sërish 11.
Në të vërtetë New York ka 11 gërma nëse i shtohet fjala City, Afghanistani ka 11 gërma, por rrëmbyesit nuk ishin afganë, por vinin nga Arabia Saudite, Egjipti, Libani dhe nga Emiratet Arabe, Ramsin Yuseb ka 11 gërma, por nëse në vend të Yuseb do të ishte përkthyer Yussef loja nuk do të kish funksionuar. George W. Bush ka 11 gërma vetëm nëse futet iniciali i mesëm, kullat binjake krijojnë një 11, por dhe një 2 me shifrat romale, fluturimi 77 nuk goditi një nga kullat, por Pentagonin dhe nuk kish 65, por 59 pasagjerë, totali i viktimave nuk ka qenë 254 por 265 e kështu me radhë…
E megjithatë, njerëzit janë të etur për sekrete, dhe ata që thuhet se zotërojnë një sekret ende të pazbuluar fitojnë gjithmonë një formë pushteti, sepse kushedi se çfarë mund të zbulojnë një ditë. Ka qenë gjithmonë parim i policive dhe shërbimeve të fshehtë të gjysmës së botës që bëhesh edhe më i pushtetshëm sa më shumë gjëra që të dish, apo të tregosh se i di. Nuk ka rëndësi në janë të vërteta. E rëndësishme është të bësh të besojnë se zotëron një sekret. Dhe shembja e një shërbimi të fshehtë ndodh kur hapen arkivat apo kur dikush si Wikileaks arrin t’i nxjerrë zbuluar. Atëherë zbulohet se raportet e fshehtë të shërbimeve dhe të ambasadave ishin zakonisht të përbërë nga dosje ku kishte përmbledhje të shtypit, që qarkullonin lirisht përpara se spiunët dhe agjentët t’i shndërronin në zbulime të rezervuar.
Si mund të ruhet pushteti që buron nga zotërimi i një sekreti duke shmangur që sekreti i pretenduar të bëhet publik? Duhet të mburresh me një sekret bosh. Të kesh një sekret dhe të mos e zbulosh nuk do të thotë të gënjesh, është një formë ekstreme fshehtësie. Por të thuash që ke një sekret, ndërkohë që ky nuk ekziston, do të thotë të gënjesh në lidhje me sekretin. Simmel kish kujtuar se kjo ndodh me fëmijët, tek të cilët “është motiv krenarie dhe mburrjeje fakti që njëri mund t’u thotë tjetrit: unë di një gjë që ti nuk e di”.
Pseudo sekreti i fëmijëve ka efekt vetëm mbi një fëmijë tjetër, por pseudo sekreti i shumë grupeve (apo i shumë shërbimeve të fshehtë) ka efekt mbi të rriturit që kanë dëshirë të penetrojnë në sekrete, që do të thotë se janë gjithmonë të prirur të pranojnë se këta ekzistojnë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...