2013-08-09

Blushi: Letërsia të jetë e depolitizuar

Ben Blushi



Letërsia e shqipe dominon tregun e botimeve në Shqipëri. Nëse vetë botuesit apo shkrimtarët janë shprehur se në vend botohet më shumë letërsi e huaj, shifrat e publikuara dje, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, tregojnë të kundërtën. Sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare, në Shqipëri gjatë vitit 2012 janë botuar gjithsej 1675 libra. Prej tyre, 545 janë letrarë, të grupuar si më poshtë: 127 tituj nga autorë të letërsisë botërore dhe 373 tituj nga autorë të letërsisë shqipe (veprat e letërsisë shqipe janë gati trefishi i veprave të letërsisë botërore). Tridhjetë e një tituj janë literaturë kritike. Nga 127 titujt e letërsisë botërore, 23 janë nga letërsia e traditës (gati trefish më shumë janë veprat e letërsisë bashkëkohore). Nga 373 titujt e letërsisë shqipe, 23 janë nga autorë të traditës. Letërsia për fëmijë zë 39 tituj, nga të cilët 19 janë autorë të përkthyer nga letërsia botërore dhe 20 janë shkruar nga autorë shqiptarë. Klasifikimi në gjini letrare i të gjithë veprave të botuara në Shqipëri në vitin 2012 nxjerr dominante poezinë në letërsinë shqipe me 201, nga 373 gjithsej dhe prozën në letërsinë e përkthyer me 120 nga 127 gjithsej. Por shifrat e larta të botimeve shqip nuk justifikojnë “ujërat” që mund të gjenden në to. Vetëm një pjesë e konsiderueshme e këtyre botimeve mund të kenë vlera të mirëfillta letrare. Ndryshe nga vite të tjera, Dita Ndërkombëtare e librit u shoqërua me një sërë aktivitetesh. Ajo nisi me promovimin e librit “Luani i Epirit-Ali Pasha dhe Suli” i autorit Spiro Mela nga Akademia e Athinës në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Për këtë botim referuan drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, dhe studiuesi Moikom Zeqo. Ministri i Kulturës, Visar Zhiti, mblodhi në një tryezë në “Frends Book House” botues të ndryshëm për të diskutuar mbi librin. “Është libri që na mbledh, pikëtakim ky i kohëve dhe brezave, i të shkuarës me të ardhmen. Libri në vetvete ka vetëm të tashme, çastin e leximit, të shndërruar në përjetësi, teksa tani na jep mundësinë të kremtojmë e të shkëmbejmë mendime, pikëpamje e emocione”, tha Zhiti. Duke qenë se simboli i kësaj dite është dhurimi i librave, Ministria e Kulturës dhuroi një fond të konsiderueshëm botimesh të financuara prej saj me karakter albanologjik, disa prej bibliotekave si ajo e Qytetit Studenti, Fakultetit të Filologjisë në Tiranë, bibliotekave publike në Lushnjë, Shkodër, Durrës, Korçë, Berat, Elbasan, Fier, Muzeut Historik Kombëtar, ambasadave, si dhe bibliotekave të burgjeve. Një sërë aktivitetesh për librin ka mbajtur dje dhe Fakulteti i Histori Filologjisë. Ambientet e fakultetit ishin të mbushura me stendat e shtëpive botuese që çdo vit ftohen të ekspozojnë në këtë ditë. Dita e librit nisi me një memoriam për dy profesorët e ndjerë të këtij fakulteti, prof. Myzafer Xhaxhiu dhe prof. Nexhip Gami. Më pas, në një “Takim me Lasgush Poradecin”, e bija Marie Gusho dhe profesorët Bardhyl Matraxhiu dhe Kastriot Gjika folën mbi vlerat e poezisë së tij. Në këtë ditë, ky departament prezantoi dhe disa botime të profesorëve që japin mësim prej vitesh në të, si libri i prof. Floresha Dado “Andon Zako Çajupi: jeta politike dhe vepra letrare”, “Bota Shqiptare 2012”, Dhurata Shehri: “Statusi i kritikës”, “Albas 2013”, Agron Gjekmarkaj: “Letërsia fantastike e Kadaresë” dhe Vjola Isufaj “Rikthim i mitit në veprën e Ismail Kadaresë”. Një tryezë e rrumbullakët ku u prezantua dhe revista e studimeve albanologjike « Letra 4 », mblodhi në një debat , shkrimtarë, gazetarë të kulturës, Ndër temat më të ndjeshme të sjella para vëmendjes nga të pranishmit, ishin problemet me të cilat hasen sot letërsia dhe botimet shqipe. Mungesa e përkthimeve cilësore, apo mungesa e një kritike më të specializuar për librin, orientimi i lexuesve drejt librit, e drejta e autorit etj., ishin disa nga temat e diskutuara. I pranishëm në tryezë, shkrimtari Ben Blushi, tha se kjo ishte hera e parë që pas mbarimit të studimeve 20 vjet më parë që ngjiste shkallët e këtij fakulteti. Blushi mbajti një qëndrim kritik ndaj departamentit të letërsisë që, sipas tij, duhet të rikthejë vëmendjen nga autorët shqiptarë. Gjykimi i një shkrimtari shqiptar pas viteve ‘90, sipas tij, gjykohet kryesisht nisur nga jeta e tij. Duke kërkuar ndarjen e shkrimtarit prej veprës, Blushi i ka kërkuar fakultetit të qëndrojë i depolitizuar, duke u ngritur në nivelin që i takon një institucioni të tillë të letrave. Duke bërë paralelizma me kohën e studimeve të tij, ku shumë autorë e shumë çështje ishin të censuruara, Blushi kërkoi më shumë vëmendje ndaj studentëve, duke edukuar një brez që do të rritet me një tjetër dimension mendimi në fushën e kritikës, apo leximit. Dita e librit kulmoi me një tryezë diskutimi mbi librin më të fundit të shkrimtarit Ismail Kadare “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”. Persida Asllani, e cila shoqëron me një parathënie këtë botim, foli mbi magjinë e prozës së Kadaresë. Ndërsa Afërdita Cesula, nga shtëpia botuese “Onufri”, tha se ky ent botues është duke përgatitur botime të tjera nga ky shkrimtar, të cilat janë marrë sërish nga arkivi i tij, si dhe më vonë do të përgatitet një përmbledhje nga ditari i tij.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...