2013-08-09

“Në shtratin e tij kurrë s’kam lexuar”


Nën regjinë e Sesilia Plasarit, në skenën e Teatrit të Komedisë u dha premiera e komedisë “Kasollja e vogël”
ne shtratin e tij
Çfarë është tradhtia? Cili është morali i një lidhjeje? André Roussin, dramaturg bashkëkohor francez e ka ngritur gjithë teatrin e tij mbi pyetje që kërkojnë tu japin përgjigje çështjeve të ndjeshme të shoqërisë sot. Historitë e tij, në dukje të thjeshta, herë plot humor, thumbojnë thellë vese njerëzore, të hershme sa dhe vetë teatri. Historia që ai tregon në “Kasollen e vogël” që erdhi në skenën e Teatrit të Komedisë premierë të dielën nën regjinë e Sesilia Plasarit, në dukje duket e thjeshtë dhe argëtuese. Është historia e një çifti parisien. Një financier i suksesshëm dhe bashkëshortja e tij e bukur, ish-këngëtare dhe miku i tyre i ngushtë, i cili ishte dhe i dashuri i gruas. Prej gjashtë vitesh Suzana (Ina Gjonçi) jetonte një lidhje dashurie të fshehtë me shokun e ngushtë të bashkëshortit të saj Marti (Lulzim Zeqja). Nëse një ditë pas një aventure në det nuk do të kishin përfunduar në një ishull të vetmuar, jeta e tyre do të vazhdonte si më parë… takime të fshehta, orë të tëra dashurie, ndërsa Filipi (burri, që interpretohet nga aktori Genc Fuga) ndodhej në punë… Por mbetja në ishull do t’i vendosë ata përballë të vërtetës. Ankthi i të dashurit që s’mund të duronte teksa e dashura e tij ndante shtratin mbrëmjeve me të shoqin, do ta detyronte atë t’i thoshte atij të vërtetën. “Prej 6 vitesh Suzana është e dashura ime”, i thotë ai, mikut të vjetër, duke e detyruar me argumente të pranojë një marrëveshje gati-gati ekstreme. Për sa kohë jetojnë në ishull, ata do ta ndajnë Suzanën, një javë njëri dhe një javë tjetri. Në mungesë të shoqërisë dhe rregullave të moralit shoqëror, kjo duket jo vetëm zgjidhja e vetme, por edhe një fund i lumtur. Tashmë të tre mund t’i gëzohen parajsës tokësore dhe të jetojnë bashkë si një familje e lumtur. Por duket se kjo nuk është zgjedhja e duhur për dashnorin, i cili sërish nuk mund të pranojë prekjet dashurore të të shoqit. Në fund të aventurës së tyre në ishull, para se një anije t’i shpëtojë, një tjetër i mbijetuar trazon jetën e tre personazheve. Është kuzhinieri i anijes (Florian Agalliu), i cili shfaqet sikur është i biri i një mbreti fisesh të egra, dhe në këmbim të lirisë kërkon të flejë me Suzanën në kasolle. Pas kësaj ngjarjeje shtohen pikëpyetjet në mendjen e dashnorit, mbi të dashurën e tij. “Fakti që ajo shkoi aq lehtë me kuzhinierin, duke menduar se ai ishte i biri i mbretit, do të thotë se ajo e ka bërë edhe më parë këtë. Na ka tradhtuar të dyve”, i thotë ai mikut të tij… Gjuha e përdorur nga Roussin në këtë komedi është e thjeshtë, dhe depërton menjëherë te publiku. Tri personazhet kryesore të tij ishin zgjedhur me kujdes nga Plasari, duke e sjellë në një formë tepër reale fabulën. Në rolin e bashkëshortit të tradhtuar, Genci Fuga solli një interpretim mbresëlënës, duke u futur thellë nën lëkurën e Filipit, e duke e sjellë atë ashtu si Roussin e kishte krijuar. Skenografia e Genc Shkodranit, i jepte një tjetër dimension të dashur skenës, duke sjellë një ishull të vërtetë. Rëra, por edhe pemët e bananes, ideja e një topi të madh që ngjasonte herë si hënë e herë si diell, u shkonte dialogëve dashurorë. Aktorja e re, Ina Gjonçi, për gati dy orë ishte gruaja që jetonte mes pasionit të dy burrave, rol të cilin duket se Plasari nuk kishte gabuar në zgjedhje. Tepër energjike në skenë, Gjonçi ishte një grua e lirë, e gatshme për të bërë kompromise, dhe për të fshehur me stil atë çfarë ajo donte me të vërtetë… Lulzim Zeqja arriti të sillte një dashnor të shqetësuar, ashtu si në të vërtetë janë të gjithë ata që dashurojnë vërtet. “Kasollja e vogël”, një zgjedhje e Plasarit, tregoi se përtej veprave të njohura klasike të dramaturgjisë botërore, publiku ka nevojë të shohë dhe teatrin bashkëkohor, atë që ndoshta nuk filozofon, por sjell në skenë jetën në formën e saj më të thjeshtë. Kjo komedi është një akuzë plot stil për moralin dhe dëshirat njerëzore. Roussin vë në gojën e personazheve fjali të cilat kërkojnë të shpjegojnë dhe pikëpyetjet që ngre teatri i tij. “Në shtratin e tij kurrë s’kam lexuar”, thotë Suzana, teksa i tregon të shoqit mbrëmjet që ka ndarë me të dashurin. Jo pa qëllim, një libër është pjesë e skenografisë, ku gruaja mbrëmjeve mbështet kokën në gjoksin e të shoqit, dhe kthen shtratin që duhet të ishte i pasionit në orë leximi… Vepra shtron pyetje mbi natyrën njerëzore, raportin e individit me veten dhe bashkësinë, marrëdhënien në çift etj., të cilat mund të përmblidhen në dilemën e madhe filozofike: Të kesh apo të jesh? Çfarë është më e rëndësishme? Këtë përgjigje Roussin ia lë shikuesit ta thotë, teksa e ka ftuar të shohë brenda një martese…

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...