Në fillim të viteve ‘90, zonja Sojli austriakja kishte sjellë në familjen e shkrimtarit Ismail Kadare ndryshime të mëdha. Sipas kujtimeve të së shoqes, Elena, së pari kishte ndodhur që në shtëpi të përdorej fjala zonjë në vend të shoqe, që përdorej rëndom asokohe, pastaj vajza e tyre, asokohe e vogël Gresa, kishte nisur të belbëzonte fjalët e para në gjermanisht. Pastaj duket se familja Kadare është zënë në hall. Sapo kishte nisur periudha e “luftës kundër liberalizmit” dhe e “qarkullimit të kuadrit”. Pasja e një dadoje mund të merrej si një shenjë e “degjenerimit borgjez”, kështu që zonja Sojli u detyrua të kthehej sërish në shtëpinë e saj në rrugën “Bardhyl”. Dimë fare pak gjëra për zonjën Sojli. Nipërit e mbesat e saj të shumta e mbajnë mend si një grua autoritare, që komandonte në një familje të madhe, ku bashkëjetonin vëllezër, nuse, motra, kunata, fëmijë, e pleq. Por nuk dinë të thonë detaje të mëtejshme të jetës së saj. Kjo edhe për faktin se gjyshi i tyre, Xhemal Sojli, u pushkatua nga milicia pronaziste në masakrën e 4 shkurtit në Tiranë. Kemi në dorë dëshminë e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, në të cilën shkruhet: “Xhemal Avdulla Sojli. Lindur në Strugë më 1893. Në një familje patriotike. Punonte si mësues në Normalen e Elbasanit. Për veprimtarinë revolucionare pushohet nga puna më 1943. Pas formimit të PKSH-së familja Sojli u lidh me Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Strugë. Në shtëpinë e tij bëheshin mbledhje. Kanë strehuar anëtarë të Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste. Më 1942 ka mbajtur lidhje me çetën e Mokrës për krijimin e bazave të para partizane. Është arrestuar dhe dërguar në Burgun e Tiranës. Në verën e 1943 shkoi në çetën e Mokrës. Qëndroi tre muaj në zonën e lirë për të zhvilluar propagandë për demaskimin e Ballit Kombëtar. Ka marrë pjesë në Brigadën I në luftën e Gjyrës. Kthehet në Tiranë. Arrestohet dhe u pushkatua më 4 shkurt 1944 nga pushtuesit gjermanë dhe tradhtarët e brendshëm. Është varrosur në varrezat e dëshmorëve të atdheut në Tiranë”. Kur u pushkatua, Xhemal Sojli ishte 51 vjeç. Nga një foto e mbërthyer mbi dokumentin e dëshmorit na “sheh” një portret i lodhur me flokë të rënë, me shikimin e trishtë pas syzeve. Duket shumë më i moshuar sesa ishte në të vërtetë. Kështu zonja Sojli mbeti vetëm me tre djemtë e saj, Galipin, Mentorin, Asllanin. Zonja për të cilën po shkruajmë është Greta Bruha, e bija e Antonit dhe Betit, e lindur në Vjenë më shkurt 1897. Në gazetën “Kuvendi” të 13 majit 1919 botohet një shkrim, i cili bën fjalë për 30 bursistë gjimnazistë shqiptarë, të cilët po ktheheshin nga Welsi, pranë Linzit, në Shqipëri nëpërmjet Italisë, sepse tashmë Austria e mundur në Luftën e Parë Botërore, nuk mund t’i mbante më me bursë. Mes tyre figuron edhe emri i Xhemal Sojlit. Pikërisht asokohe duhet të ketë ardhur në Shqipëri dhe Greta, e cila më pas, mbase për t’u bërë qejfin njerëzve të burrit, u bë nënshtetase shqiptare me një emër tipik mysliman, Jegjane. Pas vrasjes së të shoqit, duket se krejt jeta e Gretës nga Vjena u përqendrua te familja. “Ishte gjithnjë prezente dhe vendoste për gjithçka”, kujton Vladimir Sojli, djali i Mentorit. “Ishte aq e dhënë pas familjes, saqë neve shpesh na bënte çudi. Në shtëpi është folur shqip. Gjyshja kishte mësuar shqip qysh herët. Në fakt gjermanishten nuk e mësuam edhe disi prej neglizhencës sonë….” Zonja Sojli mbylli sytë më dhjetor të 1979-s.
Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane
Nga Flori Bruqi,PHD Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...