Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk po shqyrtojnë dërgimin e trupave tokësore, nëse ndërmerren veprime ushtarake
Presidenti Barak Obama thotë se po vazhdon të analizojë opsionet për operacione “të kufizuara” ushtarake në përgjigje të sulmeve kimike të 21 gushtit në Damask. Presidenti Obama i bëri komentet pasi Sekretari i Shtetit John Kerry foli për rezultatet e një raporti nga shërbimet e zbulimit ku ai thotë se konfirmohet përgjegjësia e qeverisë siriane për sulmin.
Presidenti Obama i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para një takimi me Presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
Zoti Obama ishte takuar më parë me këshilltarët e tij për sigurinë kombëtare për të analizuar opsione ushtarake në përgjigje të sulmit me armë kimike në kryeqytetin sirian.
Presidenti iu referuar raportit të fundit nga shërbimet e zbulimit, ku ai tha se jepen hollësi “me bindje të lartë” se qeveria e Presidentit al-Assad ka kryer sulmin.
"Ky lloj sulmi përbën sfidë ndaj botës. Ne nuk mund të pranojmë një botë ku gra e fëmijë, civilë të pafajshëm vriten me gaz kimik në një shkallë të tmerrshme. Ky lloj sulmi kërcënon interesat tona të sigurisë kombëtare, duke shkelur normat ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike”.
Zoti Obama foli për kufizimet mbi çdo veprim që ai mund të vendosë të merret:
"Në asnjë rrethanë nuk po diskutojmë ndonjë operacion ushtarak që do të kërkonte dislokimin e trupave në terren, apo ndonjë fushatë afat-gjatë, por po analizojmë mundësinë e një sulmi të kufizuar me objektiv të ngushtë, që do të ndihmonte për të garantuar se jo vetëm Siria por edhe të tjerë në mbarë botën do të kuptojnë se komuniteti ndërkombëtar është i përkushtuar seriozisht për të ruajtur normën e ndalimit të armëve kimike”.
Më parë, Sekretari i Shtetit John Kerry akuzoi Presidentin sirian Bashar al-Assad për “një krim kundër ndërgjegjes dhe njerëzimit”, duke thënë se informatat e shërbimeve të zbulimit tregojnë se qeveria siriane ishin në dieni të sulmit që po përgatitej:
"E dimë se për tri ditë para sulmit, personeli i qeverisë siriane për armët kimike ishte në këtë zonë duke bërë përgatitjet. E dimë se elementë të regjimit sirian ishin informuar të përgatiteshin për sulmin duke vënë maska kundragazi dhe duke marrë masa që lidhen me armët kimike”.
Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e dinë se raketa me mbushje kimike ishin hedhur nga territori nën kontrollin e regjimit në drejtim të lagjeve që kontrollohen nga opozita.
Raporti amerikan i shërbimeve të zbulimit thotë se një zyrtar i lartë i regjimit ishte në dieni të sulmit dhe konfirmoi se ishin përdorur armë kimike, analizoi dëmin dhe shprehu shqetësim se mund të zbuloheshin autorët.
Sekretari i Shtetit tha se të paktën 1,429 sirianë ishin vrarë, përfshirë të paktën 426 fëmijë.
Siria hedh poshtë akuzat se ka kryer sulme kimike, përfshirë akuzat se ka kryer një sulm në shkallë më të vogël në fillim të vitit. Damasku zyrtar akuzon kryengritësit për përdorimin e armëve kimike kundër ushtarëve sirianë.
Zoti Kerry tha se shërbimet e zbulimit kanë besim të madh në informatat që kanë dhe shtoi se tani mbetet për të vendosur se çfarë do të bëjë Amerika dhe bota për këtë.
"Duhet të ngremë pyetjen se çfarë rreziku shoqërohet me pasivitetin. Masat tona kanë rëndësi pasi nëse vendosim të jetojmë në një botë ku vrasës si Bashar al-Assadi mund të vrasin mijëra vetë me gaz toksik pa u prekur nga ndëshkimi, dhe nëse bota nuk bën asgjë pas një sulmi të tillë, nuk do t’i gjendet fundi akteve që do të ndërmarrin elementë të tjerë që besojnë se mund të bëjnë ç’të duan”.
Presidenti Obama ndeshet me presion nga anëtarë të Kongresit për të hedhur në votë çdo vendim për veprime ushtarake kundër Sirisë. Anketat tregojnë se amerikanët janë kundër idesë së veprimit, ose e shohin me skepticizëm një përgjigje të mundshme ushtarake.
Zoti Obama tha dje se do të vazhdojë konsultimet me ligjvënësit amerikanë.
Zyrtarët amerikanë kanë dalë në përfundimin se sulmet me armë kimike në Siri janë ndërmarrë nga qeveria siriane, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara ditën e mërkurë.
“Kemi shqyrtuar të gjitha provat, nuk besojmë se opozita siriane zotëron armë bërthamore, apo armë kimike të këtij lloji. Nuk besojmë se, duke parasysh sistemet e lëshimit të tyre nëpërmjet përdorimit të raketave, opozita të ketë kryer këto lloj sulmesh. Kemi dalë në përfundimin se qeveria siriane është përgjegjëse për sulmet kimike të javës së kaluar në Siri. Kështu që, meqë ka ndodhur ajo që dyshohej nga të gjithë, ata do të duhet të përballen me pasojat e ndërkombëtarëve”, tha Obama për “PBS NewsHour”.
Obama theksoi gjithashtu se ende “nuk ka marrë një vendim”, nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë mbi bazën e një sulmi të kufizuar ushtarak, apo një sulm ushtarak me kohëzgjatje të kufizuar në Siri.
Komentet e tij vijnë në një ditë, gjatë së cilës ka pasur shumë përplasje prapa skenave në OKB. Britania ka nxitur anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë, të adoptojnë një rezolutë, e cila do të autorizonte masa në mbrojtje të civilëve në Siri.
Gjithsesi, aleatët e Sirisë, Rusia, ka refuzuar të pranojë rezolutën, kështu që takimi nuk prodhoi një fund të grindjeve diplomatike, që e kanë karakterizuar për një kohë të gjatë OKB-në në lidhje me pozicionin e tyre ndaj Sirisë.
Departamenti amerikan i Shtetit kritikoi “papajtueshmërinë e Rusisë” dhe tha se nuk do të lejonte paralizën diplomatike të shërbente si një mburojë për lidershipin sirian.
Kritikët kanë ngritur pyetje se për çfarë qëllimesh do të shërbente një ndërhyrje e limituar ushtarake në Siri, por Obama tha se do t’i dërgonte qeverisë së Bashar al-Assad “një sinjal tepër të fortë, se do të ishte më mirë të mos i përdorte më kurrë armët kimike”.
Shtetet e Bashkuara presin ende rezultatet e inteligjencës, të cilat sipas tyre provojnë se qeveria e Assad është fajtore për përdorimin e armëve kimike, ndërkohë që inspektorët e OKB-së janë ende duke hetuar brenda kufinjve të Sirisë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se atyre u duhen edhe 4 ditë të tjera për të përfunduar hetimet.
Nënpresidenti amerikan Joe Biden dje tha se nuk ka asnjë dyshim se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Asad ka kryer sulmin e javës së kaluar me armë kimike në Damask, dhe duhet të vihet para përgjegjësisë. Komentet e nënpresidentit Biden u bënë ndërkohë që Presidenti Barack Obama vazhdon të shqyrtojë opsionet për një reagim ndaj kësaj situate me aleatët kryesorë.
Në mes të përgatitjeve për sulme ushtarake në Siri, nënpresidenti Joe Biden filloi një fjalim në konventën kombëtare të Legjionit Amerikan në Teksas me fjalë të forta për qeverinë e Asadit.
Ai tha se nuk ka asnjë dyshim se janë shkelur ligjet ndërkombëtare, dhe nuk ka dyshim se regjimi sirian është përgjegjës për këto shkelje. Nënpresidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë të vendosur të nxjerrin para përgjegjësisë autorët e sulmit.
"Presidenti dhe unë besojmë se ata që përdorin armë kimike kundër burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur duhet të vihen para përgjegjësisë".
Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka thënë se faktet janë të qarta, zëdhënësi i Presidentit Obama u përball me pyetje të tjera dje rreth informacionit të shërbimeve të zbulimit mbi të cilin do të bazohet përgjigja eventuale.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se një raport i shërbimeve të zbulimit në lidhje me sulmin e 21 gushtit me armë kimike në Damask do të publikohet këtë javë.
Ai tha se "një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve" mbështet përfundimin se regjimi i Assadit është përgjegjës për sulmin, dhe se një përgjigje ndaj këtij sulmi është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe botës.
Qeveria siriane ka mohuar përfshirjen në sulmet me armë kimike dhe ka fajësuar rebelët të cilët po luftojnë për largimin e presidentit Assad nga pushteti për sulmin pranë Damaskut si pasojë e të cilit u vranë qindra njerëz.
Presidenti Obama vazhdon të konsultohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në lidhje me situatën në Siri. Presidenti Obama, nënpresidenti Biden dhe të tjerët në administratën amerikane kanë zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit botërorë mbi gjendjen në Siri.
Anthony Cordesman, analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, beson se synimi kryesor i një sulmi ushtarak do të kishte në shënjestër qeverinë siriane dhe qendrat ushtarake.
"Kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për parandalimin e përdorimit të armëve kimike dhe gjithashtu do të tregonte se veprimet e Shteteve të Bashkuara në përgjithësi do të forconin rebelët dhe do të dobësonin regjimin e Asadit."
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u pyet se përse një përgjigje amerikane dhe perëndimore ushtarake nuk do të vendos në shënjestër vetë presidentin Assad.
"Dua ta bëj të qartë se opsionet që jemi duke i analizuar nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit, ato janë thjeshtë një përgjigje ndaj një shkeljeje të qartë të një ligji ndërkombëtar i cili ndalon përdorimin e armëve kimike."
Shtëpia e Bardhë vazhdon të theksoj se ajo e sheh reagimin eventual ndaj sulmit me armë kimike të javës së kaluar si një çështje të ndarë nga çështja e përgjithshme e përfundimit të luftës civile në Siri.
Zëdhënësi Carney tha se për përfundimin e luftës civile duhet të gjendet një zgjidhje politike e negociuar, por ajo nuk mund të përfshijë Bashar al-Asadin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB tha se inspektorët do t'i raportojnë atij pas përfundimit të misionit për hetime mbi përdorimin e armëve kimike
Sekretari i OKB-së Ban Ki-moon po u bën thirrje fuqive perendimore të mos ndërmarrin veprime të mundshme ushtarake kundër Sirisë derisa ekipi i inspektorëve të OKB-së të ketë përfunduar punën në vend. Zoti Ban tha sot se ekipi do të largohet nga vendi të shtunën dhe do ta njoftojë atë për gjetjet.
Ndërkohë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë do të informojnë sot anëtarët e një komisioni të Kongresit lidhur me sulmin e javës së kaluar që shkaktoi vdekjen e qindra civilëve në periferi të Damaskut.Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki -moon thotë se inspektorët e OKB-së që po hetojnë rreth një sulmi me armë kimike në Siri do të largohen nga vendi të shtunën.
Duke folur sot gjatë një vizite në Vjenë, zoti Ban tha se inspektorët do t'i raportojnë atij pasi të kenë përfunduar misionin dyjavor që synonte fillimisht hetimin e përdorimit të armëve kimike në Siri në të kaluarën.
"Ata do t'i vazhdojnë hetimet deri të premten, do të largohen nga Siria mëngjesin e së shtunës dhe do të më raportojnë mua sapo të jenë kthyer. Kjo është arsyeja që unë po e shkurtoj vizitën në Austri," tha Sekretari i Përgjithshëm.
Zoti Ban i bëri komentet sot, ndërkohë që ekipi i OKB-së ndodhet në ditën e tretë të punës në periferi të Damaskut.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel foli po sot në një konferencë shtypi në Brunei me homologun e tij rus, Anatoly Antonov. Zoti Hagel tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin asnjë veprim të njëanshëm kundër Sirisë :
"Sa i përket Sirisë, ne vazhdojmë të këshillohemi me aleatët. Presidenti Obama e ka bërë shumë të qartë dhe unë e kam thënë në disa raste se çdo veprim që do të ndërmerrej kundër Sirisë, do të bëhej në formën e një bashkëpunimi ndërkombëtar", tha zoti Hagel.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po shqyrton një projekt-rezolutë britanike për veprime të mundshme ushtarake.
Diplomatët e pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit i filluan bisedimet të mërkurën, por nuk ka gjasa të arrijnë ndonjë përparim për shkak të kundërshtimit rus dhe kinez ndaj një ndërhyrjeje nga jashtë. Këto dy vende kanë përdorur veton tri herë që nga viti 2011 për të bllokuar rezolutat që vënë në shënjestër qeverinë siriane.
Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se nuk do të lejojnë që paraliza diplomatike në OKB të pengojë një kundërpërgjigje ndaj Sirisë.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Marie Harf tha se Siria "nuk mund të vazhdojë të fshihet" prapa qëndrimit të Rusisë në Kombet e Bashkuara dhe se Shtetet e Bashkuara nuk shohin ndonjë përparim nëse Rusia vazhdon të kundërshtojë.
Ajo tha se Uashingtoni do të këshillohet me aleatët ndërkohë që shqyrton mundësinë e një goditjeje të vet ushtarake kundër Sirisë.
Agjencia e lajmeve Interfax e Rusisë citonte sot një burim ushtarak, sipas të cilit Rusia po dërgon një kryqëzor dhe një anije kundër nëndetëseve në Mesdheun lindor në përgjigjeve të zhvillimeve të fundit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se është i bindur se qeveria siriane ka përdorur armë kimike kundër popullit të saj. Në komentet e bëra sot, zoti Rasmussen tha se një reagim i fuqishëm është i nevojshme për t'u treguar diktatorëve në mbarë botën se armë të tilla nuk mund të përdoren pa u ndëshkuar, transmeton VOA.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se sulmi me armë kimike më 21 gusht në periferi të Damaskut ishte i neveritshëm dhe i pajustifikueshëm, prandaj nuk mund të injorohet. Ai tha se ishte i bindur se përgjegjës për sulmin është regjimi sirian.
"Më janë paraqitur informacione konkrete, dhe, pa hyrë në hollësi, mund t'ju them se personalisht jam i bindur, jo vetëm se sulmi kimik ka ndodhur, por edhe se regjimi sirian është përgjegjës."
Zoti Rasmussen tha se ai nuk sheh një rol të NATO-s në një veprim ushtarak që mund të ndërmerret kundër Sirisë.
"Nëse një reagim ndaj asaj që ka ndodhur në Siri do të ishte një operacion ushtarak, unë parashikoj një operacion shumë të shkurtër, të matur dhe me një objektiv të përcaktuar. Për një operacion të tillë të shkurtër ushtarak, nuk ka nevojë për sistemet e komandës e kontrollit të NATO-s," tha zoti Rasmussen.
Sekretari i Përgjithshëm tha se u takon aleatëve të vendosin individualisht se si do të kundërpërgjigjen ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri dhe cilat objekte ushtarake mund të vendosin të përdorin.
Ai tha gjithashtu se aleanca do të mbetet një mbrojtëse e fortë e Turqisë në rast se ky vend anëtar sulmohet.
Ligjvënësit amerikanë të informuar nga zyrtarë të lartë të administratës Obama dje, thanë se nuk ka dyshime se qeveria siriane ndërmori sulm me armë kimike javën e kaluar. Anëtarë të Kongresit i kërkuan Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit të paraqisnin argumentat për një sulm të mundshëm ushtarak kundër Sirisë. Ligjvënësi demokrat Eliot Engel tha se zyrtarët amerikanë kishin folur për interceptimin e bisedave me zyrtarëve të lartë sirianë.
Ndërkohë që administrata Obama përgatitej për seancën e informimit për anëtarët e Kongresit, ajo është ndeshur me pyetje të forta nga media lidhur me të dhënat e grumbulluara deri tani për sulmin.
Amerikanët ende kanë kujtime të freskëta të konflikteve që Amerika ka filluar gjatë viteve të fundit, si lufta në Irak e ndërmarrë gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, e cila vuri në pikëpyetje saktësinë e informatave të shërbimeve të zbulimit.
Ndërkohë që shfaqet mundësia e operacioneve ushtarake në Siri, Shtëpia e Bardhë po bombardohet me pyetje lidhur me të dhënat dhe provat që kanë Shtetet e Bashkuara mbi sulmin e 21 gushtit në Damask.
Uashingtoni dhe aleatë të rëndësishëm fajësojnë për sulmin regjimin e Presidentit Bashar al-Assad. Qeveria siriane i hedh poshtë akuzat.
Kryeministri britanik David Cameron tha se “ka baza të qarta ligjore” që përligjin ndërmarrjen e operacioneve ushtarake, por shtoi se nuk ka një provë të vetme të qartë që vërteton se regjimi i Asadit ka përdorur armët kimike.
Zëvendës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha në komentet për shtyp se Shtetet e Bashkuara do të bazohen tek të dhënat e shërbimeve amerikane të zbulimit për të arritur në vendimin që do të marrë Presidenti Obama.
Ai foli për kredibilitetin e këtyre të dhënave, kur iu drejtua pyetja nëse Presidenti Obama beson se Siria përfaqëson një kërcënim aktual për Shtetet e Bashkuara:
"Nuk do t’i intepretoj fjalët e Presidentit më në hollësi se kaq. Mendoj se Presidenti e ka bërë të qartë dhe unë vetë jam përpjekur që ta përshkruaj sa më mirë çfarë interesash kombëtare kërcënohen në këtë rast”.
Presidenti Obama foli për disa prej këtyre interesave në një intervistë të mërkurën për rrjetin PBS:
"Ne kemi vende aleate që kanë kufij të përbashkët me Sirinë: Turqia është aleate e NATO-s, Jordania është një vend mik me të cilin bashkëpunojmë ngusht, Izraeli është mjaft pranë Sirisë; gjithashtu ne kemi baza në të gjithë rajonin. Nuk mund të lejojmë të thyhet parimi i mospërhapjes së armëve, pasi mund të rrezikojë që armë kimike të bien në duart e njerëzve të dyshimtë”.
Zyrtarë të lartë të administratës Obama, përfshirë Sekretarin e Shtetit John Kerry, Sekretarin e Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Këshilltaren e Sigurimit Kombëtar Susan Rice, informuan dje anëtarë të Kongresit mbi situatën.
Të paktën 116 ligjvënës, pjesa më e madhe republikanë, kanë nënshkruar një letër ku i bëjnë thirrje Presidentit të kërkojë autorizim të qartë nga Kongresi para se të japë urdhër për ndonjë operacion ushtarak.
Presidenti Obama diskutoi mbrëmë me telefon me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin John Boehner. Zoti Boehner, sipas një zëdhënësi, kërkoi nga presidenti shpjegime për arsyetimin ligjor për një operacion ushtarak, si dhe politikat, objektivat dhe strategjinë që do të pasonte një veprim të tillë.
Senatori, John McCain do ta përkrahë kërkesën e presidentit, Barack Obama për të intervenuar në Siri nëse kjo do ta “ndryshonte situatën në fushë-betejë”.
McCain i ka thënë televizionit NBC se është e pamjaftueshme që t'i dërgohet mesazh presidentit sirian, Bash al Assad vetëm me reagim të kufizuar.
McCain ka thënë se rezoluta për intervenim duhet të përfshijë edhe autoritetin për ta degraduar fuqinë e forcave ajrore të Sirisë.
Senatori republikan thotë se lufta në këtë shtet është “luftë jo e drejt” dhe se Assadi ka fuqi më të madhe.
McCain ka thënë nëse autorizimi nga Kongresi nuk do të ndryshonte balancin e fuqisë dhe t’iu jap rebelëve një mundëis më shumë për të luftuar, atëherë “kjo nuk do kishte efektin e dëshiruar”.
Ish rivali në garën e parë për president të SHBA-ve, gjithashtu ka thënë se ai “nuk mund të përkrahë diçka që do të mund të mallkohet në periudhë afatgjate”.
Vendimi i presidentit amerikan Barack Obama për të pritur autorizimin e Kongresit para se të sulmojë Sirinë nuk ka kënaqur grupet opozitare siriane.
Zëdhënësi i Koalicionit Kombëtar Sirian, Louay Safi, tha se ky vendim tregoi “dështim lidershipi” nga ana e SHBA-së dhe se “inkurajon forcat e presidentit Assad”.
Pak pas përfundimit të fjalimit të presidentit amerikan Barack Obama, ushtria siriane nisi të godasë zonat e kontrolluara nga kryengritësit në Damask.
Siria mohon akuzat e SHBA-së se ka përdorur armë kimike më 21 gusht, ku sipas amerikanëve 1429 persona u vranë nga ushtria siriane me armë kimike.
Kongresi do të mblidhet më 9 shtator, që do të thotë se asnjë veprim ushtarak nuk do të ndërmerret deri atëherë nga forcat amerikane në Siri.
Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme i Senatit Amerikan ka rënë dakord për rezolutën, e cila autorizon forcën ushtarake në Siri, për të ndëshkuar Damaskun për sulmin e dyshuar kimik.
Sipas raporteve të shtypit perëndimor, rezoluta ndalon trupat tokësore amerikane nga operacionet luftarake dhe vendos afatin maksimal prej 90 ditësh për çdo aksion.
Komiteti është pajtuar për tekstin, pas seancave dëgjimore.
Sekretari i shtetit, John Kerry, ka thënë se reputacioni i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre do të dëmtohet, nëse Uashingtoni nuk vepron.
Më herët, presidenti Barack Obama ka siguruar mbështetjen nga republikanët kryesorë.
Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, ka premtuar mbështetjen për ndërhyrje ushtarake pas takimit me Obamën në Shtëpinë e Bardhë.