Vjollca Tiku Pasku
Romani ”DAMKOSJA E ENGJËJVE”, një model i arkitekturës letrare, gdhendur mjeshtërisht nga gjëmimet, dhimbjet , vuajtjet, me shkreptimat e penës së shkrimtarit Vullnet Mato. Kur Heminguejin e pyetën: Cila është përgatitja më e mirë për një shkrimtar? Ai u përgjigj: “Një fëmijëri fatkeqe.” E tillë ishte fëmijëria edhe për autorin, përfaqësuar këtu me personazhin Besniku. Që në moshë të njomë, sistemi diktatorial i burgos babanë mësues, për një ëndërr të pafajshme që u kishte treguar kolegëve të tij. Më pas sistemi i mohon familjes bukën e gojës nëpërmjet heqjes së triskave. Damka e zezë u ishte ngjitur në shpinë si “pjellë e reaksionarit”, kur njomëzakët ishin vetëm engjëj pa krahë dhe përndjekja diabolike, do bëhej stampë mbi vështrimet e tyre... Fëmijëria, mosha më e pastër dhe më e pafajshme u kalit në farkën e vuajtjes. Shpirti i njomë i heroit lirik të romanit, kishte një central përbrenda, që duke u rritur, do të gjeneronte dritë poezish dhe romanesh. Por çdo përpjekje për tu ngjitur në jetë, nëpërmjet shkollimit, ishte si ti afroheshe llavës së zjarrtë që shpërthente nga gjuha e marjonetave moniste. Damka e zezë ishte një hendek, ku dëshirat dhe pasionet e tij veniteshin herë pas here. Por sa më shumë vuajtje dhe pengesa t’i vinin këtij njomëzaku, aq më shumë nxitnin dritëzat e intelektit që i ngazëllenin shpirtin, për t’i kapërcyer ato. Me shpresë të siguronte një punë aq të nevojshme për jetesën, bashkohet me avanguardën e“Aksioneve vullnetare” të tipit monist që kishin në qendër shfrytëzimin e krahut të punës pa pagesë. Por ai sistem i kuq, fermentonte për të, vetëm varfëri deri në qelizat më të imta të trupit. Periudha e dashurisë i dha një kuptim të ri jetës së tij. Ishte 17 vjeç kur ndjeu regëtimën e parë të magjepsjes së ndjenjës. Çaste dhe orë që pulsojnë ndjenja pa reshtur, të cilat ndrydhen në mbështjellësen e zemrës. Sytë, buzëqeshja shpirti, reflektonin vetëtimat më të bukura të jetës. Pengesat bëheshin male, që i sheshonte vetëm hajmalia e dashurisë. Dashuria e dy të rinjve bashkohej në tingujt e një kambane të vetme. Ajo ishte si një eliksir që përmbante esencën e pranverës në vuajtjet e vazhdueshme, qe i krijonin gjuhët e errëta të rendit në fuqi. Teksa rendja e dy jetëve drejtohet përfundimisht nga çelësi i qiellit që flakëronte zemrat tyre, duke i kurorëzuar me lindjen e fëmijës së parë, Mondës së vogël.Ajo hyri në jetën e tensionuar nga zakonet dhe lufta klasore, si paqja errjedhshme e kroit , ku i mblodhi të gjitha zemrat e alfabetit të urrejtjes, nëalfabetin e dashurisë. Ajo ndriçoi si një margaritar i bardhë në pyllin e gjelbëruar. Më pas do të priste edhe vëllezërit e saj. Nëna është një nga njerëzit më të dashur për zemrën e Besnikut dhe ngrihet në piedestal prej tij ,sepse pikërisht aty e ka vendin. Rezidenca e zemrës së saj është e mbushur me dashuri dhe mirësi. Shpirti i saj, kur thyhej prej varfërisë, shtronte në sofër bukë me ëmbëlsi nëne. Një shpirt i bekuar me zambakun e mirësisë dhe durimit.Gjithmonë ndrydhte brenda saj varfërinë, me lot të fshehura prej dritës së hënës dhe diellit. Duart e nënës provuan punët më rënda, për ti rritur me nder të shtatë zogjtë e saj, ashtu si u rritën në të vërtetë, ku në dejet e secilit prej bijve, spikasnin talente të lindura. Jeta e saj prej vuajtjeve e mundimeve nuk e pa të qeshurën e pranverës, ashtu si një jetë që duhet të kalojë nëpër ciklet e stinëve, por vetëm për epërsinë e dimrit. Nuk pranoi kurrë të ndahej nga bashkëshorti i saj i dashur për shkak të politikës, dhe i qëndroi besnike deri në fund të jetës. Poezitë që personazhi i ka kushtuar nënës, janë si yjet që qëndrojnë pranë hënës. Ikja e saj e para kohe nga kjo botë, është borxhi qëi ka sistemi i kaluar kësaj nëne të mrekullueshme. Autori e rënkoi këtë ikje metë gjitha gjethet e kësaj toke. Heroi vazhdon përpjekjet për të rrezatuar gjithë dritën e krijimtarisë letrare. Me shpirtin prej divi, ai kapërcen pengesa humnerash, ku ka ditur të ngrihet duke dhënë libra me poezi dhe romanetë fuqishme. Ky shkëlqim i veprave letrare, bën që itenerari i rrugës së tij të punojë në detyrën, si redaktor i revistës “Ylli” në Tiranë. Por me pas ndodh rrokullisja për shkak të “biografisë”duke përfunduar si disenjator, përsëri andej nga kishte ardhur. Megjithatë, përpjekjet e tij për të thithur etjen e plotë të arsimimit, u kurorëzuan shkëlqyeshëm në fakultetin e gjuhë-letërsisë, ku dha shembullin e një njeriu, i cili, veç talentit mbizotëronte edhe pasioni drejtë lartësimit të dritës së diturisë. Ndonëse venat e tij kullonin talent, binomi ngritje- ulje e ndjek pas kurdoherë. Me shumë vështirësi botohet romani “Ujësinor”me një tirazh 15 mijë kopje. Një cikël poezish recitohen në televizion, më pas si një rrufe në qiell të kaltër, shkrep cerknaja e shkrimit në gazetën partiake: “ Përse duhet të recitohen poezitë e këtij autori, kur dihet cili është ai nga përbërja politike”. Kjo errësoi përsëri rrethin e qiellit me njollën e zezë të damkës. Më pas teksti i autorit,në këngën e kompozuar nga Agim Krajka ”Të kërkoj” nuk përmendej më me emrin etij. E gjithë rruga e jetës së tij përshkohet nga dritë-hijet e sistemit monist, ku montoheshin pengesat e ngritura nga marjonetat injorante. Jeta është përshkuar si me kamera, ku projektimi i dritës së talentit dhe inteligjencës që ishte në genet e tij, bëri të mundur jo vetëm mbijetesën , por edhe shkëlqimine pandërprerë si diamanti në llumrat e egra të farsave komuniste. Duelet ishin të përhershme me njerëzit e Partisë , me figura pa ngritje kulturore, pa intelektin e zhvilluar, pa arsimimin e duhur , me një aftësi të kufizuar, vetëm për t’i shërbyer kastës moniste. Bota e dhimbjes dhe terrorit psikologjik mbaroi me ndërrimin e sistemeve. Miti gjigant u përmbys. Damka e zezë u shkri si stërkalat e baltës nga shiu i kulluar i qiellit dhe dielli i frymëmarrjes së lirë, filloi të mbushte alveolat e mushkërive të panginjurara për vite me radhë. Dua ta mbyll këtë shkrim me fjalët e autorit: “Gjithësekush i modeluarnga Krijuesi i madh për të njëjtin qëllim, duhet t’i jepet një shans për të jetuar si njeri mes njerëzve. Nuk ka tokë të cilën duhet ta zotërojnë disa, dhe nuk ka qiell të cilin duhet ta fitojnë vetëm disa. ” Damkosja e Engjëjve ështënjë model i arkitekturës letrare, gdhendur mjeshtërisht nga gjëmimet, dhimbjet, vuajtjet, me shkrepëtimat e penës së shkrimtarit Vullnet Mato.
Përshkrimi sipas ISBD
Titulli Damkosja e engjëjve : roman
Autorë Vullnet Mato
Botuar Tiranë : Milosao, 2004
Të dhëna fizike 375 f. ; 21 cm.
Shënime L.500, pa tir.
ISBN 99927-978-7-8
Fjalët kyçe Letërsia shqipe
Romane Klasifikimi dhjetor 821.18 -31
*********
AGJNCIONI FLORIPRESS
Vullnet Mato (lindur më 1937 në Sarand), mësues, poet, prozator, shqiptar nga Shqipëria.
Vullneti, i biri i Remzi Matos mësues, mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Për shkak se i burgosën babanë për agjitacion dhe propagandë u la disa vite pa punë. U detyrua të largohet nga vendlindja në moshë të re dhe shkoi për të punuar kinomekanik në kinematë e sharrave "Hotolisht" e Stravaj dhe më pas në qytetin e Librazhdit. Aty mbaroi me korrespondencë "Liceun Artistik" të Tiranës për pikturë dhe studimet e larta në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës në degën Gjuhë letërsi shqipe. Punoi drejtor në shtëpinë e kulturës dhe në muzeun e këtij qyteti. Në vitin 1970 u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit të kohës. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelvizoonit shqiptar ku fitoi çmime për tekstet. Dy tregime të tij u përkthyen dhe u botuan në shtypin e huaj. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor.
Pasi u bë i njohur me krijimet e tij u tërhoq nga redaksia e Revistës "YLLI" ku u emërua redaktor. Por një vit më pas u vërtetua mungesa e garancive të nevojshme politike dhe me urdhër nga lart e kthyen sërish në Librazhd, ku u dërgua disenjator në repartin e pikturës.
Më tej, punoi mësues në gjimnazin e qytetit. Dhe në vazhdën e keqtrajtimit të herëpashershëm klasor u dërgua mësues në shkollën e mesme të fshatit Qukës. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe u zgjodh kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Librazhdit.
Vitet e fundit jeton e punon në Tiranë, është redaktor i shtëpisë botuese "Milosao". Romani i tij "Lakmia" u nderua me çmim në konkursin e ndërmarrjes botuese "Gjon Buzuku" të Kosovës.
Tituj të veprave
"Tinguj malesh", 1969, V. poetikë.
"Krahët e erës", 1972, V. poetikë.
"Ujësinor", 1976, roman.
"Ninullat e Hekurit", 1984, V. poetikë.
"Era e kësaj kohe", 1984, roman.
"Dritaret e prillit", 1994, V. poetikë.
"Katër plagë të Shqipërisë", 1999, V. me poemë.
"E fshehta tronditëse", 1999, V. me tregime.
"Lakmia", 2000, roman.
"Maturantët", 2002, roman.
"Damkosja e engjëjve", 2004, roman.
"Klithma e mishit të bardhë", 2006, V. me tregime.
"Grerëzat e kuqe", 2007, roman.
etj.