2013-11-03

Historisë së Shqipërisë


Shumë kohë më parë se Perëndia të na hidhte në kufijtë e Shqipërisë, ne i kemi parë shqiptarët, dhe kemi thënë: Ja, njerëz me të vërtetë të mirë. Mendimi i mirë që ishte ngjizur ndër ne, u forcua më tej nga marrëdhëniet që patëm me Bib Dodën, princ i Mirditës.
Dhe, që atëherë lindi ideja për të studiuar nën dritën e historisë, një popull që nxirrte para nesh njerëz kaq të mirë, shfaqte kaq madhështi, dhe na ngjallte kaq nderim. Mjerisht, askush, të paktën aq sa ne njihnim, nuk e ka shkruar historinë e saj. Ndoshta, për këtë arsye, na u desh të shënonim vetë me durim faktet në lidhje me Shqipërinë, të cilat i gjejmë të shpërndara ndër historianë dhe dokumente të huaj.
Çfarë doli si rrjedhim nga kjo punë e gjatë dhe e stërmundimtë? Seria e papërfunduar, pa dyshim, por tekembramja, një sërë faktesh, një pjesë civile dhe të tjerat fetare, që ne sot mund t’ia parashtrojmë lexuesit.
Ndoshta, ende këto fakte nuk do të kishin marrë një farë renditje kronologjike, pa një udhëtim që ne bëmë në Gorça (Guruxhe për turqit), në vitin 1884, dhe kur u kthyem prej andej, ndjemë nevojën të përfitonim nga materiale të tjera, përveç që i kishim mbledhur me mundim.
Ishte një e vërtetë se, qysh nga pushtimi romak, Shqipëria nuk ka patur përkatësi politike. Që atëherë, për të hartuar historinë e saj, nuk mund të mbështeteshe në zhvillimet politike të jetës së saj kombëtare.
Por në mungesë të ngjarjeve politike, dukej se mund të gjeje mbështetje në faqet e jetës së saj fetare. Po ashtu, vendi ka kaluar në krishtërim qysh në kohët e hershme, dhe primati i Ilirisë, pati kërkuar strehim ndër malet shqiptare, pas shkatërrimit të Justinianës nga ana e Avarëve.
Për fat të keq ne nuk kishim llogaritur Greko-Bizantinët dhe vandalizmin e tyre. Por për shkak të vandalizmit të tyre u shkatërruan monumentet që ne patëm filluar, jo vetëm në jetën fetare të popullit shqiptar, por, pothuaj të të gjithë gadishullit Ilirian: Ohri-Justiniana ka qenë metropoli i tij nga viti 535 deri në 1767.
Për historianin, shkatërrimi i arkivave të një kryeqendre kaq të rëndësishme e kaq të madhe, si Metropoli Ohër-Justiniana, është një humbje për të cilën nuk do të të vinte shumë keq, nëse veç interesit të madh në lidhje me të, nuk do të kishin shërbyer shumë fakte fetare si pika orientimi për ngjarjet civile…
Nuk është e pavlerë të theksojmë, gjithashtu, se peng i grindjeve fetare, të dhunshme e shekullore, midis Romës e Bizantit, ka qenë Iliria. Ka qenë kjo në Bizant, si rrallë diku tjetër ku ndodhin grindjet fetare, por, shkaku për të cilin është debatuar gjithherët ishte për zotërimin e Ilirisë dhe të Ohrit, metropolit të saj.
Pra, çështja kryesore e Bizantit ishte që, të mbeste zotëruese e Ohrit, dhe të mos lejonte ilirët të krijonin një shtet më vete, siç u formuan në vende të tjera, si dhe të kthente në bizantizëm atë që Roma e kishte romanizuar, e më tej, të zëvendësonte me të folmen greke, në fillim atë latinishte, e më pas edhe të folmet vendase, të cilat u bënë krahinore, rurale, në krahasim me gjuhën zyrtare të pranuar nga të gjithë.
Dhe tashmë, cila do të jetë e ardhmja e këtyre racave të pafat dhe e këtyre vendeve të mallkuara? Ne nuk e dimë. Veç diçka duket e sigurtë. Çasti për të krijuar një shtet të madh ka humbur njëherë e përgjithmonë. Duhet shtuar këtu se, sa më tepër grekët do t’i imponojnë vetes sakrifica, herë për të fituar njërën e herë për të fituar tjetrën pjesë, aq më shumë do të bëhen të urryer.
Përsa i përket interesit të tanishëm që i bashkangjitet njohjes, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më tej, të gjithë Gadishullit Ilir, ne na duket përherë e më tepër se Europa e industrializuar dhe e qytetëruar, bën këtu po atë çka vetë Europa barbare dhe endacake ka bërë dikur….
Zhan-Klod Faverial (1817-1893), një prift katolik i lindur në një fshat malor pranë Sent-Etienit, Francë, e që do të punonte në zemër të një rajoni ortodoks të Perandorisë Otomane, nisi të shkruajë historinë e Shqipërisë që nga lashtësia e deri në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, vitit kur vizitoi për herë të parë këtë vend, pra më 1884. Ishte koha kur, gjithaq sa tani, Shqipëria përtej saj, përfaqësonte një enigmë e një dije të keqkuptuar. “Historia e Shqipërisë” një vepër me shumë rëndësi për historinë e popullit shqiptar, që sipas zbuluesit të saj albanologut Robert Elsie, është një vepër plot me njoftime të reja që nuk përfshihen kund tjetër, pritet t’i vijë së shpejti lexuesit dhe studiuesve në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Plejad”.

Botuesi i saj, Çlirim Kulla, thotë se është një vepër surprizë e që plotëson shumë boshllëqe të historiografisë shqiptare. “Politika franceze ka pasur një orientim tjetër ndaj Shqipërisë 150 vjet më parë, ndërsa autori i kësaj historie sjell një vështrim të ndryshëm mbi Ballkanin Perëndimor, ku në fokusin e Zhan-Klod…………….. Favarielit më së shumti është Shqipëria.”

Ishte fillimi i viteve ‘90-të kur studiuesi Robert Elsie dëgjon për herë të parë mbi një Histori të Shqipërisë, një vepër të konsiderueshme. Thuhej se dorëshkrimi gjendej në Stamboll, por kërkimet nuk nxorën gjë në dritë. Në shtator të vitit 1999 At Iv Danzhu, përgjegjës për arkivat e Strehës-Amë të Bashkësisë së Misionarëve Lazaristë në Paris sinjalizon zbulimin e veprës më të rëndësishme të Faverialit. “L’Histoire de l’Albanie” e Zhan-Klod Faverialit ishte shkruar midis viteve 1884-1889. Dorëshkrimi përmban 483 faqe. “Vepër e një rëndësie të madhe kulturore për popullin shqiptar, e para që gjurmon historinë e plotë të Shqipërisë, nga lashtësia deri në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Historia e tij është më saktë ajo e një treve jug-lindore evropiane me popullsinë e saj. Kjo histori është për më tepër historia e gjithë pjesës jug-lindore të Gadishullit Ballkanik duke përfshirë këtu, jo vetëm Shqipërinë e sotme, por edhe Epirin, Malin e Zi dhe gjithë Maqedoninë”, shkruan dr.Elsie i cili ka meritën e zbulimit të dorëshkrimit dhe e ka pajisur për botim edhe më një parathënie, përpos asaj të vetë At Favarielit. Sipas Elsie, Zhan-Klod Favariel ka përdorur të gjitha burimet e rëndësishme të historisë ballkanike, të shfaqura deri në ditët e sotme: Aravaniti, Ami-Bue, Kanty, Dezobri dhe Bashele, Farlati, Hammer-Purgstall, Hekard, Lavale, Le Bo, Lekuje, Puarzo e Kais dhe mbi të gjitha, të madhin Pukëvil. Ai ishte gjithashtu në dijeni të veprave të letërsisë shqipe të autorëve të shekullit të 17-të si Budi, Bardhi e Bogdani. Përpos “Historisë së Shqipërisë”…………. Favariel, librat e botuar të të cilit ishin kryesisht në gjuhën bullgare, ndërsa pjesa më e madhe nuk u publikua kurrë, janë nedhe veprat “Historia Vllahe” 1891 dhe “Histori e Gadishullit të Ilirisë”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...