2013-11-03

PËR SKËNDER DRININ, JO REQUIEM



Skënder Drini është një nga prozatorët më të veçantë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë, autor që e ka të shtrirë veprimtarinë e tij krijuese në dy epoka
Zija Vukaj
Duket pak paradoksale ekzistenca e disidentëve në ditët e sotme, gati dy dekada e gjysmë pas shembjes së murit të Berlinit, por këtu nuk ka asgjë figurative. Jemi në vazhdën e çudirave dhe paradokseve që realiteti ynë vazhdon të prodhojë dhe këmbëngul t’i kalçifikojë deri në pafundësi me kokëfortësinë e vet absurde, a thua se do t’i përdorë si mjete konkretizimi për brezat që nuk kanë pasur rastin ta njohin fenomenin e disidencës. Dhe viktima e kësaj praktike është pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Jeton me ne, ecën përditë rrugëve të qytetit të Shkodrës, i zhytur në indiferencën dhe në mospërfilljen e vet “olimpike”, me një dinjitet që i kalon caqet e së zakonshmes, si për të na theksuar me qëndrimin e tij keqardhjen për padijeninë tonë të qëllimshme e njëkohësisht djallëzore dhe mëkatare. Ky individ gati i vetmuar, është shkrimtari Skënder Drini, për të cilin lexuesit seriozë të letërsisë shqiptare dinë shumëçka.
Ai është një nga prozatorët më të veçantë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë. Autor që e ka të shtrirë veprimtarinë e tij krijuese në dy epoka. Në periudhën e socrealizmit krijimtaria e tij ka kulminacionet e veta, siç janë romanet “Vraje tradhtinë”, “Shqipja e kreshtave tona”, “Shembja e idhujve”, “Midis dy kohëve”, “Bajram Curri”, “Rruga e njeriut”, “Kirurgët”, “Njerëzit dhe deti” etj., vëllimet me tregime: “Tregimet e së shtunës”, “Tregimet e veriut”, “Kompania e katërt” (tregime për fëmijë, disa prej të cilave janë përdorur si librete filmash) etj. Pas viteve ’90 autori ka botuar romanet: “Eklipsi i hënës”, “Ishulli i qetë”, “Nata është grua”, “Korbi”, Parajsa e gjenive”, “Planeti i lodhur” etj., disa vëllime me tregime ndër të cilët spikat “Klas”, libri mjaft interesant me aforizma “Përballje” dhe dy vëllime me shkrime publicistike. (Këto që u përmendën janë vetëm një e treat e krijimtarisë së tij dhe shpresoj që ai vetë të mos i lexojë këta rreshta). Vepra e tij ngërthen në vetvete një gamë të gjerë tematikash e motivesh, që kanë lidhje me njeriun e kohës, por edhe me individë dhe ngjarje historike, që përbëjnë elemente kombëtare nga më emblematiket. Siç ka ndodhur edhe me bashkëkohësit e tij, Agolli, Kadare, Xoxe, Arapi etj., etj., në krijimtarinë e tij natyrshëm gjejmë gjurmë të metodës së realizmit socialist. Por në veprat që cituam më lart ka pak të tilla, ose aspak, sidomos në romanet historike, të shkruara me një mjeshtëri të rrallë, që kanë ardhur si produkt i hulumtimeve të gjata në anale historike, i shfletimit të dyzinave libra në gjuhë të ndryshme (Drini lexon në gjashtë gjuhë, përveç shqipes) dhe falë vëzhgimeve të thella në karakteret e personave historikë të kthyera në personazhe, falë përshkrimeve plot jetë e kolorit të ngjarjeve dhe skenave masive, falë aftësisë për të depërtuar në shpirtrat dhe karakteret njerëzore dhe fantazisë, por edhe informacionit për të sjellë para lexuesit frymën dhe atmosferën e kohërave të largëta duke mbajtur në ekuilibra të mahnitshëm faktin me trillimin. Nga gjithë këto, ka krijuar modele fondamentale të këtij zhanri në letërsinë shqipe, që rrinë me dinjitet përkrah veprave të Godos, Kadaresë etj. Romanet e shkruara pas viteve ’90, jo vetëm kanë konfirmuar përmasat ekzistuese të një romancieri të elitës sonë, por kanë ridimensionuar vlerat e opusit tonë letrar kombëtar. Këto vepra, me motivet, filozofinë që i përshkon, teknikat letrare dhe procedimet artistike janë arritje të një letërsie moderne, që ka në fokus individë dhe fenomene universale. Drini është nga autorët me një erudicion të rrallë, një mjeshtër nga më të shquarit e dialogut, përshkrimit, meditimit dhe digresioneve. Vëzhgues dhe zbulues i underground-eve të jetës njerëzore dhe të shpirtit të personazheve, të dramave ekzistenciale të individit dhe të shoqërisë, veprat e tij provokojnë thellë intelektin dhe shpirtin e ndjeshëm të çdo lexuesi. Vepra që atij i solli mallkimin, mallkim që po e ndjek nga pas edhe sot e kësaj dite, është romani “Shembja e idhujve”. Kaq i terrorizuar është autori nga kjo “krijesë e mallkuar”, sa pothuajse nuk e përmend fare, edhe pse ai dhe të gjithë e dinë që është një nga katër- pesë romanet më të mira të letërsisë shqiptare. Lukunia e komshinjve të letërsisë iu vërsul atij në anatemime të egra ekstraletrare, më zi se autorit të “Vargjeve satanike”. Ndëshkimi që iu bë, është “harresa”. Sepse morali i komshinjve të letërsisë është i kulluar dhe mjaft i kujdesshëm. Dhe kujdestarët e këtij lloj morali janë kujdesur me devocion e përkushtim jashtëletrar që t’i tregojnë vendin këtij heretiku dhe deri tani ia kanë dalë. Kanë realizuar braktisjen dhe humbjen e vëmendjes së njeriut, që u ngjan heronjve të vet dhe që nuk është si ekzekutorët e tij. Pragmatistëve nuk u pëlqejnë modelet njerëzore. Ata nuk kanë kohë të jenë të ndjeshëm dhe intelektualin e vërtetë nuk e honepsin dot.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...