2013-11-11

Specialisti: “Jo” armëve kimike, kemi pasur vetëm lëndë helmuese luftarake



Nga: AURORA KOROMANI


Specialisti: “Jo” armëve kimike, kemi pasur vetëm lëndë helmuese luftarake
Pëllumb Zaimi

Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë armë kimike, ka pasur vetëm lëndë helmuese luftarake”. Ish-punonjësi shkencor në Institutin e Studimeve Ushtarake, Pëllumb Zaimi, sjell të gjitha arsyet se pse Shqipëria nuk duhet t’i pranojë armët kimike që pritet të importohen nga Siria. Eksperti është shprehur se vendi ynë nuk plotëson asnjë nga kushtet për të pritur këto armë.

“Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura, nuk ka strukturat e duhura për të pritur armët nga Siria. Shto këtu edhe faktin që nuk plotësohen kushtet e sigurisë; kush do t’i ruajë këto armë?”, ngre pyetjen që na shqetëson të gjithëve, specialisti shkencor Pëllumb Zaimi. Sipas tij, problemi më i madh është gjatë procesit të asgjësimit të këtyre armëve, si dhe pas asgjësimit, për shkak të mbetjeve kimike që do të ngelen. Zaimi sheh edhe një tjetër pikëpamje të kësaj çështjeje kur flet për procesin e asgjësimit të armëve kimike, duke shtuar këtu edhe frikën e acarimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e rajonit dhe me fqinjët.

Ju, jeni kundër apo pro importimit të armëve kimike në Shqipëri?

Sot ne diskutojmë a ka kapacitete Shqipëria për armët kimike, dhe unë, pyetjes nëse i ka vendi ynë këto kapacitete, i jap një përgjigje të prerë: Jo! Sepse të gjitha strukturat operacionale dhe taktike të armëve kimike janë shkatërruar.

 Sot, armët kimike janë katandisur me një apo dy oficerë, që më shumë bëjnë figurantin e strukturave kimike sesa ekzistencën në fakt të kësaj strukture. Unë kam renditur tetë arsye se pse Shqipëria duhet t’u thotë “Jo” importit të armëve kimike, “Jo” stacionimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Arsyen e parë se pse jam kundër, pak a shumë ta thashë: Sepse strukturat njerëzore dhe të pajisjeve nuk ekzistojnë më, në kuptimin që të jenë pjesë përbërëse e organikës ushtarake. Pjesa më e madhe e atyre që ishin pjesë e personelit inxhiniero-teknik, të aftësuar posaçërisht për armët kimike, janë zhdukur; laboratorët e Kimisë totalisht janë zhdukur.

 Arsyeja e dytë se pse mendoj që nuk duhet që këto armë të importohen në vendin tonë: Sepse strukturat kimike drejtuese të sotme nuk janë të specializuara mjaftueshëm. Pothuajse, asnjë oficer kimie, ose unë të paktën, nuk di të ketë shkuar për specializim; kanë shkuar për specializim të tjerë, nga forcat ajrore, nga forcat tokësore, nga forcat detare, por specialistë të Kimisë të aftësuar në shkollat perëndimore nuk ka. Dhe përveç kësaj, nuk ka asnjë pajisje moderne bashkëkohore për asgjësimin e lëndëve helmuese.

Madje, e vetmja kompani kimie, - kompani ka emrin, por që nuk ia dimë se çfarë përbërjeje ka, - është atashuar. Nëse dje ka qenë strukturë e veçantë për çdo njësi, për çdo korpus, ka qenë element i veçantë i strukturës së tyre, sot një kompani kimike që ekziston në shkallë ushtrie, është atashuar çuditërisht dhe paradoksalisht në brigadën logjistike; dhe, çfarë pune ka kjo kompani me këtë brigadë?! E treta: Unë mendoj që këto armë nuk duhet të vijnë, sepse Ushtria jonë, Forcat tona të Armatosura nuk kanë një poligon kimik të miratuar.

Por, poligoni kimik i shkatërrimit të armëve kimike, nuk është poligon dokudo, por ka shumë elementë, shumë aparatura, shumë masa sigurie, dhe janë ndryshe nga ato për asgjësimin e një municioni të zakonshëm.

Arsyeja se pse ka masa të forta sigurie: Sepse lënda kimike, në qoftë se hapet predha, ka aftësi të mëdha avulluese dhe shkon në atmosferë, dhe për këtë arsye poligonet kimike marrin masa që aerozolet me lëndë helmuese të mos përhapen në ajër. Por, vendi ynë nuk ka një poligon të tillë.

A është e përgatitur Shqipëria për të pritur armët, nga pikëpamja e strukturave fizike?

Kjo është një tjetër arsye se pse mendoj që Shqipëria nuk duhet të pranojë importimin e armëve. Kjo, pasi që të sjellësh armë kimike në Shqipëri, duhet të kesh struktura fizike për t’i pritur, për t’i transportuar, për t’i akomoduar dhe pastaj për t’i shkatërruar. A janë portet tona të pajisura, nga pikëpamja e shkarkimit të lëndëve kimike? Absolutisht që jo! Supozojmë se do vijnë nga ajri; a ka aerodrom aeroporti i Rinasit, struktura, për t’i pritur armët kimike? Jo. Përveç kësaj, duhen një sërë masash të veçanta gjatë transportimit, sepse nëse pëson një aksident dhe bie predha, u shpërndanë avujt, mbaroi çdo gjë. Transporti i tyre nuk bëhet me makina të zakonshme, por bëhet me mjete speciale. A ka struktura Shqipëria që t’i shoqërojë? Sepse sipas llogaritjeve të tyre, i bie që të vijnë për rreth 120 ditë. Lindin pyetjet: Kush do t’i sigurojë gjatë rrugës ato? Çfarë do ndodhë nëse bëhet një aksident? A ka struktura degazimi? Pastaj duhet të mendojmë se edhe mbetjet kimike lënë pasoja. Për asgjësimin, duhen disa vite, prandaj nuk jam dakord. Një tjetër arsye se pse nuk jam dakord është sepse në 1993-shin ne kemi nënshkruar Konventën për ndalimin, prodhimin, asgjësimin, transportimin e armëve kimike. Atëherë, pse biem në kundërshtim me këtë konventë? Duke llogaritur këtu edhe ato që kanë thënë specialistët, se një litër zaharine, e kthyer në avull, e ngrohur krijon 180 mijë metra kub ajër të ndotur. Dhe nuk e ndalon vetëm Konventa e OKB-së, por ne kemi edhe Kodin Penal, që prodhimin, magazinimin e këtyre armëve e quan krim.

Pse mendoni se është zgjedhur vendi ynë për të pritur këto armë?

Duket qartë se Shqipëria u zgjodh si shtet servil, sepse ne kemi pushtetarë pa integritet, të cilët nuk vënë në plan të parë interesat e popullit, por interesat e tyre vetjake. Unë them që çështja e armëve kimike është bërë fakt i kryer; kjo, sepse më parë e lakuan mediat angleze, franceze, e bënë fakt të kryer. Ndërsa nga qeveria jonë nuk është thënë asgjë, por e kanë marrë miratimin e këtyre, sepse mediat e huaja nuk e kanë nxjerrë kot informacionin, mbështeten diku. Pastaj, pse nuk zgjodhën një poligon në Siri, por u zgjodh Shqipëria? U zgjodh kjo distancë e tillë, sepse shtetet e tjera duhet ta kenë refuzuar. Pastaj, importimi i këtyre armëve, mund të na krijojë një konflikt me fqinjët, sepse nëse ndodh një aksident kimik në Shqipëri, do acarohen marrëveshjet dypalëshe. Unë mendoj që nuk duhen importuar drejt vendit tonë, edhe për arsye të një situate hipotetike, le ta quajmë. Ta zëmë se plas një nga predhat; duhen shumë struktura kimike për ta degazuar atë territor, të vishen me pajisjet dhe kostumet e duhura. Ne nuk i kemi këto. Kompania kimike në kohën e Luftës së Ftohtë, kishte 70 vetë; sot mendoj se kanë ngelur 7 kapterë dhe një ushtar. Ne nuk kemi struktura që të marrin masa dhe të kufizojnë territorin, ne nuk kemi struktura të degazimit dhe dezaktivizimit të lëndëve helmuese. Arsyeja e tetë, ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Ka qenë strategjia e strukturës kombëtare, e cila nuk është bërë më që nga viti 2004. Elementi kryesor i sigurisë kombëtare është siguria fizike, ku hyn mbrojtja ushtarake dhe pastaj mbrojtja nga lëndët helmuese. Kush do t’i ruajë këto armë kimike? Ta zëmë se unë jam terrorist dhe vodha një bidon plastik dhe e hodha në Bovillë; atëherë, cilat struktura kimike të sigurisë kombëtare e vëzhgojnë këtë fakt? Por, deri tani nuk ka asnjë transparencë nga ana e qeverisë, se cilët elementë të sigurisë kombëtare do të merren me shkatërrimet masive, me lëndët kimike, me lëndët helmuese. Pse nuk ka transparencë se çfarë armësh kimike do të sillen, çfarë përbërjesh kanë këto armë?

Çfarë ndodh nëse armët kimike vijnë në Shqipëri?

Të mbyllura, armët kimike nuk kanë problem. Por, çdo gjë mund të ndodhë gjatë asgjësimit dhe pas asgjësimit. Kjo, pasi gjatë asgjësimit mund të ndodhin incidente. Por, edhe mbetjet e ruajnë toksicitetin për një kohë shumëvjeçare. Po, ku do i groposin? Në Qafë-Mollë burojnë ujërat e Tiranës. Pse nuk ka transparencë nga ana e qeverisë? Që të eliminohet ky rrezik, unë propozova një referendum, të paktën të popullsisë që banon pranë zonave ku flitet se do bëhet asgjësimi. Shqipëria nuk ka as infrastrukturë dhe as poligone për asgjësimin e lëndëve helmuese luftarake. Duhet të bëjmë një dallim: Lëndët helmuese luftarake janë tjetër dhe armët kimike janë tjetër. Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë armë kimike, por vetëm tretësira të lëndëve helmuese. Kështu, kur lënda helmuese luftarake futet në predhë, në silur, atëherë quhet armë kimike. Pastaj, NATO ka një parim kur bëhet fjalë për armët kimike të rrezikshme: Nëse ndonjëri prej vendeve anëtare nuk është dakord, atëherë vendimi bie. Në rastin e armëve kimike, ne nuk dimë se cili është qëndrimi i NATO-s. Mbrojtja nga lëndët helmuese është një nga parimet kryesore të sistemit të mbrojtjes, i cili vepron në Shqipëri.

Në Qendrën e Prodhimit të Eksplozivit, në Mjekës, a ka kapacitete të mjaftueshme për të pritur këtë arsenal armësh?

Nuk ka kapacitete në këtë qendër. Ka informacione se në këtë qendër është bërë demontimi i predhave serbe, në kohën kur ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...