2013-12-18

BEN ANDONI-Sfida e Mustafa Nanos me gegët


Publicisti Mustafa Nano në botimin e radhës është treguar vërtetë tejet kërkues me veten. Ai ka kaluar në një front tjetër, ku njohuritë e tij, duken se nuk e kanë aq të lehtë të hapin një front polemizues. Megjithatë, duhet thënë se publicistika e re e Nanos është interesante për nga fusha e interesit të tij dhe mënyra sesi e trajton gjithçka që ka lidhje me Gegërinë. Ka një strukturë që e ka menduar me kujdes, por që duhet thënë se linja e librit, që ai ka për zemër, e që i kushtohet mënjanimit dhe vlerave të Gegëve, sfumohet rrugës prej mungesës së shumë elementëve.
Studiuesi Primo Shllaku i ka marrë përsipër ti bëjë parathënien dhe kjo është rrëfyer nga vetë artikullshkruesi me argumentin se kjo përputhej krejtësisht me lëmin e studimeve të tij. Fatkeqësisht edhe ai vetë nuk i shpëton dot gegnishtes toske (shpesh gegnishtja e tij është e sforcuar), duke na treguar betejë në një vend ku nuk duket fushëbetejë. Shllaku vazhdon të kërkojë polemikë në një fushë që njerëzit skanë shumë qejf të lodhen me arsyetime boshe. Tek e fundit, problematikat shqiptare janë aq të mëdha saqë kjo luftë e kërkuar nga Shllaku duket sikur bëhet me veten. E, përpos problematikës së prezantuar, nuk mund të themi se ka edhe një lëvizje në Shqipëri për të përkrahur edhe idenë e Gegërisë indipendente, qoftë edhe në gjuhësi, të paktën me një standard të ri. Nuk dimë se ka ndonjë gjë tjetër për të cilin mund të shqetësohet sot pjesa që është fanse e elementëve të Gegërisë, nëse është privuar për ndonjë gjë. Në një pjesë të madhe të historisë së vendit, pjesa e popullsisë që dëshiron të identifikohet si gege ka pasur rol dominues në vend dhe arsyeja sepse nuk kanë mundur ta evidentojnë më shumë të gjithë këtë hapësirë etnografike, të duket më së shumti faji mirëfilli i tyre.

Sfida e Mustafa Nanos me gegët
Megjithatë, Mustafa Nano bën tjetër gjë. I ardhur nga një trevë ekstreme e juglindjes shqiptare, ai e prezanton edhe njëherë problemin përmes shkrimeve dhe vështrimeve të autorëve të ndryshëm të huaj dhe vendas, ndër vite, por asnjëherë duke dashur të mbajë qëndrim. Anipse edhe mban qëndrim padashje, duke na e treguar se pjesa që shqiptarët e njohin me Gegëri ka qenë disi e mënjanuar.
Duhet të kujtojmë se ndarja gjeografike gati e ngjashme është shumë e zakonshme në Evropë. Një e tillë është në Francë. Në Itali, e kudogjetkë. Prodhohen batuta për njëri-tjetrin, paragjykime dhe qëndrime deri ekstreme. Të kujtojmë Italinë, kur pak vite më parë, disa forca politike vendase mëtonin ndarjen krejt të vendit. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje të themi edhe pse nga regjimi i shkuar u bënë përpjekje që ndarjet të themi ekzistuese të zbuteshin përmes shkëmbimit të autorizuar dhe vullnetarizmit të popullatës.
Gjithsesi, libri e tejkalon një vështrim të thjeshtë dhe në esenë e tij Mustafa Nano pretendon të bëj një përshkrim të argumentit të vet për njësinë etnografike, por edhe të provokojë një lloj fillese për debat, e cila në këtë kohë kërkon energji dhe studime të shumëfillta, gjëra të cilat tek ne mungojnë krejtësisht dhe askush nuk duket më kaq i interesuar. Edhe pse ka fakultete të tëra sociale, mungojnë pyetësorët ku mund të hetohet shumë më tepër, për specifika të domosdoshme, që do ti linin vend në të ardhmen shqyrtimeve interesante.
musfata nano libri

Në fakt, ajo që mungon nga të gjithë, dhe që në libër mbase mund të trajtohej ndryshe është përveshja e mëngëve dhe fillimi i punës për të treguar realisht potencën e vërtetë të gegnishtes. Dhe, kjo nuk bëhet me fjalë. Ajo kërkon institucione dhe një angazhim të madh që duhet të fillojë prej strukturave të ndryshme të shtetit shqiptar. musfata nano libri
Vetë Mustafa Nano, kur vjen tek argumenti i gjuhës që është elementi më sensibël për të gjithë, ka një mendim tjetër shumë të kontrolluar. Ai kërkon që të gjendet një zgjedhje e vërtetë dhe për këtë i drejtohet prurjes më të mirë të Arshi Pipës, Primo Shllakut, Ledia Shamkut dhe patjetër Ardian Vehbiut, që më mirë se kushdo e thotë bukur mendimin e vet ndaj ithtarëve të shumtë të gegërishtes: “Shkruani në gegërisht e jo për gegërishten”. Një sens që rrëfen se autori e respekton por nga ana tjetër dhe nxit që ndryshimet ndodhin me punë dhe jo me fjalë, si ndodh zakonisht mes shqiptarëve.
Duhet të themi se libri gjithsesi e paraqet Mustafa Nanon shumë më të pjekur në krijimtarinë e vet dhe me kërkesa shumë të mëdha për veten. Kjo është një plus për këtë personazh, për të cilin gjykohet më shumë prej prezencës në ekranet televizive dhe përmes shkrimeve të tij polemizuese, sesa nga sfera eseistike, ku del realisht potenciali i tij intelektual. Nuk mund të themi se libri është arritje, por është një sprovë dhe si e tillë ia vlen të merret në konsideratë. Botimi i UET është shumë i këndshëm dhe kjo tregon se kjo shtëpi ka filluar të mendojë realisht për një korpus të saj, në disa disiplina që të konfigurojë në një mënyrë sa më të këndshme paraqitjen e saj. E sa për gegët dhe gegnishten, sesa do tia dalin, kjo do mbetet për tu parë nga debatet por edhe nga thellësia e atyre që shkruajnë për të...

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...