2013-12-07

BURHANEDIN XHEMAILI -Me rastin e 40 vjetorit të krijimtarisë poetike të poetit, prozatorit dhe studiuesit Nehas Sopaj

Vështrim




Poezitë e poetit të mirënjohur Nehas Sopaj shenojnë dyzet vjetorin e krijimitarisë letrare dhe paraqesin botën e pasur poetike të autorit. Këtë vlerë estetike e vërejmë te të gjitha vëllimet e botuara brenda kësaj kohe, e në veçanti te përzgjedhja e parë “Alga e dalë nga deti” dhe te përzgjedhja e dytë “Larg” që shquhen për shkak të funksionit estetik dhe unitetit të brendshëm si tërësi poetike... Autori me tërë këtë opus letrar dhe me këto përzgjedhje shenon kulmin e arritjes estetike në vlerat e poezisë shqipe në përgjithësi, dhe në krijimin e individualitetit të tij letrar në veçanti, si botë poetike më vete që dallon prej krijuesve të tjerë të afirmuar. Dallimi esencial është në mbarështrimin e temave, në mënyrën e ligjërimit poetik, në strukturimin e poezisë, dhe në formacionin stilistik... Me rëndësi të veçantë është se autori përveç poezisë që është vokacion i tij letrar, me sukses të theksuar ka krijuar tregimin, romanin, dhe me seriozitetin më të lartë profesional është marrë edhe me studimin e letërsisë.
image
Të gjitha poezitë brenda librit ”Alga e dalë nga deti” paraqesin botën poetike të autorit si pasuri emocionale dhe letrare që nxjerrin në sipërfaqe të gjitha shqetësimet nga koha reale dhe vizioni i tij poetik, për një botë më të pasur dhe pa fotografi të errëta... Fjalët poetike brenda poezive na japin fotografi të shumta që shihen dhe perceptohen gjatë leximit; këtë fenomen letrar e ndjejmë që nga poezia e parë ”Baladë e blertë” që ia kushton me ndjenja të veçanta Karadakut, vendlindjes së tij për begatitë natyrore, duke i zgjuar ndjenjat e brendshme si thirrje shpirtërore. Autori poezinë e koncepton duke e hapur me vargjet “Thirrje/ dhe shpirt i bardhë” dhe e përmbyllë me vargjet “Thirrje/ dhe zemër e madhe.”

Thirrjet e poetit vijnë në formë kushtrimi për ekzistencën dhe qëndresën kolektive, për yjet në kokën dhe në zjarrin e tij. Poezia në shikim të parë është përshkrim i natyrës, por në brendi të saj shprehet elementi refleksiv që jep mesazhe të qarta dhe domethënëse... Shqetësimet e poetit shprehen në të gjitha poezitë brenda librit si tërësi, por më provokuese dhe më mbresëlënese janë ato që shprehin ngjyrime të larmishme emocionale. Te poezia “Fije bari dhe këngë” era e ngrohtë e ditës së bardhë ka sjellë ditët e vërteta: ”këngët e gjakut dhe diellit. Këngët e ecjeve.” Do të thotë kemi dy figura paralele te këngët: gjaku dhe dielli që i ka sjellë era e ditës fatlume dhe që janë shtytje për këngën e ecjeve, për lëvizjet e mbara në drejtim të duhur... Nga kjo fotografi e fjalëve poetike me nota optimiste, pason shpalimi për të kaluarën, përmes rrëfimit lirik: “Te ne gjithmonë ka qenë errësirë./ Ka qenë vuajtje.Djallëzi./ Ka qenë vdekje dhe mallkim. Ndërsa në vargjet e fundit të kësaj poezie shprehet optimizmi dhe vizioni poetik me një tjetër fotografi: ”Në këtë tokë të jeshiltë/ po ngris shpatën e gjelbër,/ shpatën e nxehur me gjakun e luleve,/ shpatën e pranverës së madhe,/ shpatën e lulëzuar...

Po thuaj në të gjitha poezitë e librit shprehen ngjyrimet e larmishme emocionale, ndërsa te poezitë më të ngjeshura dhe më të thella teksti poetik na i çelë dyert e nëntekstit poetik për ta receptuar më mirë lëndën poetike, por poezia e tillë kërkon përqëndrim maksimal dhe lexim të sërishëm për ta arritur përshtatshmërinë dhe nivelin e duhur të komunikimit letrar. Gjuha dhe stili në poezinë e Nehas Sopaj e kanë rëndësinë e veçantë, do të thotë gjuha poetike dhe stili poetik dallon nga poetët e tjerë, prandaj ky dallim e shpalos dhe vulos individualitetin e tij letrar, dhe vetëdijen e tij poetike...

Në poezitë me shprehje më të ngjeshura simbolike dhe metaforike, apo më të vështira për lexim dhe interpretim, ngjyrimet emocionale të poetit për shqetësimet dhe revoltën e tij kundër të keqes dhe të padobishmes shprehen qartazi, dhe japin mesazhe të duhura. Ky formësim gjuhësor shprehet që nga cikli “Algjet” ku e shpalos ecjen e tij nga poezia në poezi në kërkim të bukurës, asaj që i mungon, asaj për të cilën i flet zemra dhe shpirti, por që nuk mund t’i vejë pikë shqetësimit individual. Këto poezi shquhen për cilësitë ritmike dhe melodike, tipare këto që i japin karakter më emocional poezisë, dhe e kërkojnë lexuesin për rilexim të sërishëm... Në vazhdim do të shohim se këtë lloj qëndrimi emocional e shpreh përmes vargjeve pyetëse:”Pse fshihesh vashë pas atij luledielli të tharë ?/ A mos kështu, më së shumti,/ të pëlqen të jetosh në heshtjen/ që ka gjelbëruar mes meje e teje? Luledielli i tharë për poetin është njeri i padobishëm, njeri inekzistent, njeri i papranueshëm, ndërsa fjalia tjetër poetike në formë të pyetjes zbulon heshtjen që ka gjelbëruar mes tyre... Të kësaj natyre janë edhe vargjet e këngës tjetër që shprehin ndjenjën e vuajtjes dhe përmallimit për të bukurën: ”Te ti nuk do të arrij kurrë/ ta laj këmishën e kujtimeve, nuk do t’arrij”.

Vlen të theksohet se poezitë nga libri në fjalë autori i ka rikënduar në një formë tjetër, si variant të fundit, dhe janë dyzet këngë të botuara në Revistën Doruntina në numrin 46 të vitit 2012. Ky variant është më i përshtatshëm për lexuesin, sepse pjesërisht e shkarkon nga figurat letrare që kërkojnë përqëndrim maksimal dhe aftësi të theksuara shkollore për t’i deshifruar ato figura, dhe gjithashtu vargjet brenda poezisë janë të strukturuara me rimë, ritëm dhe intonacion... Për ta shijuar këtë formë poetike po citojmë vargjet: “Pse po fshihesh vashë pas lulediellit,/ a mos kështu, mu në fund të qiellit,/ heshtur e në vetmi, do të shëlbosh,/ këtu nën këtë diell të gjelbërosh?

Te cikli “Himeret e harbuara” shqetësimi emocional i poetit merr përmasa më të serta, revolta dhe protesta poetike është më e ndjeshme, vargjet shpërthejnë me ironi dhe sarkazëm. Këto elemente e shtojnë vlerën estetike në poezitë e realizuara, dhe e shprehin guximin intelektual të poetit që nuk qëndron indiferent në kohën e territ, në kohën e heshtjes dhe frikësimit... Protesta poetike më e theksuar shprehet te poezia: EKLIPS, me vargjet: “qielli livadh me kërpudha/ fëmijë/ shuaje cigaren. Pastaj te vargjet: ”superegot alteregot dhe të gjithë ata/ që ego nuk patën kurrë/ po i bien tangos së fundit në paris. Te poezia GURI ЁSHTЁ I FTOHTЁ, vargjet:” guri është i ftohtë/ muri shumë i lartë/ dritaren që ta shoh/ me thikë nëpër mjegull po prek/ nënë” etj.

Te cikli i fundit “Shi mbi Shqipëri” po i veçojmë poezitë e ndërtuara me vargje dykolonëshe, vargje këto mjaft impresionuese dhe me porosi të qarta që krijojnë shqetësim emocional tek lexuesi që është më aktiv në përjetimin estetik. Sidomos vargjet e fundit të poezisë ”Muza” që e përmbyllin shqetësimin tërësor që rezulton me ndarje dhe pikëllimë:” U lëpe akulli. U kall zjarri në shpirt/ unë rashë në gjunj dhe qava për ty”. Po ashtu edhe poezia tjetër “Bletëz” na paraqet emocionet e veçanta të autorit që nga vargjet e para ku shprehet pendimi për ëndrrat që i mbledhin peshkatarët e huaj në rrugët tona, dhe deri te ato të fundit që shprehin nota impresionuese dhe marrin trajtën e porosisë: ”mos ma kujto të shkuarën, e dashur! Dëgjo hyjin/ ç’po të thotë:harroji të gjitha, shiko të ardhmen!”

Në fund, lirisht mund të themi se poezitë e krijuesit letrar Nehas Sopaj e kanë arritur funksionin letrar në raport me lexuesin dhe anasjelltas...

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...