2013-12-05

Ermira Ymeraj - Zemër diptike


Picture



Prof. dr. Vebi Bexheti, Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë 

Pak kohë nga botimi i përmbledhjes së parë poetike “Pirg dhimbjesh” poetja Ermira  Ymeraj vjen sërish në  botën e poezisë me një  cikël të ri poetik. Po me të njëjtën gjuhë që karakterizohet me reflektime të gjithanshme të figurës poetike dhe me gjetje nga më të ndryshmet që vijnë si risi, edhe me këtë përmbledhje, Ermira ka çka t’i ofrojë lexuesit të vet. Fjala dhe shprehja që e ndërtojnë vargun poetik edhe në përmbledhjen “Zemër diptike” na vijnë me specifikën e vet, ato i  ruajnë nuancat karakteristike gjuhësore shkodrane. Autorja e kësaj përmbledhjeje, herë-herë me shpirt rebelues, pa i  lënë anash edhe tonet e buta me nuancë  baladeske, në vargun e vet mëton të trajtojë disa tema njëkohësisht. Jeta me tërë vrazhdësinë dhe me kënaqësitë që i sjellë botës njerëzore, familjes dhe individit është terreni më i përshtatshëm në  përpjekjet e autores për ta ndërtuar këtë varg, ashtu siç e ndjen në brendinë e vet shpirtërore.
Ashtu si në përmbledhjen e parë të saj, që në botën e poezisë hyri me drojën, nëse do arrijë atje ku synon dhe përkushtimin e sinqertë në ruajtjen e origjinalitetit, edhe në këtë të dytën, përmes simboleve dhe metaforave poetike synon të sjellë porosi jo aq lehtë të kuptueshme.   
Vetëmekanizmi i ndërtimit të këtyre figurave poetike dhe përkushtimi i autores, që përmes kësaj gjuhe ta shprehë më së miri atë që e ndjen dhe ta përcjell deri te lexuesi, dëshmon seriozitetin në gdhendjen dhe ndërtimin e këtij vargu. Në poezitë e kësaj përmbledhjeje hasim plot shqetësime variantesh të ndryshme të poetes që karakterizohen me shpirtin e përvuajtur të saj, në kërkim të qetësisë dhe harmonisë mes njerëzish.

E tërë kjo tendencë poetike që synon kompleksitetin jetësor, si kur mbetet në brendinë e shpirtit krijues të saj. Ndonjëherë mesazhi i vargut poetik sikur mbetet te vetja e saj. Kjo mënyrë e ndërtimit të vargut, karakteristike edhe në kërkimin e fjalëve të reja, që do të shërbenin si tharm për një poezi të “ardhur”, këtë poezi e dallon ndoshta edhe nga ajo e gjeneratës së saj që e synojnë krijimtarinë poetike. Në tërë këtë betejë të brendshme kacafytjeje mendimesh për ta thënë të pathënën, që vështirë mund të transmetohet te lexuesi, kjo krijuese megjithatë ia del ta tejkalojë veten duke u çliruar nga momente të pikëlluara.
Poezia e Ermira Ymeraj, që shpesh herë vjen nga një heshtje e brendshme e saj, në momente të caktuara shpërthen, bëhet e zhurmshme me synim edhe rebelizmin. Ky shpërthim i menjëhershëm, si rezultat i  dhembjes nga ai që e shkakton atë që synon uzurpimin dhe pushtimin përmes tradhtisë, tingëllon fuqishëm dhe bëhet refuzues i së keqes, i marrëzisë që e shtyp të brishtën endje-dëlirësi. Të gjitha këto përplasje mendimesh, përmes shprehjeve të qëlluara poetike dhe fenomeneve të ndryshme, nga ato më të dëshirueshmet për njeriun, siç është dashuria, deri te më ekstremet që e shëmtojnë atë, poetja i  realizon përmes metaforës  poetike të gjuhës specifike që është edhe njëra ndër risitë e kësaj poezie: Unë njeriu me breshni vesesh, /Si kali i Trojës hy n’gjak damarit t’unjshëm, /Dhe turrem t’puthi shpirtin kaotik.
Jo gjithmonë preokupimi poetik i Ermirës është rezultat i luftës së brendshme të saj me synim ngadhënjimin mbi të keqen të shëmtuarën dhe tërë atë që sjellë kob për dashurinë, njeriun, familjen dhe njerëzimin. Herë pas herë ajo del nga konklava e vet dhe frymëzimin e gjen jashtë të fshehtave të saj që autorja i quan edhe si të pathëna, për të prekur edhe fenomene të tjera shoqërore disa nga të cilat i kanë rrënjët në thellësinë e historisë së lavdishme të Shkodrës, në drithërimat e mureve të gjalla që lindën nga mitologjia e lashtë, për t’u shndërruar sërish në mite të përjetshme: Shitohet murosja e mërzisë helmuese,/Kufijtë zhduken së mbrami, së thelli /Mallkimin e kukuvajkës e mundi, /jehoizmi i muzikës, velluar në dëgjim. Përmes  shprehjeve të ndryshme frazeologjike, si vlera të pazëvendësueshme gjuhësore e qytetëruese, autorja godet fenomene dhe dukuri që e njollosin historinë e lavdishme të qytetit të vjetër.  “Vrima e miut”, në kuptimin e një situate pa rrugëdalje dhe të vetmes mënyrë për  të mbijetuar, këtu reflekton edhe metaforën e deformimit të shoqërisë sepse tani mu në atë vrimë krijohen historitë dhe nënshkruhen fitoret. Përmes kësaj fshehjeje të realitetit para syve të botës dhe mënyrës jo transparente për vendime të rëndësishme, nga individë që ngjasojnë me minjtë, autorja me ashpërsinë satirike të shprehjes, që nënkupton edhe metamorfozën e njeriut në mi, i demaskon këto fenomene të dëmshme për shoqërinë shqiptare: E dielli hutohet, harrohet, /Të lindë. /Mes vrimave tona gjigante, Njerëzit -mij, /Kënaqin oreksin e përçuditnisë.
Me këtë përmbledhje poetike autorja Ermira Ymeraj dëshmon edhe një herë aftësinë krijuese, duke sinjalizuar se në poezinë e sotme shqipe po vjen një poete e talentuar dhe tanimë e pjekur. Ajo me dy përmbledhjet, lexuesit shqiptar i dhuroi dy libra poezish, si dy gurë xhevahiri.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...