RIZA LAHI
Çdo të marrtë, të enjte dhe të shtunë në orën nëntë , në një lokal që mban emrin e qytetit të tyre, “Vlorës së kaltër”, mblidhen një grup lebërish. Ata janë të gjithë burra të vjetër dhe ulen nëpër karriget e tyre, saktësisht në orën që e kanë lënë.
E dinë se ky takim, kjo odë burrash, do të zgjasë një orë. Më pas të gjithë do të shkojnë sipas planeve të veta, duke lënë në dorën e njërit prej tyre, secili paratë e kafesë së vet.
Tanimë janë pensionistë dhe nuk është e mundur që ta paguajë tavolinën njëri, sikurse do t’ia donte shpirti secilit.
“Besoj e keni dëgjuar emrin e këtij mysafiri që e kemi nga Shkodra. Është pilot….”
Më ka ftuar Luan Çipi dhe unë shikoj përqark tavolinave të bashkuara, fytyra shumë të përzemërta; secila më e ngrohtë se tjetra.
Kanë të përbashkëtën e tyre Vlorën, ama mes këtyre ndodhet fytyra e një ish kandidati të Byrosë Politike të PPSH si edhe ajo e kryetarit të ish të burgosurve politikë antikomunistë; fytyra e njërit prej themelueseve të PD dhe ajo e një ish sigurmisi; e fytyra e një shkrimtari ish komunist, dhe ajo e një shkrimtari antikomunist.
…E kaluara e tyre ka qenë e ndryshme.
E pandryshuar dhe e njëjtë për të gjithë ka qenë Vlora…
Luani ma kish thënë këtë gjë, “tavolinën tonë pluraliste”, por unë nuk munda ta dalloj këtë jo vetëm me të pamët, por edhe gjatë bisedave. Me siguri në këtë respekt ka dozën e vet profesioni im i pilotit. Një lab dorëzohet menjëherë para simbolit të guximit, siç është në përfytyrimin e tyre profesioni i pilotit. Të gjithë këta janë lebër, pavarësisht se njëri “burgaxhi” e tjetri “sigurims”. Mes tyre ka ardhur një pilot. Për më tepër, jo lab. Ata i kanë soditur me mijëra herë aeroplanët duke bërë akrobaci vertikale mbi kokat e tyre, para syve të tyre lart drejt kupës qiellore. Paçka se dikush i ka parë ato akrobaci të mahnitshme nga Komiteti Ekzekutiv apo dikush tjetër nga Zvërneci.
Vlora ka patur shkollën e aviacionit dhe djem 18 vjeçar kanë fluturuar mbi qiellin e saj për herë të parë. Themeluesi i saj – tanimë ajo nuk është më - ka qenë vlonjati me pseudonimin luftarak gjatë luftës për çlirim, “Llastiku”, Babaçe Faiku, legjenda e Aviacionit Shqiptar. Vlora ka nxjerrë pilotë trima dhe shumë të talentuar, si Kostandin Sadiku, Agim Nanaj, Agim Balili, Raqi Qari, Ramo Mejdijaj, Frederik Beltoja …
Pas akademikut Bardhyl Golemi, në krye të kësaj tryeze ku mysafiri ka privilegjin që të flasë i pari dhe ta dëgjojnë plot vëmendje, është një miku im i mrekullueshëm, Luan Çipi, poet, publicist, autori & librave edhe i një libri shumë intrigues “Nga Llogoraja në Niagarë”.
Kur ka raste që në tavolinën e tyre vjen një mik, jo vlonjat, të gjithë lëvizin t’i lënë kryet e vendit dhe, sigurisht, mezi presin të shuajnë kureshtjen se kush iu ka ardhur. Kjo, se “kush u ka ardhur”, do të varet nga biseda që ai do të nise; “disertacioni i tij personal” që të ardhurit në këtë odë labërie, i duhet të “mbrojë”, sapo për këtë të kujdeset Luan Çipi. Luani ruan me kujdes rendin e të folurit apo mbyll ndonjë diskutim të ngatërruar që ka marrë rrugë gjithnjë, duke folur njëri e duke dëgjuar të tjerët, zakon që e ka edhe Mirdita.
“Ku hanë e s’të ftojnë, ku flet e s’të dëgjojnë, mos të pastë zoti”, thotë me të drejtë populli.
Dhe...burrat flasin me radhë. Kjo tryezë pluraliste e parashikon, madje e kërkon, kundërshtimin dhe debatin; është dialektike, rrahja e të kundërtave, edhe mendimeve; sigurisht pa fyerje dhe pa britma.
Të vetmin mik të vjetër që kam këtu, është Irfan Bregu , po sytë e tij të kaltër dhe luftarakë, vetëm kundrojnë rretheqark dhe goja e tij preferon të heshtë. Mbase, ky njeri i sferës së fjalës së zgjedhur me sqimë, poezisë, e ka një shkak të fortë që preferon vetëm të blejë. Libri i tij i fundit poetik, një shëmbëll brilant për qejflinjtë që nxitojnë të botojnë vjersha të bëra shpejteshpejt, se si duhet stërlëmuar vargu dhe që duhet të ketë kusht të vetëm, të dalë nga shpirti, por duke u filtruar në tru, quhet “Lulet e Zeza”; një poemë. Por, e lamë te goja që hesht e gazetarit “përbindësh” të dikurshëm. Ai tërë jetën ka nënvizuar librat që lexonte dhe i ka hedhur në një vend të veçantë citatet e zgjedhura prej atyre.
Këta citate secili lexues mund t’i gjejë në librat e poetit vlonjat. Përmes këtyre citateve të përzgjedhura, lexuesi arrin të kuptojë ambiciet e jetës së këtij burri që çuditërisht ka nisur të mplaket pa u kuptuar dhe që, megjithëse nga vendi i trimave, djalit të tij ia ka vënë emrin e një trimi legjendar nga Shkodra, Vojo…
Populli i Vlorës, i Labërisë përbën një nga gjerdanët e renditur me margaritarë mirë e bukur në qafën nënës sonë Shqipëri.
Ky popull impulsiv, di të të dojë me shpirt dhe di të të zbulojë karakterin tënd falë edhe aftësisë genetike për të dëgjuar me vëmendje e deri në fund.
Lebërit nuk llogaritin asgjë por sulen të të ndihmojnë, qofsh ti edhe i panjohur, por që të kanë rënë në qafë dhe ti po lufton si burrat dhe i vetëm.
Eugen Potje njihet nga i gjithë njerëzimi vetëm me një poezi përkthyer në të gjitha gjuhët e njerëzimit.
Po Asllani ? Cila mund të ishte “Internacionalja” e tij, nëqoftëse ai e ka një të tillë vetëm për shqiptarët?
…Mora armët, sheshit dolla
Dyzet milionëve u fola:
“Ja do hiqeni si miq
ja na prisni si armiq!”
…
Unë i thashë, i thashë, i thashë
S’më dëgjoi dhe unë i rashë...
…
Ai ishte i pajosur
Që në fill e në gjilpërë
Unë në kurmin e gjakosur
Plagën s’kesh me se ta zërë
Vallë, sa njerëz ka hedhur në sulm për Shqipërinë me këngë në gojë kjo poezi? Shkruajtur nga Gjergj Fishta i Labërisë, siç mund ta cilësonim këtë bir të Vlorës ?
Ajo ka shpërthyer në periudhën e habitshme të lavdisë shqiptare, kur një qytet fitoi përmbi një perandori.
Ali Asllani, edhe ndonjë ves që mund të ndeshet mes lebërve, e korrigjon me shumë dashuri dhe hare, ëmbël dhe duke qeshur, siç ta zëmë, poema humoristike kushtuar “Hodo qorrit”.
Mbase zonat që e paguan më shtrenjtë, me gjak, shkretime e lot pafund periudhën e postkomunizmit, pikërisht Vlora në Jug dhe Tropoja në veri.
Po flasim për Vlorën e Labërisë. Kjo zonë që nxori aq brigade luftarake partizane, që nxori aq pilotë, tankistë, sigurimsë trima; që nxori aq shkencëtarë të paepur, erdh dita, që, prej politikës dhe kushteve të berihajt postkomunist, nxori nga brezi tjetër, më pas, një tjetër kategori nga rinia e radhës. Jo pak banda, trafikantë ultratrima, djem guximtarë që çanin Adriatikun me gomone natën dhe nën terror të disafishtë, në të tilla kushte, saqë mund të dukeshin lodra kalamajsh përplasjet me detin të kryepiratit ulqinak Haxhi Alia; transportues narkotikësh, kriminelë sypatrembur dhe gjakftohtë. Këta mund të ishin bërë pilotë, policë, oficerë, sigurimsa të shtetit e popullit të tyre, futbollistë, kompozitorë këmbëngulës, etj, por ja…Jeta. Sigurisht e tërë rinia vlonjate nuk e pësoi siç përshkruan Londoni qenin që u kthye ne origjinën e ujkërisë së tij.
Vlonjatët vazhdojnë të mbërthehen në dashurinë e tyre për dijen, librin, kulturën e edukatën. Ata qenë një popullatë thuajse e pashkolluar por pas luftës ata morën penën dhe u shkolluan shumë, në mënyrë masive dhe kësaj dashurie ata i mbetën besnikë për jetë, duke bërë vetëm përpara, si “arnautë “ të vërtetë; siç është kuptimi i kësaj fjale arabe me të cilën na cilësonin turqit ( “arnavuud” – njeri që shkon vetëm përpara, sipas psikollogjisë së antkitetit iliro – grek shprehur “O me mburojë, o mbi mbrojë”; ja, nga ky tipar tanimë genetik te shqiptarët, lindi, duket, cilësimi ynë “Arnaud”. Lexuesit mbase s’e dinë që në kohën e Preandorisë Otomane, rrugën për në Qabe, e ruanin vetëm mercenarë të një nacionaliteti, vetëm burra aranutë – duke iu këkrkuar falje për këtë sqarim të zgjatur, autori, R.L.)
Kush mund të ketë rast të shtjerë në dorë librin e Luanit “Nga Llogoraja në Niagarë”, do të ndjejë atë dashuri të papërshkruar për atdheun, saqë me siguri matematike, një emigranti do t’i shkojnë lot.
Të gjithëve na kujtohet se çfarë bënë njëmbëdhjetë lebër në emër të atdheut, në kohën kur nëpër botë nuk pushonin lajmet për shtypjen e popullatës kosovare nga regjimi i Beogradit. Ishte viti 1981 dhe shqiptarët atje u hodhën në revoltë mbi skëterrën e projektuar nga Tito. Ata i kishin sytë nga “Ama”. Dhe … njëmbëdhjetë lebër nga “Ama” mundën ekipin brilant të “Partizanit “ të Beogradit, të dytin në Evropë. Ata, para ndeshjes heroike deri në kufijtë e barbarisë në Beograd, ia kishin mbathur këmbët skuadrës sërbe mu në Vlorë. Atje, ku dikur, kishin hedhur në det superfuqinë e vitve ’20 të shekullit të kaluar…
Mua më ka rastisur ndonjë herë të shkoj në këtë “akademi” lebërish. Mburrja, që është defekt i njohur i lebërve, këtu nuk ndjehet dhe aq, apo nuk ndjehet fare. Është edhe ajo, siç thuhet, “Ujku” e njeh “çakallin”, por është edhe kultura që mbizotëron në këta orë të shenjta për secilin nga këta burra. Sa më i ditur të jetë njeriu, aq më kokë të rënduar nga mendimet ka, dhe, këta burra, janë që të gjithë , adhurues të librave, leximeve dhe dijeve...Fesate mund të ngrërë politika. Është e pamundur të mos flitet për të. Ama, kur ka ndonjë gjaknxemje, ekonomisti Luan, që ka bredhur nga Llogoraja në Niagarë, që u ka dhuruar shokëve edhe nga një bejte shumë të bukur, kujdeset që puna të mos trashet më, duke joshur mirësinë e të gjithëve…
Ora për të ikur.
Bardhyl Golemi, Fatosh Voshtina, Vasillaq Ndini, Laver Hasani, Llazar Papajorgji, Duro Mustafaj, Irfan Bregu, Taulla Bino, Pirro Veshi, Harilla Papajorgji, Niko Gjyzari, Gudar Toto, Sadedin Gjoka, Axhem Gjonaj, Vangjel Loli, Dusho Dushaj, Reshat Kripa e Minella Mosko, Përparim Hysi Amerikano – Skraparlli, Viktor Hoxha nga Gjirokastra dhe Luan Çipi, ngrihen si me komandë.
Kafeneja që ka mbledhur këta burra të mençur dhe që gjenerojnë atë që i duhet më shumë shqiptarëve, kulturën dhe tolerancën – nis të boshatiset.
Në një cep të tavolinave të bashkuara, në krye të filxhanëve të braktisur, rri tanimë një tog i madh me monedha 50 lekëshe...