2013-12-18

Nga Flori Bruqi:Nga fjala humbën Judë e Pilatë,por nuk humbi dot Dritèro Agolli!


Dritëro Agolli poet, prozator dhe publicist, që nga viti 1973 kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë.



Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit(1931). Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme "Zëri i popullit", dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhëDritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet'60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një "gjuhe të vogël", ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet '60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për "rreptësinë" e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e "un-it", përkundër poezisë së "ne-ve", që shkruhej "për të bashkuar masat". Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradizionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi lo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.

Krijimtaria

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.). Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).

Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri. Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”.


Dritëro Agolli was born in 1931 in Menkulas Devolli, (Albania). He studied in Leningrad and is one of the most outstanding Albanian poets. He writes short stories, romances, plays, and essays but his main subject is poetry. Among his best books are: "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (The Rise and Fall of Comrade Zylo) 1973, "Nëna Shqipëri (Mother Albania) 1974, "Fjala gdhend gurin (The World Carves a Stone) 1977, and "Fletorka e Mesnatës (Midnight Notebook) 1998 (with haiku poetry). Mother tongue: Albanian. Located in Tirana, Albania.



Tituj të veprave


Në rrugë dolla, 1958
Hapat e mia në asfalt, 1961
Zhurma e erërave të dikurshme, 1964
Shtigje malesh dhe trotuare, 1965
Mesditë, 1968
Komisari Memo, roman, 1969
Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, roman 1973
Nënë Shqipëri, 1974
Njeriu me top, 1975
Fjala gdhend gurin, 1977
Trëndafili në gotë, roman, 1980
Fytyra e dytë, dramë
Mosha e bardhë, dramë
Udhëtoj i menduar, 1985
Njeriu i mirë qe ben seks, tregime
Kalorësi lakuriq, roman
I përndjekuri i dashurisë,2013



Poezia

Poezia e Agollit krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë, në shqetësime dhe në mjeshtërinë letrare. Me krijimtarinë e vet Dritëro Agolli ka treguar se di të rrezikojë në letërsi. Dyzet vjet më parë, duke botuar vëllimin e parë poetik "Në rrugë dola" (1958), ai huajti për titull pjesën e parë të një dyvargëshi të mirënjohur të poetit skocez Bërns: "Në rrugë dola / Pas meje porta u mbyll".
Rruga e rritjes së tij poetike shprehet dhe në titujt e librave poetikë: Hapat e mia në asfalt (1961), Shtigje malesh dhe trotuare (1965), Devoll-Devoll (1964), Mesditë (1968), Baballarët (1969), Nënë Shqipëri (1974), Fjala gdhend gurin (1977), Udhëtoj i menduar (1985), Pelegrini i vonuar (1993), Lypësi i kohës (1995), Fletorkat e mesnatës (1999) e libra të tjerë. Me poezinë e tij Dritëro Agolli e çkanonizoi vjershërimin e traditës dhe njëherësh krijoi një traditë të re e çliroi poezinë shqipe nga një frymë monumentalizmi të gënjeshtërt, nga deklarativizmi dhe ngurtësia; ndryshoi përdorimin për "temën e madhe", duke kërkuar madhështi poetike jo vetëm prej luftës dhe heroizmit të jashtëm, por edhe prej përjetimeve të "heroit të dobësisë"; duke zgjeruar shumëfish hapësirën e realitetit në poezi dhe duke i ndryshuar rrënjësisht raportet ndërmjet tyre. Agolli krijoi një poezi antologjike me motive të përditshmërisë së jetës.
Poezia e Agollit ka ndikime të drejtpërdrejta prej poezisë popullore, prej artit të Naim Frashërit e të Lasgushit, prej Bërnsit e autorëve rusë të fillimit të shekullit të 20-të. Kjo poezi emancipoi në tërësi mendimin letrar në Shqipëri dhe futi frymën e konkurrencës për ide të reja dhe cilësi në art. Gjithashtu krijimtaria poetike e Dritëro Agollit mund të cilësohet si liriko-epike. Kjo ishte një shmangie e madhe nga tradita, e cila mbahej kryesisht në lavdinë epike. Agolli e pruri poezinë shqipe prej kozmocentrizmit në homocentrizëm.
Poezia e D. Agollit e ktheu vëmendjen në jetën e njeriut në kohë paqeje. Në kohën kur u botuan librat e parë poetikë të tij, botën e sundonte slogani "t'i ktheimë armët në plugje". Kjo ishte një thirrje e përgjithshme e njerëzimit në gjysmën e planetit. Në këtë kohë Agolli shkroi poezi që përshkohen nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, babait. Ishte një prurie e re në letërsinë shqipe pretendimi i tij për të qenë një "unë" i identifikuar në letërsi. Kjo u shpreh qartë, fillimisht në poemat "Devoll-Devoll", dhe "Poemë për babanë dhe për veten".
Nga ana tjetër në tërësinë e vet poezia e Dritëro Agollit sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe i bagëtisë. Në këtë tipar të poezisë së tij rishfaqen panteizmi i Naimit dhe gjurmë të botëkuptimit bektashian.
Në mënyrën e vet Dritëro Agolli krijoi "një Shqipëri alterna-tive", që mbështetej në një ideal romantik. Kjo është një marrëdhënie e zakonshme poetike me realitetin, e njohur në traditën shqiptare
dhe atë të huaj. Të gjithë e dinë se Naimi e kishte fare mirë të qartë se cila ishte Shqipëria, por ai krijoi Shqipërinë e vet plot bukurira imagjinare. Ismail Kadare e krijoi "Shqipërinë tjetër" duke mërguar në lashtësitë e moçme shqiptare. Ndërsa "Shqipëria tjetër" e Dritëro Agollit, që hyjnizohet tek "Nënë Shqipëri" dhe në vepra të tjera, është kulti i atdheut, përthirrja e krenarisë kombëtare. "Nënë Shqipëri", si duket, u shkrua si një "Bagëti e bujqësi" e kohëve moderne. Fryma naimiane e futurizmit romantik ("Shqipëria, ç'mund të jetë", siç do të shprehej Samiu), ndihet e plotpushtetshme në poemë. Agolli dëshironte të ndërtonte një Shqipëri të lumtur. Poetikísht kjo mund të arrihej ose në formën e mitit të së shkuarës (nostalgjisë për "motin e madh", si e bënë shumica e rilindësve), ose në formën e utopisë - kultit të së ardhmes, idealizimit të një "vendi që nuk ekziston" (nga greqishtja. "u-topos", "vend që s'është").
Dhe në vëllimet më të fundit poetike, D. Agolli s'ka pushuar së qeni një poet mjaft popullor, që s'mban kurrëfarë distance me lexuesin e thjeshtë; që dhimbjen, gëzimin dhe dobësinë njerëzore i merr si ndjenja universale dhe i shkrin me filozofinë jetësore. Raportet jetë / vdekje, lumturi / hidhërim, tradhti / besë etj. bashkëjetojnë dhe përplasen me njëra-tjetrën sa në realitetin e jashtëm aq edhe në atë të brendshëm.
Dritëro Agolli që nga fillimet e deri më sot mbeti një poet i trishtimeve "të vogla" për një zog të vrarë apo një qen të shtypur dhe poeti i dhimbjeve të mëdha për udhëkryqin e historisë shqiptare. Asnjë poet më shumë se Agolli nuk e ka të shprehur kaq me sinqeritet dobësinë e vet njerëzore.

Më ndodh sikur s'jetoj në vendin tim,
Por në një vend të huaj dhe të largët...
(Sikur s'jetoi në vendin tim)

... Dhe gishtat kërcas si kokrra arrash të forta
Është koha kur mblidhem shuk nën peshën e natës
Dhe pres i friksuar kusarët të vijnë te porta
(Është koha)

Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë,
E mbylla dhe derën që rrinte e hapur...

... Diku në një skaj të largët do prehem
Me qafën e futur në jakën gri të xhaketës...
( Trishtimi)

Libri poetik "Fletorka e mesnatës" u botua nga Dritëro Agolli në 40-vjetorin e botimit të vëllimit të parë, "Në rrugë dola".
Gjatë 40 vjetëve krijimtari, poezía e Dritëro Agollit ka ruajtur disa tipare përveçuese, të cilat janë të pranishme vijimisht: kultin e tokës dhe të bukës, shenjtërimin e natyrës dhe të njeriut, raportin vetjak me botën, mitin e dheut të të parëve dhe të historisë së tyre, përmasën e një të ardhmeje optimiste dhe zhgënjimin për humbjet e së shkuarës.
Në vitet '90 Agolli iu paraqit lexuesit të vet me një ringjallje poetike. Kjo qe një sfidë e fuqisë krijuese. Pas "Pelegrinit të vonuar" dhe "Lypësit të kohës", në një periudhe kulturore që erdhi me tronditje të rënda të referencave të shoqërisë, poeti shfaqi një tjetër pjesë të fshehtë të vetes, që ruhej diku në "Fletorkën e mesnatës".
Në këtë libër shpërfaqet po ai Dritëro që prej vitesh "udhëton i menduar", po ai qytetar që mundohet të shohë fatin e vet në fatin e bashkësisë ku jeton, i njëjti poet që e gdhend fjalën sikurse mjeshtri gurin. "Fletorka e mesnatës" është një vëllim me të cilin poeti ka shprehur përjetimet e dhimbshme të një kohe me tronditje të mëdha, prej vitit 1996, kryesisht të vitit 1997, disa edhe të vitit 1998. Me këtë vëllim është paraqitur një hapësirë tjetër e poezisë së tij.
Vjershat e "Fletorkës së mesnatës" janë bisedë e dhimbshme me veten, me miqtë, me aleatët dhe kundërshtarët, me njeriun ashtu siç është. Nata është e ngarkuar me zymtësi dhe njeriu është mirë të mos mendojë gjatë natës. Nata është depresive dhe njeriu është mirë të ruhet prej rënies, sidomos në kohëra të rënda. Mirëpo ndërgjegjja e poetit nuk mundet ta pranojë këtë luks. Dhe është një fat që ndërgjegjja e poetit ka ndenjur zgjuar e ka kthyer në art situata e ndjesi që njeriu i zakonshëm do t'i shmangte lehtë me një qetësues nervash. Poeti ka nyjëtuar në artín e tíj vuajtjet e njeríut që e di përgjegjësinë e tij para opinionit, që t'i tregojë atij se ç'vlerë ka dhimbja. Po, edhe dhimbja ka vlerë! Eshtë një ndjenjë fisnikëruese.
Ka qenë një fat për njeriun shqiptar, subjektin që pret letërsinë në gjuhën shqipe, që këto dhimbje poeti la sjell atij si një "realitet të dytë", si realitet letrar. Ne dridhemi nga dhimbja e poetit, që vjen prej "realitetit të parë", ngjarjes së ditës, gjëmës së ditës, tronditjes së ditës, të cilin poeti nuk e ka përjetuar si poezi. Përmes dhimbjes letrare që arriti të shprehë Dritëro Agollí ne kemi mundur të kuptojmë vlerën e mahnitshme të gjuhës që flasim e që kanë folur të parët tanë, vlerat e kësaj pasurie që i lidh shqiptarët me burimin e kryehershëm të popujve evropianë e indo-evropianë, finesat e saj të brendshme, që vetëm një mjeshtër i fjalës mund t'i bëjë të ditura.


Proza

Komisari Memo (1970), ndoshta për shkak të ngjyresës së fjalës "komisar", është një libër që shpesh është gjendur i ekspozuar kritikës. A është "Komisari Memo" një vepër tipike e realizmit socialist, në kuptimin e nënshtrimit ideologjik (ndaj frymës së partisë) dhe artistik (ndaj kanoneve), domethënë një vepër skematike? Vështirë të thuhet po. Së pari, sepse vetë figura qendrore e romanit, komisari Memo, është brenda llojit të "njerëzve të krisur" që përmban në tërësinë e vet letërsia e Dritëro Agollit. Ai nuk është një komisar i ngrirë në rregulla e mendime, si dy paraardhësit e tij, që komandanti Rrapo i kishte përzënë pa e zgjatur. Komisari Memo, "patriot i një kohe të re", e gjen pa vështirësi gjuhën e komunikimit me "shqiptarin e vjetër patriot" komandantin Rrapo, që ngjan si i thirrur prej kohës së komitëve. Ai është një hero që herë-herë e shkel disiplinën, bën gabime, dashuron një vajzë në një kohë kur për cënim të kësaj tabuje, mund të merrje vendimin e pushkatimit nga gjyqi partizan (duhej edhe shumë që Kongresi i Helmësit ta lejonte dashurinë), nuk bën "trimërira sokolash".
Zhurma e erërave të dikurshme (1964), një përmbledhje me tregime, botuar më 1964, u hoq nga qarkullimi për nxirje realiteti Nga pikëpamja letrare, këto tregime, një pjesë e të cilave u ribotuan në librin "Njerëz të krisur", janë të mbushura me personazhe atipike, me karakter e pamje të paskalitura, me individualitete jashtë standartit, gjë që përbënte një largim të hapur nga parimet e metodës skematike zyrtare.
Në romanin Njeriu me top (1975) Dritëro Agolli zbuloi një marrëdhënie tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur" të Kadaresë, sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Zot e rob i pushkës, i magjepsur dhe i marrosur prej saj, ky njeri bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Ky njeri është i denjë të thërrasë me dëshpërim njësoj si Hamleti: "Dynjaja u prish! O hak i madh, ç'pret?!", ndonëse mund të mos e ketë dëgjuar kurrë emrin e Shekspirit. Edhe në këtë roman shfaqen gjurmë të babait patriark në organizimin e bashkësive bektashiane shqiptare.
Romani Trandafil në gotë (1980) u prit nga mendimi letrar si një "libër rozë", por me këtë vepër Dritëro Agolli provoi të bënte një sfidë tjetër në letërsi, duke krijuar një vepër të arrirë me një personazh që gjendet midis dashurish, pa tema epokale; pa epizëm dhe heroizëm. Me këtë roman Agolli krijoi njeriun hero për merita të dobësisë, duke manifestuar një hapësirë lirie vetjake jashtë asaj lirie që ofrohej prej mendimit shoqëror të kohës.
Dritëro Agolli është një shkrimtar i mësuar me "goditje rrufesh". Në vitin 1965, një plenum i posaçëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës për letërsinë dhe artet, e kishte kritikuar në raportin kryesor librin e tij "Zhurma e erërave të dikurshme", i cili pastaj u hoq fare nga qarkullimi. Ndonëse periudha e liberalizmit në kulturë (1972-1974) e gjeti "në pozita të shëndosha" (sapo kishte botuar poemën "Baballarët", që evokonte lidhjen e brezave dhe jo konfliktin e tyre), romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, që botohej pjesë-pjesë në revistën "Hosteni", u ndërpre me porosi nga zyra të larta të shtetit. Në mesin e viteve '70 një teatër vuri në skenë dramën e tij "Baladë për një grua", ku personazhi qendror, një aktiviste e partisë në rreth, anëtare byroje, voton kundër përjashtimit të ish-burrit të saj nga partia, por duke zbritur shkallët pas mbledhjes i thotë: "Ti je i denjë për të qëndruar në parti, por jo për të qenë burri im!". Ishte një "kundravajtje ideologjike" që nuk mund të falej. Sipas vijës duhej të ndodhte e kundërta: marrëdhënia në familje vinte si rrjedhim i mbetjes ose jo në parti. Shfaqja u ndalua dhe drama nuk u botua më. Edhe dramat Fytyra e dytë e Mosha e bardhë nuk u pritën mirë nga kritika zyrtare. Polemikë kritike u zhvillua për romanin "Trandafil në gotë". Vitet '80 vijuan me një varg zymtish të tjera. "Hundëleshi" (i botuar më pas me titullin "Kalorësi lakuriq"), u kritikua ashpër për ironi dhe aludime anti-ideologjjke. Kritikat ndoqën edhe disa tregime dhe cikle poezish të botuara në gazetën "Drita". Ndërsa për romanin "Dështaku", që pruri tek lexuesit një realitet me dramë, u mbajt heshtje.

Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo (analizë)

Ndonëse vetë shkrimtari D.Agolli është shprehur se "me Arkën e djallit, do të ndryshoj përfytyrimin e letërsisë shqipe", për një shumicë lexuesish kontributi më i rëndësishëm letrar i tij në prozë është "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" (1973).
Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari "në vijë", romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin.
Vitet e fundit, veçanërisht pas botimit në Francë, këtij romani i është rikthyer vëmendja. Rreth tij është debatuar shumë. Janë hequr paralele dhe janë bërë analogji me vepra të ngjashme që nuk gjetën tribunë botimi në vende të Lindjes ish-komuniste. Me këtë rast është përmendur, jo pa njëfarë çudie, shkalla e lirisë së krijimtarisë tek autorët më të talentuar në Shqipëri. Për një gjykim më pranë së vërtetës rreth kësaj çështjeje, ndoshta duhej vënë në dukje fakti që ky roman u paraqit fillimisht si pronë letrare e së vetmes revistë humoristike të vendit - "Hosteni" - si dhe fakti tjetër i njohur, që e qeshura mundëson gjithçka. Përmbysjet e mëdha fillojnë me humorin. Kur një periudhë historike mbërrin kohën e humorit, kjo do të thotë se ajo ka trokitur në çastin e zbaticës. "Ushtari i mirë Shvejk shembi lavdinë e perandorisë", thotë Hasheku.
Për burokratët dhe servilët është shkruajtur jo pak, por faji përgjithësisht i është hedhur njërës palë: ose eprorit arrogant, ose vartësit të përulur. Kurse në romanin humoristik të D.Agollit, Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë "Zylyftar" dhe "Demir", ku nuk merret vesh ku fillon "modernizimi" dhe ku mbarojnë "përkëdhelja/ përqeshja", e meritojnë plotësisht njëri--tjetrin. Të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, ata janë njëherësh bashkëfajtorë për lëngatën që e vetëvuajnë.
Për artin e humorit paraqitja e dy personazheve në bashkëfajësi është një zgjedhje e njohur. Mjafton të kujtojmë, bie fjala, lidhjet midis Don Kishotit e Sanço Pançës në veprën e mirënjohur të Servantesit, Oliver Hardin dhe Sten Laurelin. Edhe Zyloja me Demkën të tillë janë, një në dy apo dy në një. Ata ushqejnë njëri--tjetrin dhe nuk mund të ndahen. Zylo pa Demkë dhe Demkë pa Zylo nuk mund të ketë. Cili prej tyre është më shumë fajtor? Kjo nuk është një gjë që zgjidhet lehtë.
Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkia shtetërore është edhe hierarki meritash. Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nëpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos.
Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragjikomike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tlj është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike.
Zyloja nuk është i vetëdijshëm për sëmundjen që e mundon. Ai nuk është një burokrat skematik, që shquhet që atje tej. Përkundrazi, lexuesi e mbyll librin i bindur se, po të mund të bëhej i ndërgjegjshëm për dobësinë, shokut Zylo ndoshta do t'i vinin mendtë dhe do të gjente forcë për të ndrequr veten. Prandaj ai është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me padijen, me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën. Në këtë kuptim, Zyloja i shfaqet lexuesit në një pamje sa të rrezikshme, aq edhe për t'i qarë hallin.
Zyloja nuk i beson faktit, por imazhit që ka në mendje, iluzionit. Përmasa e jetës në mënyrën e të menduarit të tij është zëvendësuar nga idetë format. Subjektivisht Zyloja e konsideron veten në pararojë të shoqërisë, kurse objektivisht e kufizon atë. Këtu ndahet edhe qëndrimi emozional i autorit. Ai e përqesh, e satirizon, e vë në pozitë të vështirë personazhin e vet, por edhe i dhimbset, e justifikon disi, madje, në një farë mënyre, ka raste kur duket qartë se e merr në mbrojtje, duke mos e zhveshur nga çdo vlerë. Situatat që kalon Zyloja i jeton me seriozitetin më të madh, kur të tjerët mezi e mbajnë të qeshurën. Duke ngatërruar forcën e ligjit, të kompetencës, të të drejtave si epror, me forcën e argumentit, që është autoriteti më i lartë, ai i mvesh vetes atribute të pamerituara, beson verbërisht në forcën çudibërëse të urdhërit, të fjalës. Duke imituar modelin që ka zgjedhur si shpresë për "nëpunësin në ngjitje", ai shmanget nga vetja.

Burokrat i çuditshëm, në të shumtën e herës i dehur nga një realitet që nuk ekziston, i mërguar nga jeta e vërtetë, megjithatë, herë-herë Zyloja thotë disa të vërteta lakonike dhe të befta, që ai i quan "ese". Në këto raste është shumë e vështirë të përdoret për të emërtimi burokrat. Madje thua: "sa mirë do të ishte të mos e pushtonte ajo sëmundje e mallkuar, ajo marramendje, ajo dehje që vjen nga iluzionet, ai dyzim i realitetit.

Hasheku, në parathënien e romanit të tij të njohur "Ushtari i mirë Shvejk", thotë se kënaqësia dhe vlerësimi më i madh për të ka qenë kur dëgjoi një ushtar t'i drejtohej me emrin e personazhit të tij shokut të vet., Këtë kënaqësi duhet ta ketë ndier edhe autori i romanit "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo". Zyloja dhe Demka janë bërë shenjime kategorish të shoqërisë. Edhe si burokrat, Zyloja është i veçantë, disi kapricioz, kontradiktor, krejt i pangjashëm me një galeri të tërë personazhesh të këtij lloji, që gjenden në letërsinë humoristike apo johumoristike. Zyloja është një burokrat me dramë, burokracia e tij nuk është butaforike dhe estradeske. Natyra e dyfishtë, mospërputhja ndërmjet qëllimit dhe përfundimit, i provokon lexuesit emocione tejet të kundërta. E rëndësishme është se cilido që të jetë emocioni: dhimbje, keqardhje, përqeshje, lexuesit i shkakton ndjenjën e refuzimit ndaj pozitës së personazhit.
Zyloja dhe komisari Memo janë dy prej personazheve që e kanë vënë autorin në provën e skemës. Një burokrat dhe një komisar, në një letërsi të mbushur me burokratë dhe komisarë, ishte e vështirë të kishin individualitetin e tyre. Nëse D.Agolli edhe në këto dy raste e tejkalon skemën, duke krijuar një burokrat të vërtetë dhe një komisar të vërtetë, kjo do të thotë se ai e ka mundur skemën.
Demka, nga ana e tij, gjlthashtu është sa qesharak, aq edhe i mjerë. Dikur njeri me talent, me kohë ai e ka lënë rrugës individualitetin dhe dhuntinë e vet, për t'iu nënshtruar "vullnetit të detyrës", një eufemizëm për vullnetin e eprorit. Ai nuk e ka zotësinë magjike të kundërshtimit dhe lexuesi thotë "mirë t'i bëhet", por prapë se prapë ndjen keqardhje për të.
Me Demkën autori paralajmëron se njeriu i zakonshëm mund ta shpërngulë fajin nga vetja dhe të gjejë një alibi, por ai që ka hyrë në botën e mediumeve publike nuk ka alibi. Individi fiton aq liri sa meriton. Për skllavin e bindur më e mira është skllavëria.
Ku mund të jenë sot, pas dy dekadave jete si personazhe ndërmjet lexuesve, Zyloja dhe Demka? Një gjë mund të thuhet me siguri: ata përsëri janë bashkë. Ndoshta mund të kenë ndërruar rolet. Kjo ndodh shpesh me çifte të tillë personazhesh. Në romanin e njohur të Servantesit në fillim Don Kishoti është krejt jashtë realitetit, në botën e iluzioneve, kurse Sanço Pança habitet me lajthitjet e të zotit. Por në fund të romanit është Sanço Pança që e humbet sensin e realitetit, duke besuar se është emëruar guvernator i një shteti, ndërsa Don Kishoti habitet me naivitetin e shqytarit të tij.


Arka e Djallit (analizë)

Duke e lexuar me kërkesat e një estetike letrare kanonike, "Arka e djallit" në kuptimin e plotë të fjalës është një vepër e padisiplinuar. Ajo dëshmon dhe një herë se personalitetet e fuqishme të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se metoda e tyre krijuese, sikurse edhe e kundërta: autorët e patalentuar e kanë kufizuar edhe më shumë veten se "parimet" e metodës.
Dritëro Agolli nisi ta shkruajë "Arkën e djallit" në fillim të viteve '80, kur letërsia shqipe i hidhte me shumë kujdes hapat e vet, duke njohur rreptësinë e metodës dhe vështirësitë "për t'ia hedhur" asaj. Romani u përfundua në fillim të viteve '90, kur në jetën shqiptare hyri një kuptim tjetër i lirisë së mendimit dhe të krijimit. Por, ndërkaq, për autorin ishte shumë vonë t'i rikthehei veprës për ta rishkruar (gjë që s'përputhej as me parimet e tij krijuese), sikurse ishte po aq e vështirë t'i paraqiste një lexuesi të lirë një vepër të shkruar në kushtet e kufizimeve të përgjithshme të shoqërisë.
Një nga pyetjet më të mprehta të gjykimit të librit "Arka e djallit" është pikërisht ajo se ç'liri i ofron prej viteve '80 një shkrimtar i talentuar si Dritëro Agolli brezit të ri të lexuesve të viteve '90, që hyri në shoqëri me kërkesa tjetërsoj për lirinë dhe artin, për vlerat dhe gjymtimet? Çështja mund të shtrohet në një formë më konkrete. Një vepër e shkruar në ato vite, e llogaritur të kishte për horizont të pritjes lexuesin tradicional, që realizmin e angazhuar e vlerësonte si një shkallë më të lartë të realizmit, si do të pritej pas ndryshimit me themel të horizontit të pritjes? Kjo është çështja e lirisë krijuese. Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje është e nevoishme të pohohet që në fillim se në romanin "Arka e djallit" lexuesi gjen disa shkallë të lirisë, të cilat, ndonëse nuk kanë kufij të përcaktuar ndërmjet tyre, megjithatë janë të dallueshme. Kjo e bën atë një "vepër me liri shumëkatëshe".
Shkalla e parë e lirisë së shpërfaqur është ajo e shkrimtarit. Gjithë rruga krijuese e D.Agollit është një zinxhir shmangiesh nga disiplina metodologjike. Romani "Arka e djallit" ka në qendër të veprimit një shkrimtar: Sherif Abecenë. Detyra e tij është të zbulojë "arkën e diallit", një sënduk ku ruhen dorëshkrimet e ndaluara të një autori që "ka shkelur vljën". "Djalli" që duhet të zbulojë shkrimtari s'ka të bëjë me demonologjinë popullore, as me ndonjë qenie që tundon njeriun për të dalë nga rruga e perëndisë. "Djalli" është romani "Shakaja e ndaluar ose njeriu që e ndaluan të qeshë", nje vepër e ndaluar e shkrimtarit të dënuar Bamkë Dynjaja, jeta e të cilit është ndërlikuar në episode të paqarta, që mbeten enigmatike deri në fund dhe që lexuesi duhet t'i marrë me mend si shprehje disidence.
Shkrimtari Dritëro Agolli, duke vendosur në qendër të romanit të tij kërkimin për të zbuluar një tabu, duke kërkuar të ndaluarën, shfaqet me një përmasë lirie që gjendet mbi lirinë e shoqërisë, mbi lirinë shtetërore, mbi lirinë e qytetarëve të zakonshëm, mbi lirinë që ofronte metoda. Në një farë mënyre, shkrimtari me këtë zgjedhje merr vendimin "të ulet në karrigen e djallit" dhe të bëhet avokat i tij, të marrë në mbrojtje sëndukun e drunjtë ku është ndryrë mendja dhe krijimtaria e një shkrimtari që kërkonte ndryshime në shoqëri.
Shkalla e dytë e lirisë shprehet nga shkrimtari Sherif Abeceja, i cili, si personazh i librit, ndërmerr udhëtimin për në fshatin e largët Qershizë, me qëllim që ta shpëtojë "arkën e djallit", romanin e ndaluar të Bamkës. Kjo është një shkallë më e lartë lirie, sepse, duke qenë një alter-ego e autorit, D.Agollit, shkrimtari Sherif Abeceja, në fund të fundit një hije, hero romani, është më i lirë t'i pohojë idetë e rrezikshme, sepse një hije nuk trembet as nga doktrinat, as nga ligjet, as nga kufizimet e një metode, as nga nenet kushtetues të ndalimeve, as nga gjyqi dhe dënimi. Sherif Abeceja ia merr fjalën nga goja shkrimtarit të vërtetë, D.Agollit, për të mos e lënë të rrezikojë hapur, sepse ai është shtetas i një vendi të cilit duhet t'ia zbatojë ligjet, qofshin ato liberale apo restriktive.
Një shkallë e tretë e lirisë krijuese gjendet në "shthurjen" e Cute Babules, një personazh që gjithashtu shumë herë bëhet bartës i mendimeve të autorit, sidomos në filozofinë e tij për jetën, për njeriun dhe botën, për atdheun dhe planetin, për historinë dhe të sotmen, për popullin dhe qeveritë. Cute Babulja, në romanin "Arka e djallit", qysh në fillim të viteve '80-të protestonte kundër lënies së fshatarit pa bagëti, pa një copë pronë të vogël. Kurse autori i romanit mundi t'i nyjëtonte pa ndërmjetësinë e personazhit të tij këto ide një dekadë më vonë.
Cute Babulja është paraqitur në vepër si njëfarë "sherr-budallal", që përpiqet t'i bëjë të pranueshme idetë e tij duke i fshehur pas një shakaje, pas një sofizmi, pas një naiviteti. Ai ka arritur fitoren e madhe që edhe "atje lart" të mendojnë e të thonë: "Kështu e ka Cutja!". Kjo është një përparësi e madhe për të. Ai është i lirë të pohojë mendime që as shkrimtarit me famë botërore Sherif Abeceja nuk i shkon në mendje t'i shprehë. Cute Babulja ka dalë me kohë jashtë "kryqit" të "njeriut të ri" dhe i ka krijuar vetes një hapëslrë lirie mbi të tjerët.
Shkrimtari arrin një shkallë të katërt lirie me "romanin brenda romanit", me "arkën e djallit", ku gjendet vepra e ndaluar e Bamkë Dynjasë. Ajo quhet "Shakaja e ndaluar", titull që të kujton romanin e njohur të Kunderës "Shakaja". Kritikët perëndimorë kanë shkruar se, po të ishte përkthyer më herët "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", ndoshta "Shakaja" e Kunderës do të priste radhën për të zënë ndonjë vend tjetër në vlerësimet e opinioneve letrare. Në romanin "Arka e djallit" gjendet pikërisht një vepër që mban si titull emrin e veprës së Kunderës, i cili për rreth dy dekada u bë shenjëzim i disidencës letrare në vendet e Lindjes. Në këtë shkallë të lirisë krijuese D.Agolli është fare pranë disidencës. "Romani brenda romanit", siç e përcaktuam qysh në fillim "Shakanë e ndaluar" të Bamkë Dynjasë, që lexuesi e gjen gati të plotë në faqet e "Arkës së djallit", merret me mend se nuk është ndonjë zbulim i autorit, ajo është një vepër e shkruar nga i njëjti autor.

Një nga dukuritë më interesante që vihen re në romanin "Arka e djallit" është shprehja e vetvetes në një shumësi emrash. Autori i veprës shihet i projektuar në figurën e shkrimtarit Sherif Abeceja në sjelljet e tij të serta, në tiparin e tij të këmbënguljes për të zbuluar atë që të tjerët përpiqen ta mbulojnë, në heshtjen dhe dialogët "me popullin". Ai shihet i projektuar tek figura e Cute Babules në mënyrën si ndërton humorin, si u heq cipën mashtrimeve, si sillet shpenguar në marrëdhëniet me të huajt, si i mund komplekset e veta dhe gjen shtigje e rrugëdalje edhe në situata të vështira, si i ndërton bisedat dhe lidhjet me fshatin dhe fshatarët, si preket e ligështohet pas gabimeve dhe qortimeve. Në figurën e Bamkë Dynjasë është një pjesë e fatit real të vetë shkrimtarit. Eshtë fakt se D.Agolli pati nisur ta botonte "Arkën e djallit" në formën e fragmenteve, por fundi i saj qe ndalimi, një sënduk njësoj si ai i "Shakasë së ndaluar" të Bamkës.
Nuk është e rastit që D.Agolli, duke e quajtur romanin e tij "Arka e djallit", që nënkupton sëndukun ku mbahet e kyçur vepra e ndaluar e Bamkë Dynjasë, i ka paralaimëruar atij një fund të trishtuar. Ndoshta autorësia e shumëfishtë (unë s'jam as Bamka, as Cutja, as Sherif Abeceja; ata janë personazhe të një vepre, ku shkrimtari ka qëndrimin e tij të qartë) mund të mos funksiononte si lehtësi dhe hile për të thënë atë që ishte e zorshme të thuhej. Ndoshta edhe romani i Agollit mund të përfundonte pikërisht në një sënduk të frikshëm, të cilin më pas dikush do të duhej ta zbulonte.
Duke mundur "vetëkufizimin", me "Arkën e djallit" D.Agolli e çliroi letërsinë shqipe nga një prej pengesave më të mëdha. Deri më sot është e zorshme të gjendet një vepër tjetër ku autori të ketë arritur vetëshfaqjen jo vetëm në atë që ia ndalojnë të tjerët, por deri në atë që ia ndalon ai vetvetes.


Trishtimi

Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë
E mbylla dhe derën që rrinte e hapur
Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë
Që shtireshin engjej të dashur.

Ku vete s'e di , veç s'dua të kthehem
Sërishmë në rrenat e jetës
Diku në një skaj të largët do prehem
me qafën e futur në jakën gri të xhaketës.

Vetmija

E vetmuar ti, i vetmuar unë
Nga e diela deri tek e diela.
S'ke ç't'i bësh, nuk dilet tek kjo turmë
Dhe sikur t'i ngjitësh shpirtit vela.

Ja, për shembull, vela shpirti pati,
Do lundrosh me velat nëpër dete,
Përsëri do kthehesh tek krevati,
Po atë vetmi do kesh me vete.

Dhe këputen ditët si tespihe
Nga e diela deri tek e diela.
S'i shpëtojmë aspak kësaj vetmie
Dhe nëse na zgjojnë ne treqind gjela.

Sirena e lumit

Ajo u vërtit lakuriq
Si pata e bardhë në lumë;
Këndonte hutini në vidh,
Bretkocka fërkohej me shkumë.

Më humbi nga sytë pastaj,
Siç humbin sirenat e lumit,
Më mbetën veç hiret e saj
Dhe nazet e kurmit.

U zhvesha dhe lumit me not
I rash tri herë;
Ju them se notoja aq kot,
Sa dukesha fare i mjerë.

Madje dhe bretkocka u lig,
Sa s`donte aspak të më shihte,
Në vend të hutinit në vidh
Veç hëna fytyrën e griste.

Sikur s'jetoj në vendin tim

Më ndodh sikur s'jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qyetet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.

Çuditem pse kështu më duket shpesh
Kur s'ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën

më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm
Helmohemi ato çaste me njëri-tjetrin
s'e di nga vjen ky helm se s'kam ç'të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në tërmet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshet

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.


Shiu i marrë

Dikur na bridhte qiejve një shi,
Që veç poetët çmendte po t'i lagte.
Dhe ra ky shi pa pritur mbi njerëzi,
Poetët u lajthitën pas një nate.

Filluan të kopjonin veç një varg,
Të kishin të përbashkët veç një metaforë,
Për shembull: "Jam Homeri, jam bust në park,
Jam Sofokli, Eskil e Pitagorë.

Jam rrugë vetëtimash e rrufè,
Jam dhe kostelacion në qiell,
Jam rrap me rrënjët pleksur nëpër dhè,
Jam udhëtar që kam në sup një diell…"

Po nga ky shi s'u lag veç një poet,
Se ishte fshehur në një pyll të dendur,
Poetët e lajthitur në qytet
E qeshnin dhe i thoshin: "Je i çmendur!"

Dhe u mërzit poeti në vetmi,
Se talleshin të çmendurit, poetët,
Dhe luste zotin që të binte prapë ky shi,
Që dhe ai të çmendej si të tjerët.

---------------------------------------
Kjo poezi është shkruar nga Agolli në formën e një proteste ndaj shoqërisë ku jeton, e cila mendjelehtësisht nuk i zë besë poetit- profet, por është gati të ndjekë pas shortarë të rrernë, që ndoshta do ta degdisin në greminë. Përmes kësaj poezie autori ka shprehur dhimbjen e vet, që përmbyllet me një dëshpërim gati disfatist, për psikozat masive që e kanë futur shoqërinë në një farë kurthi.
"Shiu i marrë" bashkon në një lëngatë kolektive gjithë bashkësinë, e cila shkon e ngazëllyer drejt vetëmashtrimit, ndërsa profetët e vërtetë i përqesh dhe i tregon me gisht si të lajthitur. Kjo poezi është dhimbja e poetit të vetëveçuar, të braktisur edhe nga vetë raca e poetëve, që i prin turmës drejt humnerës me një entuziazëm mahnitës.
Agolli paraqitet në këtë poezi në një dilemë që duket tragji-komike. Ai nuk di ç'vendim të marrë: të tërheqë ende vëmendjen e turmës së shastisur se në ç'hone po e tërheqin misionarët e rremë, apo të bashkohet edhe ai vetë me të, për të shpëtuar një herë e mirë nga dhimbja e të treguarit me gisht. Së fundi, i dëshpëruar për mosmirënjohjen e shoqërisë, ironikisht poeti lutet të rikthehet edhe një herë shiu i marrë, të përzihet edhe ai me turmën anonime që gjendet nën pushtetin e psikozës masive, të humbë identitetin në vorbullat e saj, të flijojë edhe dhuntinë e tij prei misionari me diellin mbi sup, mjafton që, së paku, të mos e marrin edhe më tej si të çmendur.
Duket se ky është flijimi i fundmë që i mbetet poetit të bëjë. Ndoshta mundet edhe me këtë ta trondisë shoqërinë, ta sjellë në vete, ta bindë për të gjetur yllësinë që meriton.


Rapsodi (Selim Hasanit, këngëtarit të Labërisë)

Ku shkund gurët qafë e shpatit,
Mardhur bore, djegur vape,
Mbushe, xha Selimi i Bratit,
Dy hejbe me këngë labe.

Erë plumb e erë predhë,
Erë prush e erë brengë,
Erë dushk e luleshqerrë
Binin-binin ato këngë.

Se hejbetë në sënduke
Për t'u mykur nuk i vure,
Po i more çukë më çukë,
Selim Brati me poture.

Dhe mbi malet e përpjetë,
Mardhur bore, djegur vape,
Prapë i zbraze ti hejbetë
Mbushur plot me këngë labe.

I përcolle, larg i nise,
Nëpër gjurmë gjelberimi:
"Shikoni, bija, merrni viset
Ju bekoftë xha Selimi"!


Plazhi

Ç'qe kjo hata e madhe që bëre, o plazh ?
Të gjithëve rrobat si fletët e pemëve ua hoqe,
I le lakuriq, i shtrive në shesh pash më pash
Dhe qetë-qetë në skarën tënde të nxehtë i poqe!…



Po ç'qe kjo hata e madhe që bëre, o Plazh ?
Të gjithë i vure t'i nxjerrin sheshit lëkurët e tyre,
Lëkurët e njëri-tjetrit t'i shohin plot gaz,
Në trupat e njëri-tjetrit të shihen si në pasqyrë

Fëmijë u bëmë me gra, me burra, me pleq
Dhe gradat tona nuk duken mbi skarën tënde të nxehtë,
Të gjithë i përkulemi diellit që sytë nga ne s'i heq
Të gjithë il bëmë papritur pak mëndjelehtë.

Mendjelehtë vërtet, po vetëm një çast, një çast
Sikur me nxitim të lidhim kravatat, e rrobet të veshim.
Pastaj fjalosemi bashkë në daç,
Pastaj ta shohim si qeshim!

Ç'qe kjo hata e madhe që bëre o Plazh ?


Poezia "Plazhi" është shkruar në mesin e viteve '80. Duket sikur kjo poezi ka njëfarë karakteri parodik. Kjo mund të përftojë tek lexuesi mendimin e gabuar se kjo poezi mund të lexohet si diçka e lehtë. Përkundër këtij iluzioni, poezia "Plazhi" kërkon një lexim të vëmendshëm, duke synuar mbërritjen tek mendimi burimor i poetit. Kjo nuk mund të arrihet pa bashkuar tekst e kontekst, fjalën e poetit dhe sfondin historik-kulturor.
Kur u shakrua poezia "Plazhi", në Shqipëri ekzistonte një shoqëri që vetëverësohej si shembull i barazisë. Ndërsa e vërteta ishte ndryshe. Këtë të vërtetë Agolli e jep përmes barazisë së shtrënguar që sjell sezoni i plazhit. Tek e fundit, në palzh të gjithë duan s'duan e shfaqin veten te zbuluar para të tjerëve. Toni humoristik ia bën të lehtë poetit "t'ia heqë petkat" protokollare shoqërisë së lartë, ta nxjerrë pak nudo njeriun e pushtetit, njeriun tabu përpara të tjerëve.
Zhveshja në plazh për poetin e bën të padallueshëm ndyshimin shoqëror mes njeriut të thjeshtë që kalon pushimet në kabinën prej druri dhe zyrtarit të lartë që pushon në vila dhe vende të rezervuara. Kjo protestë ngason me protestën e Kadaresë në varrezat e kryeqytetit, që Eglën e vogël e vendos përballë ministrave "famëmëdhenj".


Pelegrin

Unë jam prej kohësh pelegrin
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer
Jam ndarë padashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer

kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat
karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë
Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat
Me shami të grisur lidhur në kokë

Për ujë buza ime u bë zhur
Dhe sytë më shpojnë nga shterrja e lotit
Me duhet të arrijë karvanin e tretur qëkur
Çapitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit

Unë jam prej kohësh pelegrin
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.


Në gjithë rrugën krijuese prej afro një gjysmë shekulli Agolli ka gjetur rastin t'ia shprehë lexuesit raportet e veta me poezinë. Ky është një dialog i gjatë dhe i vështirë. Diku poeti ndihet keq se ka krijuar një poezi që i ngjan natyrës dhe nuk mund të imitohet; diku tjetër përqesh poetët e rinj mburravecë, që mendojnë se brezi i mëparshëm mbase u ka zënë rrugën; diku i lutet poezisë si shenjtit që t'i vijë e mbarë dhe e vetvetishme; diku i bën paralajmërim të sertë lexuesit që të mos e shkojë nëpër mend se poeti është plakur. "Pelegrini" është një poezi, në të cilën Agolli, pas një stine të vështirë kulturore, përpiqet të rikapitullojë vlerat e artit të tij, duke ia qarë hallin edhe rrugës së tij të jetës.
Pelegrin i kohërave, poeti përjeton një çast të dhimbshëm. Ai e ka humbur karvanin, nuk i ka më pranë ata që i kishte pasur pranë si misionarë të të njëjtit urdhër. Trauma është e rëndë, por poeti guxon të ftojë lexuesin të besojë tek rilindja, tek amanetet e gjyshërve.

Një shkrepëse

Ndizmë, vëlla një shkrepëse
nën qiellin e zi,
Një shkrepëse të brishtë shpresë
në errësirën me shi.

Në errësirën e dhjamur si pelte,
Kur ndihet të zbresë acar.
E dini ç'do të thotë një shkrepëse,
Një fije e hollë si bar?


Më mirë të kujtosh të bukurën

Të mori malli për mua një ditë në paqe?
Ah, lëre mallin e varfër të qetë!
Të vjen në mend në qytet ajo kafè
Ku hynin artistë e poetë.

Ti kishe këmbë të bukura shumë
Nga këmbët e tua poetët lajthitnin
S'do mend që lajthitja dhe unë
Si gjithë ata që të pritnin

Vërtet të mori malli për mua
Mos eja!....Lëre mallin të fjetur
Tani unë u plaka dhe kafet e vjetëra s'i dua më
Pastaj as e di se nga këmbët e tua ç'ka mbetur...


Luani dhe miu

Dhe kafshët, sa e panë luanin, ikën,
Se gjer në palcë u futi datën, frikën.

Veç miu i vogël fare nuk tronditej,
Me sy i ndiqte kafshët dhe çuditej:

- Çuditem si po ndodh, o miq, kjo punë,
Të trembesh nga një zdap i madh kaq shumë!

Të ishte ndonjë mace, epo mirë,
Po nga një buf si ky të rrish gjakngrirë?

Nga kjo ka mbetur një proverbë e hershme:
Për miun vetëm macja është e tmerrshme!


Letrat

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me bicikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
Dhe në ëndërr s'kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.



Kur të jesh mërzitur shumë

Këtu s'do të jem, do jem larguar;
Nën tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S'do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s'do më kesh në dhomë të gjallë,
Dhe, kur në xham të fryje erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje i fshehur do të jem unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë

Mjafton qeë librin pak ta heqësh
Dhe une do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.



Kur një mëngjes



Do të jetë mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.

Ahere ti s'do të jesh zgjuar akoma.
Une do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
"Ti çele herët, moj bajame!"

Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s'do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur...

E, kur sytë të hapësh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
"Ti çele herët, moj bajame!"


Kur kthehesha nga deti



Katërmbëdhjetëvjeçar
Detin për herën e parë e pashë.
Riheshin valët në shesh me topuz,
Hëna varej me spango mes ujit të trashë
Dhe peshqit nxitonin si krushq.

Në kthim im atë të heshtur më gjeti
Dhe pyeti:
-Si t`u duk deti?

Vështrova nga malet e zinj me samarë
Dhe plot trishtim i thashë tim eti:
-Atje dhe kripa dhe peshku janë pa pare,
Është i të varfërve deti,
S`lërojnë mbi të si ndër ugarë...


I përndjekuri i dashurisë



Unë jam i burgosuri yt
Rroj me prangat që ti më ke vënë
Po çudi as qelia s'më mbyt
Dhe s'më mbyt as dritarja e zezë

Kur ti prangat m'i hodhe në mish
Unë i putha duart e tua
Është rast i pashembullt ta dish
Që xhelatin ta puth a ta dua

I përndjekuri yt erotik
I përndjekur të mbetet gjithmonë
Erotim i mirë a i lig
Hidhmi duart në fyt, torturomë

Ky burgim sa do zgjasë s'e di
I përjetshëm do kisha dëshirë
Veç ti eja më shih në qeli
Të perndjekurit tënd i vjen mirë.


Heshtje

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Pushteti i fjalës është i veçantë
Gatuan male dhe kakërdhi.

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë
Pikojnë çezma me helm të zi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Nga fjala humbën Judë e Pilatë
Strategë e mbretër me mbretëri
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kur fjala nxiret nga buzët jashtë
Si dallëndyshja s'vjen në shtëpi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Unë fjalën vetë e shtroj në kartë
Dhe brenda syve se ç'është e di...
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!


Ftohja

U ftoha nga shumë gjëra
Disa i harrova e disa i lashë
Disa i humba si një unazë
Në çezme a govatë

Vërtetë e humba të ritë
Por zemër marr kur ende i dua gratë
Sikur të ftohem prej tyre një ditë
Thoni për mua: ndjesë pastë!...



Ëndërra të turpshme



Njeriu sheh ëndrra të tmerrshme në gjumë,
Po sheh dhe ëndrra të turpshme vetmuar në dhomë,
Të tmerrshmet durohen më shumë
Të turpshmet vërtet të tmerrojnë.

Dhe zgjohesh sikur po mbytesh në lumë,
Në lumë të ndytë me gjëra gjirizi e blozë,
Ky turp ka qenë veç turpi i një ëndrre në gjumë,
Megjithatë ta fshish nga ndërgjegja s'ke forcë.
Të mbetet një shenjëz turpi, një gjumë.




Elegji për qenin



Më dhimsesh qen i vogël! s'pate fat,
Të ktheheshe në oborrin e shtëpisë
U shtrive i përgjakur mbi asfalt
Nga një makinë e egër e pashpirt

E ç'deshe ti që dole shpejt e shpejt
Në mes të rrugës nga një dushk a ferrë?
Njeriu shtyp mikun rrugën kur ia pret
Dhe jo më pastaj një qen qyqar të mjerë!


I përndjekuri i dashurisë" është një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli. Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dëshmi se poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar më shumë poezi dashuri se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar. Libri u botua si një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes për 82 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, 82 vite të kaluara mes poezisë, prozës, gazetarisë e mbi të gjitha mes dashurisë së pamasë të familjes dhe të të gjithë lexuesve të tij besnikë.
Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.

Janë mbi 50 vjet poezi dashurie, të cilat tregojnë dhimbjen, gëzimin, emocionin e shkrimtarit Dritëro Agolli. Të gjitha këto të përmbledhura, si asnjëherë më parë në një botim të vetëm, ku cilido e gjen veten mes rreshtave të poezive. Si asnjëherë më parë, libri "I përndjekuri i dashurisë" vjen i shoqëruar me një CD në të cilën janë të regjistruara poezi të recituara nga vet shkrimtari Dritëro Agolli. E kjo mund të jetë dhurata më e bukur për të dashurit tuaj, një përmbledhje me poezi dashurie e një CD me zërin e veçantë të Dritëro Agollit, i cili reciton poezitë e tij. Libri vjen pikërisht në një kohë kur zënkat, debatet, mërzia, inatet e mëritë kanë zënë rrënjë të forta në shoqërinë tonë. E në këtë kohë kur njerëzit janë bërë më të distancuar nga njëri - tjetri, përmbledhja "I përndjekur i dashurisë" është ilaçi më i mirë për të kuruar shpirtrat e trazuar dhe për të risjell tek to, ndjenjën më të bukur: DASHURINË, të cilës Dritëro Agolli nuk do lodhet asnjëherë së shkruajturi.



DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s'të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikët ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jami ndarë hidhur në udhëtim,
Por drejt njëri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon,
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Je për mua ëndërr çast e orë,
Teoremë e turbullt dhe dilemë...
Po të jem vërtet një Pitagorë,
Ti je më e vështira teoremë...

VEÇSE NJË ËNDËRR

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S'erdhe si e dashur, po si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndrra kisha,
Tjetër doli, siç u ndodh në botë
Ëndrrave në kulm të trëndafilta
Si një verë a trëndafil në gotë.

Dhe megjithatë them faleminderit,
Ti më dhe një fluturim mbi ëndërr
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s'ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr.


E PARËNDËSISHMJA

Vërtet çka s'është e rëndësishme
Në ty e dua pa kufi,
Sikur një gjë madhore të ishte,
Sikur të kishte rëndësi:

Për shembull, palën e fustanit
Dhe kopsën varur në një pe,
Apo tri qimet e nishanit,
Që për të trija bëj një be...

Ti qesh me mua shumë e hijshme,
Kur them: ta dua si fidan
Atë çka s'është e rëndësishme,
Se vetë i rëndësishëm jam...

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...