2013-12-05

NJERIU QE NUK GEZOI VARRIN E TIJ



Nga Siri Sulejmani


Një ditë atje pranë lisit me catall (kështu quhej një lis i motshëm i ndarë në dy degë të mëdha, ku mërzenin në vapë dhëntë) Plaku Behar Mehmeti, nisi gërmimin e një grope të madhe në formë katërkëndëshi të matur e prerë me kujdes. Kushdo që kalonte atypari dhe e pyeste, ai i përgjigjej fare natyrshëm: epo punon njeriu, dicka kam ndërmend. Kur gropa mori hapësirën dy metro gjatësi me një gjërësi dhe një e ca thellësi, ai e shtroi me fier të njomë dhe cdo ditë në vapë, ndërsa dhëntë e tij mërzenin në hijen e lisit, ai zbriste dhe flinte orët e vapës në gropën e hapur me duart e tij mbi të cilën binte edhe hija e lisit. Fjala u hap me cudi e frikë në fshatin plot paragjykime: Behar Mehmeti ka bërë nje gropë të madhe dhe cdo ditë shtrihet dhe fle brënda saj në vapë pranë deleve. Meqë ky lajm dukej i pabesueshëm, nja tre a katër pleq të moshës së tij i shkuan një ditë aty te lisi me catall, i shkuan bash në kohën që ai kishte orarin e zbritjes në gropën që i kishte habitur.
- E c’e ke këtë a derëzi e punë zi? – e kishte pyetur njëri nga pleqtë.
- E cfarë të jetë, si ta merr mëndja ty, – i kishte thënë i zoti i gropës.
- Epo, kështu si varr duket.
- Jo duket, po varr është.
- Epo, shyqyr të qoftë o zot, po përse e ke bërë a derëzi, pse ja ndiell vetes të keqen, c’domëthënë kjo? – Kishte ndërhyrë një plak tjetër. Por i zoti i varrit u ishte përgjigjur thuajse me qesëndi:
- Jo more miq u paca me nder, e keqja nuk ndillet, ajo do vijë vetë sipas orës së zotit dhe do na gjej edhe sikur në bark të malit të futemi.
- Epo mirë a të rrofshin cupat (Behar Mehmeti kishte pesë vajza të martuara. Me kot kishin kërkuar djalë me të shoqen, Zoti nuk ia kishte dhënë), po pse duhej ta hapje vetë varrin, pa le më që më zbret dhe flë në të cdo ditë, nuk ndien dridhmë? Plaku i varrit, i ulur përballë tyre në barin e gjelbërt, nxori kutinë e duhanit dhe u tha të dridhnin cigare. Pastaj, pasi mbushi cibukun e tij, vuri buzën në gaz si me qesëndi dhe u tha:
- E keni vënë re ju se si njerëzit i thonë njeri – tjetrit, të bëfsha varrin?!
- Posi nuk e kemi vënë re!
- Ja, aty ua kam llafin. Unë nuk dua të ma bëjnë të tjerët varrin, nuk dua të vë asnjë njeri në mundim që të thotë me vete: c’na mundove a të heqtë sic të hoq! Kështu që e bëra vetë gati sipas qejfit dhe zbres në këtë zheg dhe ia këput gjumit për shtatë palë qejfe. Sic e shihni mbi të bie edhe hija e lisit edhe era e deleve më zbret aty. Përvec kësaj, është mirë që njeriu sa futet në të shtatëdhjetat duhet të miqësohet me vdekjen, ta afroje e të flasë me të, të mos e quaj si kucedër kur ajo t’i afrohet, me dëgjoni mua… është më mirë që atë ta shikosh nëpër rrugë përrreth vetes, sesa t’i trëmbesh. Atë e kemi brënda vetes e udhëton me ne në pritje te orës se saj. Vetëm ajo nuk mban hatër, as për mbretin e as për fukarain. Kështu që ne pleqtë duhet ta dimë mirë e të mos dridhemi prej saj. E kuptoni që unë kur shtrihem në varr më duket sikur merrem vesh me të?
- Rri more punë bardhë, ti je si dem, pa shkelur të njëqintat nuk ikën ti ore jo – i tha njëri.
- Të faleminderit e të mirat tu bëfshin ferrë per këmbe, por asaj pune nuk i dihet sic edhe ju thashë. Kur mbarova varrin, i thirra për një drekë cupat me dhëndurrët dhe drekën time e hëngra bashkë me ta. Në sy të plakës ia kam lënë amanet, që kur të vdes, të më zbresin në varrin që kam hapur me duart e mia. Këtu do kem afër shtëpine e do dëgjoj edhe këmborët e deleve. Më është mbushur mëndja se nuk ka gjë më të mirë se sa të flësh për jetë në gji të tokës që të kanë lënë trashëgim të parët.
- E a derëbardhë, po u fute në dhe, pleh do bëhesh kudo që të jesh!
- Ashtu është a të paca me nder, por kocka të gjen rehat në tokën tënde e pse të mos plehrosh atë kur e ke vetë në dorë? – U tha plaku i cuditshqëm dhe moshatarët e tij u ngritën dhe ikën të futur në hamëndësi, por asnjëri nuk mendonte se moshatari i tyre mund të kishte lëvizur nga ekuilibri, ngaqë në jetën e tij kishte patur një ngjarje për të cilën fshatarët e quanin njeri me dije të marra larg “në fund të dynjasë”. Në moshën e rinisë, Behar Mehmeti, kishte bërë shtatë vjet ushtri ne Jemen, në radhët e ushtrisë turke, kështu që ai jo vetëm kishte mësuar “turcen”, por njihte edhe shumë mësime të Kuranit. Ishte kjo arsyeja që shumë fshatarë përpara se të thernin kurbanin e bajramit, conin thikën për t’ua “kënduar’ për mbarësi Behar Mehmeti. Gjithsesi, shumëkush ngrinte supet dhe mendonte se me bëma e tij dicka donte të thoshte për të tjerët. Pamvarësisht nga c’flitej e c’thuhej nga njerzit lartë e poshtë, ai jo vetëm gjente rehat atje i shtrirë në varrin e tij të shtruar me fier, por i ndodhte të binte edhe në mendime të thella. Një ditë ndërsa shikonte faqet e varrit, i tërhoqi vëmëndjen një shtresë ngjyrë gri që cante nëpër tokën e zezë. Ai, grreu me gishtërinjtë e ashpër një dorë dhé dhe e shkërmoqi në grusht. Pluhuri iu duk si prej kockash dhe ai nisi të mendonte me vete: C’të jetë vallë ky, mos ka qënë hapur ndonjëherë ketu një tjetër varr kushedi qëkur, nga të parët e mi?! Po kush të ketë qënë, ku mund ta gjej unë i ziu që mbaj mend vetëm Selfon, emrin e katragjyshit… kjo punë kushedi sa përpara ka ndodhur?! Të qofshim falë o Zot, si e ke ndërtuar këtë jetë! Na bie këtu pa na pyetur, pa na thënë se c’do bësh me ne dhe pa vënë një rregull, na palos mbi njëri – tjetrin prapë pa na pyetur… Mirë thotë i ziu Xhebro, të gjithë ikim për të plehëruar tokën…dhe pas këtyre mendimeve të trazuara, ai, nuk e kishte të vështirë të futej në krahët e gjumit të thellë.
Në fshat u përhap lajmi se në Shqipëri do zbriste ushtria italiane, e cila nëpërmjet lajmeve dhe letrave që hidheshin nga qielli thuhej se do vinte si mike e madhe e shqipëtarëve. Nuk kaloi shumë kohë dhe lajmi u vërtetua. Një repart i vogël zuri vend edhe pranë fshatit ku jetonte plaku për të cilin folëm më lart. Italianët të ndihmuar edhe nga një person vendas që dinte gjuhën e tyre, përpiqeshin të njiheshin e të afroheshin me vëndësit, Gjithsesi, fakti që ata ishin pushtues, nuk mund të shuhej nga ndërgjegja e fshatarëve. Kishin kaluar mëse gjashtë muaj nga dita që italianët kishin zënë vend në fshat. Një ditë ndërsa një nuse, mbesa e Behar Mehmeti po lante rroba në kruan e fshatit, kishte ardhur aty edhe një rreshter italian për t’u freskuar dhe për të mbushur paguret me ujë. Nusja, për të mos iu lagur citjanet, i kishte ngritur ato deri afër gjunjeve. Pulpët e saj të shëndetshme, të bardha e të bukura, e hutuan rreshterin dhe zgjati dorën t’ia përkëdhelte, mirëpo nusja e fuqishme i dha një të shtyrë dhe ai ra në një gropë me ujë ku një grua kishte futur fjollët e gjineshtrës për t’i regjur. Italiani i qullosur, u ngrit e bëri të hakmerrej, por ajo thirri xha Beharin, i cili u ndodh në kopshtin e tij sipër burimit. Plaku rrëmbeu një hu gardhi, u lëshua tëposhtë dhe ia zhulati italianit me hu shpinës. Rreshteri zbriti në repart dhe pas një gjysmë ore, një kolegu i tij me një skuadër ushtarësh me armë u gjëndën te shtëpia e Behar Mehmeti dhe e arrestuan.
Në castin që plakun të shoqëruar me një roje të armatosur, po e hetonte një toger në zyrën e tij, aty u fut pa pritur rreshteri, të cilit sapo i kishin mjekuar shpinën dhe e goditi plakun me grusht në fytyrë. Ai, në pamundësi ta mbërthente me duar, nxori opingën me tela dhe ia flakëroi fytyrës, por rreshteri uli kokën dhe opinga u përplas në një kornizë të bukur metalike të varur në murin përballë ku ishte vendosur portreti i Musolinit. Opinga, jo vetëm theu xhamin por edhe grisi portretin e duces, gjë që e tërboi togerin italian. Kështu për fatin e tij të keq, Behar Mehmeti, nga i gjykuar për një faj ordiner, u fut në akuzë politike e për pasojë e hipën në një makinë të lidhur me hekura dhe e nisën për në qytet. Me kot u përpoqën dhëndurët e tij për ta nxjerë nga duart e karabinierëve italianë. Në të vërtetë plaku “i egër” sic e quajtën italianët, atje në qelinë e burgut, kur e kishin pështyr e poshtëruar, fajin politik e kishte thelluar edhe më keq: sharjen e kishte cuar deri te nëna e Duces e të gjithë italianëve. Kjo bëri që Behar Mehmeti ta nisnin me internim në Itali. Përpara se të ikte, njëri nga dhëndurët me anë rushfeti te një mik vendas, mundi ta takonte plakun i cili i kishte thënë:

Puna ime nuk dihet, ma kini kujdes plakën edhe atë dorë kapital. Po vdiqa andej nuk do më tresë dheu nga meraku për varrin që e bëra me duart e mia, megjithatë, në qoftë se do të ndodhë kështu, kur të vdesë plaka dua që ajo të ma zërë vëndin. Këtë amanet thuaja nga unë,dhe…hallashtisur qofshim!

Për fat të keq kështu ndodhi. Plaku i cuditshëm Behar Mehmeti, nuk u kthye më, një lajm i sigurtë erdhi nga larg se ai kishte ndërruar jetë në një kamp përqëndrimi, diku në një ishull të shkretë, të Italisë. Shtatë a tetë vjet më pas, vdiq e shoqja dhe dhëndurët e saj e varrosën sipas porosisë së plakut. Në castin që e zbritën plakën në varr, një plak, mik i Beharit, pasi kishte hedhur një dorë dhe prapa shpine sipas zakonit u kishte thënë moshatareve të tij: I shkreti Behar, i mendonte gjërat thellë dhe i thoshte sikur të kishte lidhje me qiellin, por nuk i kishte shkuar mëndja se ku do ta gjente ora e vdekjes dhe nuk e gëzoi varrin që e kishte aq merak. Gjene kudo që është shtrirë do i prehet i qetë shpirti pasi iku i ndershëm nga kjo botë. Edhe për zogjtë e perëndisë i vinte keq të uruarit. Për të mirin u dhëmb shpirti edhe gurëve

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...