Nga krijimtaria eseistike e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha
Nga: Ryzhdi Baloku
Duke i lexuar shkrimet eseistike të shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha nga Peja, mund të konstatohet se krijimtaria e tij i ngjanë orkestrimit në filarmoni, ku ekzekutimi bëhet nga një numër i madh dhe i shumëllojshëm instrumentesh, me ç’rast çdonjëri prej tyre në kohën e duhur inkorporohet në partiturën e caktuar.
Shkrim me peshën e fjalës që dhemb,
që ndërgjegjëson, që trazon e vetëdijeson
Me qëllim të një vështrimi gjithëpërfshirës të eseistikes së S. Berishës, do t’i trajtoj radhazi shkrimet-ese të publikuara në të përditshmet kosovare dhe në mjete tjera të informimit të cilat i kemi vënë si objekt shqyrtimi.
Në këtë vështrim, sipas renditjes do të filloj me trajtimin esesë të publikuar me titulli provokues: “Lamtumirë shkrimet e mia …!”, që në fillim të bën të mendosh se autori ka rënë në një depresion apo në pesimizëm të thellë! Por, mesazhi i këtij shkrimi nuk mund të nxirret nga interpretimi i titullit, sepse, nga analiza e përmbajtjes shihet se ideja e shkrimit përçon një mesazh me ngarkesë të pasur kuptimore dhe filozofike. Këtë ese, autori e fillon me një diskurs të ndjeshëm poetik, për bulëzimin e jetës. Që në hyrje, krijon një imazh dhe na ofron stil gjuhësor të ngjashëm me atë të krijimtarisë letrare gojore, me ç’rast arrin ta krijojë një tablo dhe kronotopi të legjendës kur shkruan: “ … me rastin e lindjes sime, … ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet ! Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua.
…Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?!… …Që nga ajo kohë, nëna më kishte ëndërruar… Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!…”.
Po kështu, me një gjuhë metaforike, autori nuk harron pa e përmendur edhe më të dashurin tjetër për ta arritur efektin psikologjik sublim në vazhdimin e ngjarjes.
Me një gjuhë të pasur idiomash popullore temën e këtij shkrimi, siç e potencon autori si “rrugëtimin dhe dhembjen”, e vazhdon në formë trilogjie me ngjarje prekëse, emocionuese, por edhe të trajtuar me tehun e kritikës, qortimit e përpjekjes për ndërgjegjësimin lidhur me dukuritë e ndryshme negative që hasen tek njerëzit apo tek një kategori e shoqërisë sonë, si në rastin konkret me vozitësin torollak apo siç thekson autori: “një të qeshur idiotësie të shoferit”, mandej për ndërgjegjësimin lidhur me ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare, kur thotë: “ … Kështu, pas sa kohe, që më ka ikur motra; edhe përpara por edhe tash, ktheva tek varrezat që nuk ekzistojnë më, sepse, ne e kemi vergi të mos i ruajmë shenjat, gjurmët dhe dëshmitë tona ashtu si duhet, …”.
Sejdi Berisha, përmes një gjuhe të frymëzuar e poetike, thotë: “… Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, i cili i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë…”.
Gjuhën metaforike autori e përdor me një mjeshtri të veçantë, dhe përmes shprehjeve figurative shumështresore arrin t’ia zgjojë ndërgjegjen lexuesit, sikurse në këtë pjesë të shkrimit që përkon me fjalën që shqetëson, me fjalën që trazon, edhe me vetë titullin e esesë, në kuptim të ecjes vertikalisht për ta shprehur qëndresën e mosdorëzimit me thënien: “…Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!…”
Në shenjë të ndërgjegjësimit shoqëror për të kaluarën dhe të tashmen, autori e vazhdon rrëfimin me shprehje të revoltës si në këtë rast: “Krahas shkollimit, shpirti gjithnjë më rebelohej nga padrejtësitë të cilat m’u kishin bërë tunxh në zemër e zjarr në mendje. Pakëz e “tradhtova” babanë për premtimet… , sepse, në shkollë çdo ditë një bust më dilte para dhe ma zinte frymën, kështu që një ditë e bëra copë e grimë. Këtë e bëra së bashku me shokun e bankës. Pasoi përjashtimi nga shkolla, pastaj lotët dhe dridhjet e babait për fatin tim, por edhe zotimi im sërish me betimin para plakut se do ta tejkaloj edhe këtë, e cila edhe u realizua ashtu….”, për ta vazhduar rrëfimin me një ton më të qetë por përsëri me një dozë mllefi për padrejtësitë e tashme: “Dhe, erdha ku erdha. Ku jam edhe tani. Punova, dhe mendja më thotë se arrita diçka. Shkrova e botova diçka, të cilat gjëra tani, sikur më duket se janë një hiq nga ajo çfarë kam dëshiruar t’ia dhuroj njeriut dhe kësaj toke…! Andaj, ja ku jam tani! Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mban vetëm familja ime, nderi e puna,…”.
Në këtë shkrim mbase edhe filozofik, S. Berisha vazhdon me përshkrim të rrjedhës së jetës me shpresë për të ardhmen. Mirëpo, siç dihet, bota nuk është tepsi. Është me kodra e bjeshkë, me befasi e shumë pengesa të cilat duhet tejkaluar, për ta përmbyllur esenë me një eveniment të rëndësishëm që ka të bëjë me veprimtarinë e tij krijuese prej dyzet vitesh.
Simbolika, ironia dhe rrugëtimi si katalizator jete e historie
Në esenë me titull: “Pushimi në dhomën time, ose leximi i lumturisë që nuk ekziston …!” , autori ia nis shkrimit me “kohën” si një ndër vlerat më të çmueshme për njeriun, duke e marrë për sinonim “ikjen e trenit”, apo siç e thekson në këtë ese me shprehjen: “treni i trenave”, për t’ia filluar pastaj me histori.
Si në shkrimet tjera, edhe në këtë, autori përdor gjuhën figurative lidhur me një arketip të legjendës së Gurit të Vashës, e cila simbolizon sakrificën dhe atdhedashurinë. Ajo legjendë i bëhet frymëzim edhe për të tanishmen, andaj, në meditim thotë: “E ngulita shikimin tek një shkëmb, Guri i Vashës, i thonë. Në këtë rast, nuk desha të mendoj gjë tjetër pos dashurisë. Megjithatë, nuk zë vend as kjo. Para vetes shoh shumë shkëmbinj të tjerë, rrasa guri, pisha e pishnaja, të cilat më bëhet se pëlcasin nga marazi për historinë që kanë dhe, … ”, për ta vazhduar pastaj shpjegimin metaforik të ngjarjes me fjalët: “Tërë kjo i ngjan atyre faqeve të historisë, të cilat kur i lexon, të ngacmojnë …”.
Gjuhën figurative letrare, autori në këtë ese e vë në paralele me ngjarjet që therin, që e ngacmojnë zemrën dhe mendjen, që nga pyetjet e parashtruara të vejnë para shumë dilemave të cilat kërkojnë përgjigje.
Gjatë përshkrimit të ngjarjeve, ai formulon shprehje të ngritura poetike me ngarkesë të fortë emocionale dhe filozofike, si bie fjala në këtë rast: “… gjatë tërë kësaj kohe, sa mijëra e mijëra njerëz bëhen të lumtur vetëm me ëndrra e me shikim, …”, ose kur thotë: “…dikur të duken se janë sukses dhe punë. Sepse, me to pedatesh duke vrarë mendjen e duke gjykuar të kaluarën për të pasur kujdes për të tashmen,… edhe për të nesërmen! Ndalem, dhe sërish shikoj me siklet e ironi plot. …”, mandej mendimi tjetër: “…Kështu pra, ai çmimi i rrugëtimit ka ikur, apo e kanë vjedhur për të bërë karrierë rrenash e pafytyrësish…” për ta vazhduar monologun me fjalët: “…Kështu, të ikën edhe ai treni, ai treni i trenave. Ama bash ai treni i të gjithave. Pastaj, ngelesh pranë binarëve duke ngarë mendjen pas trenit, duke folur me binarë të cilët nuk flasin! Kurse, duke pritur fjalën e tyre, dielli e pritja të përcëllojnë e të kallin…! …”, për ta përfunduar shkrimin me fjalët: “Dua të them se e kuptoj rrjedhën e lumit, por të jetës, jo si të lumit… E, Ju… nuk e di…! ”.
Gjatë leximit të esesë me titull:“ Mëkati i rrëfimit dhe simbolika e pikëpyetjes…! ”, mund të hetohet se ngjarjet përshkohen nga mendimi filozofik i autorit, sikurse edhe në shkrimet tjera të tij.
Në këtë rast, autori e nis rrëfimin me një pësim tragjik, nga koha shkrimit të esesë. Mirëpo, jo sa për ta evidentuar atë në kronikën e zezë. Ai, këtë ndodhi e shtjellon nga një tjetër premisë, siç thotë: “Hiç më tutje nuk do të komentoj, sepse,… kjo del si dardhë me bisht ! Por dua të them, se pikërisht tash, duke shkruar këtë fjali, mu kujtua shkrimi im dikur i botuar: “Oh, kah po shkojnë këta djem të ri”! E pra, kjo është si dardhë me bisht, apo edhe mëkat i rrëfimit…! ”. Autori, ngjarjet i trajton edhe me gjuhën e alegorisë duke i ndërthurë me mendime filozofike si më këtë rast kur shprehet: “Shëmtia dhe bukuria, janë dy gjëra si shoqe të pandashme. Si binjake! Por, për ta përqafuar të bukurën, duhet luftuar të keqen, të shëmtuarën,… E, për ta mbëltuar të shëmtuarën, patjetër se duhet shkelur e nëpërkëmbur të bukuren. Por kjo, si shumë përralla të tjera, është e gjatë dhe do mendjen e hollë për ta kuptuar e komentuar ”.
Duke i renditur ngjarjet njërën pas tjetrës, autori vazhdon me metaforën e jetës së një emri shumë të rëndësishëm të këngës shqipe që dikur i kishte dhënë një kontribut të çmueshëm kulturës shqiptare, për ta vazhduar këtë histori me fjalët: : “…me telefonatën që ma kishte bërë, më ktheu mbrapshtë dhe m’i detyroi shfletimet e rrugëtimit-trakullimë…”, në mënyrë që pastaj ta përmbyllë këtë kaptinë historike me një mendim filozofik autorial, si vijon: “Sa pamëshirshëm ecën jeta,… sa rrufeshëm mbyllen kapitujt dhe fletët e librit, ndonjëherë apo edhe shumë herë, pa i shkruar dhe as pa i lexuar ato…! ”.
Autori e rrumbullakon ngjarjen në këtë ese me mendime personale të stërholluara filozofike me fjalët: “ …sikur më thoshte: s’mund të më njohësh, jo ! Pra, nuk isha unë ai njeriu që dukej në pasqyrë. Thash vet më vete: më kurrë nuk do të shikohem në pasqyrë,… sepse ajo gënjen.” , për ta përmbyllur me një kolazh metaforik si vijon : “ …Edhe tash ngela kacavjerrë,… nga vetvetja! Pas tërë kësaj dhe pas shikimit në pasqyrë, në mbarim të këtij “kalërimi” të të shkruarit, mu imponua si përfundim përforcimi i pyetjes se, të gjitha këto “shkrola” që i bëra, a janë ato mëkat i rrëfimit apo simbolikë e pikëpyetjes?! Ndoshta, janë të dyja. Por, jo. As njëra as tjetra, nuk janë të vërteta. Do të përpiqem-i për ta gjetur se cila është e vërteta…! ” .
Forma specifike e metaforës dhe çelësi si simbol jete
Me vështrim të përmbajtjes së eseve të titulluara: “Studimi i vetvetes ose matja e jetës me hijen e mëngjesit …! ; “Pesha e hidhërimit dhe lotët e pedagogut …!”, vërejmë se autori në këto shkrime përdor gjuhë të pasur figurative, për ta begatuar strukturën përmbajtjesore dhe kuptimore, por njëkohësisht për t’ia dhënë asaj edhe dimensionin therës e sarkastik. Pos kësaj, mendoj se veçori e shkrimeve të këtij krijuesi, është edhe aplikimi i mendimit filozofik në dhënien e mesazhit, për çfarë e bën lexuesin të mendojë, të analizojë e pastaj të gjykojë.
Tek eseja: “Mëkati i rrëfimit, simbolika e pikëpyetjes dhe ora letrare në Valbonë…!”, mendja m’i pikati fragmentet:“ Dy vëllezër e sollën njëri-tjetrin përgjithmonë në gjumë!”, ku mandej autori i këtij shkrimi e fut lexuesin në meditim me fjalët: “Mendoni çfarë të doni dhe sa të doni, nëse mund t’ia qëlloni çelësit për ta hapur derën…!”, për ta vazhduar mendimin metaforik: “… çdo gjë u shkri në një. Çdo gjë u bë bashkë. Bjeshka me bjeshkë, dielli me hënën, fushat kodra, ndërsa, lumi Valbona u shndërrua në ujin i cili shëron plagë ”, mandej tutje vazhdon: “… si lak në fyt mu lidhen turpi dhe uria përnjëherë!”, për ta përmbyllur me mendimin filozofik: “… përrallë e gjatë edhe Ora letrare në Valbonë. Kush mund ta kuptojë…?! ”.
Këto meditime të poetit më shpijnë në botën e trashëgimisë tonë të pasur, në mitet e lashta kosmogonike për krijimin e botës, por njëkohësisht më kthejnë në realitetin e sotëm, në realizimin e ëndrrës tonë shekullore…
Pas leximit të përmbajtjes së esesë me titull: “Mallkimi i vetvetes dhe filozofia e heshtjes…! ”, vetvetiu mendja shkon tek libri i At Zef Pllumbit: “Rrno për me tregue”, dhe më këtë rast citati i fjalëve profetike të meshtarit të vjetër At Marin Sirdanit, drejtuar autorit të kësaj vepre me fjalët:“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, … Edhe kta do t’desin nji ditë, e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë ? …” .
Sipas mendimit tim, edhe në esenë “Mallkimi i vetvetes dhe filozofia e heshtjes…! ”, Sejdi Berisha, duke u thelluar në ngjarjet e caktuara të kësaj kohe gjakon që këto mos të bëhen pre e harresës. Nga vetë titulli, mund të hetohet se ai e përdor një koncept të veçantë të mendimit filozofik në diskursin e tij. Ai pohon: “… konceptin e fillimit me zemërim e hodha në shportë, … ”, në mënyrë që pastaj me një shkathtësi të veçantë e krijon efektin e kundërt për ta kulmuar sa ma fuqishëm hapjen e shtegut në portretizimin e ngjarjes, vijon me temë: “E mora atë letër të bërë me yndyrë … E vazhdova atë shkrim,…”.
Sejdi Berisha, në këtë shkrim, i shpalos ngjarjet me mjeshtëri, duke i shqiptuar me një gjuhë të pasur figurave dhe me domethënie të thellë filozofike, si në rastin konkret kur thotë: “ … më bëhej se jeta s’është gjë tjetër përveç se një letër e shkruar me gjithfarë ngjyrash, ..” për ta vazhduar: “ndodhitë e tilla, në të njëjtën kohë shpesh i ngjajnë tragjedisë pa akte, …”, pastaj: “…vdekja as nuk mund të jetë akti i fundit dhe as i fillimit, por as rekapitullim jete.”, ose: “ … turpin e njeriut s’ka kandar që mund ta matë… ” etj. etj., për ta përfunduar esenë me një mendim të fuqishëm të kësaj filozofie me fjalët: “ … ndoshta ka sy e vesh historia. Mirëpo,… nëse është e shurdhët ajo, atëherë,… a mund të vdes,… njeriu dhe historia?! Jo, more,… Të themi, kurrë…!”.
Shkrimet eseistike të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berishës reflektojnë botën e tij të pasur krijuese prej njeriut të veçantë dhe të sinqertë ndaj sfidave dhe përplasjeve të jetës dhe njeriut, duke begatuar mendimin fisnik dhe frymën e thellë filozofike.