Debati/ Fjalimi i Enverit në Radio Tirana në vitin 1945 nuk përmend asnjëherë datën 29 nëntor si datë çlirimi; deri në vitin ‘44 dhe ‘45 festohej data 28 nëntor si ditë çlirimi dhe flamuri; arsyet e ndërrimit dhe korrigjimit të datës në procesverbalin e Këshillit të Luftës Nacional-Çlirimtare të drejtuar nga Omer Nishani
Në dosjen 236, është një dokument i Arkivit Qendror të Shtetit, e vitit 1944, kur për herë të parë flitet për 28 nëntorin e 1944-ës. Dokumenti mban datën 18.XI.1944, që shënon mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacional-Çlirimtar, me kryetar Omer Nishanin dhe sekretar Sejfulla Malëshovën – mbledhje e mbajtur në Berat për organizimin e festimeve zyrtare për datën e 28 Nëntorit.
“Dita e 28 nëntorit, ditë e indipendencës, duhet të festohet me sloganin e çlirimit të Shqipërisë. Prandaj kjo festë duhet të transformohet në një manifestim të math politik, në një festë të shënuar nacionale siç nuk ka parë kurrë Shqipëria”, – ky është shënimi i parë që ndeshim për saktësinë historike të datës së 28 nëntorit, shënuar në dosjen 236, që ruhet në AQSH.
Ndërsa në datat 5 nëntor dhe 9 nëntor është mbajtur mbledhja e parë dhe e dytë pas luftës, ku janë mbledhur 29 burra, të cilët në një anë propozojnë datën 28 nëntor nga e para, dhe në anën tjetër ndërhyjnë në histori; në dokumentarin e parë zyrtarizohet edhe data e çlirimit 28 nëntor. Është procesverbali i mbledhjes së drejtuar nga Omer Nishani, ku propozohen datat dhe emërtimet e festave në vend, si ato fetare, po edhe historike.
Propozimi i parë vjen nga Bedri Spahiu, i cili shpreh se emërtimi i festës së 28 nëntorit të bëhet: Ditë e Indipendencës dhe e çlirimit të Shqipërisë. – Por në mes kllapave, shënohet se ky propozim nuk pranohet, edhe pse insiston.
Ndërsa ka ndërhyrë Ramadan Çitaku i cili ka sjellë propozimin e dytë: “Me sa di unë, pas mes natës së 28 nëntorit 1944, armiku qe çdukur nga e gjithë Shqipëria, dmth dita e 29 Nëntorit u gdhi duke qenë Shqipnija e çliruar. Prandaj proponoj që dita 29 nëntor të shtohet në ditët e festa e kombëtare”
Në dokumentin e dytë, kur shënohet séanca tjetër, pra ajo e datës 9 nëntor, sërish përforcohet 28 nëntori si ditë çlirimi, por në arkiv ky dokument figuron i korrigjuar me bojë, dhe kjo para botimit në “Fletoren zyrtare”. Këtë përmbajtje të dy dokumenteve i botojmë të plota si më poshtë.
Në vitin 1945 kudo është festuar bashkë, si ditë çlirimi e flamuri – data 28 nëntor. Dëshmi e kësaj është fjalimi i Enver Hoxhës në Radio Tirana, ku nuk përmend në asnjë moment datën 29 nëntor.
Enver Hoxha jep urimin për 28 nëntorin dhe jo për 29 nëntorin. Më 25 nëntor, publikohej vendimi për Festën Kombëtare të 29 nëntorit dhe Kryetari i Qeverisë E. Hoxha në mbrëmjen e 27 nëntorit nëpërmjet valëve të Radio Tiranës i dërgonte përshëndetje popullit shqiptar, dhe ajo që pritej ishte urimi i tij për Festën Kombëtare të 29 nëntorit, porse në asnjë rresht të fjalimit përshëndetës nuk iu referua 29 nëntorit, kurse rreth 10 herë përmend 28 nëntorin. Si duket, një nga arsyet e Enverit, konsideruar e madhe, ishte “frika” apo vështirësia e tij për të dalë kundër deklaratës së 28 nëntorit 1945, kur Ditën e Flamurit e shpalli ditë dy herë të shenjtë: dita e Çlirimit dhe e Pavarësisë Kombëtare. Pasoja e fjalimit të Enverit që i referohej vetëm 28 nëntorit ishte që kudo të kremtohej vetëm festa kombëtare e 28 nëntorit dhe jo 29 nëntori, dhe përjashtim bënte Tirana. (Gazeta “Bashkimi” 1945; 28 nëntor, “28 e 29 nëntor, dy datat më të mëdha të historisë s’onë kombëtare”).
Ja disa episode nga fjalimi ku përmendet vetëm data 28 nëntor: “…dita e 28 nëntorit është bërë pashkë e bajram për popullin tonë, pse ajo përfaqëson realizimet e përpjekjeve të panumërta e luftërave heroike të popullit t’onë gjatë historisë për pavarësi për indipendencë. Në vigjiljen e çdo 28 nëntori rrahin zëmra e kalamanjve të shkollave fillore, rrahin zemra e të rinjve, rrahin zëmrat e burrave dhe pleqve të thinjur të Shqipërisë, rrahin zëmrat e grave shqiptarë, pse 28 nëntori përveç kuptimit të math që ka për popullin t’onë është i lidhur ngushtë me tërë historinë e trishtuar të vendit tonë gjatë këtyre tredhjetëvjetëve….?
Një episod tjetër nga fjalimi i ‘45-ës i Enver Hoxhës: “…të frymëzuar me një ideal të tillë, Kryesija e Këshillit Antifashist, me propozimin e Qeverisë Demokratike, me rastin e ditës së madhe të 28 nëntorit shpall faljen dhe uljen e dënimeve për të dënuarit si kriminelë lufte dhe armiq të popullit…”
“Dita e 28 nënëtorit të bëhet dita kur çdo shqipëtar të analizojë ndërgjegjen e tij, të peshojë shërbimet që i ka bërë popullit dhe atdheut dhe me bindje të plotë të thotë: “nuk janë kurrë të mjafta” por duhet të vë gjithë forcat e mia zemrën t’ime, shpirtin t’im në shërbimin e popullit që të rrojë dhe të lulëzojë Shqipëria”. Në këtë ditë përvjetori të forcojmë bashkimin, të forcojmë dashurinë për njëri tjetrin, të derdhin djersë e mundim për interesin e Shqipërisë, të hedhim poshtë mëritë dhe ligësitë, këtë e kërkon interesi i kombit…” duke e mbyllur fjalimin: “Lavdi të përjetshëm Dëshmorëve të Kombit, Rroftë Flamuri Kombëtar”.
***
Episodi tjetër historik është festimi më 28 nëntor 1945. Në artikullin e “Koha e re”, që mban datën 28 nëntor 1945, me kryeartikullin: “Kështu foli Komandanti: e mërkurë 28 Nanduer 1944 në Tiranën e Çlirueme” është letra e parë e urimit që Enver Hoxha u drejton shqiptarëve. Në paragrafin e parë të urimit shpreh: “…në çdo Njëzetetë Nëndor është derdhur gjak i bijve heroikë që përlesheshin me bajonetat e okupatorit e të trathtarëve. Dita e flamurit, u bë dita dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit Shqipëtar.
Mes poezive për flamurin, shënimeve e kujtimeve, është edhe një tjetër informatë me lajmin e parë: “Përkujtim i 28 Nandorit” ku shënohet ndër të tjera: “…28 Nandori 1944 tue e çlirue tokën shqiptare, çliroi edhe zemrat e shqiptarëvet. Por duhet të jetë edhe nji pikë-nisje me premtime të mëdha për jetën e ardhshme…”
Në mbyllje, në retro të këtij përkujtimi, theksohet sërish data e njëjtë e çlirimit me ditën e flamurit: “Të rysun prej kohës së zezë në të cilën u përshkue Atdheu në 32 vjetët e para të jetës së tij, Shqiptarët e 28 Nandorit 1944 e naltuen rishtas Flamurin e Ismajl Qemalit…”
Edhe në buletinin “Ngjarjet e muejit”, shkrimi “Shqipnija kremton Çlirimin e saj” marrë nga Agjencia e Informacionit të SHBA, 1945, del fotoja e shënuar si ditë e çlirimit të Tiranës, me datë 28 nëntor 1944, nën të cilën shkruhet: “Tirana u çlirue. Kjo ditë u kremtue më 28 Nandor 1944. Ushtrija Nacional Çlirimtare marshon në Tiranë”.
“Shqipnija u çlirue mbas pesë vjet sundimi e lufte”, në një përfshirje më të gjerë, të arsyeve historike të vendit tonë, shkrimi, citojmë fjalë për fjalë: “Për çudi çlirimi i plotë i Shqipnisë takoi pak dit para Ditës së Flamurit e kështu Shqiptarët e kremtuen këtë ditë madhështore me gëzim shumë ma të madh pse ata kishin çlirue Vendin e tyne edhe nga Hunët e tmershëm. Ata kremtuen edhe hymjen në Tiranë të Qeverisë Demokratike”.
***
Gazeta “Bashkimi”, datë 29 nëntor 1947, boton një telegram urimi që Enver Hoxha ia dërgon Marshallit Tito në rastin e përvjetorit të dytë të shpalljes së RFP të Jugosllavisë duke njoftuar tashmë se festa jonë e çlirimit ka “lëvizur” dhe është njësuar me atë të Jugosllavisë.
Ndër të tjera E. Hoxha shkruan: “Sot që popujt vëllezër të Jugosllavisë Federative Popullore, aleatë besnikë dhe të fuqishme të popullit t’onë shqiptar, festojnë përvjetorin e dytë të festës së tyre të madhe të shpalljes së Republikës…” Më tej vazhdon: “Kjo ditë kaq e shënuar për popujt e juaj koencidon dhe bashkohet me festën e çlirimit të vendit t’onë ashtu sikundër janë të bashkuar për jetë popujt t’onë vëllezër. Një koincidencë dhe një bashkim të tillë populli i jonë nuk e quan aspak të rastit…”
Në një tjetër artikull të gazetës “Bashkimi” që mban datën 29 nëntor 1947: “Nëntori Festë për të dy popujt t’anë”, sanksionohet 29 nëntori si datë e Çlirimit edhe tek Ne: “Sot popujt vëllezër të Jugosllavisë festojnë një nga ditët më të shënuara, 29 nëntorin. Në këtë ditë ata përkujtojnë dy data historike: përvjetorin e mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it dhe përvjetorin e çpallljes së Republikës së tyre Federative Popullore…”.
***
Retro
Ka një argument fals në Muzeun Historik Kombëtar – konsideruar kjo nga njerëz që kanë në dorë dokumente arkivore, pjesë të cilat flasin qartë, sa botuar edhe më sipër. Është hequr vërejtje studiuesve se në Pavijonin e Luftës në Muze, ngritur në nëntor 2004, ka një stendë që mbyllet: Çlirimi i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë, 29 nëntor 1944. Stenda është pasqyruar vetëm me një dokument; atë nga Arkivat e Bundeswerit gjerman, por që dokumenti nuk ka asnjë përkthim në shqip. Dokumenti gjerman daton 30 nëntor 1944 dhe me asnjë referim për çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor! E tregon këtë argument faksimilja që po botojmë më poshtë.
Ndërsa albumi “Nga lufta Nacional Çlirimtare”, botim i gazetës “Luftëtari”, organ i Ministrisë së Mbrojtjes, viti 1946 (shënohet me shkronjën R përsipër, që do të thotë e klasifikonte të Rezerveruar”, ka këtë informacion: “…më 28 Nëndor 1944 Qeverija Demokratike e Shqipërisë hyri në Tiranë. Dita e Indipedencës s’onë kombëtare festohet me gaz e këngë, mbas 5 vjet robërie të rëndë, mbas 5 vjet vuajtjesh e mjerimesh. Populli shqiptar feston 28 Nëndorin i sigurtë në t’ardhmen e tij…” Më tej vazhdon argumenti më i debatuar deri më sot: “…më 28 Nëndor 1944 forcat e Divizionit II-të hyjnë në Shkodër. Asnjë pëllëmbë tokë e Atdheut t’onë s’ësht në duart e okupatorit. Shqipëria ësht i pari vend i çliruar nga forcat e veta”.
Edhe në Buletinin e Luftës Nacional Çlirimtare, 30 nëntor 1944, është botuar fjalimi i mbajtur nga Enver Hoxha, ku është qartë se data 28 nëntor është konsideruar dhe ka qenë shpallur si Ditë e Çlirimit: “…Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”.
Po në këtë buletin, të vitit 1944, referuar rubrikës së njoftimeve, “Program për kremtimin e 28 Nëndorit” në Tiranë, krahas orareve dhe vendeve të festimit, nëpër rrugë dhe qarkullimin e lirë për gjithë natën të shqiptarëve, si dhe hapjen e kinemave, teatrove e performancave gratis për gjithë rininë antifashiste të qytetit të Tiranës, shënohet: “Festimi i ditës së madhe të 28 Nëndorit që përkujton fitimin e Indepedencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet koincidon me festën e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë do të vazhdojë për tri ditë”. Është ky një paralajmërim i mëherët, pavarësisht saktësisë historike se si do të lëvizte pas një viti vendimi për datën 29 nëntor?!
Në të njëjtin buletin, ndeshim me këtë rast edhe një njoftim nga Kisha Ortodokse Auteqefale e Shqipërisë, e përfshirë në festimin e 28 Nëntorit, një tjetër trajtesë përforcuese për datën zyrtare: “Me rastin e Festës së Pamvarsisë Kombëtare, që koincedon me kremtimin e çlirimit të Kryeqytetit dhe të gjithë Shqipnisë prej Ushtris s’onë të lavdishme Nacional-Çlirimtare, të martën më 28 k.m n’orën 7.30-8 para drake, në Kishën Orthodhokse Kathedrale të Kryeqytetit do të zhvillohet një Te-Deum i kryesuar prej vet Kryehirësisë së Tij Kryepiskopit të gjithë Shqipinisë Imzot Kristoforit, i cili do të mbajë dhe fjalimin e Ditës. Në këtë ceremoni solemne do të ftohen të marrin pjesë Autoritetet Shtetnore. Me këtë rast, Kr. H. Tij Kryepiskopi u ka drejtuar një Qarkore gjtihë Episkopatavet të Shqipnisë, duke i porositur që t’a kremtojnë këtë ngjarje historike me solemnitet më të madh”.
Ka një pikë kulmore me festimet në këtë vit, kur në Buletinin e Luftës Nacional-Çlirimtare, 28 nëntor 1944, përveçse botohet përshëndetja për festën e pavarësisë dhe çlirimit në të njëjtën ditë, kemi për herë të parë njësimin me portret të Enver Hoxhës me Ismail Qemali, dy portrete të publikuar përkrah nëjri tjetrit (siç e shihni dhe në faksimilen e botuar).
Në këtë datë jepet lajmi i parë: “Festa e flamurit këtë vit ka një ndryshim rënjësor nga ajo e vitit 1912. Sot e festojmë këtë ditë me një Shqipëri të lirë…”
***
Dokumenti I
Kryesia e Këshillit Antifashist
Nacional-Çlirimtar
Mbledhje e 14-të Seancë e I
Kryesisë së Këshillit Antifashisht Nacional–Çlirimtar
Mbajtur në Tiranë më 5-11-1945 ora 15
Kryeson Dr. Omer Nishani
__________
Bëhet thirrja emërore dhe ndodhen pranë shokët: Gjeneral Leint. Koçi Xoxe (nënkryetar), Kolonel Baba Mustafa Xhani (nënkryetar), Hasan Pulo (nënkryetar), Koço Tashko (sekretar), Sami Baholli (sekretar), Gjeneral Major Bedri Spahiu, Gjeneral Major, Dali Ndreu, Gjeneral Kol. Enver Hoxha, Gogo Nushi, prof. Gjergj Kokoshi, Haxhi Lleshi, Kolonel Islam Radovicka, kolonel Kristo Themelko, Manol Konomi, dr. Medar Shtylla, Gjeneral Major, Myslim Peza, Nako Spiru, Olga Plumbi, Qiriako Harito, Kolonel Ramadan Çitaku, Ing, Spiro Koleka, Gjeneral Major Spiro Moisiu, Kolonel Tuk Jakova, dhe mungojnë vetëm shokët dr. Ing, Gaqo Tashko, Kolonel Hysni Kapo, Liri Gega, prof. Sejfulla Malëshova, prof. Siri Shapllo e dr. Ymer Dishnica.
Sh. Kryetar massi konstaton shumicën, deklaron mbledhjen e hapur, me proponimin e Sh, Ramadan Çitaku, më parë vihet në bisedim projektligja mbi krijimin e fondit të shpenzimeve për zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese
Këndohet projektligja dhe pranohet si vijon:
Neni 1
Në gjendjen e parapamjevet të shpenzimevet të ushtrimit financiar 1945/46 të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, krijohet titulli i II të “Shpenzime të parendshme” Kat.I “Shpenzime efektive”, e rubrika “Shpenzime të ndryshme”, me Kap 10, “Shpenzime çdo natyre për zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese si blemje e arkave për vota, shkresorin, shtypshkrime, benzinë, transport, qira automjetesh, shpërblime shoferësh dhe shpenzime udhëtime e djetë gjyqtarësh e nëpunësash të deleguem për këtë qëllim etj., tue shenjue nji fond prej fr. shq, 1.000.000 (nji miljon).
Neni 2
Fondi i fr. shq. 1.000.000 (milion) krijue e si mbas nenit 1 të kësaj ligje, paksohet nga kap. 35 “Fond rezervë për plotësim fondesh e për shpenzime të parapame në buxhet” të gjendjes së parapamjevet të shpenzimevet të ushtrimit financjar 1945/46 të Instituteve të Nalta e Ministrisë së Financavet.
Neni 3
Me zbatimin e kësaj ligje ngarkohet Ministrija e Financavet e Ministrija e Punëve të Brendshme
Neni 4
Kjo ligjë hyn në fuqi nga data e botimit të saj në Gazetën Zyrtare
****
Vihet në bisedim projektligja mbi amnisti dhe falje për faje ordinare të kryera deri në çlirimin e Shqipërisë
Sh. Dr. Manol Konomi shpjegon se fjala edhe ditën 17 Nëntor 1944, që përmenden në nenin e parë, ka për kuptim që është brënda dhe dita e 17-të që u çlirua Tirana.
Sh. Gjergj Kokoshi e Spiro Koleka janë të mendimit se për të dhënë atë kuptim mund të thuhet inclusive.
Sh. Qiriako Harito proponon që në vend të datës 17 nëntor 1944 të bëhet 28 nëntor 1944 që u çlirua Shkodra se mund të ketë nonjë dhe brenda këtij intervali të vogël, dhe kështu të mund të përfitojë dhe ky (përkrahet).
Sh. Manol Konomi: shpjegon se është marrë parasysh që data e çlirimit të kryeqytetit përfaqëson atë të çlirimit të gjithë Shqipërisë, prandaj ish vënë data e 17 nëntorit. Sa për atë të Shkodrës ka dhe vende të tjera që janë çliruar ma vonë.
Sh. Tuk Jakova thotë se kur shkoj okupatori prej Shkodre nuk ngeli ma ushtri e huaj në ndonjë vend të Shqipërisë, prandaj duhet të bëhet 28 nëntor 1944 (pranohet).
Sh. Spiro Moisiu pyet se ç’do të bëhet për ato faje që janë kryerë para kësaj date, porse janë zbuluar më vonë. Edhe sjellë shëmbëll nonjë vjedhje që mund t’i jetë bërë nonjërit pse mungonte, si p.sh. në Ushtërinë Nacional-Çlirimtare.
Sh. Manol Konomi shpjegon edhe një herë se qëllimi i kësaj ligje është të falet një pjesë e vogël. Këtë e bëjmë nga nevoja, thotë, për të mos mbushur burgjet.
Mbi pyetjen që i bën Sh. Sami Baholli, për sa i përket paragrafit të tretë të Nenit 3 shpjegon se qëllimi i kësaj dispozite është për të evituar burgimin e atyre që janë falur në ligjë të mëparëshme.
Gjithashtu mbi pyetjen e Sh. Hasan Pulo ep disa skjarime për sa i përket nenit 5 duke vënë në dukje se një pjesë e fajtorëve janë të lirë, një pjesë ishin hedhur në luftë me ne, si dhe që, disa faje tipike e për çështje morale nuk mund të falen, e prandaj përfundon sh. Manol Konomi, janë bërë këto dallime në këtë nenin (përkrahet).
Këndohet ligja dhe pranohen nen për nen si vijon:
Neni 1
Amnistohen të gjitha fajet ordinare të kryera deri edhe ditën 28 nëntor 1944, për të cilat ligja e parasheh një ndëshkim me burgim të rëndë ose burgim, që në maksimum nuk kalon të gjashtë vjetët ose një ndëshkim gjobor, të bashkuar ose jo me ndëshkimet e sipërtreguara.
Përjashtohen fajet financiare për të cilat zbatohet neni 4 i kësaj ligje.
Dokument II
Mbledhja e 14-të, Seanca e 5-të
Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar
Mbajtur në Tiranë më datë 9 Nëntor 1945 ora 15
Kryeson Dr. Omer Nishani
__________________
Bëhet thirrja emërore dhe ndodhen pranë shokët: Kolonel Baba Mustafa Xhani (nënkryetar), Hasan Pulo (nënkryetar), Koço Tashko (sekretar), Sami Baholli (sekretar, Gjeneral Major Bedri Spahiu, Gjeneral Major Dali Ndreu, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, Gogo Nushim, prof. Gjergj Kokoshi, Kolonel Haxhi Lleshi, Kolonel Islam Radovicka, Kolonel Kristo Themelko, Monol Konomi, dr. Medar Shtylla, Gjeneral Major Myslym Peza, Nako Spiru, Olga Plumbi, Qiriako Harito, Kolonel Ramadan Çitaku, Ingj. Spiro Koleka, Gjeneral Major Spiro Moisiu, Kolonel Tuk Jakova, edhe mungojnë vetëm: Gjeneral Leint, Koçi Xoxe (nënkryetar), Dr. Ingj, Gaqo Tashko (ministër i Bujqësisë dhe i Pyjeve), Kolonel Hysni Kapo, Liri Gega, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Siri Shapllo e Dr. Ymer Dishnica.
Sh.Kryetar: Mbasi konstaton shumicën deklaron seancën e hapur dhe vë në bisedim projektligjën mbi të kremten zyrtare.
Sh. Tuk Jakova thotë se është i harruar në këtë projekt dita e Një Majit, prandaj, si anëtar i Sindikatave, proponoi të shtohet.
Sh. Kryetar e vë në votë dhe pranohet unanimisht të shtohet dhe dita e 1 Majit.
Sh. Baba Mustafa Xhani proponon të shtohet edhe dita e Novruzit.
Sh. Gjergj Kokoshi pyet se çfarë kriteri është ndjekur në caktimin e festive. A janë pyetur komunitetet fetare?
Sh. Manol Konomi shpjegon se u janë kërkuar komuniteteve dhe ata i kanë sjellë. Prej atyre Komuniteti Mysliman u shkurtua një për t’ua u dhanë bektashinjve. Edhe nga ata të orthodoksve e katolike u nxuar një.
Sh. Bedri Spahiu: Dita e 28 Nëntorit koençidoj me çlirimin e Shqipërisë, d.m.th me rënien e Shkodrës, prandaj proponoj që emërtimi i festës së 28 nëntorit të bëhet: Ditë e Indipendencës dhe e çlirimit të Shqipërisë. – (Nuk pranohet)
Sh. Bedri Spahi insiston të vihet në votë.
Sh.Kryetar e vë në votim dhe nuk pranohet (votojnë pro vetëm pesë).
Sh. Baba Mustafa Xhani: Si shihet në këtë projektligjë gjithë Komuniteti kanë nga 6-7 ditë të kremte. Ne, Komuniteti Bektashian si të rinj me statut kërkuam vetëm dy ditë; edhe Këshilli Ministruer masi ka aprovuar Statutin t’onë, ka aprovuar dhe të dy ditët festë.
Këto janë: Matemi, dita që ra shehit Imam Hyseni; edhe Novruzi, dita e lindjes së Aliut. Edhe insiston të shtohet dita e Nevruzit që nuk është në projektligjë, por jo të merret nga ato të Komunitetit Musliman, por pse kjo ditë është në Statut që ka aprovuar Këshilli Ministruer.
Sh. Gjergj Kokoshi: Është mirë që të shtohet.
Sh. Kryetar e vë në votë dhe pranohet të shtohet dita e Nevruzit.
Sh. Myslym Peza është i mendimit të shtohet ditë e Shingjergjit që e feston gjithë populli pse dolli nga dimri me vetë me gjë të gjallë. Edhe të hiqen dy netët e mira (Berat dhe Mirazh), mbasi këto dy ditë dhe më parë nuk kanë qenë.
Sh. Kryetar e vë në votë dhe pranohet të mos bahet ky ndryshim.
(Bëhen pesë minuta pushim dhe pas pesë minutash, seanca hapet)
Sh. Ramadan Çitaku: Është harruar të vihet dita e Çlirimit të Shqipërisë. Është vënë dita e konferencës së Pezës që mori formën Lufta N.Ç., është vënë dita e Kongresit të Përmetit ku lufta merr formë më të gjerë, edhe ish e drejtë të viheshin dhe të festohen këto ditë, por është harruar, si thashë, dita e çlirimit, dita e përfundimit të Luftës së madhe që bëri populli shqiptar. Këtë ditë duhet ta kujtojë populli dhe ta festojë brez pas brezi, të mbetet si një ditë historike. Dita e 28 nëntorit 1912 është e drejtë të festohet, por edhe kjo e Luftës së Dytë, e Luftës së madhe duhet të shtohet (përkrahet). Vetëm është çështja e datës. Me sa di unë, pas mes natës së 28 nëntorit 1944, armiku qe çdukur nga e gjithë Shqipëria, dmth dita e 29 Nëntorit u gdhi duke qenë Shqipnija e çliruar. Prandaj proponoj që dita 29 nëntor të shtohet në ditët e festat kombëtare.
Letra II
Kryesia e këshillit antifashist
Nacional-Çlirimtar
Ligjë nr. 134 datë 5.11.1945
Mbi amnisti dhe falje për fajet ordinere të kryera deri në çlirimin e Shqipërisë
Neni 1.
Amnistohen të gjitha fajet ordinare të kryera deri edhe ditën 29 (e korrigjuar) Nëntor 1944, për të cilat ligja parasheh një ndëshkim me burgim të rëndë ose burgim, që në maksimum nuk kalon të gjashtë vjetët, ose një ndëshkim gjobor, të bashkuar ose jo me ndëshkimet e sipërtreguara.
Përjashtohen fajet financiare për të cilat zbatohet neni 4 i kësaj ligje.
Neni 2.
Amnistohen të gjitha fajet ordinare të kryera deri dhe ditën e treguar në nenin 1 prej të miturve që nuk kishin mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjetë.
Neni 3.
Falen ndëshkimet me burgim të rëndë ose burgim deri në dhjetë vjet që janë dhënë ose do të jepen për faje të kryera deri dhe ditën e treguar në nenin 1 dhe u zbritën dhjetë vjet ndëshkimeve të përkohshme më të rënda, që janë dhënë ose do të jepen po për ato faje.
Falen gjithashtu ndëshkimet aksesorë të bashkuara me ndëshkimet e treguara në nenin e mësipërmë.
Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen, kur me vendim, qoftë dhe të shkallës së parë, janë zbatuar faljet e mëparshme, në masën e parashikuar prej paragrafit të parë të kësaj ligje.
Neni 4.
Jepet amnisti për shkeljet e ligjeve financiare të kryera deri edhe ditën 10 maj 1941, për të cilat ligja parasheh një ndëshkim me burgim të rëndë ose burgim që në maksimum nuk kalon të 6 vjetët ose një ndëshkim pekuniar ose gjobor deri në 1000 franga, së bashku ose jo me ndëshkimin e burgimit.