Historikisht, kujdesi shëndetësor që iu është ofruar minoriteteve seksuale ka qenë më se i pamjaftueshëm, pjesërisht për shkak se ofruesit e kujdesit shëndetësor nuk kanë qenë të edukuar sa duhet për ta fituar një kuptim të drejtë të çështjeve të orientimt seksual; pjesërisht për shkak të qëndrimeve negative të mjekut ndaj homoseksualitetit; dhe pjesërisht për shkak se deri në vitin 1970, sheqtësimet e lezbikeve, gejëve dhe të biseksualëve kanë qenë të fshehura dhe nuk janë kuptuar si duhet. Ky kapitull fillon me rishqyrtimin e informacioneve të prapaskenës që të gjithë profesionistët shëndetësorë duhet t’i dijnë sa i përket orientimit seksual, pastaj vazhdon me ekzaminimin e çështjeve specifike shëndetësore që kanë të bëjnë me orientimin seksual.
HISTORIA E QËNDRIMEVE MJEKËSORE NDAJ HOMOSEKSUALITETIT
Ata pacientë, të cilët u tregojnë mjekut të tyre që janë gay (lexo: gej) ose biseksual do ta bëjnë këtë për një morri arsyesh; për shembull, dëshirojnë të diskutojnë për këtë fushë me qëllim që të fitojnë këshillim seksual,1pastaj besojnë se këto informacione do ta ndihmojnë menaxhimin mjekësor, ose thjesht sepse janë ‘homoseksual publik’ dhe dëshirojnë të jenë të rëndësishëm në aspektin demografik - njëjtë sikurse pacientët heteroseksualë që mund ta përmendin se janë të martuar.
Megjithatë, tendenca për të qenë homoseksual publik te profesionistët mjekësorë (në mes tjerash) është fenomen social relativisht i ri. Një gjë e tillë është nxitur nga lëvizjet e paradave të gay-ëve në vitet e 70-ta dhe është bërë e nevojshme për meshkujt-gay dhe femrat-lezbike për shkak të HIV-it në vitet e 80-ta dhe të 90-ta. Në vitin 1980, Dardick dhe Grady2 zbuluan se, në SHBA, më pak se 50% e meshkujve haptazi gay u kanë treguar ofruesve të tyre të kujdesit primar shëndetësor që janë gay. Duhet të merret parasysh se kjo shifër është shumë më e vogël në mesin e homoseksualëve të fshehtë (closeted gays). Në Australi, mbi 20% e meshkujve homoseksualë që kanë manifestuar sëmundje seksualisht të transmetueshme nuk u kanë treguar mjekut personal se infeksioni i tyre është fituar homoseksualisht3. Fatkeqësisht, njëra prej arsyeve për këtë është se ¾ e mostrës prej 1000 mjekëve ka pranuar se me të kuptuar se pacienti është homoseksual dëmshëm do të ndikonte në menaxhimin e tij mjekësor.4 Në vitin 1980, 84% e mjekëve amerikan të anketuar janë pajtuar se pacientët homoseksualë ngurrojnë që ta kërkojnë ndihmën mjekësore për shkak të mosmiratimit të mjekut.5
Në vitin 1981, Davison dhe Friedman6 kanë zbuluar se kur dy grupeve të psikologëve u është dhënë historia e një mashkulli, dhe njërit prej këtyre grupeve qëllimisht u është thënë se pacienti është homoseksual, shumica e problemeve të pacientit nga grupi i tillë kanë qenë të konstruktuara në kuptimin seksual dhe në aspektin seksual është përqendruar më së shumti. Duket se paragjykimet emocionale, zakonisht të aktivizuara nga mungesa e informacioneve të besueshme, ka pasur ndikim të dëmshëm si në trajtim ashtu edhe në këshillim të pacientit. Andaj, së paku gjer më tani, homo-negativizimi i mjekut duket të ketë ndikuar negativisht në ndihmën e ofruar mjekësore personave homoseksualë. Shilts7 e identifikon homo-negativizimin e mjekut si një nga disa faktorët që i parandalojnë profesionistët shëndetësorë nga përgjigjja ndaj epidemisë së AIDS-it. Neglizhenca e tillë fajësuese e mjekut duke “vënë benzinë në zjarr” në një epidemi nuk guxon të lejohet më të ndodhë.
KUPTIMI I ORIENTIMIT SEKSUAL
Përkufzime
‘Orientimi seksual’ u referohet tërheqjeve të qëndrueshme seksuale të meshkujve dhe femrave të rritura. Siç është përkufizuar, orientimi i një personi nuk mund të përcaktohet përderisa personi nuk bëhet adoleshent. Psikologët e dallojnë orientimin seksual nga tërheqjet ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve (të njohura me termat: pedofilia dhe efebofilia).
Orientimi ynë seksual është vetëm një aspekt i identitetit më të gjerë seksual. Përbërësit e tjerë përfshijnë përcaktimin e të qenurit mashkull ose femër në lindje në bazë të gjenitaleve të jashtme; identiteti gjinor (gender identity), ndjenja e personit e të qenurit mashkull dhe/ose femër e përcaktuar intrafizikisht; dhe roli social gjinor (social sex role), maskuliniteti dhe/ose feminiteti i një personi të definuara nga shoqëria dhe tradita kulturore.8 Secili aspekt i identitetit duket relativisht i pavarur nga të tjerët. Andaj, nuk duhet të mendohet se një femër maskuline (mashkullore) ose androgjene patjetër duhet ta tërheqin femrat, ose një mashkull, i cili raporton identifikimin e vetes si femër (dmth. si transgjender) patjetër e tërheqin meshkujt. Orientimi seksual e përfshin gjininë(të) e personave që personit i duket(n) erotike; gjininë(të) e personave te e cila përqendrohen mendimet, fantazitë dhe dëshirat seksuale dhe gjininë(të) e personave me të cilët personi lidhet emocionalisht dhe bie në dashuri. Pacientët dallojnë për nga rëndësia që ata ua japin orientimit të tyre seksual, ku disa e konsiderojnë atë çështje dytësore, derisa të tjerët vendimtare. Orientimi seksual mund të ndihmojë në përkufizimin e komunitetit të pacientit, identifikimin(met) politike madje edhe ato spirituale.
Shpërndarja e homoseksualitetit
A është homoseksualiteti dukuri normale? Vlerësimet statistikore rreth homoseksualitetit dallojnë në përmasa të mëdha, duke qenë të varura pjesërisht nga definicionet e përdorura. Për shembull, duke i shfrytëzuar të dhënat e Kinsey-it, ndërmjet 3% (sjellja dhe tërheqjet aktuale ekskluzivisht homoseksuale) dhe 50% (çfarëdo sjellje, dëshirë ose fantazi ndërmjet të rriturve me gjini të njëjtë) e amerikanëve të përfshirë në mostrën e tij do të mund të konsideroheshin homoseksualë9. Me anë të një teknike të mostrës së rastit dhe të shtresëzuar në kuadër të një studimi kombëtar të 2601 të të rriturve australianë, Ross10 zbuloi se 11% e meshkujve dhe 5% e femrave kanë raportuar së paku një kontakt homoseksual, 6% e meshkujve dhe 3% e femrave e kanë raportuar këtë të kryer në vitin paraprak.
Një studim kombtar i shtresëzuar dhe i rastit i 3432 amerikanëve11 të moshës 18-59 vjeçare ka gjetur vlerësime më të ulta: 3-5% e meshkujve dhe 1-4% e femrave kanë raprotuar pak sjellje ndaj gjinisë së njëjtë (varësisht nga definimi dhe koha), ndërsa 3 % e meshkujve dhe 1% e femrave kanë raportuar një nivel të identitetit homoseksual ose biseksual. Për shkak të stigmës sociale, këto duhet të konisederohen si nënvlerësime konzervative. Sjellja homoseksuale është dokumentuar në të gjitha kulturat e studiuara, edhe pse frekuenca dhe kuptimi i asaj se çka e përbën homoseksualitetin mund të varirojë dukshëm përgjatë kulturave të ndryshme. Profesionistët shëndetësorë që punojnë në vende të kulturave të ndryshme duhet ta kuptojnë se çka “të jesh homoseksual” nënkupton në veçanti në kulturën përkatëse të pacientit.
Këto zbulime, të gjitha së bashku, tregojnë se derisa shumica e njerëzve i përjetojnë tërheqjet e tyre homoseksuale si të qenurit i/e tërhequr ekskluzivisht nga gjinia tjetër, disa të tjerë tërheqjet dhe fantazitë homoseksuale i konsiderojnë si pjesë e rëndomtë e përjetimit seksual njerëzor. Për një përqindje të rëndësishme të popullatës njerëzore, diku ndërmjet 2-10%, që nga tërheqja mbizotëruese deri të ajo ekskluzive homoseksuale duket të jetë pjesë normale diversitetit seksual njerëzor. Meshkujt dhe femrat mund ta përjetojnë orientimin e tyre seksual ndryshe nga njëri tjetri; në veçanti tërheqjet e meshkujve mund të përcaktohen më shumë nga natyra, derisa tërheqjet e femrave mund të jenë më të gjera, me këtë edhe më fleksibile.
Teoritë e etiologjisë
Për herë të parë termi ‘homoseksual’ është shpikur në vitin 1869, nga shkenctari hungarez Karl Benkert (Carl Maria Benkert). Që nga ajo kohë, janë avancuar teori të shumta dhe të ndryshme biologjike, psikologjike dhe sociologjike për prejardhjen e homoseksualitetit. Për rishqyrtim të teorive, ju rekomandojmë shfletimin e ndonjë teskti për seksualitetin e njeriut. Derisa shkaqet precize të dallimeve në orientimin seksual mbeten disi spekulative dhe të pakapshme, çka është krejtsisht qartë deri tash, është se asnjë faktor vetëm nuk mund të ndikojë që dikush të bëhet homoseksual ose heteroseksual.
Asnjë teori e vetme shkencore për atë se çka e bën orientimin seksual të tillë nuk është argumentuar dhe provuar bindshëm. Studimet që e shoqërojnë orientimin seksual me faktorët gjenetik, hormonalë dhe ambiental gjer më tani kanë qenë bindëse dhe vendimtare. Orientimi seksual nuk konsiderohet më si preferencë e vetëdijshme individuale e zgjedhjes, por në vend të kësaj mendohet të jetë formuar nga një rrjetë e komplikuar e faktorëve social, kulturor, biologjik, ekonomik dhe të atyre politik.12
Mitet dhe realitetet për homoseksualitetin
Fatkeqësisht, mite për homoseksualitetin ka me bollëk. Në katrorin 13-1 janë të paraqitura disa prej tyre.
Homoseksualiteti dhe shëndeti mendor
Homoseksualiteti nuk është më shenjë e sëmundjes mendore në raport me heteroseksualitetin si shenjë e shëndetit mendor. Në vitin 1857, Evelyn Hooker13 publikoi studimin e parë të madh për ta krahasuar shëndetin mendor të një mostre joklinike të meshkujve homoseksualë dhe të atyre heteroseksualë. Edhepse studimet klinike të meshkujve homoseksualë të hospitalizuar kanë zbuluar praninë e sëmundjeve shoqëruese mendore, studimi i saj zbuloi shumë pak dallim në psikopatologji. Ajo konkludoi se patologjizimi i orientimit homoseksual nuk kishte kurrëfarë baze ose arsyetimi mjekësor. Bazuar në këto gjetje dhe ato që pasuan më vonë, në vitin 1974 Shoqata Psikiatrike Amerikane (American Psychiatric Association) e largoi homoseksualietin si gjendje patologjike.
Sido që të jetë, stigma sociale ndaj homoseksualitetit është demonstruar të ketë ndikim negativ në shëndetin mendor. Studimet komparative të Ross-it14 të të katër vendeve dhe komparacioni i dy vendeve nga Rosser15, gjetën dëshmi të përshtatjes më të dobët në ato vende që seksualisht ishin më konzervative dhe më homofobe. Rezultatet janë konsekuente me premisën se homoseksualiteti, assesi, nuk ka të bëjë me (keq)përshtatjen psikike; më shumë ka të bëjë me përjetësimin e homofobisë, të paragjykimit dhe të izolimit brenda shoqërisë më të gjerë që ndikojnë negativisht në shëndetin mendor. Kjo më tej mbështetet nga hulumtimet e fundit brenda një vendi duke i krahasuar meshkujt homoseksualë me shkallë të ulët dhe të lartë të homofobisë së internalizuar. Homofobia e internalizuar duket të shoqërohet me përshtatje të dobët mendore dhe të shëndetit seksual.16
Mitet
Homoseksualiteti është si rezultat i prindërisë abnormale.
Homoseksualiteti është pasojë e incestit ose e abuzimit seksual.
Homoseksualët i bëjnë pre të rinjtë për ta mbajtur dhe ruajtur stilin e tyre të jetës.
Një ‘femër/mashkull i mirë’ ose martesa hetereoseksuale e shëron homoseksualitetin.
Gay-ët dhe lezbianet jetojnë jetë të pikëlluar, përplot me vetmi, veturrejtje dhe lidhje të pakuptimta.
Gay-ët dhe lezbianet janë rrezikim i shoqërisë duke i ofruar asaj pak dhe me egoizëm dhe duke e shfrytëzuar atë për qëllimet e tyre të ndyra.
Ekstrakt nga: Rosser, B. R. S. Gay Catholics Down Under. 1992.
Realitetet
Gay-ët vijnë nga një varietet i gjerë i prapavijave familjare, si të mira ashtu edhe kqija.
Shumica e gay-ëve dhe e lezbianeve nuk raportojnë kurrëfarë kontakti seksual me të rriturit gjatë fëmijërisë së tyre.
Shumica e pedofilëve dhe e efebofilëve identifikohen heteroseksualë.
Rrëfimet jetësore të gay-ëve dhe të lezbianeve të martuara heteroseksualisht sugjerojnë se marrëdhinet heteroseksuale nuk janë të knaqshme e as që mund ta ndryshojnë orientimin seksual.
Shumica e njerëzve gay dhe lezbike raportojnë të jenë të lumtur dhe vetpranues, përkundër vështirësive të jetesës në një shoqëri mospranuese.
Lezbianet dhe gay-ët marrin pjesë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe në përgjithësi janë qytetarë të mirë.
Kuptimi i continuum-it të orientimit seksual
McConaghy (lexo: MekKonafi)17 shënon se si brenda subkulturave gay ashtu dhe brenda shoqërisë më gjerësisht, shikimi i njerëzve çoftë si gay ose si heteroseksual ende është mënyra më e rëndomtë sesi njerëzit e shohin orientimin seksual. Kjo në veçanti është problematike për pacientët biseksualë dhe ata të cilët ndodhen në fazat e hershme të hulumtimit të identitetit të tyre seksual. Gabimi i zakonshëm gjatë këshillimit rreth problemeve seksuale është prezantimi i orientimit seksual si dihotomi (njerëzit janë ose homoseksualë ose heteroseksualë) ose si trihotomi (gay, lezbiane, biseksual ose heteroseksual). Kjo i tejthekson dallimet dhe mund të çojë deri te ajo që pacienti të ndihet “kufizuar” nga ofruesi i ndihmës.
Kinsey9 erdhi në përfundim se orientimi del si continuum, duke filluar që nga homoseksualiteti i plotë në njërin skaj deri të heteroseksualiteti i plotë në skajin tjetër. Më tej, ai shënoi se disa aktivitete me pjesëtarë të gjinisë së njëjtë që kanë përfunduar me orgazmë kanë qenë relativisht të rëndomta në moshën e rritur dhe se orientimi i njerëzve (i matur nga të sjellurit dhe tërheqja) ka lëvizur përgjatë këtij continuum-i me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e rrethanave. Pasiqë më pak meshkuj janë gjetur të jenë ekskluzivisht homoseksualë në raport me ata eksluzivisht heteroseksualë gjatë tre viteve të fundit dhe më pak femra kanë raportuar sjellje homoseksuale në raport me meshkujt, Kinsey konceptualizoi se orientimi seksual, sikurse edhe shumica e fenomeneve të tjera natyrore, ka qenë me siguri i bezdisur përgjatë continuum-it homoseksual-heteroseksual, duke ia mveshur dallimet gjinore dhe të orientimit seksual presionit dhe stigmës sociale.
Emërtimet e orientimit seksual
Përderisa ‘homoseksualiteti’ si term është shpikur nga një mjek që e ka gjmurmuar devijimin, termi “gay” ka dalur nga lëvizjet e gay-ëve si një përshkrim i subkulturës homoseksuale. Ky i fundit është më pozitiv dhe më i respektueshëm për dikënd që e identifikon veten dhe e pranon homoseksualitetin e tij/saj.
Termi ‘lesbian’ rrjedh nga komuniteti i femrave i formuar nga poetja Sappho (lexo: Safo), shekulli 600 p.e.s., në ishullin grek Lesbos. Meqë termet “gay” dhe “lesbian” janë bërë emërtime të pranuara të identitetit, termi ‘homoseksual’ është në limitim e sipër sa i përket përshkrimit të sjelljes ose atraksionit ndaj njerëzve të gjinisë së njëjtë. Gjatë këshillimit të pacientëve, është parim i mirë t’i merrni shenjat sesi pacientët e definojnë veten dhe ta shfrytëzoni gjuhën e pacientit gjatë diskutimit të çështjeve dhe shqetësimeve rreth orientimit seksual.
Zhvillimi i identitetit dhe i identifikimit seksual
Identiteti dhe përshtatja jonë seksuale nuk zhvillohen në një vacuum, por marrin formë nga kuptimet familjare, sociale dhe kulturore të asaj se çka nënkupton tërheqja (atraksioni) ndaj gjinisë së njëjtë dhe gjinisë së kundërt. Coleman18 (lexo: Koullmën) dhe Cass19 (Kas) i kanë propozuar shembujt e zhvillimit të identitetit homoseksual që do të mund t’i ndihmonin profesionistëve në vlerësimin dhe kuptimin e stadeve të vetzbulimit të homoseksualitetit (‘coming out’-lexo: kaming aut). Që të dy modelet e theksojnë nevojën për qeniet njerëzore që të zhvillohen; me qëllim që ta identifikojnë orientimin seksual dominues; t’i zgjedhin komplikimet intrapsikike, interpersonale dhe ato sociale të identitetit të tyre të orientimit dhe ta integrojnë seksualitetin e tyre në kuptimin më të gjerë të vetes për funksionim të shëndetshëm seksual dhe mental. Dështimi në zgjidhjen e dilemave dhe të pyetjeve rreth orientimit paraqet rrezikun për shpierje deri te infantilizimi i seksualitetit ose kthimi në një stad të mëhershëm të shoqëruar me shqetësim psikik dhe ndikim afatgjatë negativ në shëndetin mental.
Teoria e pjekurisë e kombinuar me studimet psikologjike të cituara më lartë, sugjerojnë se shumë, nëse jo shumica, njerëz i zgjidhin dyshimet (pyetjet) rreth orientimit të tyre seksual duke u identifikuar si homoseksual/gay (lexo:gej)ose heteroseksual/straight (lexo: strejt) (dhe disa si biseksualë), edhe pse atraksionet dhe dëshirat e tyre të brendshme janë më komplekse sesa që këto emërtime përshkruajnë. Si modeli i Coleman-it ashtu edhe i Cass-it e theksojnë rëndësinë që për shëndetin mental të njerëzve e ka pranimi dhe përjetimi pozitiv i orientimit të tyre seksual. Modeli i Cass-it i parashtron 6 stade të zhvillimit të identitetit homoseksual te një individ.
Konfuzioni i identitetit
Krahasimi i identitetit
Toleranca e identitetit
Pranimi i identitetit
Krenaria për identitetin
Sinteza e identitetit
Konfuzioni i idenitetit paraqet fazën kur individët ndihen se janë ndryshe nga të tjerët dhe se ndjenjat ose sjellja e tyre mund të emërtohet si homoseksuale. Stadi i dytë, krahasimi i identitetit, është kur individët e bëjnë përkushtimin e parë ngurrues ndaj identitetit homoseksual dhe realizimit të të qenurit homoseksual deri në njëfarë shkalle.
Me tolerancën e identitetit te individi vjen deri te njohja se ai ose ajo ndoshta është homoseksual dhe paraqitet një shkallë zotimi ndaj këtij identitetit. Në stadin 4, stadin e pranimit të identitetit, individi e pranon emërtimin (etiketën) si homoseksual, së paku në shoqërinë gay dhe fillon të socializohet brenda subkulturës gay. Stadi i krenarisë së identitetit shënohet me hapje (publikim) të gjerë dhe aktivitet të hapur dhe e përshkrujanë gjendjen ku çdo gjë që individi bën, definohet pikë së pari nga homoseksualiteti i tij ose i saj. Në këtë stad, identiteti qendror i personit është si homoseksual.
Stadi i gjashtë i modelit të Cass-it është ndoshta njëri që ka stimuluar më së shumti debate. Tek individi, qëndrimi i homoseksualëve ‘ata kundër neve’ zbehet dhe zëvendësohet me një gjendje kur identiteti homoseksual i personit shikohet si të qenurit një seri e identiteteve, por jo një që i definon të gjitha aspektet e jetës së personit. Individi, me këtë, mund ta sheh se të jesh homoseksual është një çështje e rastësishëme si një besim politik ose profesion dhe jo si diçka që ai ose ajo është gjatë tërë kohës. Është me rëndësi që seksualitetin e pacientëve ta trajtojmë varësisht nga niveli i pranimit në të cilin ndodhen dhe jo të mundohemi t’i shtyejmë shumë shpejtë në këto stade. Duhet t’i lejojmë t’i arrijnë këto stade me kurajim, në ritmin e tyre.
Coleman-i, gjithashtu, i ka përshkruar stadet e formimit të identitetit homoseksual.
Stadet e tij janë siç vijon:
Para ‘coming-out’ (para zbulimi i homoseksualitetit)
‘Coming out’ (Zbulimi i orientimit)
Gjurmimi dhe eksperimentimi
Lidhja e parë
Integrimi
Secili stad i procesit ‘coming out’ paraqet sfida të veçanta shëndetësore si për ofruesin e ndihmës shëndetëore ashtu edhe për pacientin. Duke i shfrytëzuar stadet e ‘coming out’ të Coleman-it, Rosser-i20 ka identifikuar çështjet (shqetësimet) klinike të shoqëruara me secilin stad të procesit. Gjatë stadit të parë, ‘para-coming out’, aspekti predominues klinik është shqetësimi për orientimin. Pacienti mund të jetë i demoralizuar rëndë madje edhe suicidal. Gjatë ‘coming out’, shfaqen dhe dominojnë konflikte interpsikike dhe interpersonale. Gjatë stadit të tretë të Coleman-it, eksplorimit, është me rëndësi që ofruesi i ndihmës ta miratojë eksplorimin e seksualitetit të personit, si sfidë që duhet adresuar janë çështjet e sigurisë përfshirë këtu edhe këshillimin për seks më të sigurtë. Pas këtij stadi, lidhjet e para paraqiten si preokupim qendror i pacientit. Këtu janë të spikatura aspektet klinike të varshmërisë, të izolimit dhe mosrespektimit të udhërrëfimeve për seks më të sigurtë. Me të arritur integrimin, shqetësimet kryesore klinike vështirë se më mund t’iu referohen orientimit seksual të personit, përveç në situatat e stresit dhe/ose të traumës. Në situatat e tilla, shqetësim kryesor klinik bëhet regresioni në stadet e mëhershme të konflikteve.
A mund të ndryshohet orientimi seksual?
Freud-i (lexo: Frojd) vërejti se orientimi homoseksual duket të jetë: i qëndrueshëm te shumica e të rriturve, rezistues ndaj modifikimit gjatë analizës dhe beninj. Teoritë e riorientimit tentojnë ta ndryshojnë orientimin seksual, në mënyrë tipike nga ai homoseksual në atë heteroseksual. Etiku Murphy21 (lexo: Marfi) vërejti se përkundër intervenimeve të panumërta të shekullit XX-të për ta provuar ndryshimin e orientimit homoerotik (përfshirë këtu: kastracionin (tredhjen) kimik, neurokirurgjinë, trajtimin me shok-elektrokonvulziv, burgosjen, terapinë averzive (me nevertije), shndërrimin dhe lirimin religjioz heteroseksual), nuk është gjetur të paktën një rast i vetëm ku është demonstruar bindshëm riorientimi. Derisa shumë nga këto teknika kanë qenë në gjendje ta demonstrojnë modifikimin e sjelljes, asnjëra nuk ka qenë në gjendje ta ndryshojë orientimin afektiv më të thellë. Në fakt, është një amanet i seksualitetit të njeriut për qëndrueshmërinë e tij që përkundër teknikave të shumta të provuara asnjëra nuk dëshmohet e efektshme.
Viteve të fundit, ka rënë dukshëm praktika e tentimit për t’iu ndihmuar pacientëve disforik homoseksualë në imponimin e orientimit heteroseksual. Faktorët që kanë ndikuar në këtë rënie përfshijnë përqindjen e vogël të suksesit në riorientim, faktin se homoerotizmi nuk konisderohet më patologjik, efektet afatgjate negative të raportuara nga ata të cilët iu kanë nënshtruar terapisë së riorientimit dhe problemet serioze klinike që janë shfaqur gjatë këtyre tentimeve. Shoqata Psikiatrike Amerikane, Shoqata Psikologjike Amerikane dhe madje edhe Shoqata konzervative Amerikane e Mjekëve, që të gjitha i kanë dënuar dhe i kanë vlerësuar praktikat e tilla si joetike, të paefektshme dhe të dëmshme.
Disa pacientë mund ta kërkojnë mendimin tuaj për grupet religjioze të ‘ish-homoseksualëve’. Disa grupe konzervative religjioze edhe më tej ofrojnë ‘shërbesa fetare të çlirimit’ për t’i liruar njerëzit nga homoseksualiteti. Dëshmitë nga këto grupe sugjerojnë se kur personi është lartë i motivuar, shumë religjioz, shumë diligjent, ka pak dëshirë heteroseksuale të parapranishme dhe mbetet brenda kulturës religjiosociale, pak modifikim, së paku afatshkurtër, mund të jetë i mundshëm. Janë ndërmarrë dy studime që kanë demonstruar modifikim afatgjatë në 3-5 % të të nënshtruarve në terapi. Meqë kjo shkallë e ndryshimit është e përafërt me variacionin e natyrshëm të orientimit të gjetur me anë të sutdimeve longitudinale, kritikët pohojnë se intervenimet janë të paefektshme dhe nganjëherë të rrezikshme. Si përmbledhje, duket e mundshme që të bëhet dikush të funksionojë heteroseksualisht, mirëpo indikatorët më të thellë të orientimit siç janë atraksionet dhe aftësia për të ra në dashuri duket të jenë më shumë për nga natyra.
Nga këndvështrimi i mjekut të praksës së përgjithshme, është me rëndësi që të jeni të vetdijshëm se kërkesa e pacientit për ndryshimin e orientimit seksual mund t’i pasqyrojë problemet e menaxhimit të stigmës dhe të jenë simptomatik për shkak të vështirësive që mund t’iu përgjigjet gjatë këshillimit, sesa të gjykohet kërkesa e pacientit nga pamja e jashtme. Poashtu, është me rëndësi që të diferencohet një orientim homoseksual nga transvestizmi ose transeksualizmi thelbësor ose margjinal. Disa homoseksualë mund të kërkojnë ricaktim të gjinisë në mënyrë që t’i ‘legjitimojnë’ dëshirat e tyre seksuale ndaj personave të gjinisë së njëjtë duke u bërë pjesëtarë të ‘gjinisë së kundërt’.
ÇËSHTJET E KËSHILLIMIT QË KANË TË BJNË ME ORIENTIMIN SEKSUAL
Janë disa pika të dobishme që duhet të kihen parasysh gjatë diskutimit të orientimit me pacientët. Çdo herë kur dikush zbulon diçka personale seksualisht, është me rëndësi të kuptohet se ky vendim ndoshta nuk është marrë aq lehtë. Kjo mund të vazhdojë me vetzbulimin e orientimit dhe të identitetit seksual.
Është me rëndësi të mbahet mend se gjatë intervistës mjek-pacient, në të njëjtën mënyrë sikurse që profesionisti e vlerëson pacientin ashtu edhe pacienti ndodh ta vlerësojë mjekun. Një reagim kuptues dhe pranues është si i rëndësishëm ashtu edhe i duhur (shih katrorin 13-2). Për shkak se homoseksualiteti është dukuri relativisht e shpeshtë, është veçanërisht e rëndësishme të mos supozohet se të gjithë pacientët janë të orientuar heteroseksualisht përveç nëse jeni këshilluar për të kundërtën. Përdorimi i termeve neutrale gjinore (derisa të bëhet qartësimi), dhe dallimi i qartë ndërmjet sjelljes dhe identitetit, do ta parandalojë profesionistin nga gabimet e panevojshme. Katrori 13-3 i përmban test-pyetjet (screening questions) që kanë të bëjnë me çësthjet e orientimit seksual.
Homoseksualiteti si problem shëndetësor
Kur një pacient e zbulon orientimin e tij/saj homoseksual, mund të ekzistojë tendenca për ta kuptuar këtë si diçka që i takon vetëm çështjes seksuale, që është definim jashtëzakonisht i ngushtë. Derisa këto informacione mund të nënkuptojnë ekzaminimin e regjioneve shtesë për sëmundjet seksualisht të transmetueshme nëse pacienti kyçet në marrëdhënie seksuale receptive anale (regjionet anorektale si dhe regjionet e rëndomta uretrale dhe orofaringeale), gjithashtu, mund të kenë implikime edhe më të gjera. Është me rëndësi të vlerësohet sesi pacienti ndihet rreth orientimit të vet seksual dhe nëse ai/ajo e ka vetzbuluar (publikuar) ose e mban të fshehtë orientimin e vet seksual. Mostregimi i orientimit ka ndikime negative në shëndet. Në kuadër të sëmundjeve psikosomatike mund të përfshihen:
kokëdhembjet pa sqarim, hipertensioni, çrregullimet gastrointestinale duke filluar nga ulçerat deri te sindromi i irritimit të zorrëve dhe astma me komponentë funksionale. Shqetësimi për orientimin seksual (shpesh i referuar si ‘homoseksualiteti egodistonik’ dhe ‘homofobia e internalizuar’) është problem i madh i shëndetit mental dhe pacientët e identifikuar duhet t’u referohen për ndihmë profesionistëve të duhur shëndetësorë. Stresi psikik, poashtu, mund të manifestohet te një varietet i çrregullimeve më pak somatike, si psh. te: çrregullimet e gjumit ose te ankthi i gjeneralizuar. Në shumicën e rasteve stresi është i menaxhueshëm me anë të një interaksioni pranues klinik ose referimi në programet trajnuese për menaxhimin e stresit dhe për teknikat e relaksimit. Gjithashtu, ofruesi i ndihmës duhet ta ketë parasysh referimin te ndonjë profesionist të shëndetit mental për t’i adresuar problemet e pranimit seksual.
Pjesa dërmuese e meshkujve haptazi gay, të femrave lezbike dhe të personave biseksualë të vetzbuluar haptazi, do ta përjetojnë pak ose fare nuk do të kenë probleme me orientimin e tyre seksual. Pacientët e tillë mund të dallohen në aspektin psikologjik vetëm kur paraqitet si problem menaxhimi i stigmës. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e këshillimit në lidhje me orientimin seksual, krahas problemeve të përgjithshme me të cilat ballafaqohen të gjithë njerëzit, ka të bëjë me menaxhimin e stigmës.
LIDHJET HOMOSEKSUALE
Qëndrimi i popullarizuar ndaj homoseksualëve si të vetëm dhe promiskuoz (personat që i ndërrojnë shpesh partnerët) nuk është i saktë për pjesën më të madhe të njerëzve gay. Anketa e meshkujve gay në SHBA ka zbuluar se numri mesatar i partnerëve të përjetshëm seksual i individëve seksualisht aktivë ka qenë më i vogël se 5022. Është me rëndësi të mbahet kjo në mend gjatë leximit të mostrave atipike (psh. shumë raste të AIDS-it) në të cilat numri i partnerëve seksual mund të shkojë deri në disa qindra ose mijëra partnerë.
Shumica e meshkujve gay dhe e femrave lezbike e kanë së paku një lidhje të rëndësishme afatgjate. Sikurse edhe te çiftet heteroseksuale, deklarimi i pacientit për lidhje të përkushtuar nuk e nënkupton domosdoshmërisht monogaminë. Lidhjet e gjinisë së njëjtë janë klasifikuar në pesë kategori të përgjithshme nga Bell dhe Weinber23. Ata e kanë ndarë mostrën e tyre në:
Çiftet e mbyllura
Çiftet e hapura
Funksionalët
Disfunksionalët
Aseksualët
‘Çiftet e mbyllura’ kanë qenë të lidhura fort dhe kanë qenë monogamë, në kuptimin se të dy individët në lidhje janë prirur që ta gjejnë te njëri tjetri kënaqësinë seksuale dhe interpersonale. Ky grup e ka pasur shkallën më të ulët të problemeve seksuale ose psikike.
‘Çiftet e hapura’ kanë jetuar me një partner të veçantë seksual, mirëpo kanë qenë të prirur që të kërkojnë kënaqësinë seksuale dhe interpersonale me njerëzit jashtë lidhjes së tyre, edhepse kjo dukej t’i brengoste ata. Në aspektin psikik dhe seksual, ata nuk kanë pasur më shumë ose më pak probleme se grupet e tjera.
‘Funksionalët’ kanë qenë të barabartë me të vetmit (beqarët) luhatës dhe janë dukur ta organizojnë jetën rreth përvojave të tyre seksuale. Ata kanë pasur tendencë që të kenë rrethe të gjera sociale dhe pak probleme seksuale dhe psikike.
Për dallim, ‘disfunksionalët’ kanë qenë njerëz me probleme, jeta e të cilëve u ka ofruar pak kënaqësi dhe kanë shfaqur problemet më të mëdha psikike dhe seksuale krahasuar me cilindo grup tjetër. Ky grup më së shumti përputhet me stereotipin e vjetër të homoseksualit të sikletosur.
Edhe pse skema e llojeve të lidhjeve seksuale është e shkurtër, në mënyrë është si një indikator i llojllojshmërisë së madhe të stileve interpersonale që janë të pranishme brenda një stili jetësor homoseksual.
PRAKTIKAT SEKSUALE DHE SËMUNDJET SEKSUALISHT TË TRANSMETUESHME
Profesionisti nuk mund ta supozojë sjelljen dhe rrezikun nga SST-të (sëmundjet seksualisht të transmetueshme) duke u bazuar vetëm në identitetin e pacientit. Pothuajse, të gjitha aktivitetet seksuale praktikohen si nga personat heteroseksualë ashtu edhe nga ata homoseksualë, me përjashtim të marrëdhënies seksuale penovaginale te meshkujt dhe femrat ekskluzivisht homoseksuale. Mendohet se marrëdhënia receptive anale praktikohet rregullisht nga 12% e të gjitha femrave,24 derisa rreth 33% e meshkujve homoseksualë aktivë raportojnë mospjesëmarrjen e asnjëhershme në seks anal.15 Përderisa shumica e qenieve njerëzore kanë aktivitete të parapëlqyera seksuale, disa meshkuj dhe femra preferojnë një rol të caktuar në marrëdhinet homoseksuale (psh. të qenurit partner dhënës ose marrës/insertiv ose receptiv), ku disa kënaqen në të dy rolet, disa të tjerë luajnë role të ndryshme në rrethana të ndryshme.
Përkundër mendimit gjithëpërfshirës, marrëdhënia seksuale anale ndodh vetëm në rreth 33% të marrëdhënieve homoseksuale. Fellacio (seksi oral në mes të meshkujve) dhe masturbimi i ndërsjelltë janë dukuri më të shpeshta në mesin e tyre.14 Te marrëdhëniet seksuale femër-femër, më së shpeshti do të përfshihen stimulimi oral ose ai manual. Nga këndvështrimi mjekësor, marrëdhënia seksuale anale që kryhet pa lubrifikim (lëngështim) të mjaftueshëm ose cilado formë e ashpërsisë mund të shpiejnë deri te lëndimet e epitelit të zorrës së trashë që në disa vende mund të jetë më e hollë krahasuar me epitelin e trashë të vaginës. Lëndimi i tillë mund të shërbejë si derë hyrëse për depërtimin e mikroorganizamve patogjenë, duke shkaktuar në këtë mënyrë rrezik më të madh në krahasim me marrëdhënien penovaginale. Nga këndvështrimi seksual, anodispareunia (marrëdhënia receptive seksuale me dhimbje) ka filluar të studiohet vetëm kohëve të fundit. Rosser-i me kolegët e tij25 kanë zbuluar se 12% e meshkujve në studim që kanë pasur seks me meshkuj kanë raportuar marrëdhënie seksuale anale të përcjellura me dhimbje aq të forta sa që është dashur ta ndërprejnë marrëdhënien e tyre seksuale. Pjesëmarrësit në studim kanë raportuar se lubrifikimi (lëngështimi) i majftueshëm, parapërgatitja psikike (ndjenja e relaksimit dhe e kontrollës) dhe paraloja digjitale-rektale kanë qenë tre faktorët më të rëndësishëm që kanë ndikuar në paraqitjen ose mosparaqitjen e dhembjes së madhe.
SST-të TE MESHKUJT HOMOSEKSUALË
SST-të (sëmundjet seksualisht të transmetueshme) më të përhapura te meshkujt homoseksualë janë: HIV-i, sifilisi, gonorea, uretriti jogonokokal, hepatiti (A, B dhe C), herpesi dhe i ashtuquajturi ‘syndromi gay i zorrëve’ i përcjellur me infeksione, lythe dhe procistit anal.26 Derisa hepatiti dhe infeksionet e zorrëve janë si pasojë e analingusit (rimming-lëpirja e anusit), praktikë dukshëm më e zbatueshme në SHBA sesa në Australazi, është me rëndësi të shënohet se spektri i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme është dukshëm më i gjerë te gejët seksualisht aktivë sesa që është menduar më parë.
Gjersa pse pjesa dërmuese e meshkujve homoseksualë nuk do të jetë në ndonjë rrezik më të madh ndaj infeksioneve që kanë të bëjnë me seksin, sesa meshkujt heteroseksualë, nëngrupet (ata me shumë partnerë dhe një rang më i gjerë i sjelljes seksuale) ndodhen në rrezik më të lartë.27 a, b Me rëndësi është që të edukohen pacientët për parandalimin e duhur (psh. vaksinimi kundër hepatitit A dhe B) dhe testi për mikrogranizmat e tjerë patogjenë te meshkujt aktivë homoseksualë kur paraqiten simptomat.
Qëndrimet ndaj seksualitetit dhe faktorët e rrezikut te meshkujt homoseksualë
Gabimi i rëndomtë që bëhet gjatë trajtimit të pacientëve (të çfarëdo orientimi) është shikimi i pacientit vetëm në aspektin e sëmundjeve specifike dhe rreziqeve ndaj sëmundjeve. Është me rëndësi të balancohet kjo tendencë me pranimin dhe promovimin e shëndetit të tërësishëm seksual të pacientit. Për shembull, faktorët psikologjik dhe socialë ndikojnë në marrjen e rrezikut ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Ross-i zbuloi se dimensionet e caktuara të qëndrimeve seksuale më së miri e kanë parashikuar marrjen e rrezikut.14 Këto dimensione i kanë përfshi qëndrimet ndaj lidhjes, shkallën e kontrollit të eksitimit seksual dhe të libido-së, shkallën e të qenurit të stimuluar vizualisht nga pjesëtarët e gjinisë së njëjtë, rehatia sociale, pranimi i homoseksualitetit të një personi dhe shkalla e lejimit ose e turpit të tepruar. Meshkujt homoseksualë mund të dallojnë përgjatë të gjitha këtyre dimensioneve. Do të ishte gabim të supozohet se fakti i thjeshtë i një preferimi homoseksual mund të parashikojë çdo gjë që ka të bëjë me ekzistencën e individit si homoseksual. Përsëri, duhet të theksohet se rangu i qëndrimeve te meshkujt dhe femrat homoseksuale është po aq i gjerë sa edhe ai i qëndrimeve të meshkujve dhe femrave heteroseksuale.
Kujdesi shëndetësor seksual te lezbianet
Femrat lezbike janë në rrezik më të vogël sesa femrat heteroseksuale në marrjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme28 a, b poashtu, një numër i madh i tyre gëzojnë shëndet më të mirë mental sesa femrat heteroseksuale.29 Ato mund të paraqiten me një rang të njëjtë të problemeve mjekësore sikurse edhe femrat e tjera, edhe pse ato ngjan të mos jenë drejtpërdrejt të lidhura me preferencën e tyre seksuale. Shumica e vërejtjeve për kujdesin shëndetësor të orientimit seksual janë të zbatueshme pothuajse barabart si te pacintët gay ashtu edhe te ato lezbike. Femrat lezbike dhe çiftet femrore më shpesh sesa meshkujt gay dhe çiftet meshkuj ballafaqohen me problemet shtesë për fitimin e fëmijëve dhe mund të dëshirojnë që t’i shqyrtojnë mundësitë me mjekun e tyre. Gjithashtu, mund të paraqiten vështirësi edhe më të mëdha me menaxhimin e stigmës, pasiqë lezbianet ballafaqohen me mundësinë e stigmatizimit të dyfishtë (nga seksizmi dhe homofobia).
QASJET NË KËSHILLIM
Kur një individ dëshiron të diskutojë për orientimin e vet seksual me ofruesin e ndihmës shëndetësore, zakonisht e bën këtë për një ose dy arsye. Së pari, personi ndodh të dëshirojë t’i japë mjekut informacione që do të mund të jenë të nevojshme për kujdesin shëndetësor (për arsye të llojllojshme, që nga bartja e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme deri te informimi se dikush qe ka jetuar me pacientin për 20 vite është pjesëtarë i farefisit të tij) dhe së dyti, personi ndodh t’i paraqesë çështjet ose shqetësimet specifike që kanë të bëjnë me orientimin e tij/saj. Në shumicën e rasteve, hapja (shfaqja e orientimit, zbulimi) e parë do të jetë për ta testuar reagimin e mjekut dhe pasiguria dhe negativizmi zakonisht e përjashtojnë mundësinë e elaborimit të sërishëm të çështjes.
Pyetjet gjentile nëse të qenurit homoseksual ka shkaktuar ndonjë problem ose sifdë të veçantë mund të nxjerrë në dritë detaje të mëtejshme atëherë kur pacienti nuk është i afërt. Për pacientët në stadet e hershme të ‘coming out’ (shfaqjes së orientimit), duhet të mbahet në mendje se vendimi për zbulimin e orientimit homoseksual zakonisht është sjellë në kokë shumë herë më parë, dhe kështu nevojiten disa vizita për t’iu dhënë mundësia pacientit për diskutimin spontan të problemit. Në anën tjetër, disa pacientë do ta mohojnë orientimin e tyre seksual nëse pyeten për të.
Në shumicën e rasteve, orientimi seksual bëhet temë shqetësimi, duke u shikuar si simptomatologji e problemeve të tjera. Për shembull, Serber (lexo: Serbër) dhe Keith (lexo: Kejth)30 zbuloi se arsyea pse pacientët e tyre kanë qenë të paknaqur si homoseksualë dhe kanë dashur të bëhen heteroseksualë është sepse kanë qenë të vetmuar dhe të izoluar. Me të ndjekur një kurs trajnimi për shkathtësitë sociale dhe për vetsiguri, pacientët kanë qenë në gjendje të ndërveprojnë në aspektin social me njerëzit e tjerë gay dhe janë deklaruar se kanë qenë të kënaqur me orientimin e tyre seksual dhe nuk kanë pasur dëshirë të bëhen më heteroseksualë (edhe po të ishte kjo e mundshme). Bell31 e komenton këtë duke thënë se ‘Unë jam homoseksual’ nuk është vet-sqaruese dhe deklarimi i tillë nënkupton gjëra të ndryshme te njerëzit e ndryshëm dhe për njerëz të ndryshëm. Vetëm pas diskutimit nga pacienti i pozitës së tij/saj me respekt ndaj dimensioneve të ndryshme të përvojës homoseksuale mund të paraqitet një pasqyrë më e kompletuar.
Është e dobishme të sqarohet nëse problemet e pacientit janë interpersonale (duke mos qenë në gjendje të identifikohet dhe të funksionojë si duhet si një gay, lezbiane ose individ biseksual), ose për shkak të problemeve interpersonale që dalin për shkak të të qenurit homoseksual. Kjo kategori e fundit i përfshin reaksionet negative nga familja, punëdhënësit ose moshatarët; vështirësitë bashkëshortore ose në lidhje; dhe në disa jurisdiksione ku sjellja homoseksuale ende ndalohet, frika nga dënimet ligjore.
‘COMING OUT’: VETZBULIMI I ORIENTIMIT HOMOSEKSUAL
‘Coming out’, si pranim publik i orientimit homoseksual të një personi njihet si ndoshta njëri prej çasteve më të rëndësishme dhe potencialisht më stresuesit në jetën e një lezbiane ose gay-i. Gjatë kësaj periudhe, mund të kërkohet këshillimi, posaçërisht kur gjatë këtij stadi nuk është në dispozicion përkrahja e komunitetit gay ose personi ndihet tepër i frikësuar për t’u kyçur në të. Shpesh, individi ndodh të mos ndihet se ai/ajo është ‘I vetmi në botë’, mirëpo ndodh, gjithashtu, të mos ketë kurrëfarë informacione për homoseksualitetin anash miteve dhe stereotipeve. Prandaj, edukimi i pacientëve se homoseksualiteti është normal dhe rekomandimi i teksteve për lexim mund të jenë si ndihmëse ashtu edhe heqëse të merakut.
Thënia pacientit se këto ndjenja kanë gjasë të kalojnë është jo e drejtë dhe keqdrejtuese, duke e pasur parasysh se personi është bërë mjaftë i sigurtë përgjatë një periudhe disa vjeçare se ai/ajo është homoseksual para se këtë t’ua zbulojnë të jerëve. Jo rralë, individët në stadet e hershme të identifikimit kanë probleme me identifikimin e seksualitetit meqë nuk përputhen me stereotipin publik (psh. të qenurit i feminizuar), ose sepse ata gjithashtu kanë një shkallë të interesimit heteroseksual. Anasjelltas, individët mund të bëhen të ankthshëm nëse nuk përputhen me stereotipin konvencional maskulin ose feminine, në raste të sjelljes së tillë duhet të pasojë këshillimi. Nganjëherë individi ndodh t’ju pyes nëse mendoni se ai/ajo duhet ta zbulojë orientimin homoseksual (‘come out’), ose në mënyrë më specifike t’ia zbulojë orientimin homoseksual një personi të veçantë (psh. bashkëshortit/es, prindit ose mikut/es). Pasiqë kjo është një fushë ku ofruesë të ndryshëm të ndihmës mund të japin rekomandime plotësisht të kundërthënshme mes vete duke u bazuar në paragjykimet e tyre personale, rekomandojmë që ofruesit e ndihmës t’u shmangen dhënies së këshillës në këtë drejtim. Qasje më e mirë do të ishte që ofruesit e ndihmës të mbeten neutralë sikurse në interaksionin e paraqitur në katrorin 13-5.
Janë disa pika të tjera gjatë ofrimit të ndihmës pacientit me shqetësime rreth orientimit seksual. Së pari, është i qenësishëm largimi i gjykimit të vlerësimit të orientimit seksual (pozitiv ose negativ). Në vend të kësaj rekomandohet të bëhet pohimi i sinqeritetit dhe të ofrohet një mjedis i sigurtë për diskutimin e shqetësimeve të tij/saj. Së dyti, informacionet që kanë të bëjnë me homoseksualitetin dhe spektri i variacionit seksual duhet t’i prezantohen individit për të qenë në gjendje që t’i bëjnë gjurmimet e tij/saja se kush janë.
Së treti, siguroni leje për pacientin që ta gjurmojë orientimin seksual në mënyra të sigurta dhe të shëndetshme (me anë të leximit, bisedave me miqë që kanë njohuri, marrjes pjesë në ngjarjet dhe takimet që kanë të bëjnë me çështjet e gay-ëve). Shumica e mjekëve të praksës së përgjithshme mund të sigurojnë leje, pak informacione dhe sugjerime specifike. Terapia intensive duhet të ndërmerret vetëm nga specialistë të kualifikuar në mënyrë adekuate.
PROBLEMET E ZAKONSHME
Në kuadër të vështirësive të zakonshme gjatë procesit ‘coming out’ (vetzbulimi i homoseksualitetit) përfshihen reaksionet negative të familjes dhe të moshatarëve (këto nganjëherë mund të zgjidhen me anë të këshillimit të familjes dhe problemi edhe më kompleks i homoseksualitetit në kuadër të martesës. Meqë kjo është një temë e komplikuar1 dhe nuk mund të trajtohet në formë të përgjithësuar, këshillimi duhet ta ketë për qëllim definimin e shkallës së homoseksualitetit dhe pikën në të cilën është i mundshëm kompromisi.
Shpesh vështirë është të jepen udhëzime për këshillim rreth problemeve te çiftet homoseksuale, ngjashëm sikurse edhe rreth rangut të gjerë të problemeve te çiftet martesore heteroseksuale. E qenësishme është përcaktimi nëse homoseksualiteti i pacientit është i lidhur me problemin që kërkon zgjidhje dhe këshillim rreth tij ose nëse homoseksualiteti i pacientit nuk ka të bëjë thelbësisht me atë problem. Seksualiteti i pacientit nuk duhet të bëhet çështje qendrore kur ai nuk është shkaku i problemit. Si përfundim, këshillimi i suksesshëm për çështjet dhe shqetësimet rreth orientimit seksual përfshin mospraninë e paragjykimit, vlerësimit të epërsisë së kësaj çështjeje nga ana e pacientit dhe njohuritë e mjaftueshme nga kjo fushë për t’i siguruar informacione dhe perspektiva të sakta pacientit, të cilit këto mund t’i mungojnë. Krahas shkathtësive këshilluese që nevojiten nga ana e ofruesit të ndihmës që janë të njëjta sikurse ato që nevojiten për pacientët e tjerë-origjinaliteti, ngrohtësia jo-posesive dhe empatia besnike33 – është me rëndësi që qëndrimi ndaj individëve i të qenurit qoftë si homoseksual ose si heteroseksual të mos ushtrohet dhe të mos përmbytet individualiteti i pacientit në këtë aspekt të stilit të jetës së tij/saj.
Qëllimi përfundimtar i këshillimit duhet të jetë promovimi i shëndetit; pacientët të kenë një pranim të drejtë dhe real të orientimit të tyre seksual, dhe të mos të definohet e tërë ekzistenca e tyre në kuptim të orientimit të tyre seksual.
ÇËSHTJET DHE SHQETËSIMET TE PERSONAT TRANSGJENDERË, TRANSSEKSUALË DHE GJENDER DISFORIK
Politikisht, çështjet transgjender shpesh iu referohen lezbianeve, gay-ëve ose biseksualëve; megjithatë, në pikëpamje mjekësore shqetësimet e identiteti të gjinisë dallojnë qartazi nga orientimet seksuale.
‘Transgjender’, si term i përgjithësuar, e përshkruan çfarëdo sjellje, dëshirë dhe identitet të kryqëzuar gjinor. Këtu përfshihen të gjitha gjërat duke filluar nga veshja e herpashershme me veshmbathje të gjinisë së kundërt në vende private deri te besimet e përjetshme se gjinia natale është në kundërshtim me idnetititetin e gjinisë së tij/saj. Standardet ndërkombtare të kujdesit për trajtimin e transgjenderizmit janë përparuar. Këtu përfshihet këshillimi i rregulltë para fillimit të terapisë me hormone dhe stadet pasuese të zgjidhjes së konflikteve të identitetit gjinor.
Trajtimi i problemeve të transgjenderëve nuk është i përshkruar në këtë libër dhe kërkon trajnim special në mënyrë që të ndërmerret me zotësi. Megjithatë, është me rëndësi për mjekun që ta njohë dhe t’i dallojë problemet që kanë të bjënë me orientimin seksual nga konfliktet e paraqitura rreth identitetit gjinor. Shumica e pacientëve që paraqiten me shqetësime rreth identitetit gjinor e identifikojnë orientimin e tyre seksual si heteroseksual edhe pse rastet e tilla ndodhin edhe te pacientët gay dhe lezbike. Po aq sa shumë meshkuj gay nuk kanë dëshirë të veshen me rroba të femrave (cross-dressing), shumica e individëve transgjenderë nuk e shohin veten si pjesëtarë të lidhjes homoseksuale. Problemet e zakonshme si për orientimin seksual ashtu edhe për konfliktet e identitetit gjinor e përfshijnë nevojën për pranim, nevojën për qasje në kujdesin shëndetësor mirë të informuar, nevoja për të qenë i/e hapur dhe i/e sinqertë ndaj vetvetes (dhe zakonisht me të tjerët) për dëshirat dhe identitetin e një personi, promovimi pozitiv i shëndetit mental dhe atij seksual, zgjidhja e konflikteve sociale dhe familjare dhe ndihma në ballafaqimin me shoqërinë që mund të jetë jashtëzakonisht jopranuese.
PËRFUNDIM
Për ta përmbledhur, derisa është e rëndësishme të kihet një mirëkuptim mjekësor dhe psikologjik ndaj rangut të problemeve të rëndomta te shqetësimet rreth orientimit seksual, gjithashtu është vendimtare të mos t’i shikohen problemet shëndetësore vetëm si seksuale ose vetëm stereotipikisht homoseksuale. Në të kuptuarin dhe menaxhimin e shqetësimeve për orientimin seksual, çështja kryesore është të respektohet fakti se individët homoseksualë e mbulojnë spektrin e njëjtë të gjerë të humanitetit sikurse edhe heteroseksualët dhe se ndarja e njerëzve në grupe ‘homoseksuale’ dhe ‘heteroseksuale’ është i paarsyeshëm dhe despotik. Gabimi themelor në menaxhim është kur pacientët shikohen vetëm në aspektin e homoseksualitetit të tyre dhe kur injorohet fakti se orientimi i tyre seksual mund të jetë një aspekt i vogël i identitetit dhe i personalietit të tyre. Larmia e njerëzve që mund të jenë homoseksualë e përjashton gjeneralizimin e tyre për nga vetëm orientimi i tyre seksual.
Flori Bruqi