Mediokritet i lëbyrtë
tregim
Mjerim intelektual
“Ti, ti..., i shko(shka)lluari ...
se ç’ndodhi tek ne...
apo me ne..., e di mirë.
Të ligut,
pjellës të së keqes...
që në qorrsokak, në regres
e në rrugën e“të paudhit”...
atdheun ta këlliti...,
ti e kujton me nderim.
Dhe si për çudi....
Ti...,mediokri...
i thur himne e lavdi?!
Pa vizionin e të nesërmes ti...
sa larg të vërtetës rri...,
“Mjerimi Intelektual” i të lëbyrtit...
shajton e lëndon kombin e tij!”
Vivra
Kur fillon shiu në Tiranë, harron të pushojë. Porse më e pazakonta e zakontë, ndodh në mesditën e praruar plot diell, kur papritur ia beh një shi me suferinë.
E çfarë shiu se?! Duket se qielli ka hapur portat e ujësjellësave që furnizojnë globin, apo kanë shpërthyer digat e lumenjve hapsinor, duke e lëshuar rrebeshin mbi tokë dhe kushdo i habitur sheh ujin që lëshohet litar apo i thënë ndryshe, bije shi me gjyma.
Megjithëse është muaji maj, gjithë javën që sapo u mbyll, kishte qenë mot i lagësht.
Atë mëngjes të përtërirë, si i rilindur nga larja e shpërlarja e gjithë natyrës dhe objekteve në të e mbi tokë, qyteti im ishte zgjuar me atë buzëqeshjen e ëmbël që e bënte të dukej rrëzëllitës.
Eh, nuk ka qytet më të dashur se Tirana, por... Mjerë kush nuk ia di vlerën, jo vetëm asaj, por çdo pëllëmbe toke arbërore, që peshohet me ar dhe me metale apo minerale të rrallë. Ndaj Zoti këtë komb të lashtë e vendosi aty ku është, në udhëkryqet e Lindjes dhe Perëndimit. E bekoi këtë tokë duke e bërë urëlidhëse mes veriut dhe jugut polar. Pikërisht për pozitën e favorshme gjeografik, bukurinë dhe pasuritë natyrore, ka qenë e lakmuar nga më të fuqishmit e kontinentit plak. Si askënd tjetër, si për zili të lakmitarëve e smirëzinjve,këtë vend të bekuar e përkëdhel, i buzëqesh ëmbël dhe e ngroh me zjarrin e dashurisë së tij, dielli, i cili e ledhaton të zgjedhurën e vet në tre të katërtat e ditëve të vitit. E ku gjendet një e dytë mbi glob si Shqipëria ime?
Me kënaqësinë që të jep natyra në një ditë pas shiut, nën joshjen e ledhave të freskisë që vjen nga mali i Dajtit, i qetë shpirtërisht po përshkoja Sheshin "Skënderbej". Nuk e kisha me ngut. Më pëlqente freskia nën fëshfërimën ëndndjellëse të gjetheve nga flladi pranveror, ecja ngadalë, pa kokëçarje, me hap të lehtë, i sigurtë dhe i lumtur që isha rikthyer në vendin tim.
Unë dhe bashkëshortja, si dhe të gjithë prindërit e tjerë, që i kemi fëmijët në emigracion, jemi shndërruar si ata zogjtë shtegtar që largohen në vjeshtë për t'u rikthyer në pranverë. Ne të dy zakonisht largohemi në shtator dhe kthehemi në mars apo prill. Jemi pensionistë dhe si të tillë, nuk i njohim sa duhet marrëdhëniet e individit me punën në ShBA. Gjithsesi gjatë qëndrimit tonë stinor apo gjatë bujtjes sonë si shtegtar, kemi mësuar shumë përsa u përket marrëdhenieve sociale. Megjithë qëndrimin e pjesëshëm atje, vëmë re ndryshime të mëdha lidhur me jetën civile, kulturore, shkencore, politike si dhe për zhvillimet gjithëpërfshirëse të asaj superfuqie që janë përherë në progres. Gjithmonë krahasuar me vendin tonë. Duke ndjekur nga afër jetën e përditshme të fëmijëve tanë që kanë gjetur veten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi arritur në përfundimin se ShBA, shteti i demokracisë së konsoliduar, është vendi i mundësive dhe i sfidave. Atje nuk duan t'ia dinë se cili je e nga vjen, se ç'ngjyrë ke, apo kujt raceje i përket, se cili është besimi yt, por për ata mjafton të mësosh dhe të jetosh për të dhënë vlera. Pajisja me dije shkencore, pra arsimimi, respektimi dhe zbatimi i ligjeve, dashuria për punën dhe ta duash Amerikën si atdheun tënd të dytë, ajo nuk të refuzon, por të mirëpret. Bazuar në përshtypjet e mia, përsa kohë që jemi atje, ndihemi të barabartë,madje na duket vetja paksa amerikanë, pasi askush nuk i cënon as të drejtat dhe as liritë tona. Ta hajë dreqi, edhe pse atje nuk jemi të përfshirë direkt në punë apo në jetën sociale e atë politike, por brenda qenies sonë jo vetëm ndiejmë por pësojmë ndryshime cilësore,si në ndërgjegje apo dhe në sjellje. Cilido që jeton gjatë në ShBA, apo në një vend tjetër me demokraci të zhvilluar, gjatë vëzhgimeve me një sy analitik, ka fituar një qetësi shpirtërore të habitshme, sepse ka parë e analizuar nivelin e zhvillimeve tërësore si, ekonomike, social -politike e duke i krahasuar me ato të vendit tonë, gjë që ka sjellë tek ai një ndryshim mendërisht. Pa druajtje them se atje fiton një hop cilësor dhe rrritje të nivelit të ndërgjegjes. I pajisur me një vizion të ri për jetën e një kombi në tërësi, është shndërruar në tjetër njeri
me një ndërgjegje të pasur e prirur vetëm për mirësi. Si rrjedhojë cilido qoftë ka flakur tej mendësitë e një edukimi ideor farsë dhe ka fituar një pasuri të madhe shpirtërore, që vihet re në bujarinë dhe gëzimin e arritjeve të kujtdo që derdh djersë apo shpenzon energjitë e tij mendore, shkencore, morale dhe fizike. Kushtet e zhvillimit të demokracisë atje të bëjnë njeri më të mirë. Është pikërisht ky ndryshim që vë re në qenien time dhe të sime shoqeje. Sa për fëmijët tanë, ata janë integruar plotësisht dhe pa frikë quhen shtetas dhe qytetar amerikanë. Është gjë e bukur dhe mjaft pozitive të njohësh vlerat që të jep dhe të njeh një komb tjetër që ti me të drejtë e quan "Atdhe Tjetër".
E vetmja gjë që na mungon është afshi dhe zëri i tokës mëmë, magjia dhe ngrohtësia e natyrës shqiptare, që të jepet me bollëk. Në vendlindje, edhe pse jo gjithçka shkon mirë, madje është për t'u dëshiruar në shumë aspekte të jetës politike, ekonomike dhe zhvillimeve social-kulturore, ne, përsëri kemi mall. Na dhimbset çdo centimetër katror tokë. Jemi në ankth derisa zbresim në Rinas. Është zëri i mëmëdheut, vlagu i tokës, i baltës që na lindi e na rriti e cila na thërret...
***
Ndërsa ecja ngadalë, në mendje kisha ecejake idesh që t'i imponon mosha, malli, kureshtja për të renë, për ndryshimin që ta kërkon syri...
"Kemi plot një muaj që ndodhemi në shtëpinë tonë, në shtëpinë ,ku u rrit u madhua dhe u forcua dashuria e ne të dyve. Brenda atyre mureve, në një ambient jo luksoz, por i bukur, joshës, tejet praktik që na krijoi mundësinë e një harmonie familjare e dëshiruar nga cilido individ apo çift, aty lidhëm besën. Matanë asaj porte u dëgjuan të qarat e para foshnjarake të atyre engjëjve që na dhanë emrin prindër. Në atë hapësirë ne dëgjuam tingujt, rrokjet dhe fjalët e para të belbëzuara nga pasardhësit tanë, që trashëgojnë gjenin tonë. Aty në atë shtëpi të thjeshtë, por bujare dhe e ngrohtë, hodhi hapat e parë vazhdimësia e jetës. Natyrisht çdo njeri ëndërron të ketë atë strehën e dashurisë, folenë e ëndrrave apo strofkën e tij të ngrohtë dhe të qetë. Pa dyshim që atë strehë e kërkon sa më të rehatshme, se duke qenë moskokëçarës, të mos e vrasë mendjen dhe të mos pyes se ç'ndodh rreth tij. Por jeta s'është vetmitare, është e lidhur dhe në vartësi me gjithçka që na rrethon, me natyrën, me sendet, me ekonominë si dhe me rrethanat humane.
Dikur mendonim se nuk do të bënim dot pa fëmijët as një minutë. Por ja që kohët ndryshojnë... Fëmijët rriten, arsimohen, madhohen, formohen si individualitet dhe vetëzgjedhin ecurinë e jetës. Kur ata kanë arritur moshën e pjekurisë dhe dinë të zgjedhin rrugën e tyre, e cila shërben si tregues për ne, gjë që kërkon të na bind ne, si prindër, se ata kanë hyrë në jetë. Në këtë rast jeta ka kuptimin e dhënies së vlerave individuale dhe profesionale. Vetëm kur nis e vë në zbatim ëndrrat apo planet e thurura ,atëherë nis jeta e vërtetë për cilindo. Deri në atë çast, i riu apo e reja kanë jetuar në parazitizëm.
Me këtë unë nënkuptoj se për derisa fëmija im arrin të marrë vendime dhe pasi shoh se ç'rrugë ka nisur e do të ndjekë për t’i zgjidhur, ende pres prej tij...Veçse dua të di sesi e në ç'mënyrë apo formë do ta përshkojë im bir apo ime bijë këtë rrugë të gjatë, të panjohur e të vështirë, e cila kërkon mund për të arritur synimin. Ajo që më mundon është zgjidhja, se si do t'i zbatojë kërkesat e jetës që janë përherë në rritje dhe në përputhje me normat apo zhvillimet e kohës, sidomos të vendit ku aplikon idetë apo njohuritë e tij shkencore.E vetmja gjë që më shqetëson, është se deri në çfarë mase ata do të përshtaten me bashkëkohoren.Porse të qenit të pavarur nga tutela jonë prindërore, më bind se jeta e tyre ka nisur me mbrothësi. Eh, sa larg fëmijëve tanë jemi në kohë, në hapësirë, në ndërgjegje dhe në realitet! Megjithatë së bashku me fëmijët dhe me kohën madhohemi edhe ne. Të shpërgjumur nga letargjia e detyruar me injeksione stimuluese të një sistemi politiko-shoqëror tejet absurd, ndjekim rrjedhat e kohës. Ndryshe nga koha e rinisë, edhe pse me hap të ngadaltë si vet mosha, përsëri ecim hap pas hapi në gjurmët e fëmijëve. Mallkuar qoftë koha me sistemin që na detyroi verbërinë në ditën plot me diell dhe si një absurditet na injektoi varfërinë përballë kamjes, pasurive mbi e nëntoksore!”- meditoja dhe për një çast mendimi ndali diku, në një vend, në një problem që mua si qytetar më shkakton shqetësime dhe pyes veten:”Përse ka kaq shumë anarshi në vendin tim? Përse nuk gjej në qytetin tim atë lulëzim që ma do shpirti? Ç’kanë vendet e tjerë më shumë nga ne që vrapojnë me galop? Vendi im i ka të gjitha kriteret dhe mundësitë që të eci në rrugën e zhvillimit si shtetet e tjerë.Është vend i bukur si në ëndërr, ka klimë të butë dhe si askund tjetër, tek ne në një kilometër katror gjen klimë e bimësi mesdhetare, por edhe të tipit kontinental, detar apo oqeanik. Me një klimë të tillë tejet të favorshme, i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit ekonomik gjatë çdo stine. Ka pasuri përrallore nëntokësore e mbi tokësore, po përse është kaq i varfër? Gjatë gjithë vitit mund të shfrytëzohet çdo pëllëmb toke për turizëm të tipeve të ndryshme, por tek ne mjerisht ky afarizëm fitimprurës ende është një ekonomi e shvlerësuar dhe e pashfrytëzuar. Ose më saktë e keqmenaxhuar. Ka pasuri të shumta hidroenergjie, por mjerisht ne shpesh ngelemi pa energji elektrike. Çdo pëllëmb toke është një thesar kulturor e historik, tejet e pasur me kështjella dhe qytete antik me vlera të rralla arkeologjike,po për fat të keq nga ato nuk nxirret asnjë qindarkë. Ka një terren të alternuar, ku nga fusha ngjitesh në kodrinë e sapo kapërcen një qafë, para syve lartësohen male të thepisura, të mbuluar nga mjegulla dhe në majat e tyre gjen borë të përjetshme. Ku gjen tjetër një vend tek i cili kokën e ke mes bardhësisë së dëborës, trupin në freskinë e hijes së pishës dhe këmbët të zhytura në kaltërsinë ujërave detare, si në vendin tim? Atëherë kur do të themise, edhe ne jemi si të tjerët?”-tek pyesja ndërgjegjen, një zë më preu përgjigjen e arsyes...
-Përshëndetje Endrit!- ktheva kokën dhe e njoha. Ishte një ekonomist nga fshati im që pasi kreu universitetin, u emërua diku në Tiranë dhe ngeli aty.
-Tungjatjeta Markensen!- iu përgjigja. Pasi shtrënguam duart dhe bëmë përshëndetjet e rastit, vazhduam rrugën bashkë.
-Eja të pimë një kafe!
-Faleminderit! Ndoshta njëherë tjetër...Kam takim me një koleg në katedrën e historisë.
-Kam vite që s’të shoh, ndaj... Nuk më thua nga bëhesh?
-Eh, kur fëmijët e zgjedhin ta jetojnë jetën e tyre larg vendlindjes, jemi të detyruar t’i ndjekim. Fillimisht e kishim paksa të vështirë, o mik, por tani e di ti...që na pëlqen? Na është dhënë e drejta e një jete me variacione. Dy stinë i kalojmë këtu dhe dy stinë në ShBA. Kjo mënyrë jetese e alternuar, na krijoi mundësi për ta njohur më mirë botën perëndimore.
-Pse e paske pasur merak botën kapitaliste?
-Sepse gjatë fëmijërisë, rinisë dhe deri tani në moshë disi të shkuar, pra gjithë jetën njohëm vetëm atë portë që na e kishin hapur, kurse gjithë të tjerat i kishim të mbyllura. Ne e njihnim kapitalizmin vetëm teorikisht ashtu siç na i kishin servirur marksizmi dhe ekonomia politike. Për të na mbajtur nën tutelë e nën kontroll, na mësuan me gënjeshtrën më të madhe, se bota kapitaliste ishte një sistem luftënxitës që kërkonte të na gllabëronte, por e vërteta qëndronte ndryshe.
-Mos e tepëro se edhe unë sapo kam ardhur nga Kanadaja, ku kam fëmijët. Kapitalisti të shtyp si morr, ta merr frymën, ku gjithë ditën të delë qumështi i nënës.
-Ke ardhur me këto mend nga Kanadaja? I pe apo të panë? Ç’mësove ...? Më thuaj pak se si Bota ka bërë shtete në kuptimin e vërtetë të fjalës? Gjithë burrat e mençur të saj mos vallë nuk kanë lënë të ftohet karrigia duke ndërruar kafenetë, birraritë apo kazinotë, gjatë 24 orëve siç ndodh në vendin tonë...?! Jo...miku im, jo.
-Më habit se ti ke studiuar në një nga vendet e sistemit socialist. Ti,ti ke dobësi për imperializmin e pangopur?! Jo, nuk mund ta besoj, kurrë...
-Sikur ne të kishim fituar lirinë e vërtetë e t’i kishim rrugët të hapura, do të kisha zgjedhur një nga universitet më të mira botërore, si atë të Kembrixhit, të Sorbonës, të Bolonjës, pse jo të Harvardit dhe do të isha dikush tjetër, jo ky që jam...
-Çfarë...?!-klithi si korbi dhe u mbyt nga kolla aq keq, sa dukej sikur e zuri shpirra. Fytyra iu ngërdhesh. Atë çast kritik nuk më erdhi aspak keq për të, por ia plasa një të qeshuri të papërmbajtur. Kur vura re se vazhdonte ngërçin frymëmarrës, e tunda dhe e shkunda fort nga supet. Pas pak u shpërmend si një qenie mjerane, me sy të zgurdulluar sikur kishte parë fantazmën e komunizmit duke ridhënë shpirt. Me një shikim të lëbyrtë, belbi me një nënzë të zvargur si i shpërgjumur nga një letargji mendore dhe më vërente i përhumbur, sikur të mos e jetonte realitetin...”Eh, për fat të keq,në botë, tok me të arsyeshmit, bashkëjetojnë edhe ata që duken sikur vijnë nga një botë imagjinare. Ndoshta u mungojnë ndjesitë për ta prekur natyrshëm realitetin.O Zot , përse u dhe shqisat këtyre të shushaturve a humbamenëve që nuk janë në gjendje të përceptojnë botën që i rrethon dhe të mësojnë se ç’ndodh në të,”-nëpërmenda nxitimthi.
-Ty të duket çudi...? Po më duket se paske harruar që ne u edukuam dhe u formuam me ide të majta...Pak më parë u gëzova kur të pashë me mendimin se...
-Njerëzit ndryshojnë në vartësi të rrjedhave të kohës dhe rrethanave që të hapin horizonte dhe rrugë të reja. Gjithsesi unë kurrë nuk e kam admiruar atë sistem të ngritur mbi themele rëre.
-Ndërsa mua, sa të vura re, më shkoi mendja tek libri im...
-Nuk të kuptoj... ,ç’do të thuash me...?
-Kam shkruar një libër dhe kam dëshirë që të të kem ty konsulent para botimit.
-Si titullohet libri?
-“Për ty Rusi”
-E mora vesh që je një “shpirtrob mjeran” i sistemit që na varfëroi. Mund ta di se për çfarë bënë fjalë?
-Librin ua kam kushtuar burrave të mëdhenj që ka nxjerrë Rusia sovjetike.
-Nuk po e thua me gjithë mend, ë...?!
-Sinqerisht...jam ithtarë i atyre burrave të ashpër që ngritën kampin socialist, i cili ia vuri këmbët në një këpucë sistemit kapitalist.
-Me gjithë mënd e ke?! Po nuk t’u tha dora kur po e shkruaje dhe nuk t’u myk mendja kur e ndërtove në tru?
-Po përjetësojë një të vërtetë të madhe për të cilën i jemi mirënjohës atyre burrave që kanë lënë emër dhe bënë histori.
-Ata bën histori?! Nuk e di nëse nuk kam veshët në rregull apo ti nuk je gjëkundi... Jeton me kohën apo si e ke hallin xhanëm? Po nuk u gjend një kamikaz atje, që të të hidhte nga avioni?
- Pse pohoj se ata ishin burra shteti e jo shaka,të cilët u përballën me kampin kapitalist? Për këtë?
-Po ti je dhe me arsim të lartë, more qyqar?!Nuk të kam njohur për kaq të lëbyrtë, kaq të cekët dhe mediokër...
-Mos më quaj të tillë se e kam shtëpinë plot me fëmijë, me nipër e me mbesa.
-Ti ke të drejtë se ata na çrrënjosën shqiptarizmin dhe na helmuan trurin, shpirtin dhe gjakun me ideologjinë marksiste. Ne para tyre kemi njohur vetëm atdhetarizmin dhe kurrë komunizmin.
-Ai sistem na bëri ty e mua me shkollë...nxori vendin nga varfëria dhe analfabetizmi e sa të mira që sot po i mohojnë.
-Po pse more t’u thaftë gjuha nuk shkruan për ish presidentin Wilson, që vuri veton për Pavarësinë e Shqipërisë, emri i së cilës kishte rrezik të fshihej nga harta gjeo-politike e Evropës? Po si nuk të shkon ndërmend të shkruash dy rreshta për ish Presidentin Bill Klinton që luajti rol të madh në Pavarësinë e Kosovës?
-Vallë nuk ishte Rusia që na nxori nga varfëria dhe injoranca shekullore?
-Kurrë nuk e kam besuar,vetëm kur të shoh shpatullat e mia pa pasqyrë, do ta besoj këtë "ideatëri" utopiste që tjetërsoi njeriun dhe mohoi lirinë vetjake, individualitetin, e cila symbyllur na futi në rrugën e varfërisë mendore dhe që na bëri të provojmë disfatën e një sistemi të pathemeltë. Ajo kohë e rreme të ka budallepsur ty dhe ata mediokër që mendojnë si ti.
-Sa keq më vjen që nuk gjeta tek ti personin që kisha imagjinuar.
-Të vjen keq ty për mua se kam ecur përpara? Jo e ke gabim. Duhet të të dhembset vetja. Je për të mëshiruar...Për fat të keq ti i qëndron besnik emrit tënd”Markensen”, që sa herë e ke dëgjuar tek të thërrasin, aq herë është shumëfishuar dhe rrënjosur ideali yt në çdo qelizë të trupit dhe mendjes...
Më fal ,por këtu duhet të ndahemi. Do të kthehem djathtas se më presin...
“ Është e pabesueshme që të ketë arritur në këto kufij idiotësie “mjerimi intelektual!” Por ja që ky fakt është një tregues që vlen si përgjigje i pyetjeve të mia. E si mund të bëhet vendi im si bota, kur sundon mediokriteti i lëbyrtë që mbjell varfëri mendore dhe sjellë verbëri ndaj realitetit.”-i përhumbur hyra në Institutin e Historisë dhe mendja më gëlonte tek prapambetja e një të shkolluari apo të shkalluari. Më mirë po pyes profesorin që po më pret...Meqë është më në kontakt me tipa të tillë, ndoshta “Ai”di të përgjigjet...Ku i dihet?!
Vo:*lëbyrtë- të zënë sytë cipë, mendje errësuar, shikim i paqartë