2015-05-04

KUJTESË NGA ATDHETARI BUJAR MALEÇKA

Image result for defrim cani



SHKRUAN DËFRIM CANI ,PUBLICIST NGA TIRANA 

Në një moment rikujtese, këto 3-4 poezi këngë apo këngë-poezi, Bujar Maleçka për të mbushur rrëfimin e tij, më dha këto relike. Në moment, ai u bë i heshtur, i druajtur e siç dukej, pati një këmbëngulje për të kujtuar. Ato tre-katër letra, të shkruara me një drojë të kujdeshme, dukej se prishën ekuilibrat kohorë brenda tij. Të shkruara në qelitë e burgjeve të Maqedonisë, të recituara, të kënduara, dhe si një lloj energjie, që njeriu e vetkrijon për të mbijetuar. Po, fjala mbijetesë, në këtë rast është më e rëndësishmja dhe më e kuptimtë. Ajo peshon si një amanet i thellë, peshon si një histori, peshon siç peshojnë gjërat që “ndërtohen” nga nderi, nga gjaku dhe nga morali. Ndoshta pezmi i parë heshtorë i Bujar Maleçkës në këtë rast lidhet me këtë kumt dhe marrëdhënie disa planshe. Në 4-5 fletët, e një letre të zakonshme, duket se është shpërndarë çdo gjë koha prodhonte në atë kohë. Ai hesht, mediton dhe unë veç pak mund të kuptoj nga kujtesa e tij, ai thotë se para syve i vijnë aq pamje, sa nuk i kishte parë gjithë jetën. Të jetë kështu marrëdhënia dhe ndjesia që atij i afrojnë këto 4-5 letra të mbushura me poezi-këngë apo këngë-poezi?!



Duar të lidhura nga torturat, duar që dridheshin nga tmerri psikologjik i burgut, duar me plagët e jetës e shenjat e dhunës, sy që kërkojnë të shohin hapsirat, siç ndodh me shqipet, sy që kanë brenda tyre njerëzore. Kraharorë, që dihasin si bjeshkët e malet. Gjokse, që mbajnë brenda dashurinë e gjithë historisë shqiptare dhe urrejtjen e përbotshme për pushtuesin dhe dhunuesit e lirisë njerëzore.
Sytë, duart, kraharorin, gjoksin e një luftëtari t’i afron ky çast epik. Ata sy dhe mund të kishin humbur shikimin, ata duar dhe mund të ishin paralizuar, ai gjoks dhe kraharor dhe mund të ishte thyer, por ky luftëtar nuk ishte mposhtur dhe as robëruar. Liria e tij është thellë, është rrënjore, këto llojë masakrash vetëm e bëjnë atë më burrërore dhe më të bukur. Kjo llojë lirie i ka hije burrit. Atje ku jeta e shqiptarëve nuk vlente, ne ishim shumë, thotë Bujar Maleçka. Ishim shumë me qindra a me mijëra! Përfytyrimi për ato qindra njerëz, djem, vajza e burra shqiptarë brenda burgjeve skandaloze sllave është i paskajshëm, kur në duar mban mbijetesën, fjalët e shkruara përmes dhimbjes, urrejtjes dhe dashurisë, ke të vërtetën dhe tmerrin, brengën e dhimbjes, krenarinë e trimërinë, që në penën dhe tavolinën e shkrimtarit bëhen diamant i çmuar.

2
Rajmonda Malecka
Në kohën kur shqiptarët etnik në Kosovë dhe nën Maqedoni mendonin se ishin të lirë dhe ne nga Tirana të shkonim tek vëllezërit tanë kudo, ato ishin, Bujar Maleçka, bashkë me të bijën, Rajmonda Maleçka(një publiçiste e njohur e Tiranës dhe e opinionit të luftës së Kosovës dhe gjithë trojet etnike shqiptare), së bashku në pranverën e vitit 2005-arrestohen në Maqedoni.



Gjithë dëshmitë, që kanë sjellë ish të dënuar dhe që kanë vuajtur dënimet në burgjet e këtij vendi dëshmojnë tmerr: -“Më e mirë është vdekja se burgjet e Maqedonisë”- thonë ata. Proçesi ndaj gazetares së njohur Rajmonda Maleçka dhe babait të saj , Bujar Maleçka, përbën lajm, opinion dhe mbështetje të madhe në Maqedoni. Tirana heshti!-Pse?-Kjo enigmë e ka lënduar shumë familjen Maleçka. Kujt i ka interesuar kjo heshtje në qeverinë e Tiranës, për të mos u kujdesur për qytetarët e vet?!



Bujar Maleçka njihet për aktivitete kombëtare. Shtëpia e tij në Tiranë ka pritur e përcjellë luftëtarë dhe aktivist të çështjes që pas viteve “90-të. Në burgjet e tmerrshme të Shutkës dhe Idrizovës, emri i tij dhe i të bijës Rajmonda është i njohur. Në një proçes të montuar, sepse akuza “terrorizëm” s’kishte ku të mbështetej askundi, as tek blloqet e gazetave, as diktofoni, as lapsat, as telefonat, as aparati fotografik, në asnjë dëshmi, Bujar Maleçka me të bijën dënohen.

 Ai dhe familja e tij vendosen para një prove të vështirë. Ai dhe e bija e tij Rajmonda qëndruan një vit në burgjet e tmerrshme te Maqedonisë. “Në ato burgje hyn lehtë, por është vështirë të dalësh i gjallë. Drejtësia e shtetit maqedonas është ndoshta një precedent i rrallë, e cila e bën drejtësin për shqiptarët përmes një llojë nacionalizmi të sëmurë, deri në shovinizëm – tregon Bujar Maleçka!”

Bujar Maleçka ka një shqetësim të thellë kur kujton burgun. Ai trishtohet e ndjehet ditë - gjatë që arriti të kthejë në atdhe. “Në burgjet e Maqedonisë kam gjetur të arrestuar, të dënuar, të terrorizuar, të dërrmuar, njerëz që kishin humbur shpresën se do të ktheheshin të gjallë në shtëpitë e tyre nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, nga të gjithë ish-luftëtarë të UÇK-së, për çlirimin e trojeve, ish aktivistë të çështjes Kombëtare, veprimtarë e patriot, njerëz të dijes dhe të penës…”


Dhe pse wshtw viti 2005, kur mendohej se Ballkani po përpiqej të shuante plagët e nacional-shovinizmit sllav, shteti dhe drejtësia maqedonase lufton aktivisht të keq-etiketojë shqiptarët, luftën e tyre për çlirim kombëtarë, dinjitetin e kësaj lufte dhe pse politika e këtij vendi kishte pranuar, mandje kishte nënshkruar marrëveshje e pakte reciprociteti e sinqeriteti, dinjiteti dhe detyrimi bashkëjetese me shqiptarët.

Dëshmia autentike e Bujar Maleçkës e tremb njeriun dhe banorin balkanas, i cili beson se do të mund të jetë qytetari i lirë i gadishullit të vjetër. “Nuk mund të ndërtojë opininon se jeta në Maqedoni mes qytetarëve të këtij vendi është e qetë dhe me respekt reciprok.

Aq më keq në istitucionet shtetërore, në drejtësi dhe vendet e dënimit, siç janë burgjet. Një vit në burgjet e Maqedonisë është një varr i hapur. Dëshmi keni trupin tim, këmbët, duart, brinjët, gishtërinjtë. Ata kanë qenë eksperiment torture e dhune, ndërsa presioni psikologjik, fyerja e poshtërimi që iu bëhet shqiptarëve në këto mjedise është i paimagjinueshëm.

Të mbijetosh në këto burgje e vende torture është e vështirë, është forcë të cilën nuk mundet ta bëjë kushdo. Duhet kurajë, mbështetje, duhet aftësi për të krijuar qëndresë.



Siç dhe kam treguar, në burgjet e Maqedonisë në vitin 2005 kishte shumë shqiptarë. Të gjithë akuzoheshin prej maqedonasve përmes proçeseve të montuara, për të ashtuquajtur terrorizëm, prishës të rendit, për urrejtje nacionaliste dhe akuza të tjera.
Të gjithë e njihnin njëri-tjetrin, e nderonim njëri-tjetrin, përmes simbolikës sonë shekullore-fluturimin e shqiponjës.

3
Në të gjithë “pejsazhin” e tmerrshëm të mbijetesës në burgjet e Maqedonisë, ku padyshim reflekton dora e drejtpwrdrejt e shtetit dhe politikës së këtij vendi, do të mjaftonin vetëm pak pasazhe, që dora e pastervitur dhe jo poetike e shqiptarëve që kanë jetuar në ato burgje, i ka nxjerrë si revolt, si dëshpërim, si forcë dhe dhimbje nga shpirti.

Ndodh që dhe psherëtima, dhe ulërima, dhe zemërimi janë poezi në disa raste. Dhe:” N’UÇK ne kem luftue,/ Dy-tri vllezër m’i kan plague,/ Trojet tona m’i lirue,/ Dhe flamurin me fitue.’’… ‘’Prej Ulqinit deri n’Prespë,/ Na armikun po e tërheqim,/ Dhe kufirin na po e largojmë,/ Të gjith shqiptarët t’i bashkojmë,”…”Prej Kosove e Çamëri,/ Kërcet pushka e shqiptarisë,/ Nëpër borë e nëpër shi,/ Për flamurin kuq e zi”…Një motiv atdhetarie e patriotizmi e cila e ushqen një mbijetesë të jashtëzakonshme dhe pse një dhimbje dhe një lloj pabesie e shoqëron me papritshmëri jetën e këtij ish-luftëtari dhe shqiptari atdhedashës.

Haptas shpirti i tij nuk mposhtet, haptas ai nuk i bindet dhunës verbale dhe nacionalizmit shovinist dhe pse është në strofullën e ujkut e brenda kafazit të bishës.

Dhe një pasazh tjetër për ta kuptuar dhe përjetuar gjendjen e këtij shqiptari të pamposhtur:- “Vajza ime a po rritet,/ Dhe për babën a mërzitet,/ Ajo babë ma nuk do ket,/ Se baba në burg do të vdes,”…”Ngoni shok, ngoni vllazni,/ burgu shpirtin na ka nxije,/ Na ka nxije na ka domtue,/ Për liri jem tu luftue”. Besoj se nuk duhet bërë asnjë koment për çfarë tregon luftëtari dhe atdhetari në këto vargje-këngë.

Bujar Maleçka dhe Rajmonda Maleçka kanë pasur arsye dhe motive fondamentale për të përballuar mbijetesën dhe “vdekjen e gatshme” që pret cilido që përfundon në burgjet e tmerrshme të Maqedonisë.

Duket se jeta në burg ka qenë sikur me qenë në front, në luftë, ku përgjon vetëm vdekja, përgjon tinëzia, përgjon nacional-shovinizmi, të cilët nuk i shtruan dhe nuk i ulën kryet asnjë parti shqiptare e bashkë vendosur për të qeverisur Maqedoninë vazhdimisht.

Ishim të gjithë bashkë thotë Bujar Maleçka. Djemtë shqiptarë në këto burgje ishin gati të jepnin fuqinë e tyre, zemrën e tyre, guximin e tyre, jetën e tyre për të motivuar mbijetesën, qëndresën dhe rezistencën, - prandaj dhe unë dhe bija ime mbijetuam.

Dhe si të mos besosh këtë?! “S’e ç’kërkon ky avokati maqedon,/ Policis shumë i beson,/ ajo deklarata me qef të madh,/ Për shqiptarët i monton,/ Terrorista gazetarët i bën dhe kjo si mjafton,/ Për katër ditë gjygjin ia mbaron,/ Dhe pa mëshirë babë e bijë- Rajmonda e Bujarin,/ Në burg të Shutkës i çon,/ nga 5 vjet secilin i dënon, / Ky avokati i shkretë,/ kërkon pare dhe ryshfet, / s’don tia dij për drejtësi, beson vetëm në polici,/ Që rrinë nëpër qeli babë e bij, hiç s’do t’ia di…”

Kaq vargje, jo dhe aq poetik, por me një kujdes dhe peshë të madhe, mjaftojnë për të kuptuar ç’ka ndodhur dhe ç’është në vetvete mbijetesa. Duket një kronikë e saktë dhe komunikuese e shkruar në qelitë e burgut, ku përziheshin bashkë jeta me vdekjen, përgjimi me dhunën verbale, qëndresa me barbarinë ekstreme të shtëtit policisë dhe drejtësisë maqedonase.

Ata jetuan bashkë, u bënë bashkë për të prodhuar fuqi, për të dëshmuar historinë, aktualitetin dhe të vërtetën.

Dhe këtë vargëzuesi i këtyre copave jetësore nga burgjet e Maqedonisë e din mirë se “ këto vargje janë të leta,/ Po janë shumë të vërteta,/ Un këtë shënim po ja lë,/ Rajmondës dhe Bujarit kujtim.”
Për Bujar Maleçkën këto shënime janë të shtrenjta e të rëndësishme. Ato kanë qenë frymë dhe ajër, bukë dhe ujë, qiell dhe flamurë.

4.

Pas këtij vështrimi të lehtë dhe pasqyrues, cilido, besoj do të kuptonte sa vlerë kanë fjalët, shkronjat, skicat, dhimbjet, urimet, lutjet, qëndresa, shkrimi herë i rregullt dhe herë jo i rregullt, për cilindo që ka një përfytyrim të aftë të depërtojë në klimën jetësore dhe të papritur, ku është gjendur Rajmonda Maleçka, Bujar Maleçka, luftëtarët, patriotët, atdhetarët dhe qindra djem dhe gra, burra ndihmëtarë të lirisë.

Bujar Maleçka arriti t’i nxjerrë nga burgu këto dëshmi të vleshme për të kuptuar përveç jetës dhe shumë e shumë gjëra të tjera të mbijetesës shqiptare në nacional-shovinizmin sllav ballkanik.

5.




Bujar Maleçka vjen nga një familje e vjetër dibrane, një trevë e njohur për luftërat e pashembullta kundër të gjithë pushtuesve që kanë sulmuar trojet tona etnike që nga epoka e hershme ilire.
I ardhur dhe qytetar i Tiranës, prej më shumë se një shekull, në shtëpinë një katëshe të Bujar Maleçkës, në qendër të Tiranës, gjithmonë, brez pas brezi e herë mbas here është rrespektuar tradita dibrane, është folur si në odën e Dibrës dhe është pritur dhe përcjellur mysafiri si në Dibër.

Në odën dibrane të Bujar Maleçkës flitet për historinë, flitet për burrërinë, mësohet për brezat, burrat, zakonet dhe traditat. Bujar Maleçka është lindur dhe rritur në Tiranë. Ashtu dhe e bija Rajmonda dhe i biri Nuredini, por kur i pyet nga jeni, të thonë pa asnjë hezitim: “Jam dibran!” . Sa mirë.
Bujar Maleçka ka bërë detyrën e tij adhetare me fëmijët e tij, u ka ushqyer atyre krenarinë e Dibrës dhe dashurinë për vendin e tyre. Ai s’ka dalë nga tradita e familjes së vet të parët e tij kanë qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, e më pas ata janë dëshmuar përjetësisht “Ushtarë të Atdheut”.

6.

Pavarësisht kohëve familja Maleçka qëndroi dhe qëndron në traditën e saj historike. Në fillim vitet”90-të, familja dhe shtëpia e saj u bënë qendër e kontakteve të veprimtarëve të çështjes kombëtare, çështjes së Kosovës dhe trojeve tona etnike.

 Bujar Maleçka dhe Rajmonda Maleçka, pa harruar bashkëshorten e tij të mirë Xhuma Maleçka kanë takuar, pritur dhe përcjellë eksponentët më të rëndësishëm të veprimtarisë kombëtare, që çoi në krijimin e UÇK-së dhe përfshirjen e shqiptarëve në këto luftëra, që çuan në Pavarësinë e Kosovës sensibilitetin ndërkombëtarë të çështjes sonë kombëtare.

Por dhe kjo nuk mjaftonte. Bujar Maleçka dhe e bija, Rajmonda Maleçka, iu bashkuan UÇK-së në të gjithë luftërat që u bënë në fillim-shekullin tonë në trojet-shqiptare. Në pak kohë kujtesa e tyre u mbush me pamje të jashtëzakonshme lufte, shpirti i tyre u mbush me përjetime që nuk t’i afron dhe një jetë, udhëtimet e tyre në të gjithë hapësirën e trojeve etnike kapin shifra të pabesueshme, po aq sa ka qenë dhe vijon të jetë dhe nderimi që ata kanë marrë nga të gjithë trojet, familje, shoqata, organizata, forume, qytete, komuna e kolektiva intelektuale.


Bujar Maleçka hesht pak, hedh vështrimin larg të kthehet në një seriozitet burri: “Burgu në Maqedoni më lodhi, më vrau shumë nga fuqia ime, u përpoq të më shuajë me torturë, me presion psikologjik, me pabesi e në heshtje, por unë mbijetova. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Tradita ime familjare ma ka dhënë këtë mundësi!”

Dhe ai i ruan këto relike burgu për t’i mbajtur gjatë, aq sa të jetë e mundur në arkivin e familjes së tij, e cila padyshim është më e pasura për UÇK-në, dhe njerëzit e saj veprimtarë. E bija, Rajmonda, ka zbuluar pak nga pak, gjithë ajo pasuri dhe kujtesë në 13 librat që i ka botuar deri sot.

04.Prill.2015                                                                            Dëfrim Cani

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...