Sivjet mbushen 200 vjet qëkurse në Gjakovë u lind strategu e burrështetasi i shquar shqiptar Sulejman Vokshi. Njeriu e ka vështirë që, në faqet e një punimi përkujtimor si ky, të përfshijë personalitetin e shquar shumëdimensional dhe kompleks të njërit nga përfaqësuesit më të mëdhenj e më të denjë të atdhetarisë shqiptare të shekullit XIX. Gjatë hulumtimit të jetës dhe veprimtarisë së tij vështirësi të mëdha paraqiste zhdukja e dokumenteve personale, vepra e tij “Projekti i Ushtrisë Shqiptare” dhe kronika e familjes.
Asnjë kërkimtar deri më sot s’ka arritur të gjejë madje as fotografinë e tij. Pas përpjekjesh mbi tridhjetëvjeçare, “Koha Ditore” arriti të sigurojë një fotografi origjinale të Sulejman Vokshit, ndonëse tejet e vjetruar dhe e dëmtuar, e cila për herë të parë u jepet në dorë kërkimtarëve dhe lexuesve në Kosovë e Shqipëri, pranë portretit të tij, dhënë në përfytyrimin artistik të Guri Madhit. Shumë ngjarje tek ai përqendronin përmbajtjen e epokave të tëra e si gurë shënues dëftonin përpjekjet e Sulejman Vokshit për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe të gjuhës shqipe.
Sulejman Vokshi është ushqyer kurdoherë nga heroizmi i heshtur dhe gjallëria e pandërprerë gjuhëkrijuese e gjuhëmbrojtëse e popullit tonë, të cilit i ka prirë me qëndrueshmëri e në mënyrë dinjitoze, duke përshkuar dhjetëvjeçarët e luftërave të tij si një frymëzim dhe shqetësim i thellë. Ndonëse në rrethanat e luftës së vështirë e të pandërprerë, ai shkollën shqipe e shihte si tempull të formimit e të edukimit atdhetar. Krismat e hutave të lirisë dhe këngët e popullit, ia pavdekësonin bëmat, duke shprehur me vërtetësi historike, luftërat e pandërprera të tij, si njëri nga qëndrestarët më të mëdhenj. Sulejman Vokshi jetoi e veproi energjikisht pas viteve të mënjanimit të Napoleon Banapartës nga skena e përgjakur evropiane dhe pas krijimit të “Lidhjes së Shenjtë” të Evropës së krishterë (1814) e tutje.