2015-11-01

Nënë Tereza” e Mulliqit do të vendoset në një rrethrrotullim

Ka kaluar më shumë se një vit nga koha kur shtatorja e Nënë Terezës, e punuar nga skulptori Luan Mulliqi, është larguar nga aeroporti që mban emrin e humanistes shqiptare.

Shtatorja ishte larguar me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë dhe për një kohë është lënë në oborrin e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit duke pritur restaurimin. Shtatorja e nobelistes shqiptare Nënë Tereza siç thonë në Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë do të vendoset në rrethrrotullimin në Qafë Thanë. Mirëpo, autori i shtatores, Luan Mulliqi thotë se para se të merret vendimi përfundimtar duhet që Ministria e Kulturës të konsultohet me të, për shkak të konceptit të veprës së tij. I njëjti institucion muaj më parë kishte propozuar që shtatorja të vendosej në një nga oborret e kishave në Tiranë, gjë që është kundërshtuar nga Mulliqi.

Skulptori Luan Mulliqi ka thënë për “Zërin” se askush nga Ministria nuk e ka kontaktuar. “Nuk e di atë hapësirë te rrethrrotullimi i Qafë Thanës, por mendoj që është shumë me rëndësi që të konsultohen me mua për vendosjen”, ka thënë Mulliqi, derisa ka shtuar se shtatorja është e punuar sipas një koncepti të veçantë të autoktonisë. “Edhe restaurimi është bërë pa u konsultuar me mua”, shprehet skulptori.
“Koncepti është jashtëzakonisht specifik dhe duhet më të vërtetë ti përmbahen atij”, ka thënë Mulliqi për statujën mbi pesë metra të “Nënë Terezës”.

“Ministria është dashur të konsultohet fillimisht me mua për përzgjedhjen e lokacionit, njësoj sikur që është dashur të konsultohet edhe për restaurimin e saj”, ka thënë Luan Mulliqi, derisa ka shtuar se çdo ndërhyrje që është në vepër gjatë restaurimit mund të dëmtojë konceptin e saj. Skulptori tregon se ajo është ideuar që të duket si një vepër e vjetër e cila del nga toka. “Vepra ka të bëjë me autoktoni, pra që del nga toka, kështu, do të më vinte keq nga ministrja Kumbaro që nuk është konsultuar me mua”, ka thënë Luan Mulliqi, duke treguar se i është thënë nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë se do të konsultohen për vendin ku do të vendoset shtatorja e Nënë Terezës.

“Pres që Ministria e Kulturës e Shqipërisë të më kontaktojë paraprakisht, sepse nuk ka si të vendoset shtatorja nëse nuk ruhet koncepti i saj”, është shprehur Mulliqi.

Milena Selimi, këshilltare për Median dhe Komunikimin në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, i ka thënë gazetës se restaurimi i shtatores ka mbaruar. “Me kërkesën e Qendrës për Realizimin e Veprave të Artit është propozuar të vendoset në rrethrrotullimin e Qafe Thanës”, ka thënë Selimi, sipas të cilës QRVA është duke vazhduar punimet në vendin ku do të vendoset “Nënë Tereza”. “Kjo qendër është duke punuar për të marrë të gjitha masat e rehabilitimit të sheshit dhe kryerjes së procedurave teknike për vendosjen e shtatores”, ka treguar Milena Selimi.

Ndryshe nga kjo, Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës në Shqipëri, i kishte thënë gazetës se vepra e Luan Mulliqit do të mundë të vendosej në oborrin në Tiranë, dhe se për këtë kanë diskutuar me Kishën Katolike. “Jemi duke diskutuar për të gjetur një vend i cili do të jetë i përshtatshëm edhe për nga pikëpamja vizuale në raport me përmasat e statujës edhe në interes të komunitetit dhe të konceptit estetik”, kishte thënë Kumbaro.

Por një ide të tillë e ka kundërshtuar Luan Mulliqi. “Idenë për vendosjen e shtatores në një nga oborret e kishave në Tiranë unë e kam kundërshtuar, meqenëse ajo shtatore nuk ka koncept religjioz”, ka thënë Mulliqi, i cili për hapësirën e përzgjedhur për vendosjen e shtatores së Nënë Terezës, nuk është i informuar.

“Shtatorja është pa bazament. Kur ka qenë e vendosur në aeroport bazamenti ka qenë i vendosur veçanërisht për atë shtatore. Prandaj për konceptin e saj duhet të konsultohet autori”, është shprehur skulptori Mulliqi, derisa thotë se duhet të ruhet ideja dhe ajo që e pasqyron shtatorja.

Në vitit 2001 nga një komision prej njëmbëdhjetë anëtarëve është përzgjedhur ideja e Luan Mulliqit për të punuar shtatoren e Nënë Terezës, e cila është vendosur në aeroportin “Nënë Tereza” në vitin 2007.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...