Nga Ruben Avxhiu
Sulmet terroriste të radhës në Paris kanë sjellë në qendër të vëmendjes trafikun e armëve dhe në këtë diskutim janë përmendur veç të tjerash edhe Shqipëria me Kosovën.
Në vendet europerëndimore, por sidomos në Francë, armëmbajtja edhe me leje është diçka e rrallë. E megjithatë, në tregun e zi nëse dëshiron të blesh armë e predha të ndryshme mund ta bësh me pak para.
Ky ka qenë deri tani një problem shqetësues për policitë lokale që luftojnë krimin ordiner, por pas sulmeve të fundit terroriste, ekspertët e sigurisë dhe agjenturat e vendeve europiane po hulumtojnë situatën me shpejtësi.
Nga vijnë këto armë në Europën perëndimore. Shumica e kanë prejardhjen nga Rusia por që mbërrijnë nëpër rrugët e trafikut nëpër Ballkan. Po Ballkani nuk ka nevojë për armët ruse për të furnizuar të tjerët.
Gjatë viteve 90 dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri, të paktën gjashtë konflikte të armatosura ndodhën në Ballkan, nëse numëron edhe dy më të voglat në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës. Ka gati 15 vjet që rajoni është i qetë, por sipas një studimi zvicerian të kryer kohët e fundit, 3.6 deri në 6.2 milionë (po e përsëri milionë) armë janë ende në duart e civilëve.
Kjo është një situatë alarmante për një rajon që ka vetëm 25 milionë vetë dhe shumë urrejtje e plagë të pambyllura. Ky është gjithashtu edhe një rajon ku shtetet janë të pafuqishme dhe deri diku të painteresuara që të mbyllin rrugët e trafikimit ndërkombëtar. Kështu që me apo pa dijeninë e autoriteteve mijëra armë qarkullojnë në ditë, herë në vendet ku ka konflikte, e herë drejt Perëndimit.
Ndonëse në Shqipëri nuk ka pasur luftë ndëretnike, vendi vetë ka kontribuar shumë në këtë situatë me rrëmujat e vitit 1997, ku u hapën dhjetëra depo ushtarake. Në luftërat e Bosnjes, Kosovës dhe Maqedonisë, armët qarkulluan lirisht edhe nga jashtë Ballkanit drejt vendeve ku luftohej. Ushtria serbo-jugosllave por edhe ajo maqedonase ishin të armatosura mirë. Mirëpo, shqiptarët dhe boshnjakët patën nevojë për t’u armatosur. Një libër i shkruar nga Stesi Sulivan me në qendër Florim Krasniqin tregon disa hollësi për mënyrën sesi disa shqiptarë të Amerikës ndihmuan në blerjen dhe dërgimin e armëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Po armët ilegale nuk janë vetëm në duart e joserbëve, Ndonëse ushtria jugosllave ishte e fortë, një masë të madhe të operacioneve ndëshkimore në Ballkan, u kryen nga paraushtarakë e gangsterë me më të njohurin mes tyre kryekriminelin Arkan. Edhe sot e kësaj dite, njësi vigjilantësh me armë ilegale veprojnë në veriun e Kosovës. Në Serbi, një kryeministër u vra nga mafia serbe që ka qenë mbizotëruese në trafikun illegal të armëve. Më tej, ashtu si shumë arabë erdhën nga Lindja e Mesme si vullnetarë për të ndihmuar boshnjakët, ashtu erdhën edhe vullnetarë rusë e grekë. Kjo masë legjionarësh të huaj solli me vete një tjetër prurje armësh ilegale.
Në këto dy dekadat e fundit, heqja e armëve nga qarkullimi ka qenë një problem i madh i të gjitha shteteve të Ballkanit. UÇK ka qenë model në drejtim të çarmatimit të shpejtë dhe të rregullt, duke ia besuar mbrojtjen e Kosovës, KFOR-it, një forcë supreme ushtarake me të cilën Serbia nuk mund të matej. Mirëpo, baza armatimesh janë gjetur lehtë në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare, ndoshta me besimin se një lufte e ardhshme nuk mund të injorohej si rrezik.
Sikur të mos mjaftonte tregu i zi që buron nga Ballkani, një mori armësh vjen nga Rusia. Vendi duket se sapo ka modernizuar kallashnikët që përdorin forcat e armatosura ruse, kështu që një brez i tërë kallashnikovësh është nisur për eksport. Rusia që është një vend korrupsioni masiv kuptohet që lejon një përqindje të lartë armësh që të shkojnë së pari për separatistët e dhunshëm në Ukrainën Lindore dhe pastaj për tregun e zi kriminal, një pjesë e të cilit shkon në Europën Perëndimore.
Dihet që një numër shqiptarësh janë të angazhuar në trafiqet e njerëzve, drogës, mallrave pa doganë ose të vjedhura dhe armëve. Lufta kundër trafikut ka qenë një refren i përhershëm ankimesh nga Perëndimi për qeveritë shqiptare.
Shteti shqiptar ka qenë i varfër dhe i dobët, shtetarët dhe forcat e sigurisë të korruptueshme, dhe pozicionin gjeografik tepër joshës. Në një vend me prodhim të pakët, miliarda dollarë kanë kaluar në formë trafiku duke pikuar qindar miliona. Në vitet e fundit, situata është përmirësuar mjaft, por rubinetat e trafikut nuk janë mbyllur.
Ishte e turpshme për Shqipërinë për shembull që një avion i pilotuar nga një ushtarak shqiptar u rrëzua në Spanjë duke transportuar drogë.
Një debat serioz për këtë punë është gjithashtu i vështirë në Shqipëri, sepse shumica e faktorëve janë të interesuar vetëm për të treguar se sa e korruptuar është qeveria e Ramës apo sa shumë ishte ajo e Berishës. Mjafton të shohësh marrëdhëniet mes ministrit të fundit të Brendshëm dhe atij të tanishëm që të dëshpërohesh.
Për shumë trafikantë shqiptarë kalimi i armëve mund të mos bëhet me idenë për të ndihmuar terrorizmin, por kjo do të jetë e parëndësishme për agjenturat e huaja që do të fillojnë gjurmimin e trafikut në të ardhmen e afërt.
Ngjarjet e Parisit, mbrëmë ishin situata lufte dhe trafiku edhe ai modest e ordiner do të fillojë të shihet nën dritën e furnizuesit të luftës.
Ishte shumë pozitive që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe të gjitha autoritetet shqiptare dënuan aktet e terrorit dhe shprehën solidaritetin e tyre me Francën, por do të ishte më e nevojshme që të përforcojnë rendin e pushtetin e ligjit, të çimentojnë kufijtë e të godasin krimin. Përndryshe fjalët janë boshe. Mungesa e ligjit në vendet tona e në Ballkan ndihmon terrorizmin dhe jo vetëm në Perëndim. Ligji dhe rendi duhet në radhë të parë për shqiptarët. Duhet sepse pa të vendet tona mund të përballen me një version të ngjashëm dhune. Në fund të fundit, shumë shqiptarë e ballkanas militojnë në radhët e ISIS-it si dhe ky i fundit ka kërcënuar hapur se do ta sjellë “xhihadin” në Ballkan. Po edhe nëse nuk do të ishte ky rrezik, pushteti i ligjit dhe rendi publik janë themeli i një shoqërie të lirë dhe të begatë.
Të angazhohesh e të kesh opinione të forta për çfarë ndodh në SHBA, në Francë e në Perëndim, apo në Rusi, Turqi e në Lindjen e Mesme është në rregull. Po ne as nuk mund të zgjidhim problemet e tyre e as nuk duhet të angazhohemi në to. Ne duhet të rregullojmë këtë këndin e trazuar në të cilën jemi vendosur. Me ndihmën e aleatëve, pavarësisht prej sabotimit të të tjerëve e mbi të gjitha për hir të të sotmes dhe të ardhmes sonë./illyria