2015-11-16

Si Gjermania e pësoi nga “rregulli” i saj për 11-metërshat dhe penalltia legjendare e Panenkës

Skifter Kellici
Nga historia e evropianëve të futbollit, 1960-2016
Si Gjermania e pësoi nga “rregulli” i saj për 11-metërshat dhe penalltia legjendare e Panenkës

Nga Skifter Këlliçi


“Atdheu im” është një album prej gjashtë poemash simfonike të kompozitorit të madh çek, Bedrih Smetana, (1826-1886), meloditë e të cilave kanë frymëzuar lëvizjet atdhetare të këtij populli kundër pushtuesve austriakë.

Dhe gjatë zhvillimit të Euro ’76-ës duket se motivet e këtij albumi sikur u dhanë zemër edhe futbollistëve çekosllovakë, që për herë të parë arritën të bëheshin zotër të kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme, e cila atë vit u zhvillua në Jugosllavi,përkatësisht në stadiumet “Ylli i kuq” i Beogradit me nxënësi 52 mijë shikuesish dhe “Maksimir” të Zagrebit me 45 mijë.
Ishte hera e parë që një evropian futbolli zhvillohej në një vend socialist, ndonëse në vendin e sovjetëve jugosllavët, edhe pse Hrushovi që më 1955 i kishte rregulluar hesapet me Titon, prapëseprapë jugosllavët quheshin ende “shërbëtorë” të perëndimit kapitalist.
Nuk ishte ndonjë e papritur që çekët ngadhënjyen në kë evropian: Në vitet ’30 të shekullit të kaluar “Sparta” e Pragës, ndër skuadrat më të njohura të Evropës, kishte qenë dy herë fituese e Kupës “Mitropa”, veprimtari ku kishin marrë pjesë skuadrat më të mira të Evropës Qendrore, dhe përfaqësuesja çekosllovake, e drejtuar nga portieri legjendar, Planicka, kishte arritur në finalen e Botërorit ’34 në Romë, ku kishte humbur ndaj Italisë 1-2.

28 vjet më pas në Botërorin Kili ’62 të zhvilluar në Santiago, çekët ishin bërë nënkampionë të botës, pasi ishin gjunjëzuar në finale vetëm nga Brazili i famshëm 1-3. Veç kësaj, shkolla danubiane, e përfaqësuar nga futbolli çek dhe austriak dhe më pas hungarez, kishte lënë gjurmë në historinë e zhvillimit të futbollit evropian.
Ja sepse titulli kampion, me të cilin Çekosllovakia u kurorëzua në evropianin jugosllav, nuk ishte ndonjë e papritur.

Le të ndjekim tani ecurinë e këtij kampionati deri në finalen dramatike RF Gjermane-Çekosllovaki, që siç do të shohim, për herë të parë u zgjidh me seritë e llotarisë së 11-metërshave. Formula ishte e njëjtë me europianët e mëparshëm: tetë grupe, një fitues prej secilit, pra tetë skuadra, që vazhdonin në katër çifte rrugëtimin e këtij kampionati me mënjanim dhe pastaj në fazën përmbyllëse katër skuadrat më të mira do t’i vazhdonin përsëri me mënjanim.
Grupi parë u fitua nga Çekosllovakia që me 9 pikë la pas Anglinë më një pikë më pak. Portugalia u rendit e treta me 7 pikë dhe Qiproja e fundit me 0 pikë. Në takimet midis tyre anglezët mundën çekët 2-1 në Londër, por humbën 0-3 në Pragë. Mirëpo dy barazimet e këtyre të fundeve me Portugalinë 0-0 dhe 1-1 ua këputën shpresat për të zënë vendin e parë.
Por atë që nuk bënë anglezët, e arritën në grupin e tretë fqinjët e tyre, uellsianët, të cilët me 10 pikë lanë pas Hungarinë dhe Austrinë me 7 dhe Luksemburgun me 0 pikë.
Në grupin e tretë lehtësisht arriti të zërë vendin e parë edhe Jugosllavia po me 10 pikë. Irlanda e Veriut dh Suedia grumbulluan nga 6 pikë dhe Norvegjia vetëm 2.
Spanja u rendit e para në grupin e katërt më 9 pikë dhe pas saj Rumania dhe Skocia me 7 dhe Danimarka me 1 pikë.
Grupi i pestë i mbiquajtur “i ferrit” nxori në krye me pikë të barabarta Hollandën dhe Poloninë me nga 8 pikë, dy skuadra që kishin zënë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë në Botërorin Gjermani ’74 që ishte fituar nga të zotët e shtëpisë. Me golaverazh më të mirë 14-8 kundrejt 9-5 u kualifikuan hollandezët. I papritur në këtë grup ishte mënjanimi i Italisë me 7 pikë që la pas vetëm Finlandën me 1 pikë.
E ashpër ishte lufta edhe në grupin e gjashtë ku Bashkimi Sovjetik pati po aq pikë sa Irlanda, 7, por u kualifikua falë golaverazhit më të mirë se ajo. Turqia u rendit e treta me 6 pikë dhe Zvicra e fundit me 3.
Edhe ndeshjet e grupit të shtatë qenë të baraspeshuara. Më së fundi vendin e parë e siguruan belgët me 8 pikë që lanë pas RD Gjermane me 7, Francën me 5 dhe Islandën ne 4 pikë.
Grupi i tetë dhe i fundit u dominua nga gjermano-perëndimorët, kampionë të botës, me 9 pikë, të pasuar nga Greqia me 7, Bullgaria me 6 dhe Malta me 2 pikë.
Po Shqipëria? Ajo nuk mori pjesë. Ishte periudha kur diktatori Enver Hoxha, pas një infarkti të rëndë, kishte nisur luftën me armiq të Partisë dhe kishte zbuluar komplote… imagjinare në fusha të ekonomisë, mbrojtjes, kulturës, artit dhe kështu në këtë zallamallahi partiako-shtetërore një veprimtari e tillë sportive u quajt pa vend, ndonëse UEFA e dënoi FSHF-në me gjobë të kripur.

Filloi kështu faza e dytë e Euro ’76-ës, e cila shënoi edhe të papriturën më të madhe: mënjanimin e Bashkimit Sovjetik-kampion i Evropës më 1960, nënkampion më 1964, vendin e 4-t në Botërorin ’66, përsëri nënkampion në Euro ’68 dhe ’72, mënjanim për meritë të Çekosllovakisë që fitoi në Pragë 2-0 dhe barazoi në Moskë 2-2. (Kështu çekët hakmerreshin si dhe në veprimtari sportive sidomos në hokej, kundër rusëve që kishin pushtuar vendin e tyre më 1968).
Hollanda nuk pati aspak mëshirë ndaj fqinjes së saj, Belgjikës tek e gjunjëzoi 5-0 në shtëpinë e vet dhe u tregua “zemërgjere”, kur humbi në fushën e kundërshtarëve 1-2.
Uellsi përballoi furinë e jugosllavëve, por megjithatë, u mund 2-0 në Beograd dhe në Kardif nuk mundi veçse të barazonte 1-1.
Pasi barazoi 1-1 në takimin e parë me djemtë e Shënit, spanjollët u munden 2-0 në ndeshjen e kthimit në Gjermani.

Kështu nga 16-20 qershor u zhvillua faza përmbyllëse e këtij evropiani, e cila u hap me dyluftimin midis Çekosllovakisë dhe Hollandës. Pritej që portokallinjtë të dilnin ngadhënjimtar në këtë takim, aq më tepër kur në radhët e tyre luanin ende portieri Shrijvers, mbrojtësit Zurbir dhe Krol që kishin qenë në radhët e “Ajaksit” edhe në takimin e 20 shtatorit të vitit 1970 për Kupën e Evropës kundër ”17 Nëntorit”, e cila kishte përfunduar në barazim, 2-2. Luanin gjithashtu Repi, Neeskensi, Rensenbrinku dhe, mbi të gjithë Krojfi… Të tërë heronj të Botërorit ’72, ku kishin qenë yjet më vezullues në kostelacionin hollandez, nënkampion i botës.
Por ky kostelacion davariti në fushë një dritësim të mekur që u shua nga furia çekosllovake. Golin e parë e shënoi ceku Ondrus në 20’. Por, për ironi të fatit, ai shënoi përsëri pas disa minutash, por në…portën e vet.

Rezultati 1-1 nuk ndryshoi dhe kështu, për të përcaktuar fituesen u desh shtesa 2×15. Dhe si të dëgjoheshin në fushë motivet e Smetanës, çekët shënuan në 114’ me anë të Nehodës dhe në 119’ dënimin “kapital” 3-1 Krojfit me shokë ia dha Veseli.

Një ditë më pas, më 17 qershor u erdhi radha jugosllavëve të ndesheshin me gjermano-perëndimorët. Në Botërorin Kili ’62 kishte qenë Jugosllavia e cila kishte mënjanuar Gjermaninë në çerekfinale. Në Botërorin ’72 gjermanët kishin marrë hak duke e mundur atë në ndeshjet e fazës së dytë 2-0, por jo pa vështirësi.

U duk se nuk do të ndodhte kështu në stadiumin ”Ylli i Kuq” të Beogradit, sepse me dy të shtëna të sakta të Popivodës në 19’ dhe “të paoksidueshmit” Xhaic që e kemi cituar që në Euro ’68-ën, kur jugosllavët dukeshin tashmë finalistë, ndodhi e kundërta. Së pari Flohe në 65’ e pastaj Diter Myleri tetë minuta para mbarimit sollën barazimin 2-2. Dhe ky Myler, si të vazhdonte traditën e Gerd Mylerit, shënoi përsëri në 115’ dhe 119’ dhe ania kozmike gjermane zbarkoi në finale, ku do të gjente përballë saj Çekosllovakinë.

Gjermania-perëndimore

Gjermania perëndimore

Finalja u zhvillua më 20 qershor përsëri në stadiumin “Ylli i Kuq” të Beogradit, nën drejtimin e gjyqtarit italian Gonela.

Ashtu si në takimin me Jugosllavinë, gjermanët përsëri pësuan dy goditje të forta. Në minutën e 8-të shënoi Svehliku dhe një çerek ore më pas Dobiasi dyfishoi rezultatin. Çekët mund të kishin shënuar edhe golin e tretë, kur Masni iu shkëput gjermanit Dintz dhe gjuajti jashtë, tamam në çastin kur portieri Majer kishte humbur “pusullën”. Dhe, ja, pa kaluar dy minuta Diter Myleri shkurtoi largësinë e golave dhe në pjesën e dytë ishte Helcenbajni që barazoi. Kjo ndodhi krejt papritur, kur shi në minutën e fundit Bonhofi gjuajti nga këndi, drejt topit kërceu portieri Viktor dhe Helcenbajni që me kokë e përcolli topin në rrjetë. Një çast i diskutueshëm, por gjyqtari Gonela e pa të udhës që topi të vendosej në pikën e qendrës së fushës.

Çekosllovakia

Çekosllovakia

Koha e rregullt u mbyll kështu 2-2. Përsëri shtesë loje. Ashtu si në katër takimet e tjera të zhvilluara në stadiumet e Zagrebit dhe Beogradit, rekord i papërsëritur deri tani.

Këtë radhë, jo si në Euro ‘68 kur, pas gjysmëfinales Itali-Bashkimi Sovjetik fatin e finalistes e kishte zgjidhur… shorti, që siç e kam përshkruar, u fitua nga kapiten Faketi, këtë radhë pra, fatin e fitueses e zgjidhi seria e 11-metërshave.

Më 1970 kishte qenë gjyqtari gjerman Karl Veld, që kishte propozuar se, në rast se takimi me gjithë shtesën 2×15 minuta përfundonte në barazim, për të përcaktuar fituesen të mos hidhej më short, por të dyja skuadrat të gjuajnë në portat përkatëse nga pesë 11-metërsha deri sa njëra prej tyre të fitojë. Këtë rregull kishte miratuar së pari Federata Gjermane e Futbollit.

Dhe ja, këtë rregull vuri në jetë dhe UEFA bash në këtë mejdan. Ishte menduar që ashtu si në finalen e Euro 68-ës midis Italisë dhe Jugosllavisë, kur edhe pas shtesës 2×15 minutash rezultati kishte mbetur i barabartë 1-1, dhe kësisoj pas 48 orësh ishte luajtur ndeshja e dytë e fituar 2-0 nga italianët, edhe në këtë rast më 22 qershor të zhvillohej një ndeshje e dytë finale. Mirëpo, para fillimit të ndeshjes finale, përfaqësuesit e Federatës gjermano-perëndimore të futbollit propozuan që, në rast barazimi edhe në kohën e rregullt, të mos zhvillohej ndeshje tjetër, por menjëherë të kalohej në serinë e gjuajtjeve të 11-metërshave nga secila skuadër. Edhe përfaqësuesit e palës përkatëse çeke e pranuan propozimin gjerman, që u miratua si rregull pastaj dhe nga FIFA .

Mirëpo pikërisht ky rregull “gjerman” u bë bumerang për vetë gjermanët:
Kur rezultati ishte 4-3 për çekët, radhën për të dhënë goditjen e fundit e kishte Dintzi. Por tek pika e 11-metërshit, drejt topit u pa të vraponte Hënesi, një nga futbollistët më të mirë të skuadrës gjermano-perëndimore. Dhe gjuajti…. jashtë.

I erdhi radha çekut Panenka… Siç kujton portieri Viktor, në të tilla raste ai zakonisht gjuante në qendër të portës, ndërsa portierët hidheshin ose nga e djathta ose e majta e saj. Por këtë nuk e dinte i gjori Majer.

”Desha t’i thërras Panenkës që të mos gjuante si ngaherë,- ndërmend portieri çek,- por ai bëri të veten. Gjuajti drejt e në mesin e portës; Majeri u hodh në anën e majtë dhe topi i goditur nga sulmuesi çek me majën e këpucës, si të futur nën të si lugë, pas një flurudhe përtace preku lehtas rrjetën”.

Penalltia-e-famshme-e-Panenkas-ajo-me-luge-qe-hyri-ne-histori

Penalltia e famshme e Panenkas, ajo me luge, qe hyri ne histori

Kështu dhe Çekosllovakia, me trajner Jezhekun, e përbërë nga Viktor, Pivarnik, Ondrus, Capkovic, Ghogh, Dobias, (Veseli, 94’), Moder, Panenka, Maslik, Svehlik, Jurkenik u bë kampione e Evropës për vitin 1976.

Çekosllovakët-duke-festuar

Çekosllovakët duke festuar

Golashënuesi më i mirë ishte D. Myler,(RFGJ), 4 gola.
Xhaic, (Jugosllavi)dhe Geels,( Hollandë) nga 2 gola

Skuadra simbolike:
Viktor,(Çekosllovaki), Pivarnik,(Çekosllovaki), Ondrus,(Çekosllovaki), Bekenbauer,(RF Gjermane), Krol,(Hollandë), Bonhof,( RF Gjermane), Pollak, (Çekosllovaki), Panenka,(Çekosllovaki), Myler, (RF Gjermane), Nehoda,(Çekosllovski), Xhaic,(Jugosllavi)


----------------------------


Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...