2015-12-08

Nga Isuf Kurtaj - Jo protestës së PD-së, është parti e kriminalizuar





Ish-dhjetoristi Shenasi Rama i mëshon politikës në Shqipëri pa dallime ideore, duke i cilësuar ato kriminale. Në Forumin Intelektual të quajtur “Rrethi i Ferrit”, Rama, duke iu përgjigjur “Shekulli”-it për protestën që Partia Demokratike do të zhvillojë sot kundër rrëzimit të qeverisë, me plot pezm thotë se nuk mund të protestojë më 8 dhjetor me PD-në që të bëhet kryeministër i qeverisë Lulzim Basha, një njeri mbi të cilin, sipas tij, rëndojnë akuza të mëdha. “Nuk mund të bëhem pjesë e një opozite që kërkon të bëjë kryeministër të qeverisë Lulzim Bashën, i cili akuzohet për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në “Rrugën e Kombit”, që bën një ashensor privat, në krah të atyre që kanë bërë Gërdecin dhe krimet e panumërta mbi këtë popull”, është shprehur Shenasi Rama.

Të martën (sot), me rastin e 25 vjetorit të nisjes së protestave të studentëve, opozita organizon një marshim ku kërkon largimin e qeverisë. A do të jeni pjesë e kësaj proteste?

Paria e Tiranës është një organizatë kriminale, e cila ka nën kontrollin e saj të gjitha partitë politike. Në këtë drejtim edhe Partia Demokratike , nuk është tjetër vetëm se pjesë e strukturave të parisë kriminale. Mbron interesa të shtresave shoqërore e zonave të caktuara, sepse çdo parti në Shqipëri ka një bazë rajonale ku sundon ndikimin e saj kriminal. Unë nuk protestoj me 8 dhjetor me PD-në në shesh që të bëhet kryeministër i qeverisë Lulzim Basha, një njeri që akuzohet për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në “Rrugën e Kombit”, që bën një ashensor privat, në krah të atyre që kanë bërë Gërdecin dhe krimet e panumërta mbi këtë popull. Ashtu siç nuk pranoj të identifikohem me figura të degjeneruara që kanë qeverisur vendin gjatë këtyre viteve, vetëm pse kanë qenë pjesë e lëvizjes studentore në ’90-ën.



Shinasi Rama

Unë nuk kam ardhur në Tiranë për të protestuar me PD-në në 8 dhjetor, por së bashku me Valbona Karanxhën dhe Grid Rrojin, kemi ardhur për të prezantuar platformën tonë, sepse tani jemi të lirë. Alternativa që paraqitëm bashkë me kolegët, godet fort parinë e Partisë Demokratike dhe nuk kemi si të bashkohemi me ta në protestë. Jemi këtu për të mbështetur një alternativë ndryshe me anë të librave që kemi prezantuar. Ne kërkojmë që njerëzit të merren me këtë diagnozë që kemi shtruar për diskutim ne përmes librave tanë. Në 25 vjetorin e fillimit të Lëvizjes Studentore do të organizohen shumë aktivitete, por ne nuk do të marrim pjesë në demonstrata. Të gjithë do ta përkujtojmë veçmas partive politike dhe mashava të tyre. Çdo aktivitet tjetër që organizohet nuk e ka legjitimitetin tonë. Ata kanë qenë vegla të sistemit dhe tani janë veglat e parisë së Tiranës. Nuk jemi pjesë e protestës sepse nuk ka të bëjë me protestën tonë. Këta njerëz po ngrihen në protesta se po kërkojnë që të bëjnë zhurmë, të krijojnë presione për një qeveri.

A mund të na flisni për ndryshimet ideologjike që ndodhën në vitet ’90, ku u bë një kapërcim nga ai monist në atë kapitalist. Si i përjetuan shqiptaret sipas jush këtë kalim?

Në vitin 1990 ne kishim diku 2000 deri 5000 individë, të cilët ishin pjesë e parisë sunduese në atë. Edhe pse kishte 150 mijë anëtarë të partisë, edhe pse kishte një masë të madhe të individësh të edukuar që funksiononin në strukturat e rinisë dhe levat e partisë, në thelb ishin 2000 deri 5000 persona që i thonin popullit se jemi populli më i lumtur në botë, ndërkohë që njerëzit tanë shkonin në punë duke ngrënë bukë dhe sheqer. Kjo është një tragjedi e madhe kombëtare, sepse tregon mendësinë e tyre. Të gjithë këta njerëz që drejtuan vendin në 1990 tradhtuan ideologjinë komuniste, enveriste dhe brenda natës u rilindën si kapitalist. Dhe çfarë ndodhi? Këto 25 vjet paria që erdhi ka monopolizuar ekonominë, ka ndërtuar oligarkinë financiare duke shitur blerë dhe shkatërruar çdo gjë shtetërore.


Cila është zgjidhja që jepni ju për të nxjerrë jashtë loje këtë pari politike?

Çdo ndryshim që do të ndodhë në shtetin shqiptar do të ndodhë vetëm nëpërmjet shtetit dhe shteti që kemi ne sot kontrollohet përmes politikës dhe bëhet i dobishëm nëpërmjet saj. Pa pëlqimin e individëve të veçantë zgjidhja në shtetin tonë lidhet me politikën dhe duke qenë i tillë kërkon që të burojë nga populli, nga djemtë dhe vajzat më të mira të këtij vendi. Shteti nuk është thjesht territori, njerëzit janë shteti dhe njerëzit e bëjnë shtetin, duke u distancuar nga praktikat e së shkuarës. Kush sheh nga ardhmja nuk ka kohë të shohë nga e kaluara. Ne nuk kemi pse të shpikim modele, por vetëm të ndiqen modelet më të mira të ndërtimit të shtet kombeve. Kjo ndodh vetëm nëse shmangemi nga kontrolli i pamëshirshëm i parisë së Tiranës që ka kapur shtetin prej 25 vitesh. Ky organizim fillon nga individi.

Nga vajza dhe djem të edukuar brenda dhe jashtë, nga njerëzit që distancohen nga korrupsioni, krimi, degjenerimi dhe e shohin këtë vend, këtë komb, këtë shtet si një ulli i vjetër, i cili edhe pse është i kalbur në të gjithë anët mbijeton vetëm duke nxjerrë një syth ku lulëzon në një degë e re. Kjo degë e re duhet me lind dhe duhet me lind këtu. Është e pashmangshme, është e domosdoshme, është e paevitueshme sepse prej 25 vitesh shqiptarët kanë përjetuar një gjendje terrorizuese nën presionin e parisë që e mban këtë popull për bukën e gojës dhe nuk mund të vazhdohet më kështu. Duhen të bëhen njerëz të shtresave të ndryshme. Duhet të jenë njerëz që të jenë të përkushtuar. Njerëz që nuk jetojnë për para dhe për pasuri por jetojnë për t’i shërbyer publikes dhe për nder.
Valbona Karanxha
Valbona Karanxha: Ish-dhjetoristët nuk kanë asgjë të përbashkët me PD-në

Ish-dhjetoristja Valbona Karanxha, pedagoge në një nga universitetet e SHBA-së, e pranishme në Forumin Intelektual “Rrethi i Ferrit”, tha se nuk do të jenë në protestën e 8 dhjetorit që lideri i opozitës Basha ka organizuar. Sipas saj, dhjetoristët nuk e shohin vetëm në marshimin kundër qeverisë, në atë që Basha e quan “8 dhjetori i dytë”. “Parimet tona nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën e 8 dhjetorit që po organizon Partia Demokratike. Parimet tona nuk përkojnë me asgjë që ofron paria e Tiranës ku futet dhe Partia Demokratike, kështu që nuk mund të mbështesim asnjë lloj proteste të organizuar prej tyre. Në 25 vitet e fundit është krijuar një klasë politike, e cila jeton dhe vepron në atë që në mënyrë simbolike quhet “Rreth i Ferrit”.

Por “Rrethi i Ferrit”është devijimi nga parimet demokratike te të gjithë klasës politike, pa dallime partiake. Paria që drejton vendin në këto 25 vite është mëshirim i së keqes. Kjo elitë politike është përgjegjëse për varfërimin sistematik, ekonomik, politik dhe shpirtëror të popullit”, tha Karanxha. Më tej ajo ka rekomanduar dhe mënyrat se si mund të nxirren jashtë loje këto parti. “Nëse ne kërkojmë të kemi një elite të re politike atëherë nuk do të kemi ndryshim, sepse elita menjëherë të distancon. Vendi do një pushtet të dalë nga populli, për popullin që do të jetë shërbëtor i popullit. Çfarë zgjidhje ka dhe cili do të jetë ndryshime? Njerëzit duhet ta dinë se kjo “status quo” duhet të ndryshojë. Emergjenca politike nxjerrin njerëzit e duhur dhe jam e bindur që në Shqipëri nuk mungojnë, por njëkohësisht lidershipi duhet të frymëzojë”, theksoi Karanxha.
Albanian government spokesman Grid Rroji. Photo: Nick Hawton
Grid Rroji: Protesta është e pakuptimtë

Dhe ish-këshilltari i kryeministrit Sali Berisha, Grid Rroji, i pranishëm në Forumin Intelektual “Rrethi i Ferrit”, u shpreh se nuk mund të protestojë së bashku me ata që janë pjesë të parisë së Tiranës që sundojnë prej 25 vitesh. “Koncepti i parisë i përfshin të gjithë palët dhe paria nuk mund të protestoj kundër vetvetes, pra protesta e PD-së është një protestë pa kuptim. Zgjidhja nuk është kjo klasë politike. As do të vijë nga jashtë. Por do të vijë nga shqiptarët.

Ne si Forum Intelektual kemi marrë përsipër të hedhim hapin e parë duke thënë të vërtetën, duke pasqyruar atë ashtu siç është. Nuk kemi pse të ndahemi edhe më tej në komunistë dhe antikomunistë. Komunizmi ka vdekur në vitin 1990 dhe nuk kemi pse të kthehemi për çdo gjë pas. Sot duhet të identifikojmë të keqen nga e mira. Kemi një pari që është burim i të keqes. Shqiptarët sot janë para dy rrugëve. Njëra na çon pas parisë që qeveris vendin prej 25 vitesh, e cila po çon hap pas hapi drejt greminës, dhe rruga tjetër është ndryshimi që duhet të filloj nga secili. Me ndryshimet individuale hapat e tjerë vijnë vetë, natyrshëm”, është shprehur Rroji.

“Grupi Dhjetori ‘90” fton shkodranët që të jenë pjesë e protestës

“Grupimi dhjetori ’90”, i kryesuar nga Beslim Ahmetaj është ndalur në qytetin e Shkodrës për të zhvilluar takimin e radhës, për të përkujtuar 25 vjetorin e shpresës. “Shkodra, vatra e demokracisë dhe rezistencës historike të antikomunizmit, u bë mikpritësja e Grupimit Dhjetori 90, themeluesve dhe mbështetësve demokrate në përkujtim të 25 vjetorit të fitores së demokracisë”, është shprehur Ahmetaj. Ndërkohë ai u shpreh se Shkodra, qyteti i martirëve të lirisë edhe këtë dhjetor do t’i paraprijë protestës së 8 Dhjetorit për një Shqipëri pa dhunë, pa terror e mjerim ku e kanë zhytur pasardhësit e komunizmit.

“Studentët e Dhjetorit, të rinjtë dhe mbështetësit demokratë evokuan emocionet e ngjarjeve historike të protestave të rrëzimit të komunizmit dhe bënë apel për një pjesëmarrje kombëtare deri në rrëzimin e qeverisë së krizës dhe eksodit të shqiptarëve. Vetëm demokratët dhe ithtarët e lirisë do t’i japin Shqipërisë ringritjen dhe shpresën për integrimit evropian”, thekson Ahmetaj. Qëllimi i këtij takimi sipas tij është mbjellja e shpresës dhe besimit.

“Revokimi i kohës pas 25 vjetëve është i nevojshëm për brezin e ri, duke pasur parasysh se po të pyesim brezin e sotëm se çfarë është 8 Dhjetori të thonë: është ditë pushimi. “Misioni i grupimit “Dhjetor ‘90” është që të përmes këtij aksioni ne kemi për qëllim që ajo që bënë studentët 25 vjet më parë në Tiranë, të kthjellojë dhe të ndërgjegjësojë studentët dhe qytetarët që sot janë përgjumur”, është shprehur Ahmetaj. I pranishëm në këtë përkujtim ka qenë dhe kreu i degës së PD-së në Shkodër Ramiza Çobaj i cili tha se shpresa dhe thirrja e të rinjve të ’90-es është ende prezente te çdo shqiptarë. “Ftoj të gjithë qytetarët e Shkodrës që ti bashkohen protestës së 8 dhjetorit”, është shprehur Çobaj. Në këtë takim ka qenë i ftuar dhe djali i heroit të demokracisë Azem Hajdarit.
Image result for Albana Vokshi

Albana Vokshi  fton gratë në protestën e 8 dhjetorit

Deputetja demokrate Albana Vokshi ka ftuar të gjithë gratë që të jenë pjesw e protestës sw 8 dhjetorit. Sipas deputetes Vokshi ndryshimi vjen nga gratë, pasi kanë energjinë e jetës dhe shpresës për ditë më të mira. “Gratë mbeten aleatet dhe besniket më të mira të lirisë, e demokracisë, të Partisë Demokratike dhe vlerave që ajo ka percjellë për zhvillimin e Shqipërisë në këto 25 vite. Ky ka qenë viti më i trishtë i sakrificave deri në vetëmohim i grave dhe nënave që janë përballur me varfërinë dhe mjerimin që gjunjëzon. Është gruaja dhe nëna, viktimë e një diskriminimi të thellë të politikave qeveritare, arrogancës qeverisëse, korrupsionit masiv dhe interesave të krimit. Ndaj, në 8 dhjetor, do të jemi të gjitha bashkë sepse çdo grua, nënë, vajzë e ka një arsye qënësore për të protestuar kundër qeverisë së krizës. Në 8 dhjetor do të protestojmë për shpresën e humbur dhe dëshpërimin e thellë që solli Rilindja”, theksoi Vokshi.

Në vijim ajo u shpreh se mw 8 dhjetor do të protestohet për varfërinë dhe papunësinë në rritje, qw sipas saj po e mbyt të tashmen dhe të ardhmen e çdo gruaje. “Në 8 dhjetor do të protestojmë për ato mijëra gra e vajza që u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës, e për shumë të tjera që u detyruan të paguajnë mijëra euro për ta mbajtur atë. Në 8 dhjetor do të protestojmë për Brunildën, Melitën e për dhjetëra gra që nuk janë më mes nesh, u vetëvranë dhe hoqën dorë nga jeta, viktima të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së humanizmit të kësaj Qeverie. Protesta e 8 dhjetorit do të jetë homazh për këto nëna, për këto gra, për këto jetë të humbura padrejtësisht. Në 8 dhjetor të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë të gjitha bashkë në shesh për të mbrojtur familjet e tyre nga skamja, varfëria, padrejtësia, presioni, shantazhi, burgosja, përcmimi, denigrimi, poshtërimi”, pwrfundoi deputetja demokrate.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...