Prof.Dr.Muhamet Sadiku
Kosova pas përfundimit të luftës ka kaluar një tranzicion tejet kompleks dhe të kushtueshëm. Në mungesë të kulturës demokratike dhe të koalicioneve, Kosova është përballur me probleme rreth zbatimit të disa projekteve me rëndësi strategjike dhe kombëtare siç ishte rasti i projekteve në sektor të energjetikës, telekomunikimeve, “Trepçës”.
Projekti i privatizimit në mungesë të konsensusit ishte bërë edhe shkak i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Vështirësitë u krijuan në mungesë të arritjes së konsensusit të gjerë dhe mungesës së respektimit të involvimit të shoqërisë civile. Sikurse të mos jenë nxjerrë mësime nga sfidat gjatë realizimit të disa projekteve të mësipërme. Vëmendja shkon në procesin e përcaktimit të vijës kufitare Kosovë – Mali i Zi. Kemi shpresuar se Kosova ka ekspertizë gjeo-hartografike për ta qeverisur këtë proces me Malin e Zi. Procesi ka zgjatur, nuk është diskutuar që nga fillimi dhe është përfunduar në mungesë të transparencës dhe involvimit të gjithë akterëve shkencorë, institucionalë dhe të shoqërisë civile.
Për zhvillimin e këtij procesi opinioni kosovar më tepër është informuar nga portalet dhe raportet qeveritare të Malit të Zi sesa nga pala kosovare. Në përfundim të tij gjërat kanë filluar të qartësohen se Kosova do të humbë sipërfaqe tokësore dhe se sloganet politike se nuk e humbim asnjë centimetër duken joserioze.
Tani kemi një proces të devijuar dhe jemi duke u ballafaquar me sensibilizimin e opinionit të gjerë. Nënshkrimin e Marrëveshjes Qeveria e ka bërë lajm të mirë, ngase në botë çdo lajm për përcaktimin e vijës kufitare përçohet me mesazhe të paqes dhe bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. Kështu edhe ka ndodhur në takimet e palës kosovare me qendrat e vendosjes të cilat nuk kanë treguar interesim për aktin e nënshkrimit të marrëveshjes. Këto qendra ndërkombëtare nuk e kanë vënë fokusin në kredibilitetin e kësaj marrëveshjeje. Ata këtë punë e konsiderojnë si çështje bilaterale. Por në momentin që kjo bilaterale nuk do të funksionojë e kthejnë vëmendjen rreth kësaj çështjeje duke e konsideruar edhe si çështje ndërkombëtare.
Në vijim do të paraqes disa defekte dhe gabime të bëra nga pala kosovare gjatë përcaktimit të vijës kufitare:
Partneriteti ndërkombëtar dhe fqinjësia integruese
Duke dashur të manifestojnë një lloj triumfalizmi dhe orientimi properëndimor në këtë punë, pala kosovare ka nënshkruar marrëveshje rreth demarkacionit e cila nuk i është prezantuar opinionit e as zgjedhësve. Këtë po e ndërlidhin për një kriter integrues “fqinjësia e mirë” dhe “liberalizimin e regjimit të vizave”. Të sqarojmë se fqinjësia e mirë ndërtohet me vullnetin e dy shteteve, sepse në të kundërtën kjo është fqinjësi asimetrike. Në anën tjetër në përafrimin e Serbisë në BE Kosovës i janë kërkuar investime të fqinjësisë së mirë. BE ka dashur që nëpërmjet negociatave Serbi – Kosovë të dëshmojë vitalitetin dhe afinitetin integrues të Serbisë.
Sa herë që Kosova thirret në fqinjësi, nga Serbia vijnë porosi se asnjëherë nuk do ta pranojnë Kosovën. Kjo do të thotë se Serbia, Kosovën nuk e konsideron së paku as fqinj, e lëre më si fqinj të mirë. BE-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, nga Kosova kërkojnë përmbushjen e kritereve integruese në kontekstin kompleksitetit të tyre. Dëshira dhe ngutia kosovare për të dëshmuar vitalitetin integrues dhe vullnetin kooperues ndërkombëtar shkon më larg se realiteti në terren. Kosova në këtë përpjekje duhet të respektojë procedurat demokratike duke promovuar stabilitet të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë sens duhet kuptuar edhe promovimin e porosive se ja Kosova e ka përcaktuar kufirin me Malin e Zi.
Në qarqet diplomatike, çdo lajm mbi përcaktimin e kufijve është i mirë dhe tingëllon për qetësi dhe fqinjësi të mirë. Këtë po e kërkon edhe Kosova në raport me vendet fqinje. Në të vërtetë kërkohen kufi të miqësisë, korrekt dhe kooperues. Mund të paragjykojmë se si do të shkojë procesi i vijëzimit të kufirit Kosovë – Serbi. Kjo do të krijoi situatë tejet sfiduese për Kosovën duke pasur parasysh atë që po ndodh me Malin e Zi. Hulumtuesit e kësaj problematike në ndërkohë kanë gjetur fakte dhe harta topografike të prodhuara në Serbi, Britani të Madhe, Gjermani, Rusi të cilat e tregojnë fiksimin e pikës kufitare Çakor dhe Kullë.
Kushtetuta e 1974-s nuk ka krijuar kufij administrativë të rinj
Me qëllim të shpalljes së një fitoreje të madhe thuhej se është nënshkruar vija kufitare e përcaktuar me Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974. Të gjithë ata që kanë punuar brenda sistemit politik dhe ekonomik të ish-Jugosllavisë e dinë mirë se kjo Kushtetutë e ka decentralizuar pushtetin qendror federal duke bartur kompetenca ekonomike dhe politike në nivel të njësive federale.
Në kuadër të këtij procesi kompetenca federale kishte fituar edhe Kosova. Kjo Kushtetutë nuk ka krijuar kufij të rinj, por vetëm i ka sanksionuar kufijtë administrativë ekzistues të R / K të viteve më të hershme. Është joserioze që politikanët që e dinë këtë Kushtetutë dhe kanë pasur funksione politike dhe ekonomike brenda saj, ofrojnë publikisht garancione se Kosova e ka fituar kufirin e vet në vitin 1974. Sa për kujtim kuadrove të asaj kohe: Në vitin 1954 një komision i udhëhequr nga lideri komunist Gjillas në përbërje të autoriteteve ushtarake dhe profesionale ka punuar deri në vitin 1958 në përcaktimin e kufijve administrativë të republikave dhe krahinave autonome.
Hartat e punuara nga ky komision janë zyrtarizuar me botimin e tyre në Enciklopedinë e Jugosllavisë në vitin 1962. Hartat dëshmojnë se Çakorri dhe Kulla paraqesin pika kufitare administrative. Mjafton vetëm ky argument topografik për të bërë një pozicionim më të mirë gjatë bisedave me palën tjetër. Të rikujtojmë se në këtë periudhë Kosova nuk ishte element konstituiv i federatës jugosllave por vetëm një “Oblast” i Serbisë, që i bie se u përcaktua kufiri Mali i Zi – Serbi duke përfshirë edhe pjesën e Kosovës. Shtrohet pyetja perse komisioni i Kosovës të injorojë këto argumente të fuqishme politike dhe gjeografike dhe të pranojë argumentet kadastrale.
Parimet ndërkombëtare dhe kadastra e Kosovës
Gabimi tjetër ndërlidhet me qasjen profesionale në përcaktimin e vijës kufitare. Bota ka njohur disa parime ndërkombëtare gjatë përcaktimit të vijave kufitare, e këto janë principi natyror: kurrizi dhe ujëmbledhësit. Implementimi i këtyre principeve është përdorur në shumë vende të botës. Në vitin 1999 këto parime ishin përdorur edhe gjatë përcaktimit të vijës kufitare në mes të Timorit Lindor dhe Indonezisë. Kjo është bërë duke pasur parasysh se përcaktimi i vijës kufitare në mes të shteteve duhet të jetë kontribuues i raporteve miqësore dhe bashkëpunuese. Analistët dhe profesionistët e gjeografisë konfirmojnë se përcaktimi i vijës kufitare në Jugosllavi në vitin 1958 ka respektuar në plotëni këto parime ndërkombëtare edhe në rastin e Kosovës dhe Malit të Zi.
Në vend që pala kosovare të kërkojë zbatimin e principeve ndërkombëtare ka rrëshqitur gabimisht në principin kadastral duke u futur nën presionin malazez. Analiza dhe fletëposedimet kadastrale përdoren gjatë identifikimit të pronave dhe parcelave në mes të komunave brenda një shteti e jo në demarkacionin në mes të dy shteteve të pavarura. Kjo defanzivë dhe gep profesional i palës kosovare ka përfunduar në përcaktimin e një vije kufitare në dëm të interesave të përgjithshme të Kosovës, banorëve të saj dhe të komuniteteve që afektohen. Kjo sipas ekspertëve të gjeografisë e jo të kadastrës ka reflektuar në humbjen e 9.239 hektarëve tokë. Kjo është e pafalshme për të gjithë ata që ishin të involvuar në këtë proces.
Gabimet e tilla nuk duhet të jenë vetëm brengë e partive politike, e as atyre në opozitë, por e të gjitha institucioneve. Përgjegjësia më e madhe i mbetet Parlamentit të Kosovës që të stopohet një proces i dëmshëm për Kosovën. Botimi i një raporti studimor dëshmon se Kosova ka kapacitete shkencore – profesionale të kësaj fushe për të konfrontuar realitetin gjeo-topografik të Kosovës me realitete të projektuara gabimisht. Kam parasysh skandalin në Gjykatën e arbitrazhit në mes të Sllovenisë dhe Kroacisë. Qeveria kroate kishte informata se procesi i arbitrazhit po merrte anim slloven dhe në atë rast u bashkua pozita dhe opozita duke e votuar vendimin mbi zhvendosjen dhe largimin e Kroacisë nga një arbitrazh i njëanshëm. Edhe partitë politike dhe institucionet e Kosovës të tregojnë unitet dhe të tejkalohen devijimet e këtij procesi. Kuptohet për gjëra të tilla nevojitet vullnet politik dhe braktisja e interesave partiake dhe të grupeve të interesit.
Transparenca malaziase
Gjatë gjithë këtij procesi pala malaziase opinionin e vet e kishte informuar rregullisht duke e siguruar edhe përkrahjen e kësaj pune shtetërore. Në një raport të Qeverisë së Malit të Zi mësojmë më shumë se si ka vajtur ky proces, si janë zhvilluar bisedat dhe qëndrimet e palëve. Nga ajo që mund të konkludohet është se pala malaziase kishte qëndrim tejet aktiv rreth propozimit të manualit të punës, procedurave, parimeve dhe propozimeve rreth vijës së demarkacionit. Ky raport dëshmon edhe për pozitat asimetrike që kishin palët në këto bisedime duke pasur parasysh pranimin e të gjitha propozimeve të palës malaziase. Për fat ky raport është shpërndarë edhe në Kosovë dhe lexuesit dhe opinioni më së miri mund të nxjerrin përfundime rreth kësaj çështje.
Badinteri, Kumanova dhe Ahtisari
Zyrtarët e Kosovës kanë bindje se me këtë marrëveshje janë mbrojtur kufijtë e Kushtetutës së ish-Jugosllavisë, të Komisionit të Badinterit, Marrëveshjes së Kumanovës dhe Pakos së Ahtisarit. Se Kushtetuta e vitit 1974 nuk ka lidhje me kufijtë e rinj nuk ka nevojë të elaborohet më shumë. Komisioni i Badinterit të drejtën për pavarësi ua kishte dhënë vetëm republikave me një kushte që kufijtë ekzistues nuk mund të ndryshohen me dhunë dhe se ata do të mbrohen me të drejtën ndërkombëtare. Konkluzionet e Badinterit (1991) me një vonesë kohore të konsideruar vlejnë edhe për kufijtë e Kosovës me të tjerët.
Thirrja në kufi të Badinterit është tejet e pasaktë. Gjithashtu edhe thirrja në Marrëveshjen ushtarake të Kumanovës është gabim i madh, sepse NATO-ja kufirin e Kosovës e konsideronte aproksimativ. NATO kishte zbatuar harta intervenuese ushtarake duke mos krijuar kufij të rinj, por vetëm zona të sigurisë ajrore dhe zona të sigurisë tokësore. Dhe në fund Plani i Ahtirasit nuk është marrë me vendosjen e kufijve shtetërorë të Kosovës, por vetëm me përkufizimin kadastral të Kosovës në kontekstin e decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja.
Kontrolli policor i vijës kufitare të kontestuar
Mali i Zi edhe para se të nënshkruhej marrëveshja kishte filluar të bënte kontrollin policor jashtë kufirit tradicional me Kosovën. Në kuadër të kësaj bëhet edhe shfrytëzimi i resurseve lokale duke e pamundësuar shfrytëzimin e pasurisë nga ana e komunitetit të kësaj ane. Komuniteti është anashkaluar edhe gjatë zhvillimit të bisedave. Nuk kanë mjaftuar vetëm disa takime për të krijuar mirëkuptim dhe gjetur zgjidhje që bazohen në fakte natyrore, etnike, historike dhe topografike, e jo argumente kadastrale të imponuara nga pala malaziase. Tani pas nënshkrimit të marrëveshjes, policia malaziase është duke e ushtruar një kontroll tejet rigorozë në këtë anë. Çfarëdo rinegocimi duhet të kushtëzohet me largimin e forcave policore të cilat e cenojnë fqinjësinë tradicionalisht të mire me malaziasit. Ky kontroll është duke u bërë edhe pengesë serioze e bashkëpunimit ndërkufitar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.