Teme Sejko
Dihet dhe është dëshmuar tashmë se atë e kanë torturuar në mënyrën më çnjerëzore gjatë hetuesisë, prandaj deponimet e tij në gjyq nuk kanë kurrfarë vlere.
Ose më mirë, e vetmja vlerë e këtyre deponimeve është të tregojnë prapaskenat, intrigat dhe pisllëqet e luftës së brendshme për pushtet, në atë periudhë kritike për regjimin e Enver Hoxhës; si dhe të ndihmojnë historianët e asaj dhune çnjerëzore që paraqitej si “drejtësi” nën komunizëm.
Vetë Enver Hoxha, në vitin 1982, thuhet të ketë deklaruar në një mbledhje të Byrosë Politike se procesi i Teme Sejkos dhe komploti për të cilin u akuzua ky oficer i lartë “ është mbuluar me një mister dhe ngjan me një legjendë të çuditshme shumë të dyshimtë.”
Në gjyqin kundër tij, në mars të vitit 1983, ish-ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu ka deklaruar se Teme Sejkon e kanë vrarë aksidentalisht, duke e torturuar, pas vendimit të gjyqit që e dënonte me vdekje.
Natyrisht, si në rastin e gjyqit kundër Teme Sejkos, ashtu edhe në rastin e gjyqit kundër Kadri Hazbiut, është fjala për deponime të dhëna pas presionesh të rënda në hetuesi, duke përfshirë torturën dhe kërcënimet ndaj njerëzve të familjes.
Kjo do të thotë se deponime të tilla vlejnë vetëm si dokumente të dhunës që ushtronte shteti totalitar ndaj viktimave të radhës.
Botimi i tyre, në gazeta të përditshme, pa kurrfarë aparati kritik, me përjashtim të një vërejtjeje në hyrje se “gjyqi u zhvillua pas rreth një vit hetuesi ku presioni dhe dhuna, bënë që dëshmitë e grupit të çamëve të jenë të zbutura e të manipuluara.”
Nëse është kështu, atëherë cili është pikërisht synimi i Gazetës Shqiptare në botimin e paçavureve të tilla?
Dhe gjithsesi, pavarësisht nga synimi, të cilin as e dimë as e paragjykojmë dot, njohja me materiale të tilla nga brezat që nuk e kanë shumë idenë as për periudhën komuniste, as për mënyrën si vepronte aparati represiv totalitar, mund t’i marrin për të përnjëmendta sajimet e Sigurimit të Shtetit dhe gënjeshtrat që Teme Sejkoja dhe të tjerët ishin detyruar të thoshin, qoftë nën tortura, qoftë duke u kërcënuar.
Po sjell këtu vetëm një shkëmbim mes prokurorit dhe Sejkos vetë nga ç’ka botuar Gazeta, për të kuptuar se çfarë farse i shërbehet lexuesit:
PROKURORI: – I pandehuri Teme Sejko, pushteti popullor u mori kapitalistëve fabrikat, bankat dhe i ktheu ato në pronë të përbashkët. Çfarë do të ndodhte me to, me vendosjen këtu të kapitalizmit?
I PANDEHURI: – Ato do të ktheheshin përsëri në duart e atyre që i kishin pasur.
PROKURORI: – Po me koncesionet e huaja çfarë do të ndodhte?
I PANDEHURI: – Do të rivendosej plotësisht situata që ekzistonte para kësaj. Koncesionet do t’u ktheheshin atyre që i kishin zotëruar.
PROKURORI: – Si duhet t’ju konsiderojë ju populli pas kësaj?
I PANDEHURI: – Si armiq, ashtu si dhe jemi.
PROKURORI: – Shokë qytetarë! Paraqitje më të mirë dhe më të qartë të qëllimeve të kësaj organizate kriminale dhe pjesëmarrësve të këtij komploti, imperialistëve amerikanë, revizionistëve jugosllavë dhe monarko-fashistëve grekë, se sa e bëri i pandehuri Teme Sejko, nuk mund të ketë.
Vendoseni tani këtë pisllëk, në kontekstin e fatit të familjarëve të kundëradmiralit, pas rrëzimit të tij:
Teme Sejko u pushkatua [...] Po kështu është pushkatuar edhe Taho Sejko, eshtrat e të cilit nuk dihet ku janë. Tragjedia e familjes Sejko vazhdoi pafundi: Sulo Sejko, vëllai i Temes [...] u ndoq e u persekutua nga Sigurimi i Shtetit dhe u gjend i vdekur në thellësitë e një pusi. Sakaq, djali i vogël i Teme Sejkos, Sokoli, ish-punëtor i Kombinatit të Tekstileve në Berat, u pushkatua me akuzën për sabotim të pronës socialiste në moshën 23-vjeçare. E ëma, Shpresa, një ditë teksa po i shpinte bukë të birit në burg, u përball me policin e shërbimit, i cili i tha aty për aty: “Merre me vete çfarë ke sjellë, se Sokoli nuk është gjallë, hëngri gjysmën e lekut dhe iku në atë botë”. Më vonë, Shpresa, një grua fisnike nga Korça, nuk i përballoi dot tragjeditë dhe u hodh nga kati i katërt i shtëpisë, duke i dhënë fund jetës në mënyrë makabre. Rajmondi, djali i madh i familjes Sejko, mundi të mbijetojë i vetëm pas 10 viteve burg që bëri për agjitacion e propagandë.
Duke botuar – si të mirëqena – aktet e një procesi farsë, të kurdisur, dhe të gënjeshtërt, Gazeta Shqiptare nuk po i shërben të vërtetës, por mbulimit të krimit dhe reputacionit të një regjimi, i cili jo vetëm vrau, burgosi, internoi, persekutoi dhe u shkatërroi jetën mijëra e mijëra njerëzve të pafajshëm, por edhe hodhi themelet sociologjike të këtij shteti të shëmtuar që ka sot Shqipëria.